Drita Lushi: Kur n’foltore ngjiten poetët
| E Enjte, 14.06.2018, 08:19 PM |

Kur n’foltore ngjiten poetët

Mbresa nga “Drini poetik”

Teksa shkoja drejt bibliotekës kombëtare “Pjeter Budi” ku do të zhvillohej dita e parë e festivalit ndërkombetar “Drini poetik”,  ndër të tjera i thashë mikut tim Azem Osmani, ( i cili na shoqëroi gjithë atë ditë mua dhe poeten Lumturi Ymeri në Prishtinë) se biblioteka ishte shumë e veçantë dhe e bukur.Ai më shpjegoi,  se ndërtimi i saj ishte mbështetur në tabanin kombëtar dhe po ta shihje nga lart,  kishte formën e disa plisave,  me kupola të bardha si qeleshja,  një simbol i bukur i burrërisë shqiptare.

Pranova ftesën e LSHK-së,  me kënaqësinë dhe dëshirën për të parë zhvillimin e një aktiviteti letrar në Prishtinë , për të njohur krijimtarinë e poetëve brenda këtij harku kohor të vënë në dispozicion, për t’u takuar nga afër me vetë poetët dhe njerzit,  përtej kornizave virtuale, për të këmbyer libra, për të biseduar,  për të arritur ose krijuar opinione të reja.

Në fund të fundit,  kjo është dinamika e bukur e jetës, aq më shumë e një aktiviteti të tillë,  që ka në qendër poetë e krijues,  ku lirshmëria dhe poezia janë kryefjala e aktivitetit!

Hapjen e bëri prof.dr Burim Latifi, ku mbajti ligjëratën”Të rezistosh përmes poezisë”.

Kryetari i LSHK-së,  prof.dr.Shyqyri Galica,  pasi uron mirëseardhjen,  i lë rradhën aktivitetit, ku në shenjë nderimi për Vitin e Skënderbeut u mbajtën disa ligjërata nga Nikola Spathari, Migena Arllati etj.

Pastaj u përuruan librat e rinj,  të disa autorëve për të vazhduar me pjesën e tretë “Lira poetike”.

Aktiviteti,  përkoi edhe me panairin e librit në Prishtinë,  të cilën s’mund të lija pa e vizituar.

“Lira poetike” ngjiti në foltore poetë të ndryshëm nga Shqipëria,  Kosova, dhe Gjermania.Nën tingujt e muzikës ajo sallë e vogël dhe e madhe do të ndriçohej nga fjalë shpirti, të bukura,  që vetëm poetët dinë të shkruajnë dhe thonë.Në ndryshim kur në foltore ngjiten politikanë,  ajo mori ngjyrën e luleve, të barit, pemëve, të dashurisë, të atdhetarisë, të shpresës dhe besimit, sepse natyra u ka dhënë krijuesve një shqisë të veçantë ndjeshmërie.

Ky festival,  i konceptuar në tre pjesë,  “Lira poetike” “Ora e lidhjes” dhe “Valët e Drinit” do të zhvillohej në tre qytete,  në Prishtinë në Prizren dhe ne Kukës, të tria në funskion të idesë që poezia dhe fjala bashkojnë qytetet, njerzit dhe thyen kufinjtë!

”Lira poetike”,  që nisi në Prishtinë shoqëroi me muzikën e ëmbël dhe vargjet e poetëve,  që konkuronin me poezi të reja të pa botuara askund.

Tematika nga me të ndryshmet, krijonin një atmosferë emocioni, lirshmërie dhe bukurie në sallë.

Pas aktivitetit mundem të prezantohem me autorë dhe miq nga Kosova me te cilët qëllonte,  që mund të ishim të shqëruar edhe në rrjetet sociale.

Takova aty Albinen Idrizin. (anëtare e kryesisë së LshK)e embël dhe e bukur, Migena Arrllatin,  prof.dr.Shyqyri Galicën-kryetar i Lshk-së, shkrimtarin Xheladin Mjeku, Flora Brovinën, Adem Zaplluzhën,  Atdhe Gecin, Flori Bruqin,  Maxhun Osmanin, Bedri Zyberin poezia dhe interpretimi i të cilit më la shumë mbresë.Aty ishte Bedri Halimi Nagjije Kastrati, Agim Desku etj.

Disa i njihja me parë virtuliasht i kisha lexuar, kisha pasur bashkëpunime letrare dhe tani ishte çasti ti jepnim doren sho-shoqit, të këmbenim libra të shkrepnim foto dhe bisedat të ktheheshin shpejt në hullinë e miqësisë dhe humorit, të lirshme, të sinqerta dhe të bukura.

Edhe nga Shqiperia Anila Qirjazi Mihalin vinte nga Përmeti, e takoja për herë të parë.Ishte gjithashtu prof. Fatmir Musai nga Elbasani, Lumturi Ymeri Bersava, Nikola Spathari etj.

Ndërsa Poeti Vladimir Avdulla Allmuca u nderua me Mirënjohje me rastin e 70 vjetorit të lindjes!

Ishte ideuar nga Lidhja e Shkrimtareve të Kosoves,  që shumica e të ftuarve të ishin për herë te parë sepse kjo i jepte dhe në fakt i jep larmi aktivitetit.

Nga Gjermania kishte mberritur shkrimtari dr.Reimer Eilers, anëtar i shoqaës së shkrimtarëve gjermanë.

Po atë ditë, krysia e LSHK-së më besoi që të isha një ndër pjesëtaret e jurisë,  së bashku me piktoren dhe poeten Miradije Ramiqi, dhe poetin Ramë Oraca.

Në mëngjesin e së nesërmes një shëtitje në Prishtinën,  që akoma flinte nën pushtetin e dëshiruar të pushimit, (ishte e djelë),  më ndihmoi ta pershëndesja me vëmendje disa pjesë të saj.

Natyrisht ka shume për të bërë e për të rregulluar,  madje dhe në gjërat më jetësore, gjelbërimin dhe pastërtinë,  që jane jeta dhe frymëmarrja e një qyteti,  aq më shumë një kryeqyteti.

Prizreni festonte 140  vjetorin e Lidhjes së Prizrenit dhe shkrimtarët e potetët u vendosën të djelën pikërisht aty , për të thënë bukur vargjet e tyre.

Foltores i mungonte një mikrofon dhe kjo bëri,  që të mos dëgjoheshin poezitë e interpretuara nga vetë poetët dhe që ishin në konkurim,  por gjithsesei ata nuk humbën.

I humbur doli Prizreni,  që s’i degjoi dot këta njerëz paqësorë.

Pas Drekës po në këtë qytet,  vijuam në qytetin e Kukësit ku do të mbahej pjesa e tretë “Valët e Drinit” ku poetët u mblodhen në pallatin e kulturës së këtij qyteti,  për të paraqitur krijimet e tyre.

Juria vendosi, që çmimet Metafora I.t’i jepej poetes Sanije Ahmeti Dubova,  me poezinë “Aura e qytetit tim”Metafora II, ti jepej Lumturi Ymeri Bersava, me poezinë “Midisje gruaje”, dhe Metafora III e fitoi Atdhe Geci,  me poezinë “Gruaja Perandorake”

Çmime ikurajuese pati për Poetin Hamdi Hysuka,  që iu dhurua një komplet librash nga instituti Albanologjik i Kosoves,  dhe Ganimete Thaqi që iu dhurua një kompet librash të Adem Demaçit.

Kukesi ishte stacioni i fundit i ketij aktiviteti, por natyrisht mbresat do të vazhdonin dhe pas ketij festivali.

Gjithnje këto aktivitete te tilla sjellin anë të mira, pozitive, sociale, argëtuese sjellin në vëmendje dhe inkurajim  Poetët që janë shtresa më e varfër e shoqërisë por që pasurojne dhe gëzojnë shpirtrat dhe zemrat e njerëzve!

Andaj,  duhen perkrahur nga shteti, organet e pushtetit lokal dhe nga çdo njeri që beson në fjalën e bukur dhe art! 

Drita LUSHI

Poete, prozatore.

Tiranë , 12 qershor 2018.



(Vota: 10 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: