Tefik Selimi: Vepër poetike e frymëzuar nga realiteti ynë
| E Shtune, 09.06.2018, 08:19 AM |

Një vepër poetike e frymëzuar nga realiteti ynë jetësor...

Nga Tefik Selimi

Autori i 20 veprave letrare (poetike), Zeqir Fazliu, kohës së fundit po e befason kritikën letrare dhe lexuesit. Ai, me botimin e veprës së fundit me  titull “Bulzat e thanës” (2018), sikur po kulmon në artin e shprehjes,  i cili art po e ngrit autorin në fjalë. Prandaj, nga veprat e para e gjer tek kjo e fundit, autori po tregon se ka vullnet dhe është shumë “komod” në frymëmet e tij poetike. Këto frymëzime të tij shfaqen tek autor natyrshëm, sepse, poezia e tij është plot sharm dhe etikë njerëzore. Ajo(poezia), është e dalë nga pjesa e ndjeshme e zemrës fuqiplote e poetit. Njëmend, duke lexuar veprën e fundit, shihet qartë se, ky krijues, me anë të vargjeve po krijon e po përcjellë mirësi, duke reflektuar në të mirë të artit e në shërbim të lexuesit, në përgjithësi.

E dyta, Zeqir Fazlu, poet, frymëzimet poetike të tij janë plot dinamizëm poetik. Kjo shihet qartë jo vetëm në veprën e fundit, ku ka shumë artikulime të reja, por në poezinë e tij të tanishme vërehet një lloj ritmi e “dizajn” me kolorit të formës moderne. Këtu është fjala. Sepse, gjer sa krijuesit tjerë hartojnë poezi në forma të gjata, të cilat, siç shprehen disa analitikë e  studiues, këto forma letrare janë klasike dhe të tejkaluara për kohën sot.

Tash, poetët e kësaj kohe, i kthehen modernitetit jo vetëm me fjalë të kursyera, por edhe me forma të vargëzimit. Poezia e shkurtër, pra me pak  vargje, është formë që pëlqehet dhe e ka një “vulë” më bindëse. Edhe i madhi Lasgush Poradeci, poet yni, ka shtuar se, asnjë varg më tepër se sa duhej. Bile ai ka thënë se, më mirë e shkruaj një studim se një varg. Pra, hartimi i vargjeve paraqet gjendje delikate. Duhet me pak fjalë të thuhet shumë. Ajo (poezia) e tillë është më joshëse, më tërheqëse, sepse, lexuesi ynë e ka më qartë e më  bindshëm ta kuptojë esencën apo idenë e krijimeve letrare. Poezinë e Zeqir Fazliut e karakterizon kjo formë e shkurtër e të shkrurit poetik. Ajo ka ritëm e artikulim estetik. Kjo formë e tillë e hartimit të vargjeve është “rregull” estetik e artistik për autorin.

Poezia e Z. Fazliut është një qasje e artikulimit të tillë, ku ka metafora dhe simbole që janë të gërshetuara fort natyrshëm në vargun dhe  stilin e tij. Tek vargu i poetit në fjalë ka elegancë shkrimi, por ka edhe frymë pozitive në nivelin e tij artistik. Autori i veprës, poezinë e ka  kuptuar si një akt të brendshëm ndijesor, i cili, në momente frymëzimi, shpërthen dhe bëhet “këngë” e jetës. Autori artikulon vargje aktuale për jetën. Është gjithnjë për një mirëqenie të njeriut të njeriut tonë.

Në poezinë “Po bëhet verë”, autori është për një të pritur në të mirë të popullit. Ai shton: “Nuk bie borë në oborrin me lule/ sepse/kanë ardhur shtojzovallet nga mali/ e po bëhet verë”(f.18). Poezia flet për ngrohjen shpirtërore të njeriut tonë. Po kështu, poeti i veprës në fjalë sikur e dëgjon flladin e lirisë dhe e përjeton plot shend e verë. Në poezinë në fjalë, ai shton: “E dielli tani/ më ngroh mua ditë për ditë/në liri/ as re të zeza, as murmurima/ veç dashuri e serenada”(f.19). Pra, Zeqir Fazliu, sikur të gjithë njerëzit, edhe ai e do lirinë, e do edhe lumturinë. Ai (poeti) nuk është për jetën e ndrydhur e të nëpërkëmbur. Pranda, ai shton se “s’kam arsye të vajtoj/ sepse jam i lumtur dhe i lirë”(po aty).

Vepra,“Bulëzat e thanës”, është një nga veprat më të dalluara, jo vetëm në mbarështrimin e krijimeve letrare arstike të tij, por me këtë “tufë”  poezish, poeti është treguar më i pjekur e më i avansuar nga ana e kritikës letrare. Kështu, Migena Arllati, studiuese nga Gjakova, shton se, Zeqir Fazliu, poet, “poezitë e këtij vëllimi shquhen për etikë njerëzore, për dëshirat e dala prej zemrës, për kënaqësitë e vogla e të mëdha, për të përcjellë mirësi, për të  ruajtur ekuilibrat e pavarësisht përhapjes së të keqes në forma e situata të ndryshme”(f.5).

Bie fjala, tek ky poet vërejmë tituj mjaft interesant të poezive, të cilat “flasin” apo “rrëfejnë” përditëshmërinë tonë. Ja si duken vokabulari i titujve të poezive të tij: “Kënga ime”, “Po bëhet verë”, “Jam i lumtur  dhe i lirë”, “Një ditë e zbraztë”, “Monotoni shiu”, “Burgu”, “Motiv  vjeshte”, “Ata sogj”, “Mimozat”, “Ushtari”, “Lulet”, “Nëpër borë”, “Ritual vjeshte”, “Pranvera (Ibri)”, “Nëna”, “Shtatë ditë”, “Vargu im”, “Margarita”, “Vajzat kosovare”, “Interneti” e disa të tjera. Këta tituj janë tema përditëshmërie.

Poeti, Z.  Fazlu, me këto vargje rrënkon dhe ngre zërin për ndryshim të jetës. Është për një qasje të jetës urtake e joshëse të njeriut. Poeti e do qetësinë shpirtërore. Ai në poezinë “Një ditë vikendi në Gërmi”, pos tjerash, shton: “Në shpirt ndjej/rimën e fluturave/ në nxitim”. Fluturat janë qytetarët, të cilët çdo ditë enden dhe joshin natyrën. Sepse, ky vend “shëpndan aromë klorofili” dhe ka “bukurinë e ujit në ujëvarë” (f. 21). Këtu vërehet relaksimi i njeriut dhe vetë poetit. Nga kjo natyrë e tillë, vjen frymëzimi poetik, por vjen frymëzimi apo poezia e shpirtit. E, vjeshta, për poetin është stinë e mërzitshme, sepse ua këput dashurinë gjetheve. Tek poezia “Nëse”, poeti di të meditojë për një lloj “këshille”, kur thotë: “Nëse s’të shkon vargu/ nganjëherë/ për dore/ veja prushin e kuq/ fjalës...”(f.31.

Pra, poeti reagon duke thënë se, kur s’të shkon fjala, hidhe për dritare e mos e  fol. Kjo është urtësia e krijuesit. Ose, ndryshe është një lloj aforizme në vete. Tek poezia “Ushtari”, poeti i kthehet trimërisë së ushtarit, i cili, në kohë lufte, ai “doli me gëzim për liri në male” dhe e mbajti fjalën. Pra, poeti nuk e harroi luftën liridashëse të ushtarëve tanë, të cilët, kur erdhi kushtrimi për liri, ata iu përgjigjen ftesës për të luftuar gjer në fitore.

Tek poezia “Drita është duke ardhur”, vërehet qartë se poeti ndjehet gazmor, kur shton se “dritë e diellit erdhi, erdhi drita në bulëzat e thanës!:(f.36). Thana, si pemë, për poetin është një simbolikë e fortë dhe e qëlluar, për faktin se, ajo qel (bulon) heret dhe piqet vonë. Kjo simbolizon dhe është e shprehur metaforitikisht se shqiptarët janë të ardhur të parët në Europë, si etnitet, por të fundit janë çliruar nga okupatorët.

Këto frymëzime të autorit janë nga lulet, nga bukuria e tyre, për vjeshën, fletët e Lilitës, mrekullitë e pyellit, për lulen e verës, por, gjithashtu, autori frymëzohet  e nxitet kur “flet” për deputetin, për lumin Ibër, për nënën, shtatë ditët e javës, për vajzat kosovare, për vargun, për internetin etj. Këto frymëzime janë tema aktuale, të cilat na rrethojnë dhe na preokupojnë. Bie fjalë në poezinë “Deputeti”, autori ngre zërin e protestës tek ky njeri, shihet qartë “hipokrizia dhe urrejtja t’i kanë mbyllur sytë”. Poeti shton se “nuk është hije e mallkuar”, sepse është (poeti) për “një ëndërr për diellin”(f.50). Apo aty i drejtohet me këto fjalë plot mllef: “Ti nuk bëre për vendin/ asnjë punë të mirë”(f.50). Në poezinë “Pranvera”, të cilën, Z. Fazliu, poet, ia kushton lumit Ibër (Mitrovicë) dhe shton:  “nuk po më dukesh se je pranverë, kur një hije virtuale me gurë i ka mbyllur portat për lulet e vonuara”(f.51). Ky është aktualitet yni. Ai më tutje shton, “kjo s’është risia që e ka ëndrrruar Isë  Boleltini”(po aty). Pra, kjo është ngjarje aktuale, e cila po i brengos qytetarët tanë.

Edhe poezia “Shtatë ditë” ka mesazhe të forta jete. Ajo, si krijim letrar, zë një vend të merituar në vepër, për faktin se në mënyrë figurative autori e “rrëfen” jetën nën okupimin e huaj dhe, kur erdhi koha,  populli liridashës i rroku armët dhe doli fitues.

Shikuar në tërësi, vepra e poetike “Bulëzat e thanës” e Zeqir Fazliut, poet, të përkujton vargjet e Migjenit, A. Podrimjes, I. Kadaresë e krijuesve të tjerë. Sidoqoftë, vepra në fjalë  është një model se si krijohet poezia e formës moderne, së cilës nuk i mungon lënda kryesore, arti, estetika e qasjes dhe përkushtimi i vargjeve. Veprës nuk i mungon as gjuha e pasur e formës standarde letrare. Është vepër që po pritet mjaf mirë nga lexuesit dhe nga kritika letrare. Veprën e botoi Shtëpia Botuese “Meshari” – Prishtinë (2018).


Gjilan, 8 qeshor 2018

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: