Sejdo Harka: 85 vitet e shkrimtarit Bardhyl Xhama
| E Enjte, 14.06.2018, 07:34 PM |

85 vitet e vrullshme të shkrimtarit Bardhyl Xhama

Nga Sejdo Harka

Shkrimtari, publicisti dhe “Mësuesi i Merituar” Bardhyl Xhama  ka 85 vjet që bën  një jetë , sa të qetë aq dhe të vrullshme, ashtu si koha dhe dallgët  e trazuara të detit,  buzë të cilit ai u lind , u rrit  dhe punoi e jetoi gjatë. Janë këto dallgë , sa të reale aq dhe metaforike, të cilat kanë bërë që në portretin e tij  të jenë harmonizuar mirë bukuria fizike me atë shpirtërore. Ne kolegët , miqtë dhe shokët e tij të hershëm, në personalitetin  e tij kemi gjetur shembullin e njeriut  puntor dhe tepër komunikues, e njeriut gojëëmbël dhe me shpirt krijues. Janë këto disa nga arsyet që të gjithë ata që e njohin thonë se Bardhylit i ka lezet edhe fjala e ngrohtë, edhe  hapi i ngadaltë , edhe mendja  e shëndoshë, edhe kujtesa e rrallë,  edhe trupi i tij i drejtë si djalë .

Të shkruash për vrullin e jetës së tij 85-vjëçare , ndoshta do të duhen faqe të tëra, por në këto shënime të shkurtëra do të ndalemi në momentet mё tё rёndёsishme .

1.Shkollimi dhe puna nё arsim

Shkollёn fillore e kreu në  vendlidje dhe nё Sarandё. Shtatëvjeçaren dhe të mesmen pedagogjike, si degë e gjimnazit “Asim Zeneli” në Gjirokastër, i mbaroi me rezultate të shkelqyera. Në gjimnazin “Asim Zeneli”, në vitet 1949-1953, ishte pjesëtar aktiv i rrethit letrar të shkollës, ku  merrnin pjesë dhe Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Agim Shehu, Gaqo Veshi, Bekim Harxhi e shumë të tjerë. Poezitë e para i botoi në organet e shtypit qendror qysh kur ishte në shtatëvjeçare.

  vitet shkollore ka marrë pjesë aktive në veprimtaritë jashtëshkollore, ёshtё marrë gjerësisht me sport, me teatër, me balet, me kor etj., që i kanë ndihmuar shumë në punën e mëvonshme me nxënës e mësues. Në basketboll , në hendboll dhe atletikë ka përfaqësuar Gjirokastrën në  kampionatet kombëtare të kategorisë së parë, në voleiboll e futboll ka luajtur me Delvinën e Sarandën në kategorinë e dytë.

Për rezultate të shkëlqyera në marrjen e maturës pedagogjike, në vitin shkollor 1953-54, në moshën njëzetëvjeçare,  Ministria e Arsimit e emëron  “profesor matematike” në gjimnazin “Asim Zeneli” në Gjirokastër, aty ku mbaroi maturën. Ka qenë vit i vështirë dhe i suksesshëm. Ata që kishte shokë, iu bënë nxënës, ata qe kishte mësues, iu bënë kolegë dhe e ndihmuan.

Arsimin e lartë me korrrespondencë në Universitetin e Tiranës, Dega Gjuhë – Letërsi Shqipe, e vazhdoi me këmbëngulje dhe e përfundoi me  mbi dy të tretat e notave “shumë mirë”.

Ka dhënë mësim në shkollat tetëvjeçare dhe të mesme në Gjirokastër, Delvinë e Sarandë. Ka qenë drejtor e zëvendёsdrejtor në shkollat e mesme (gjimnaze) të Delvinës e për një kohë më të gjatë në Sarandë,  inspektor i arsimit në  Kom.Ekz. të Sarandës për rreth 5 vjetë si  dhe drejtor i kabinetit pedagogjik të rrethit.

Ka patur marrëdhënie miqësore e korrekte me nxënësit, me kolegët e vartësit, me prindët e qytetarët dhe ka gëzuar respektin e tyre.

2.Si gazetar e studiues.

Ka punuar më shumë se 10 vjetë në redaksinë e gazetës “Mësuesi”, në Ministrinë e Arsimit e të Kulturës, që nga viti l969. Në fillim ka qenë redaktor  e më pas sekretar i Kolegjiumit të gazetës.

Si gazetar ka shkruar me qindra artikuj në ndihmë të mësuesve, ku janë shquar artikujt për drejtimin e shkollës dhe për metodat e mësimdhënies e të edukimit.

Nga gazeta “Mësuesi” është transfruar në vitin 1982 e ka punuar për një vit zëvendësdrejtor në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor e më pas, për gati 10 vjet në Institutin e Studimeve Pedagogjike si shef  i Sektorit të Gjuhës e të Letërsisë Shqipe.

Në këto vende pune ka dhënë kontribut me vlerë në  hartimin e  programeve e të teksteve shkollore, veçanërisht të gjuhës e të letërsisë shqipe, që nga klasa e parë fillore e deri në maturën e shkollës së mesme.

Gjatë kësaj kohe ka ndjekur e kryer shumë studime shkencore, si për leximin letrar në shkollën tetëvjeçare, për lidhjen e gjuhës me letërsinë në shkollat e mesme, për rolin kualifikues të kabineteve pedagogjike të rretheve, për metodat e mesimit etj. Me bashkëautor ka botuar dhe një libër të veçantë për përvojën e shkollës së mesme bujqësore të Delvinës. Ka drejtuar studimin për profilizimin e shkollës së mesme të përgjithme në degët shoqërore e matematiko-natyrore. Shumica e studimeve janë botuar në “Revistën pedagogjike”,  në gazetën “Mësuesi” e në botime të veçanta përmbledhëse  për shkollat.

.        Ka përgatitur e mbajtur në seminare kombëtare e konferenca shkencore mbi 30 tema pedagogjiko-shkencore për probblemet e shkollave.

Për punë shembullore si mësues, drejtues shkolle, gazetar e studues është dekoruar nga Kuvendi Popullor me Medaljen e Punës, Urdhërin “Naim Frashëri” të klasit III, Urdhërin “Naim Frashëri” të klasit II, si dhe me titullin e lartë “Mësues i Merituar”

3. Si shkrimtar

Me rastin e 70-vjetorit të lindjes, në vitin 2003, është nderuar me “Çmimin e Karierës” për kontribut në letërsinë për fëmijë dhe në drejtimin e Shoqatës Mbarëkonbëtare të Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj. Ka disa Ҫertifikata Mirёnjohjeje dhe ёshtё zgjedhur Kryetar Nderi i Shoqatёs sё Shkrimtarёve pёr Fёmijё e tё Rinj.

Ka botuar 18 libra artistikë për fëmijë  e të rinj, nga tё cilat 10 janё nderuar me çmime ne konkurset kombёtare tё letёrsisё pёr fёmijё e tё rinj. Shtёpia Botuese “Toena” ka nё proces botimi kolanёn me tetё libra me rrёfenja pёr fёmijё e tё rinj, tre nga tё cilёt janё botuar.

Sapo ka dalё nё qarkullim libri “Mikeshat e pёllumbit”, botuar nga Shtёpia Botuese “Toena” me 101 rrёfenja tё zgjedhura, nga mbi 260 rrёfenja tё botuara deri tani nё libra e organe shtypi. Jo mё kot ёshtё vlerёsuar nga kolegё e studjues si “babai i rrёfenjave”, “mjeshtri i rrёfenjave”, apo “pasardhёs i Kutelit”.

Janë ribotuar tё gjitha librat e para viteve 90, ndёrsa mё shumё se gjysma e librave pas 90-tёs  janё ribotuar disa herё.  Ka shkruar  dy pjesë për teatrot e kukullave, të cilat janë shfaqur në Sarandë. Janë botuar mbi 100 tregime e përralla në gazeta e revista për fëmijë

Janë përgatitur për radion e televizionin dhjetëra skenarë, teletregime e telenovela për fëmijë, që janë transmetuar disa herë. Ka përgatitur tre skenarë për filma dokumentarë, një për shkollat e mesme të vendit, dy të tjerët për vizitë të ansambleve artistike shqiptare në Kosovë e në Turqi.

Me që shkrimtari dhe shoku e miku ynë i rrallë Bardhyl Xhama mё 13 qershor ka  85-vjetorin e lindjes, këto shënime të shkurtëra po i mbyll me  urimin e madh:”Edhe  njëqind, Bardhyli ynë i dashur! Rrofsh sa të tё dojë e bardha zemër, bashkë me njerëzit që i do dhe të duan aq shumë! Libra  edhe më të bukura dëshirojmë të na dhurosh  në të ardhmen”!



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: