Gani Mehmetaj: Letër Kuvendit e Kryeministrit - Ndalojeni diskriminimin e shqiptarëve të krishterë!
| E Marte, 05.06.2018, 08:04 PM |

Letër Kuvendit e Kryeministrit të Republikës së Kosovës

Ndalojeni diskriminimin e shqiptarëve të krishterë!

Kosova është i vetmi vend në Evropë ku varret e të krishterëve e myslimanëve janë të ndara, ku të krishterin me asnjë çmim zyrtarët komunalë nuk lejojnë ta varrosin në varret komunale.

Nga Gani Mehmetaj

Bashkësia Islame e Kosovës me ndihmën e zyrtarëve komunalë ua ka ndaluar shqiptarëve katolikë e protestantë t’i varrosin të vdekurit aty ku varrosen myslimanët. Sipas arsyetimeve të zyrtarëve komunalë nuk mund të përzihen varret, sepse, thonë ata, u fyekan myslimanët!

Ndarjen e varreve të shqiptarëve sipas fesë e ka bërë pushtuesi turk, e ka thelluar pushtuesi serb dhe po e vazhdon përçarjen pushtuesi i ri- Bashkësia Islame e Kosovës që e bënë ligjin të ne, i terrorizon shqiptarët e fesë tjetër dhe ata që nuk janë besimtarë.

Zyrtarët komunalë, të ndërsyer nga BIK-u e forcat më antikombëtare i nëpërkëmbin shqiptarët e krishterë, i terrorizojnë e i fyejnë me të nisur procedurat e varrimit. Në Gjakovë kur qeveriste M. Kusari një shqiptari ia shkulen kryqin nga varri, në Prishtinë para dhe pas luftës ua kanë përdhosur varret, në qytetet tjera, "shumica myslimane" i terrorizon shqiptarët e krishterë, por gjërat heshtën për hir të “tolerancës fetare!”

Kur priftërinjtë e pastorët ankohen në instancat më të lata, zyrtarët tonë u thonë: "Nuk mund ta lejojmë varrimin e të shqiptarëve të krishterë me myslimanë, sepse nuk do ta lejojnë myslimanët, nuk e lejon as Bashkësia Islame e Kosovës. Po ua dhamë lejen, natën do t'ua rrënojnë ekstremistët islamikë, ashtu sikurse po ua rrënojnë, ndërsa jemi të pafuqishëm t'u dalim në mbrojtje!"

Ç'do të thotë kjo? Se myslimanët e BIK-ut e paskan të drejtën absolute të varrimit në varrezat e caktuara nga shteti? Se myslimanët u lënduakan nëse hapet një varr i të krishterëve pranë varrit të myslimanit? Se shteti qenka vetëm i myslimanëve? Apo se shteti u dorëzua para kriminelëve që përdhosin e rrënojnë varre?

Ku jetojmë zotëri të nderuar deputetë e kryeministër? Në Evropë, ku varret e të krishterëve, myslimanëve, hebrenjve e budistëve nuk ndahen, apo në shtetet islamike, ku i krishteri nuk guxon të varroset pranë myslimanit? Si është e mundur që edhe pas 18 vjet çlirimi shqiptarët e krishterë diskriminohen, kurse myslimanët privilegjohen, ashtu si i privilegjoi dikur Serbia. E lejoni ju edhe më tutje këtë diskriminim të pafalshëm e kriminal? Pajtoheni ju që shqiptarëve të krishterë t'u ndalohet varrimi në varret e komunës që pa të drejtë i ka pronësuar Bashkësia Islame? Jemi shtet laik apo islamik? Duam të vazhdojmë me modelin e Bangladeshit, Arabisë Saudite e Iranit, apo duhet të marrim modelet e shteteve evropiane, SHBA-ve e Kanadasë?

Patëm mundësinë ta merrnim traditën e mirë të Shqipërisë, ku bashkëkombësit tonë (ortodoksë, katolikë, myslimanë e ungjillor) i varrosin në një vend. Por nuk e bëmë, e morëm traditën arabe e anadollake.

Ju e dini se koalicioni i krishterë euro- amerikanë e bombardoi Serbinë dhe e çliroi Kosovën. Ju e dini se duke i diskriminuar shqiptarët e krishterë, zyrtarët tuaj po i fyejnë e diskriminojnë gjyshërit tuaj që ishin të krishterë para se t'i bënin turqit me dhunë e me përdhunime grash myslimanë. Ju e dini se BIK-u është bërë fabrikë e vdekjes, sepse për secilën kufomë myslimane që e varros marrin nga shteti mbi 250 euro, në Prishtinë tarifa e vdekjes është 290 euro. Ju e dini se Stejt Departamenti Amerikanë e akuzoi shtetin tonë se e financon BIK-un e islamizmin.

Në Kosovën tonë e tuajën janë përdhosur e dëmtuar qindra varre të shqiptarëve të krishterë, por nuk është kapur e nuk është dënuar asnjë kriminel për këto përdhosje. I shikon nëpër gishtërinj policia e prokuroria këto akte të shëmtuara të prishjes së varreve, apo solidarizohet me keqbërësit?

Është urgjente që të ndërpritet praktika e dënueshme e diskriminimit të shqiptarëve të krishterë; të përcaktohet me ligj se në varret komunale do të varrosen të vdekurit e të gjitha besimeve, ashtu si në tërë botën e qytetëruar; të zbatohet ligji e të dënohen zyrtarë që bëjnë diskriminime fetare, në emër të shtetit apo në emër të fesë tjetër; të dënohen zyrtarët që pengojnë varrimin në varre të përbashkëta.

Shqiptarët katolikë janë mësuar me diskriminim e përbuzje, i diskriminoi pushtuesi mizor turk, i diskriminoi pushtuesi i egër serb, po i diskriminon shteti ynë me BIK-un që është mbi shtetin. Ata po e përballojnë në heshtje e durim diskriminimin. Por a duhet ta durojnë shqiptarët diskriminimin e bashkëkombësve nga mendësia anadollake shkretinore në shtetin e dytë të Arbrit?

Intelektualët shqiptarë, opinioni publik, i pa ndotur nga fryma shkretinore dhe i pa korruptuar e i pa fëlliqur nga Turqia, duhet të reagojnë, duke iu drejtuara instancave perëndimore e SHBA-ve për ndihmë kundër diskriminimit fetar.

Ndërpriteni arrogancën e mendësinë mesjetare të diskriminimit që e la Turqia e Serbia, ndërsa vegla e tyre BIK-u po e zbaton me ndihmën e zyrtarët të korruptuar.

Zbatojeni traditën e mirë të Shqipërisë, ku të krishterë e myslimanë nuk diskriminohen, por janë të barabartë në varreza.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: