'Diversiteti fetar dhe ndikimet e huaja ndër shqiptarë'
| E Merkure, 20.06.2018, 07:17 PM |

Lidhur me organizimin dhe zhvillimin e debatit, me temë "Diversiteti fetar dhe ndikimet e huaja ndër shqiptarë", të datës 12 prill 2018, në sallën e Kuvendit Komunal të Komunës së Preshevës, të organizuar nga Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës.

Përshkrim i shkurtër i ecurisë së diskutimit në debat

Në përgjithësi konsiderojmë se klima e debatit, duke filluar nga organizimi, pjesëmarrja dhe mbarëvajtja ishte e kënaqëshme dhe e një niveli mjaft të mirëfilltë.

Duke pasur parasysh se Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në këto treva, tanimë ka bërë një traditë të mirë të organizimit të tillë, vijmë deri te përfundimi i tillë se edhe kjo ishte një vazhdë e kësaj tradite, të shkaktuara nga shqetësime njerëzore në përgjithësi, e intelektuale në vecanti.  

Duke filluar nga panelisti kryesor, ligjëruesi Prof. dr. Nebi ISLAMI, moderatori, prof. Xhemaledin SALIHU, e panelistë të tjerë, të cilët e morën fjalën dhe u angazhuan me diskutime rreth temës, konsiderojmë se që të gjithë kanë mbajtur një vijë simetrike të temës qendrore, të cilën organizatori e kishtë përcaktuar.

Diskutimi ishte i kënaqshëm dhe duhet theksuar pikëpamjet e ndyshme të disa diskutantëve, gjë që na sollën një mendim ndryshe sipas bindjeve të tyre dhe ishte një nxitje e diskutimeve edhe më të mëdha, e njëkohësisht edhe qasje ndyshe për trajtimin e problematikës.

Duke e pasur parasysh se tema të tilla janë të gjëra, të thella e të mëdha, se ato prekin shekujt dhe qiellin, është shumë e mundshme që nuk kemi pasur mundësi t’i përmendim e ti diskutojmë shumë pikëpamje të tjera.  

Kemi bindjen e tillë se i gjithë diskutimi rreth temës së Diversitetit religjioz ndër shqiptarët dhe ndikimet e huaja, mund të përmblidhen me këto pika të shkurtëra, përfundime dhe janë si vijon:

P Ë R F U N D I M E

1.Rëndësi e kujdes t‘i kushtohet ruajtjes dhe kultivimit të vlerave kombëtare, kulturore e tradicionale, sidomos te gjeneratat e reja. Këtë përgjegjësi e mbajnë instituconet publike, instituconet edukative arsimore, shoqëria civile, Këshilli Kombetar dhe mediat,

2.Në përgjithësi, kërkojmë një ndërgjegjësim më të madh pedagogjik, profesional e institutcional të klasës së mësimëdhënësve të çdo niveli në komunat tona: Preshevë; Bujanoc e Medvegjë, sepse shpeshherë, sjellja e tyre nuk përkon me kapacitetin pedagogjik që duhet të ketë një mësimëdhënës,

3.Diversiteti në mendime, koncepte, qëndrime, pikëpamje, botëkuptime, parime e vlera është pasuri e jona. Këtë duhet të kuptojmë si një formë e organizimit të jetëve tona, në spektrin e gjërë të rrugëve që na jep jeta dhe duhet të shohim si një trashëgimi e pasur për unifikim, duke filluar me parimin që mund të jetë i mundshëm “unitet në diversitet”, andaj ju lutemi të kemi mirëkuptim në këtë kohë trazirash e krizash të shumta. 

4.Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore dhe pjesa tjetër aktive e shoqërisë civile jemi të shqetësuar për ligjërimin në përgjithësi dhe nivelin e tij joadekuat që nuk përkon me aftësitë e të nxënit dhe ato profesionale e njerëzore të nxënësve tanë, në çdo nivel të mundshëm dhe në veçanti në lëmejtë që janë më të ndieshëm dhe që prekin shpirtin e brezave tanë, e sidomos të shkollarëve fillorist dhe atyre gjimnazistëve. Kërkojmë, të jemi të vetëdijshëm për fjalën e thënë dhe pasojat e saj, sepse ajo është “para institucion” i cili i institucionalizon të gjitha format e jetës tonë, duke filluar nga ajo religjioze, kulturore, arsimore, pedagogjike, juridike, ekonomike e politike. 

5.Mundësi dhe transparencë ndaj nxënësve lidhur me përzgjedhjen e lëndëve zgjedhore në nivelin e arsimit fillor e të mesëm. Orientimi profesional i nxënësve të fillojë nga ky nivel shkollimi, kështu që nxënësve të prirur për interes fetar t‘i jepen mundësi e qasje për shkollim në institucionet gjegjëse. Lënda fetare në shkollat tona të ligjërohet me koncepte të pranueshme pë moshën e fëmijëve dhe të plotësohet me përmbajtje edhe nga fetë tjera ndër shqiptar, sepse toleranca dhe respekti fetar është vlerë shqiptare,

6.Diversiteti sjell me vete edhe ndikime, andaj është shumë e nevojshme që të kemi kujdes ndaj traditave ndryshe, të sjellura në trojet tona, qoftë nga Lindja e nga Perëndimi, qoftë nga njëra apo tjetra Fe e shqiptarëve, sidomos pas hapjes me këtë globalizim. Qëndrimi me vijën tradicionale të mendimit, e cila e ka dhënë provimin e kohës dhe sfidave, të cfarëdo forme qoftë, duhet të jetë kryefjala jonë, vlerë të cilën duhet edhe më tutje ta vazhdojmë. Padyshim se, këtu nuk e kemi fjalën për format e ringritjes, apo rindërtimit të identiteeve brenda subjektit human.

7.Jemi pjesë e Europës, por kemi identitetin tonë që nëpër shekuj na u është përcjellur me vlerat që na kanë lakmi thuajse e gjithë bota. Të jemi bashkëkohor, ti japim qasje reale dhe kritike prurjeve qoftë nga lindja apo perëndimi. Mirëpo, gjithmonë duke i ruajtur e kultivuar dallimet apo diversitetin brendapërbrenda shqiptar që asnjë popull nuk e ka sa i përket tolerancës dhe respektit ndër fetar.

8.Kemi bindjen e thellë se jemi të vetëdijshëm si popull se me cilat sfida jemi duke u përballur, Jemi në kohë shumë të turbullt e jemi duke kaluar nëpër kapërcyell të vështirë të histories, me një transformim marramendës, andaj shpresojmë e urojmë të jemi vigjilent në këtë drejtim, syhapur e shumë të matur, sepse në të kundërtën “atë çka do të mbjellim sot, brezat e ardhshëm do ta korrin” qoftë e mirë apo e keqe. Vetëm brenda vetes gjendet e mira apo jo e mira, që prej nesh varet se cilës do ti prijmë e do ti shërbejmë.

9.Ne si shoqëri në tranzicion e sipër duhet të formojmë një mekanizëm vlersues me njerëz kompetent /komision apo ngjajshëm/ që në mënyrë kritike dhe me filtër vlerson, se çfarë duhet të futet brenda trungut tone nga prurjet e huaja, që të marrim vetëm vlera të mirëfillta dhe që nuk rrezikojnë identitetin tonë shqiptar. Preferojmë të mos luajmë rolin e bajraktarit fetar, sektar, të mos mundohemi t’i rregullojmë çështjet fetare ideologjike, globale, sepse duhet kuptuar kapacitetin tone social.Poashtu të shfrytëzojmë të mirat e fesë dhe t’i dhe t’i përvetësojmë ato, për të mirën tonë, sociale, e tjerë

Me përshëndetje miqësore nga paneli punues i përfundimeve:

Xhemaledin SALIHU,

Shkodran H. Ismaili,

Fitim NUHIU,

Shkëlzen LIMANI

Preshevë, më 12 prill 2018

 



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: