Ndue Ukaj: Kur të fton i huaji...!
| E Hene, 15.09.2008, 11:01 PM |

Gruevski - Berisha (Shkurt 2008)
Kur të fton i huaji...!

Nga Ndue Ukaj

Me siguri se çdo dashamirës i  kulturës dhe literaturës shqipe do ta jetë ndjerë keq, pse të mos themi i tunduar dhe i irrituar kur të ketë dëgjuar lajmin se: “Gruevski (kryeministri i Maqedonisë) fton Berishën për 100-vjetorin e Kongresit të Manastirit”. Por, jo vetëm për njerëzit e kulturës, historisë, letërsisë, por me siguri se për çdo shqiptar kjo ftesë duhet të ketë tingëlluar e pazakontë, pse të mos themi me doza bezdie. Unë e ndjej dhe e konceptoj si një tendencë të orkestruar dhe ironike. Ngase nuk ka sesi të fshihet përbuzja që i bëhet Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo nga kjo ftesë cinike e Gruevskit. Pra, me pak fjalë, kjo ftesë mund të lexohet kështu: “ një gjë që s’di ti ta bësh, apo nuk ja di vlerën, ta bëjmë ne”. Dhe kështu pra të fton i huaji ta kremtosh festën tënde. Për mrekulli, ne kënaqemi e mashtrojmë vetën më përralla moderne. Kjo është një ironi e sojit më të ashpër që di dhe mund ta kapërdijë vetëm një politikë pa vizione, një politikë pa ideale dhe një politikë pa ndërgjegje kulturore. Janë të kuptueshme “dëshirat” dhe gjitha arsyet që lidhen me këtë ftesë pompoze nga ana e palës maqedonase, ndërkaq është krejtësisht e pakuptueshme kjo letargji e politikave kulturore të Shqipërisë, që në një Jubile të tillë, heshtin në mënyrën më të turpshme.  Kjo heshtje e institucioneve tona, i jep arsye dikujt që ta bëjë një ftesë të tillë, tejet ironike, pra për të kremtuar një nga datat më të rëndësishme të historisë dhe identitetit shqiptar nën organizimin e një shteti të huaj. Dhe politika shqiptare kënaqet me turpet e veta.

Ekziston një diskurs i natyrës politikë, sidomos në vendet tranzicionale, i cili pretendon gjitha çështjet që kanë të bëjnë me vlerat kulturore t’i kundroj  si dukuri politike. Madje edhe duke i “shfrytëzuar” këto në kuadër të përpjekjeve për fqinjësi të mirë, integrime, etj. Në fakt këto janë farsa. Ky soj diskursi nganjëherë del nga koncepti politikë dhe prek çështje të ndjeshme shpirtërore, sikurse është tani fjala me manifestimin në fjalë. Nuk do koment fakti se Kongresi i  Manastirit është zhvilluar në një qytet që sot i përket territorit Maqedoni, por është një zhvlerësim i turpshëm që për një Jubile të tillë, kremtim ekskluzivisht shqiptare, të bëjë ftesë një kryeministër i një shteti fqinj. Këtë soj të çoroditjes e toleron dhe e përpinë vetëm politika injorante shqiptare që vazhdojnë të “hane, flejë e qes petulla në ujë”, -do të parodizonte i madhi Petër Fishta,  ideatori i kësaj ngjarje madhore për historinë dhe kulturën shqiptare.

Ftesë e Gruevskit dhe miratimi kaq i pacipët nga politikat dhe institucionet kulturore shqiptare duhet lexuar përtej një eufori momenti dhe ndjenjës së dashamirësisë ndaj shtetit Maqedon. Në rend të parë, kjo mënyrë e organizmit unilateral nga ana e shtetit Maqedoni ka për qëllim  ta ulë përmasën kulturore që ka ky Kongres në dimensionet shqiptare dhe t’i jep konotacione maqedane. Dhe pse jo, me tendenca dinake, që pas disa viteve të del ndonjë segment i këtij shteti me teza se, ishin pikërisht ata që e bënë një gjë të tillë, ishin ata që ju dhanë shqiptarëve alfabetin perëndimor, ashtu siç dinë dhe manipulojnë sot në mënyrën më të paskrupullt me Nanën Tereze.

Është krejtësisht e kuptueshme se Shqipëria dhe Maqedonia ndërtojnë marrëdhënie fqinjësie të mira, madje është për t’u përshëndetur fakti se kryeministri Maqedoni Gruevski na thërret me kremtua Jubileun tonë, por kjo dashamirësi ka prapavija aspak dashamirëse. Pikërisht kjo duhet t’i trondit politikat tona, duke i  zgjua nga gjumi prej ariu. Institucionet shqiptare kulturore nuk duhet të kënaqen me ketë “kockë pa mish” të hedhur nga i huaji, sepse mund ta na prishë dhëmbët!

Konsideroj se është e panevojshme dhe për bezdisëse për lexuesit tani të flitet për rëndësinë epokale që ka pas ky Kongres për konsolidimin e kombit shqiptar. Madje është i mirënjohur fakti se ky Kongres pati ato rezultate falë mençurisë dhe gjenialitetit që ka dëshmuar çdo herë dhe veçanërisht në atë rast, poeti ynë kombëtar, Padër Gjergj Fishta, pa vendimet e të cilit Kongres, historia shqiptare do të mund të merrte drejtime të paparashikuar. Prandaj mos kremtimi i këtij Jubileu në Shqipëri, apo në rastin tjetër mos organizimi i përbashkët me Maqedoninë, është një goditje e madhe që i bëhet kësaj ngjarje, Padër Fishtës dhe historisë së Alfabetit shqip, një histori kjo e njollosur me gjak dhe e persekutuar nga armiq turko-sllavë. Ndërkaq pikërisht armiqtë e dikurshëm sot na kremtojnë, e ne heshtim. Për mashalla. Ky është një soj i turpit më të paskrupullt, që mund ta kapërdinë vetëm ai që s’ka fare ndenjën e përgjegjësisë, mbi të gjitha nuk ka fare ndjenjën e sinqeritet dhe ndërgjegjësisë së çiltër në raport me të kaluarën dhe të tashmen.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: