Ilmi Musliu: Fotografit i tatohet nga Dogana shpërblimi
| E Enjte, 07.06.2018, 07:56 PM |

Fotografit shqiptar me famë botërore i tatohet nga Dogana e Kosovës shpërblimi ndërkombëtar (!)

Arbër Elezi nga Gjilani, fitues i çmimeve më prestigjioze në gara të ndryshme ndërkombëtare për fotografi, ku ai prezantohet kryesisht me motive shqiptare, ka ngelur i befasuar me Doganën e Kosovës, e cila e ka detyruar atë të paguajë tatim për një shpërblimin ndërkombëtar që nga organizatori e ka marrë në pajisje pune.

Nga Ilmi Musliu

Kosovari nga Gjilani, Arbër Elezi, është fitues i disa çmimeve më të rëndësishme për fotografi në arenën ndërkombëtare. Në Samitin Ndërkombëtar të Fotografisë në Maqedoni, që në Ballkan është mbajtur për herë të parë, Elezi doli fitues në një konkurrencë shumë të fortë, me fotografë nga vende të ndryshme të botës, duke u vlerësuar me pikë maksimale nga juria profesionale.

Por, Elezi ndihet i zhgënjyer për faktin se për këtë çmim, të konvertuar në pajisje pune nga organizatori, është dashur të paguajë doganë në Kosovë. Pra Kosova i taton edhe shpërblimet e artistëve, në vend se të motivojë e stimulojë pjesëmarrjen e tyre në arenat ndërkombëtare.

“Në doganën e Kosovës më detyruan të paguajë rreth 30 për qind tatim për këto pajisje, që organizatori m`i solli nga Kina në emër të shpërblimit për vendin e parë që zura në samitin ndërkombëtar të fotografisë”, thotë Elezi.

Për më tepër, ai thotë se është i vetmi kosovar, i certifikuar në SHBA, për portrete dhe fotografi festive. Në të vërtetë, edhe fotoja fituese në samitin ndërkombëtar, të mbajtur në Maqedoni, është bërë në një ambient festiv, në një dasmë reale shqiptare, në vitin 2016.

Elezi, tani është para një dileme të madhe sa i përket pjesëmarrjes ose jo në samite e gara të tjera ndërkombëtare. Thotë se ka aplikuar në një garë tjetër, që është më e madhja e fotografisë në nivel ndërkombëtar, por trajtimi që iu bë nga Dogana e Kosovës, e ka vënë në pikëpyetje shkuarjen e tij.

“Në samite të mëdha, jepen edhe shpërblime të mëdha. Unë jam i sigurt se puna ime kreative do të shpërblehet me ndonjë çmim të rëndësishëm, në mos edhe kryesorin, por dilema ime është se si do ta sjellë në Kosovë një shpërblim prej 20-30 mijë euro, nëse duhet të paguaj tatim deri në 30 për qind të vlerës”, pyet Elezi.

Arbëri, në llojin e vetë të përfaqësimit, është kampion sikur të tjerët. Njihet sidomos për portrete. Ka sy të mprehtë për t`i kapur detajet dhe ka guxim për të eksperimentuar me fotografinë.

Ai ka studiuar në New York për fotografi dasmash dhe portrete. Fotografitë e tij pasqyrojnë pastërti dhe muzikalitet. E tillë është edhe fotografia fituese, e cila është realizuar në kohë vjeshte. Kjo fotografi e ka bërë Arbërin fitues të çmimit “fotografi i muajit”. Gjithashtu, ai është shpërblyer edhe me çmimin “fotograf i nderit”.

Atë e bën të suksesshëm kreativiteti dhe puna e pandalshme.

“Aparati është vetëm një mundësi teknike për të realizuar atë që ti e ke në imagjinatë dhe që e mendon”.

Për fotografi ka studiuar në Universitetin e Amerikës, në New York, ku ka marre titullin “profesional wedding&portrait fhotographer”. Përndryshe, profesioni tjetër i Abërit, është muzika.

Çmimet e njëpasnjëshme, i kanë dhënë vullnet të jashtëzakonshëm Elezit për të vazhduar me fotografi, ku sapo i janë hapur dyert për pjesëmarrje në gara tjera botërore, por njëkohësisht, sjelljet e Doganës së Kosovës, e kanë vënë atë para një dileme të madhe.

Shteti i Kosovës duhet të reagojë urgjentisht dhe t`i lirojë artistët e vetë nga obligimet tatimore për shpërblimet që marrin në garat ndërkombëtare.

 



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: