Ramiz Lushaj: Burra si Sul Lushaj i bëjnë nder kombit
| E Hene, 04.06.2018, 08:00 PM |

BURRA TË MIRË SI SUL LUSHAJ I BAJNË NDER KOMBIT SHQIPTAR

-Fjalë Lamtumire në ditën e sotme të përcjelljes mortore në Varrezat e Sharrës në Tiranë -

I nderuar Princ Leka II,

Të nderuar familjarë e farefisni të veteranit nacionalist e mbretëror, Sul Lushaj, bashkidealistë, miq e dashamirë të tij,

Sul Lushaj, njeriu ynë shekullor, lindi në Tropojë dhe ishte qytetar Australian, i cili jetoi gjithë jetën e tij me krenarinë shqiptare dhe me lumturinë australiane. Në gazetën “Dardania”, në tetor 1983, ai deklaronte se “Po të mos vija në Shqipëri do të vdisja me sy hapur drejt tokës time, vendit tim”. Dhe sot po plotësohet dëshira e amaneti i tij.

Sul Lushaj ishte trim se e mori rrezikun në sy kur iku në Botën e Lirë, ai ishte një atdhetar i provuar ndër kohëra, ai mbeti idealist i përjetshëm, ai ishte besnik i Nderit Shqiptar, i Flamurit Kombëtar, i Monarkisë Shqiptare.

Sul Muzli Lushaj në rrugëtimet e tij të jetës, edhe kur ishte i vetëm iu përkiste të gjithëve, i jepte nga vetëvetja kohës, ishte e mbeti vetëvetja në kohëra.

Sul Lushaj ishte i ndershëm, i sakrificave, kontributor bajemirë, punëtor i çdokohshëm, i shoqërisë, një shqiptar i vërtetë, saqë kur thue Sul Lushaj kie para syve e zemrës njeriun me tana të mirat e kësaj toke, bote, kohe.

Nacionalisti e mbretërori, veprimtari politik e shoqëror, Sul Lushaj, ishte emigrant politik në Kosovë-Itali-Australi prej vitit 1953; mik i afërt i Familjes Mbretërore Shqiptare në mbi 6 dekada; antar i Akademisë Monarkiste Shqiptare (prej vitit 2005); kryetar i degës së Partisë "Lëvizja e Legalitetit" (PLL) në Australi (1984-2010); antar i Komitetit Qendror të Organizatës Kombëtare “Lëvizja e Legalitetit” (1984-1993) dhe antar i Këshillit të Përgjithshëm të Partisë “Lëvizja e Legalitetit” (1993-2009); bashkëpunëtor i gazetave "Atdheu” e “Dardania”; i nderuem me Çmimin "Konstandini i Madh”në Tiranë, 2005; personazh nacionalist e politik publik në disa media elektronike në Shqipëri, Australi, Europë e Amerikë.

Sul Lushaj është njeriu me libër, me një libër të mirë kushtuar jetës e veprimtarisë së tij, libri “Hyjnorja Australi”-botuar në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Sul Muzli Lushaj ka qënë i përndjekur politik nga rregjimi komunist, i internuar në burgje e kampe përqëndrimi në Tropojë, Tepelenë, Vlorë, Kamëz..., ndaj dhe foto e tij prej vitesh ka hyrë në stendën e Muzeut të të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë në Tiranë, përkrah dhjetra personaliteteve të disidencës e sakrificave shqiptare, si: Preng Cali, Jup Kazazi, Mark Gjon Markagjoni, Tahir Kolgjini, Pal Bib Mirakaj, Hysen Biberaj, Pashk Ademi, Safet Butka, Qazim Koculi, Gjergj Kokoshi, Mustafa Kruja, Hasan Dosti, Mit’hat Frashëri, Xhevat Korça, Mirash Ivanaj, Ernest Çoba, Pjetër Arbnori, Dervish Bejko, Kujtim Beqiri, Avdyl Sharra, Havzi Nela, Musine Kokalari, Sabihat Kasimati, Tefta Tasi, Marije Shllaku, Marije Tuçi e të tjerë.

Sul Lushaj është dekoruar me çmim mbretëror “Rojal Ueding” e bashkalidhun me “Letër Mirënjohjeje” nga Princi Leka II “për shërbimin e tij patriotik kundrejt Kombit Shqiptar dhe Familjes Mbretërore Shqiptare”.

Sot po e përcjellim Sul Lushajn për në banesën e fundit edhe me tri thanie nga tre miq të tij në këtë tokë e në atë botë të përtejme:

Mbreti Leka I në Johanesburg të Afrikës së Jugut, në mars 1994, thoshte: “Sul Lushaj është mbretëror besnik, po dhe Unë e kam mik të Familjes Mbretnore”.

Abedin Mulosmanaj, ministër i Oborrit Mbretëror Shqiptar në Mërgim në Amerikë, në prill 1996 deklaronte në Shqipëri: “Te burra si Sul Lushaj peshon në gjithçka. Burra të tillë është kënaqësi ti takosh shpesh”.

Ing. Skënder Zogu në Paris të Francës, thoshte shpesh për mikun e tij të kahershëm se “Burra të mirë si Sul Lushaj i bajnë nder Kombit Shqiptar”.

Dhe tani, në shenjë nderimi, vlerësimi e mirënjohjeje për shqiptarin e mirë, Sul Lushaj, ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje.

Koftë i paharruem emri e veprat e tij!

Ramiz Lushaj

Tiranë, 2 qershor 2018



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: