Tefik Selimi: Vepër në shërbim të dritës e jetës
| E Enjte, 07.06.2018, 08:24 PM |

Një vepër në shërbim të dritës e jetës së njeriut tonë…

Nga Tefik Selimi

Historia është mësuesja e jetës dhe e njerëzimit. S’ka me historinë! Ajo na rrëfen të kaluarën tonë, e cila, sado e dhimbshme është, ajo është histori jona. Histori që nuk shlyhet, e as nuk duhet të ndryshohet. Ajo mbetet e tillë me njerëz e me ngjarje, të cilat, brezërat tanë do ta ruajnë e do ta përfolin me fanatizëm. Dhe, duke ruajtur e rrëfyer, ajo i ndriçon figurat tona, të cilat i njeh populli ynë liridashës.

Ditë më parë, Fetah M. Maliqi, krijues nga Busavata, por me punë në botën e jashtme, në Hamburg të Gjermanisë, botoi veprën e gjashtë me radhë me titull: “Fetah Ajeti –Çaushi” ose (Një jetë në shërbim të dritës” (Prishtinë, 2018). Ai gjer më tani ka botuar këto vepra letrare: “S’të harroj vendlindje” (2015), “Dardania lindi trima” (2016), “Flokët e vuajtjes” (2016), “Re të zeza ende mbi tokë” (2016), “Rrugët e maratonit” (2017) dhe kjo e fundit “Fetah Ajeti – Çaushi”. Jo vetëm kaq.

Kësaj here, Fetah M. Maliqi, krijues e publicist, e ndryshoi “stilin” e tij të shkrimit. Ai na solli një vepër me elemente dokumentare publicistike, e cila vepër “flet” për jetën  e gjyshit të tij Fetah Ajetit – Çaushi, i cili “personazh” kryesor, në një kohë, kur jetoi, ishte një atdhetar dhe një figurë e shquar e viteve (1854-1950). Pra, kjo monografi publicistike e F. Maliqit është shkruar mbi bazën e të dhënave të familjarëve dhe të miqve që e kanë njohur “personazhin” e veprës, i cili ishte një udhëheqës i shquar shqiptar, që me veprimtarinë e vet dhe me zotësinë që posedoi ai, e obligoi nipin e tij, Fetah Maliqin, autor, që sot, pas 68-vjetësh të shkuarjes në amshim, ta përkujtojë dhe ta ndriçojë veprën e tij atdhetare e shpirtërore. Ai ishte një burrë largpamës, burrë odash e kuvendesh me nam, por edhe i mençur i një kohe pa kohë.

Andaj, ky njeri qe i  njohur në Busavatë, i cili, 12 vjet ka shërbyer në ushtrinë turke dhe karierën e bëri në disa  vende të Azisë, ku më pas, kthehet në Janinë e në fund vjen në Kosovë. Sipas autorit, Fetah Maliqi – gjyshi i tij, Çaushi, “tri herë mori plagë nga plumbat dhe tri herë të tjera plagoset me bajonetë e me shpatë, derisa po zhvillonte luftë gjoks për gjoks” (f.28). Shih për këtë, ai merr shpërblim me gradën Çaush, që ishte atë kohë një rang oficeri në ushtrinë e Perandorisë Osmane. Pse jo?

Nga tash, figura e Fetah Ajet Çaushit nuk është e panjohur, e pa vlerësuar dhe e patrajtura. Ndonëse është kohë mjaft e shkuar, kjo figurë apo “personazh”, me disa familjarë të tjerë të familjes që i takon, po ndriçohet dhe po bëhet një realitet bindës i kësaj kohe. Të shtojmë edhe këtë se, autori i veprës është ndalë tek disa kaptina, të cilat i ka ndarë për t’i radhitur ngjarjet dhe kohët e veprimit të personazhit në fjalë. Bie fjala, në fillim autori bën fjalë  për temën; “Kohë e kujtime”, mandej flet  për fshatin e lindjes, Busavatë, biografinë e shkurtër të Fetah A. Çaushit, prejardhen e tij, kujtimet, luftën e Kaçanikut, ngjarjet e kohës, dialogun me gjeneralin turk, pengimin e shpërnguljes së shqiptarëve për Turqi, Fetahun si njeri urtak, pleqnar, angazhimin e tij kundër vëllavrasjes, rrëfime, për dasmën e Fetah Çaushit, shpëtimin e  djemëve nga vdekja, për lagjen e Fetahajve, vendin Molishtë etj.

Pra, autori i veprës është munduar që figurën e veprës së tij ta paraqes në shumë aspekte jete, ku është bazuar në shumë rrëfime dhe të dhëna që kanë dëshmuar disa nga njohësit e kësaj  figure të njohur të kësaj periudhe kohore. Sipar autorit, të parët e Busavatës datojnë para 300 vjetësh. Pra, do të thotë, kjo familje llogaritet se janë të  ardhur nga  viti 1700-1720 nga fshati Luma, rrethi i Kukësit (Shqipëria). Mandej, janë shpërngulur nga ky vendbanim dhe janë vendosur Kmetoc të Gjilanit. Janë shpërndarë edhe nga ky vend, bile disa vazhdojnë jetën në Kmetoc e të tjerët janë vendosur në Berivojc  të Dardanisë. Vendvendosja e familjes F. A. Çaushit ishte vendi i quajtur Mollishtë, vend me molla e pemë të tjera. Jo vetëm kaq.

Fetah A. Çaushi ishte një personalitet me pikëpamje të larta njerëzore. Ishte orator i dalluar, fjalëmbël, i qetë, komunikues, i afërt me të gjithë njerëzit, simpatik, ndaj fitoi simpati të madhe edhe tek shokët, miqtë e tek të gjithë që e njihnin. Në kohën kur jetoi dhe veproi ai, ishte krenaria e Busavatës. Gëzoi autoritet tek të gjithë njerëzit. Sa herë popullata zihej për ndonjë rast apo ngjarje, ai me mençurinë e hollë, bënte zgjidhje dhe “gjendja” e mirrte epologun në të mirë të të gjithëve. U kënduan edhe këngë popullore për figurën e tij. Popullata, e sidomos  familja e tij e gjerë krenohej për një njeri të tillë ofrues dhe i gjetshëm në jetë.

Thuhet se, Fetah Çaushi mësoi për Ilirët, për Skënderbeun dhe qëndresën e shqiptarëve kundër pushtimit otoman. Mësoi për pësimet e shqiptarëve nga serbët. Kishte mësuar se, në vitin 1909 pati kryengritje të shqiptarëve. Me fillimin e vitit 1910, shqiptarët bënin përgaditje për një çlirim për ruajtjen e trojeve shqiptare. Bile, siç shton autori i veprës, Fetah Çaushi e dinte se pati disa krerë udhëheqës të kryengritjeve nga Gjilani. Ishte njeri që i mirrte lajmet shpejt dhe sakt për gjendjen për shqiptarët.

Mësojmë se, gojëdhënat flitnin se ai ka  zhvilluar dialog me një gjeneral turk. Në një kohë, kur një gjeneral bënte kërdi mbi popullatën shqiptare dhe, kur arrin në Busavatë nga Rrafshi i Kosovës, rrugës kishte vrarë e shkatërruar çdo gjë shqiptare. Ai qe një kriminel dhe shihej si një egërsirë e shpirt keq. Para fshatarëve kishte thënë: “Që nga tashti e tutje, ju keni të bëni me mua. Do t’jua marrim bagëtitë e ushqimit, do t’i djegim shtëpitë e të gjitha ato objekte e gjësende...”(f.47).

Fetah A. Çaushi, në një moment i drejtohet gjeneralit turk: “I madhërishmi gjeneral! A doni t’ju tregoj gjashtë plagët e trupit që i kam marrë nga plumbat e gjashtë të tjerat nga thika, dymbëdhjetë plagë i kam duke luftuar në ushtrinë tuaj?”(f.49). Fetah Çaushi ia llogarit të gjitha të bëmat tjera. Gjenerali i është përgjur se, “nuk kam parë burra të tillë, siç pash sot!” Pra, nga ky fjalim në mes gjeneralit turk dhe Fetahut, është arritur një marrëveshtje që ushtria turke t’mos  e rrethojë fshatin e tyre, Busavatë. Këtu është poenta apo gjetshmëria e “personazhit” kryesor të veprës, i cili, falë zotësisë e mençurisë, ai i ka shpëtuar qytetarët e këtij lokaliteti.

Një meritë të jashtëzakonshme e bën Fetah A. Çaushi, i cili, atë kohë (1928), kur Konferenca e Varsajës planifikoi dhe bëri plane për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, pra sipas planeve të Serbisë dhe elaborateve famëkeqe të Ivo Andriqit, Çubrilloviqit e të tjerëve, sipas autorit, i tërë fshati Busovatë e kundërshtoi këtë plan gjenocidal. I pari që e kundërshtoi këtë “skenar” ishte Fetah Çaushi që anëtarët e tij t’mos shkojnë në Turqi.  Ja si shton autori: “I pari që refuzoi këtë marrëveshje ishte pa dyshim Fetah Ajet Çaushi, ky burrrë i mençur e bujar, largpamës e mendjehollë”(f.55).

Në pjesën e radhës  të veprës “Fetah Çaushi – urtak e pleqnar”, thuhet se, me zotësinë e tij  të madhe dhe prej njeriu bujar e të ndershëm, Fetahu ka pleqnuar shumë njerëz të kësaj ane. Po ashtu, ai si njeri me autoritet në fshat e më gjerë, është angazhuar duke kundërshtuar vëllavrasjen shqiptare. Ky, sipas autorit, kishte arritur që për treqind vjet të ndodhin vetëm 3 vrasje në Busavatë. Pra, ky personazh i veprës në fjalë, jo vetëm që ka qenë i zgjuar dhe me vyrtyre të larta njerëzore, ka qenë edhe larpamës e mendjehollë. Në një vend të  veprës thuhet se, ai e dinte se e keqja më e madhe e popullit shqiptar do t’i vijë nga serbët.

Thuhet se, pushteti osman i mbronte serbët më shumë se shqiptarët duke u dhënë privilegje të shumta e levërdishme për ta. Bie fjala, “ata që deklaroheshin serbë, të shumtë bëheshin spiunë në  shërbim të  Turqisë e të Serbisë”(69). Atë kohë, Fetah Çaushi  ishte komandant i policisë në Gjilan. Në vepër në fjalë flitet për  dasmën e Fetah Çaushit, adetet dhe zakonet e një kohe rreth këtij akti martesor. Po ashtu, në vepër bëhet fjalë për Panairin e Gjilanit, i cili mbahej në  qendër të këtij qyteti. Ky panair mbahej me 1 korrik. Këtu autori ndalet tek disa ngjarje që zhvillohen në panairin e Gjilanit etj.

Po ashtu, në këtë vepër, Fetah M. Maliqi, autor, bën fjalë edhe për anëtarët tjerë të familjes së tij. Është fjala për Rrahmanin, djalin e Fetah Çaushit. Edhe ky kishte qenë kryeplak i fshatit Busavatë. Ky ka shërbyer 23 vjet si i pari i katundit. Ishte kmet fshati. Thuhet se, Rrahmani kishte ndjekur rrugën e babait të tij, Fetah Çaushit. Ajo që na bie në sy është  fakti se, autori i veprës F. Maliqi, me këtë dokumentar e ka ringjallur jetën dhe veprën e gjyshit të tij, Fetah A. Çaushit, një figurë dhe një emër i madh i një kohe.

Veprën e “qëndisin” edhe 32 fotografi në kolor, të cilat e bëjnë këtë vepër dokumentare më të kapshëm dhe më joshës për lexim tek të gjithë lexuesit tanë. Veprën e botoi Shtëpia Botuese “Rozafa” - Prishtinë, 2018.


Gjilan, 20 maj 2018

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: