http://www.zemrashqiptare.net/
Zemra Shqiptare

Resmi Osmani: Andrea dhe Helena (6)
| E Marte, 12.06.2018, 07:43 PM |

ANDREA DHE HELENA

Vazhdimi

Novelë nga Resmi Osmani

18

Plaga në shpatullën e Andreas, po shërohej ngadalë.Mjeku ia ndrronte dhe mjekonte përditë. U desh afro një muaj që të mbyllej e përthahej.Kur Andrea u ngrit, Helena u çlirua nga ankthi,por ishte e dërrmuar dhe drobitur. Për të qenë më të qetë e të patrazuar, vendosën të shkonin në shtëpinë e Petrelës.Por edhe atje nuk mundën t’u shpëtonin vizitave të bujarisë qytetse për ”Të shkuara, desh Zoti  që të ruajti dhe që qe e pakët!”

Dita e shkurtër dimërore ishte ngrysur kahera. Fundi i janarit po bënte i ftohtë dhe shirat , era dhe shakullimat s’kishin të prajtur. Helena afroi një divan  shtruar me velenxa leshi pranë vatrës. Atje u ulën të dy.Fëmijët kishin rënë në gjumë dhe shërbenjëset ishin tërhequr në odat e tyre. Ishin kujdesur që në një sini argjendi t’u linin gështenja të pjekura në prush, arra të qëruara dhe fiq të thatë. Në vatër drutë e lista,digjeshin duke brambullirë, prushet e zjarrtë  flakët dhe shkëndijat, shpërndanin reflekse drite, gjuhëza e slueta hijesh që luhateshi mbi mure. Ja ku ishin të dy. Andrea e soditi në heshtje. Në këtë muaj të lëngatës së tij, ajo ishte hequr pak dhe në fytrën e saj kishte një hije vuajtjeje,shënjtërie dhe mirësie, që rrezatonte nën dritën e flakës dhe prushit të zjarrit. Iu duk sikur fytyra e saj, kishte përthithur të gjitha afshet e prushta. Ajo, e ndenjur pranë tij, përjetonte ndjenjën e prehjes dhe sigurisë që gëzon  njeriu, pas lodhjes së gjatë,në rrugëtimin e jetës, pasi kthehet në vatrën e ngrohtë të shtëpisë. Jetonin për njeri-tjetrin, pa njerin syresh, jeta dhe gjithçka tjetër do të ishte e paplotë, mjerane.Të dy ndjeheshin si të shkrirë në një të vetëm, të dy zemrat rrihnin me një ritëm si të pulsonin të njejtin gjak. Askush dhe asgjë nuk mund t’i ndante. Ishin dhe të dy djemtë. Po aq të shtrenjtë sa edhe jetët e tyre, në mos edhe ca më shumë. Përgjëroheshin për ta. Në ta ishte vijimësia e jetës, i breznive  të së ardhmes, si një stafetë përçohej rrahja e zemrës dhe në rrëmba lëvrinte gjaku i tyre. Por Andrea, e dinte dhe ishte i vetëdijshëm,  se për të, kishte dhe një jetë tjetër, që u përkushtohej dhe u takonte të tjerëve. Rasti, fati, trashëgimia, kuturisja, trimëria, mençuria, guximi për tu përballur me rrezikun dhe për të fituar, të gjitha bashkë, kishin bërë që breznitë e burrave të fisit të tij të viheshin në krye të principatës së Arbërisë. Tata, konti Tanush, ishte plakur. E drejta zakonore dhe e gjakut e bënte atë trashëgimtar për të qënë kryezot i Arbërisë, burrë nderi por edhe të drejtë, përgjegjës për fatet e vendit dhe të njerëzve. Të ruante dhe të mbronte çdo pëllëmbë dhe, nga ajo që kishte trashëguar, por të kuturiste dhe të shtonte atë që i kishin lënë të parët. Jeta e tij dyzohej, midis Arbërisë dhe Helenës.Për çdo njerën prej tyre ai ishte gati të jepte jetën.U rrek t’ia spjegonte Helenës gjithë këtë. Ajo ishte e mençur dhe e kuptonte gjithë sa i tha, por s’i vinte mirë. E donte të gjithin për vete. Ca më shumë, kur hija e vdekjes u sillej rrotull. Ajo ia tha këtë.

Vdekja!

Andrea ishte ushtar, i ruhej por nuk i trembej vdekjes. Ishte ndeshur aq herë me mortjen. Ama kishte vdekje e vdekje: mund të vdisje i plakur dhe i vajtur, por edhe i ri, nga e thëna dhe shkaqe të paditura në shtratin e shtëpisë, dhe vdekja ishte e dhimbshme dhe e hidhur si ikje pa kthim.Të dashurit përcilleshin me vaje dhe gjëmë në atë udhë të amshuar. Por kishte dhe një vdekje tjetër, ajo që ai ishte ndeshur  në fushën e luftës, ballas, trimërisht. Kishte përjetuar me dhimbje vdekjen e shokëve, të rinj në lule të moshës, apo burra dhe etër. Shumë syresh kishin dhënë shpirt në krahë të tij. Ishte dëshpëruar për ta, kishte derdhur dhe lote, por pastaj ishte sulur me tërbim në fushë të luftës për hakmarrje dhe ishte shpaguar për jetën e tyre.Ishte vdekje në emër të jetës, por ajme, kush ikte  s’kthehej më. Iknin nga jeta trimërisht. Gjaku i tyre lagte truallin e Arbërisë. Mbetej dhimbja e pavdirë, dhe një muranë si kujtim për brezat. Më trimave u ngrinin edhe këngë. Sido që vdekja ka një fytyrë, ajo që u sillej rrotull atyre të dyve, nuk ngjasonte me dy të parat. Ishte e pabesë, tinzare, si hije, fshihej skutave të errëta, zinte pusi dhe godiste kur se prisnin, s’i ruheshe dot. Fshihej në një shishe helmi që kafshonte zemrën me dhëmbët e helmatisur si të gjarprit, apo fluturonte rrufeshëm nga prita e padukur, e shkrehur nga një dorë vrastare me një shigjetë mizore majëmprehtë.

Kush e donte me patjetër vdekjen e tyre?E kishin biseduar aq herë. Ata të dy e dinin. Ishte një zëmëratë e pafashitur, mllef sovran, mbretëror. Sedër e lënduar, fyerje që sqima, nderi dhe emri i një mbreti se kapërdin, nuk e fal, nuk e harron. Kurorëzimi i një dashurie, i një ndjenje kaq të bukur e të lumtur njerëzore, si mund të ngjallë aq urrejtje në zemrën atërore? Urrejtja kundër dashurisë!Errësira kundër dritës. Demoni kundër ëngjëllit.  Dy të kundërta të papajtueshme, që kur vihen përballë, shkrepëtijnë e djegin si rrufeja. Mbreti ishte si Zoti, por Zoti fal, mbreti jo!  Porosia vinte nga Napoli. Për jetën e tyre paguhej flori. Andrea e dinte. Prapa vrasësve ishte mëkëmbësi i mbretit në Durrës, Çezare di Falkone. Gjithë fijet atje të shpinin.Sa për të këtushmit, ai kishte dyshimet dhe hamendjet e tij, por nuk mjaftonin, mungonin provat.

19

Kuturisja për vrasjen e Andreas u mbulua me mister.

Oficeri  Teodor Stoja i ngarkuar nga Konti Tanush Topia për gjetjen  e vrasësit, me njerzit e tij, në krye të dy javëve ra në gjurmë, e zbuloi , i ngriti kurthin dhe e  kapi atë . Ishte një vrasës me pagesë: mesoburrë , gjuetar-harkëtar, truplidhur, me pamje skifteri, varfanjak hallexhi nga katundi Zall, bujk në çifligun e një qytetari krutan, nga ata që as mbjellin as korrin. E prunë të lidhur këmbë e duar në burgun e kalasë së Krujës. Ditët e para ai nuk u zbërthye, bëri potere, be e rrufe, tha që t’i sillnin ungjillin e shenjtë që të betohej se nuk  ishte ai vrasësi i princ Andreas.U tha se kishin gabuar dhe i binin kot qafës një varfanjaku me një tufë fëmijë që nuk arrinte ti ngopte me bukë. Se ai ishte njeri në punë të tij, që askujt si binte qafës, për këtë mund të dëshmonte gjithë fshati.

Niketa ishte në ankth, i ishte kthyer të pirit dhe si ndahej Teodorit. Kur  i vënë nën torturë, i shpërfytyruar dhe i zgërlaqur, i kërcënuar me hekur të skuqur,  pritej që ai të rrëfehej, i ra zali dhe humbi ndjenjat. Hetimi u ndërpre përkohësisht.

Niketa tërë atë natë nuk mbylli sy. Njeriu nuk është hekur.Shpirti dhemb, durimi ka kufi “Skifteri”do të fliste, atëhere, mos o zot! Niketa u rrënqeth, trupi iu akulleps. Ajo e më pasmja ishte e lemerishme, më keq se vdekja. Duhej ngutur, të shuhej ai zë, të mbyllej ajo gojë. Të nesërmen, në vëngjillë të ditës që po gdhinte,  kur kënduan gjelat e parë, por qyteti ishte ende në gjumë, shkoi i vetëm në qelinë e burgut. Roja i hapi derën. Ishte terr dhe binte era e rëndë e ajrit të ndënjur dhe e gjkakut. I tha rojes t’i sillte një pishtar dhe ta linte vetëm. Kur u bë dritë, pa që i burgosuri ishte rrëzosur në një cep,i mbledhur kruspill, fytyrë përgjakur  i drangur e shpërfytyruar , që dridhej nga të ftohtit. Atij i vrau drita sytë, por e njohu atë që hyri.

Ai kërkoi ujë. I ishte tharë goja dhe i përvëlonte shpirti.

Niketa mori poçen dhe i dha të pinte. Piu si i limaksur. Ujët i rrodhi në mjekër dhe gjoks. Rënkoi dhe psherëtiu thellë:

-Imzot, e sheh si më kanë katandisur ? Dhe kjo për shkakun tënd që më fute në këtë valle. Tani shpëtomë nga kjo e keqe!

-Mbylle gojën! Si guxon? As më njeh as të njoh, s’të kam parë e s’më ke parë kurrë. More vesh?

-Por…

-S’ka por.Si e le veten, more ditëzi të bije në dorë të Teodor Stojës?Nuk të mjaftoi gjithë ai pylli i Mamurrsit që të fshiheshe. Kush të pa, Me cilë ke llapur, kujt ia ke thënë. Hë?

-Nuk e di si ranë në gjurmë dhe mu qepën si gjuetarët kur ndjekin egërsirën.

- Të mos kishe rënë në dorë i gjallë. Pse s’u fshehe në pyll dhe të merrje arratinë. Mor qen,të pagova një grusht me flori, por qënkam gabuar.

-E bëra timen. Thashë se e vrava.  Por jetëgjati nuk bëhet jetëshkurtër.

-U rrëfeve frikaç e burrec, shigjetove nga larg dhe shigjeta s’pati teftik të hynte thellë. Shkrehe vetëm një shigjetë dhe more vrapin si lepur. Si nuk gjete ca helm ta lyeje majën e shigjetës, apo kurseve paratë?

- Imzot, ç’qe për t’u bërë u bë. Shpëtomë. Po mi dogjën  apet mishrat me hekur të skuqur, nuk duron dot më shpirti im i plasur  dhe unë do të flas, do të rrëfej të vërtetën. Kam zotin dëshmitar.

Po të ndodhte kjo, ky ishte fundi. Niketës iu çart mendja, i iku truri.” Mos kij keq, tashti do të shpëtoj një herë e mirë. Do të mbys si klysh qeni. Çap në skëterrë!”.Ashtu i çartur, me duart që i dridheshin i doli pas shpine të burgosurit, nxori nga xhepi litarin e hollë, ia qarkoj në fyt dhe ia shtrëngoi me sa fuqi që kishte, fort e më fort, duke dihatur e turfulluar, aq  sa  duke u përpëlitur, i shtrirë mbi plloçat e gurta të dyshemesë ai dha shpirt. Priti deri sa u sigurua që ai kishte vdekur dhe të mblidhte veten.  Që të mos linte gjurmë, e mori litarin dhe e futi në xhep. Qëndroi në qeli sa u qetësua. U krye. Asnjë pendesë. Që të jetonte vetë, duhet të shkymej jeta e atij tjetrit . Jetë për jetën!

Kur doli nga qelia derën e la hapur. Rojeve u tha se i burgosuri që e kishte marrë në pyetje, i kishte vdekur në duar, pa rrëfyer gjë!

E mori të fshehtën në varr.

20

Aty nga fundi i shkurtit, Andrea dhe Helena u kthyen në Krujë. Konti Tanush Topia pas një ftohme kishte zënë shtratin. Ditët kalonin  e i sëmuri vetëm përkeqësohej. E digjnin ethet, lahej në djersë, kolla i shkallmonte parzmin, iu meh frymëmarrja. Gjithëçka po bënte mjeku ishte pa dobi. Andrea i rrinte mbi krye dhe gdhinte netët. I vinte në ballë pece me uthull dhe ujë të ftohtë që ti ulte zjarrminë por vetiu kujtesën ia përshkëndisnin me ngjyra të ndezura që i lbyrnyn sytë, pamje dhe ngjarje të lumtura të viteve të shkuara, të fëmijërisë dhe rinisë së hershme, kur i ati i ri e i fuqishëm, të dy me Niketën i merrte për dore, kur në ditët e bukura plot dritë e diell, stërviteshin në luftën me shpata, gjuajten me hark, kacafytjen dhe mundjen fyta-fytas. Kalëronin  viseve të Arbërisë.E adhuronte të atin , donte t’i ngjante, të bëhej si ai: i fuqishëm, një burrë i vërtetë: mentar në kuvend, guximtar në luftë, i vendosur, i drejtë,i mëshirshëm e bujar me fatkeqët,i rreptë me hileqarët, tmerr për armiqtë dhe shpresë për miqtë.

Ditët kalonin, të zymta, të dhimbshme, të pashpresa. Konti plak vetëm përkeqësohej. Erdhi një kohë që ai nisi të fliste ne jerm. Murgesha plakë Dilica, që i vigjëlonte mbi krye dhe që i njihte mirë venomet e vdekjes, tha se ai po fliste me shpirtërat e të vdekurve të vet. Kishte ardhir çasti i mbram. Thirrën famullitarin që i bëri vajimin e shenjtë e ta përcillte në atë jetë si katolik të përdëllyer. U  shua në të perënduar të diellit. Shpirti fluturou nga trupi për në amshim. Murgesha Dilicë i mbylli sytë, i lidhi buzën dhe I  kryqëzoi duart mbi parzëm. Bëri kryq dhe u lut:”Mëshiroje o Zot, pranoje në gjirin tënd, bekoje në jetë të jetëve me hirin tënd, o Zot”

Andrea ndjeu një të kafshuar të hidhur farnak në zenër, një nga ato therjet rrëqethëse që ta topitin shtatin dhe mendjen me shpejtësinë e flakës së vetëtimes. Shuarja e të atit, edhe pse e pritur, e la krejtësisht të shtangët, ndërsa e keqja e shumë ditëve që i ishte shpërndarë në trup, iu mblodh lëmsh në fyt.Ai  lëshoi britmën e gjëmës “O i mjeri u  , i mjeri u për ty o tatë”.Helena që iu ndodh pranë e përqafoi, pa fjalë, e dinte: fjalët në kësi rastesh kur dhemb shpirti, ishin të tepërta.

Kasnecët u shpërndanë në të katër anët për të dhënë  lajmin e kobshëm.

Meitin e lanë, e veshën me rrobe të reja dhe e shtrinë në arkëmort, që koka t’i rrinte pak më lart, nën krye i vunë një jastëk.Fytyra ishte dyllë e verdhë, duart e palosura mbi gjoks. Tërë natën vigjëluan pa vënë gjumë në sy gratë e fisit, të veshura me të zeza. Në mëngjes erdhën vajtojcat, këto përcjellëse të pikëllimit dhe nisën vajin.

Helena, kishte parë vdekje dhe përcjellje të të vdekurve në vendin e saj, por në Arbëri edhe vdekja dhe përcjellja e xhenazes ishte krejt e ndryshme. Këtu përziheshin ritet kristiane me ato zakonore, pagane, ku dhimbja për jetën nga këta burra të ashpër dhe krenarë dhe gra të dhimbsura, shprehej  si një dramë tragjike e vërtetë, humbje që trondiste themelet e jetës. Gjithçka Helena pa, ishte nje zbulesë, e një misteri që e ndihmoi  të kuptonte dhe njihte natyrën disi  të veçantë e të çuditshme të këtij populli që jetonte mes maleve të ashpër dhe të spjegonte disa nga enigmat dhe pyetjet që nuk kishte ditur t’u jepte përgjigje. Ajo mësoi se të bësh gjëmë në mort te arbërorët, është të rënkosh, të ulërish,të uturish, të buçasësh,të shprehish brengën dhe helmin me vajtim dhe bubullimë me gjymtim për pikëllimin e padurueshëm të vdekjes. Tek e fundit, mendoi ajo, kjo dëshmonte sesa e çmonte jetën ky popull, që ajo ende s’kishte arritur ta njihte mirë.

Dita ishte e kthiellët por e ftohtë. Kruja ishte në zi. Polemi, fis, gjiri, kushëri, krushqi, shokë e dashamirë, të njohur e të panjohur, shtetas të Princ Tanushit, nisën të vinë që në orët e para të paradites. Burrat, kokën mbuluar me xhurdi, nisnin gjëmën para se të hynin në qytet. Thirrmat ”I mjeri u për ty!”, “Medet, medet!”,”Ej,ej, ej,eh ,eh ,uh,uh!” ,”Mjeri, o,o,o !”  Shungullima e rënkimeve dukej sikur dilte nga nëndheu, ishte si të rënkonin dhimbshëm gurët dhe drurët, jehonën e kthenin malet e Krujës dhe përcillnin tutje fushëtirës deri në anëdet: mjerim! Kishte vdekur Konti Tanush Topia!

Në vakt dreke sosi Zamfina, si një re e zezë. Thërruste vetëm “Mjera u, mjera u” shkulte flokët dhe rruhte gjoksin. Kur  iu afrua arkmortit dhe pa të atun të pajetë, humbi ndjenjat. Mezi e sollën në vete. Më pas zuri të përplaste kokën su e lajthitur pas dyshemesë, derdhte lot të nxehtë, vuri kujen me fjalë zemre, ment mbytej nga dënesat dhe ngashërimi, pastaj e qau me ligje, ashtu siç di të qajë bija të atin.Nuk shikonte njeri, për askend nuk donte të dinte.Helena dhe Angjelina e zunë nga krahët dhe e ngritën, e përqafuan dhe e ngushëlluan,por ajo nuk u qetësua.Lotët i rridhnin çurg.

Arkmortin me trupin e pajetë, e vendosën mbi një bango në hajatin e gjerë. Nisi gjëma .Të parët u afruan vllazëria, njerëzit e gjakut. Të heshtur e të shtangët, pastaj qarkuan arkmortin, nxorën këmbën e majtë përa ,i dhanë pak trupit pas dhe gjëmuan sa u hante zëri, duke përsëritur: ”I mjeri un o vlla”, shkulën flokët, çorrën faqet, u gjakosën dhe me nje ritëm të çmendur rrihnin me grushte gjoksin. E puthën në ballë meitin dhe u tërhoqën. Pastaj ishte radha e fisnikërisë, qytetarëve , e vasalëve“I mjeri u o shoq”, pastaj miqësia”I mjeri u o mik, o dashamir”. Çirreshin faqet me thonj, shkuleshin flokët, rriheshin gjokset: ”Medet, medet,ç’na gjet, uh,uh”. Ky ritual vazhdoi gjatë.Pas gjëmës, Andrea dhe Niketa prisnin ngushëllimet, atë që e quanin “kryeshnosh”. U shtëngonin dorën, i qafonin dhe “Zoti u dhashtë gajret.”

Arkmortin e të ndjerit, e vendosën mbi një bango në oborrin e kishës.Pesëdhjetë gardistë me shpata xhveshur, për nder armë, i bënin roje nderi. Kisha, e ndriçuar nga qundra qirinj, ku mbahej mesha e shenjtë ishte mbushur sa s’nxinte më. Për të nderuar të vdekurin e shquar, meshën e drejtonte ipeshkvi i dioqezës së Krujës dhe Durrësit imzot Jeronimi. Kambanat ranë me ritëm të ngadaltë e tunguj të përzishëm.

Varrimi u la për pasdite.Pritej të vinin dërgatat nga principatat e tjera. Ata mbrritën në vakt drake, njëri pas tjetrit: Andrea II Muzaka, Pal Matrenga, Nikoll Dukagjini, Pjetër Blinishti, Mark Gropa, Aleks Arianiti, dërgata për kryeshnosh erdhën  edhe nga Balshajt, Zahariajt, Dushmanët. Aty ishin më të shumtit e krerëve të principatave arbërore.

Xhenazja u nis nga oborri i kishës.Arkmortin e ngritën mbi supe të dy djemte dhete tjerë nga gjinia, pastaj u ndërruan nga ushtarët e gardës. Pas tyre vargan qindra njerëz, të heshtur, me zi të rëndë. Proçesionit i printe imzot Jeronimi. Kur arritën në varrezat e familjes, arkmortin e lëshuan me lutarë në varr. Imzot Jeronimi bëri kryqin dhe tha lutjen: “Mëshiroje o Zot robin tand, pranoje në mbretninë tande, bekoje për jetë të jetëve me hirin tand, o Zot” Bëri sërish kryqin, bekoi varrin, mori një grusht dhe dhe e hodhi mbi arkmort.”Zot, prehja shpirtin”. Pastaj,nisi mbushja e varrit me dhe , lopatat  kaluan dorë më dorë  deri sa u krijua një kodërz që varrmihësit i dhanë formë. Vendosën kryqin dhe kurorat me lule.

Kur u kthyen kësolltarët, djelm të rinj u hodhën ujë për të larë duart. Në oborrin e kështjellës në tryezat e shumta ishte shtruar vercalli i përmortshëm. Në një tryezë më vete, ishin ulur Andrea me Niketën dhe princërit e ardhur për kryeshnosh në nderim të kontit. Askush nuk do të largohej pa hangër.

*     *     *

Kur kishin kaluar të tretat, në kabinetin e kontit u mblodh familja. Noteri, theu vulen e dyllit dhe hapi rrotullën e letrës së testamentit. Familjes iu bë i ditur vullneti i të ndjerit kont. Titulli i kontit i lihej trashëgim djalit të madh Andrea Tanush Topia. Të lartshkruarit Andrea i lihej trashëgim principata e Arbërisë dhe detyrimet e të drejtat që  rridhnin soje, pronat e familjes, zotërimi dhe përdorimi i thesarit dhe caktimi e mbledhja e detyrimeve dhe taksave. I njiheshin si të vetat edhe pronat e dhuruara në gjallje të atit…. Djalit Niketa Tanush Topia, i lihej trashëgim Kalaja e Tujanit dhe tokat e malësisë deru në rajonet kufitare……

Niketa u prish në fytyrë. I kishte rënë pikës Çezare di Falkone: ”Ai tulet ti eshtrat!”. Nuk po dëgjonte më. U përmend në fund kur noteri tha:

Bërë në Krujë, më 20 kallnuer të vjetit 1338 pas Jezu Krishtit,nga unë noteri Gjok Bardhi, me vullnetin dhe nënshkrimin e kryezotit të  Principatës së Arbrit, kontit Tanush Topia.

Vijon,

Qershor 2018.