Frank Shkreli: Gjenerali Wesley Clark - Simbol i Triumfit Ushtarak
| E Hene, 04.06.2018, 09:26 PM |

GJENERALI WESLEY CLARK - SIMBOL I TRIUMFIT USHTARAK

Një Dekorim i Merituar

Nga Frank Shkreli

Dy javë më parë Presidenti i Republikës së Kosovës, Z. Hashim Thaçi  ka dekoruar ish-gjeneralin amerikan Wesley Clark me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë.  Presidenti Thaçi shkruan në rrjetin social Facebook se kjo dekoratë për gjeneralin Clark është gjithashtu simbol mirënjohjeje edhe për mijëra qytetarë e ushtarë amerikanë, që kanë dhanë dhe japin një kontribut të jashtëzakonshëm për Kosovën.

Në njoftimin e plotë, Presidenti i Kosovës thekson, “Gjeneralin amerikan, Wesley Clark, i cili ishte shumë këmbëngulës për të siguruar lirinë dhe paqën në Kosovë, sot (16 Maj) e dekorova me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.  Kjo dekoratë për gjeneralin Clark vjen si mirënjohje edhe për mijëra qytetarë e ushtarë amerikanë, që dhanë kontribut të jashtëzakonshëm për Kosovën. Populli i Kosovës i është përjetësisht mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Gjeneralit Clark”, ka shkruar Presidenti Thaçi në postimin e tij në facebook.

Gjenerali amerikan Clark, ish-komandanti suprem i Aleancës së NATO-s, në vitin 1999 ka udhëhequr fushatën e Aleancës së Atlantikut verior kundër forcave serbe të regjimit të Millosheviqit, në përgjigje të një fushate të egër ushtarake serbe – ku makineria e forcave ushtarake të ish-Jugosllavisë sulmoi shqiptarët e pafajshëm dhe të pa armatsour, me qëllim të një spastrimi etnik të shqiptarëve nga trojet e tyre në Kosovë.  Si i tillë, Gjenerali Wesley Clark, pak më shumë se një gjysëm shekulli më vonë, pasoi një gjeneral tjetër të njohur amerikan, si Komandant Suprem i forcave aleate të Amerikës në Evropë gjatë Luftës së Dytë Botërore -- Gjeneralin dhe ish-Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Dwight Eisenhower.

Sulmi kundër Serbisë, ishte i pari sulm në historinë e Aleancës së NATO-s, një angazhim luftarak ky që është drejtuar nga Gjenerali Clark.   Shumë ekspertë ndërkombëtarë e kanë konsideruar fushatën ushtarake të NATO-s për çlirimin e Kosovës, si një ngjarje që mund të kishte shkaktuar një luftë midis NATO-s dhe Rusisë, përfshirë ish-Këshilltarin për Sigurinë Kombëtare të Amerikës, Z. Zbigniew Brzezinski, i cili ka shkruar se kishte bindjen se në fund të luftës në Kosovë, organizata NATO dhe Rusia, ishin në prak të një konflikti serioz, pikërisht për arsye të planeve dhe përpjekjeve ruso-serbe, për të ndarë Kosovën.

Siç ka shkruar edhe vet Gjenerali Clark në librin e kujtimeve të tija, “Waging Modern War”, lufta në Kosovë ishte më tepër se një ndërmarrje luftarake.  Ai shkruan se përveç strategjisë ushtarake të Aleancës NATO, si Komandanti Suprem i Nato-s, i cili drejtoi fushatën ushtarake kundër Serbisë – atij i duhej që njëkohësisht të bashkrendonte edhe përpjekjet dhe strategjitë diplomatike, marrëdhëniet ndërkombëtare, politikat e vendeve anëtare të NATO-s dhe politikën e mbrendshme amerikane, përfshirë konfliktet dhe mosmarrveshjet amerikano-evropiane dhe konfliktet midis zyrtarëve të lartë ushtarakë dhe diplomatikë të shumë vendeve anëtare të aleancës.  Ishte pra, Gjenerali Wesley Clark ai i cili duhej t’i bashkrendonte të gjitha këto politika, konflikte pothuaj të gjitha niveleve -- kombëtare dhe ndërkombëtare -- për një ndërhyrje të suksesshme dhe efektive ushtarake të Aleancës së NATO-s në Kosovë, që më në fund çoi në suksesin përfundimtar dhe në triumfin e fushatës ushtarake perëndimore kundër forcave serbe, që më në fund çoi në çlirimin dhe në pavarësinë eventuale të Republikës së Kosovës.

Ndonëse kanë kaluar aq vite kur Gjenerali Clark, si Komandanti Suprem i NATO-s drejtonte sulmet kundër Serbisë për Çlirimin e Kosovës, ai mbetet gjithnjë i interesuar për Kosovën dhe për fatin e saj, si shtet i pavarur dhe demokratik.

Në një intervistë me Zërin e Amerikës, gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë, Gjenerali Clark tha se ndonëse në paqë, Kosova përballet me sfida dhe kërcënime të mbrendëshme dhe të jashtme, përfshirë ndërhyrjen dhe influencën ruse në rajon.

Në lidhje me sfidat dhe me rreziqet e mbrendshme të Kosovës, miku i saj Gjenerali Clark u shpreh kështu, duke i dërguar një mesazh kuptimplotë klasës politike aktuale mbarëshqiptare, jo vetëm në Kosovë, që të punojë për të mirën e përbashkët:

“Mendoj se njerëzit këtu duhet të luftojnë për ta vendosur demokracinë, votimi është thjeshtë pjesë e demokracisë. Pjesë më e thellë e demokracisë është etika e shërbimit publik, ideja që kur merr një vend pune është me misionin e vetëm për të rritur të mirën e përbashkët, pothuajse sikur të jesh në një rend fetar ku merr para të mjaftueshme për të jetuar por kurrë nuk do të jesh i pasur, dhe e bën këtë gjë për një kohë të caktuar e pastaj kthehesh në sektorin privat dhe pastaj mund të provosh veten në biznes dhe të bëhesh i pasur.  Është një trashëgimi e komunizmit që njerëzit në pushtet të kenë privilegje ekonomike, ky ishte sistemi i nomenklaturës së vjetër dhe ishte ironike sepse komunizmi thoshte se qeveria i takon çdokujt por nën komunizëm njerëzit në pushtet mbanin qeverinë dhe ekonominë dhe të gjitha privilegjet. Ndërsa demokracia është të kujdesesh për të gjithë. Në administratë, si shërbyes i thjeshtë në një demokraci duhet ta kesh vullnetin të jetosh në mënyrë modeste. Nëse doni një shtëpi në Monacco, një anije të shpejtë, një shtëpi të dytë në mal, pushime një mujore të skijimit, mos hyni në qeveri, por filloni një biznes, bëjini paratë tuaja, bëjeni në mënyrën e duhur. Mendoj se kjo është gjëja më e rëndësishme të arrihet sot në Kosovë, krenaria në sektorin publik, krenaria në sakrificën e të qenit në shërbimin publik”, ka thënë Gjenerala Wesley Clark për Zërin e Amerikës, pas dekorimit të tij nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Z. Hashim Thaçi.

Gjenerali amerikan Wesley Clark i bashkohet listës së gjatë të politikanëve, diplomatëve dhe ushtarakëve amerikanë të cilët gjatë disa dekadave kanë kontribuar aq shumë për drejtat e shqiptarëve dhe për mbijetesën e kombit shqiptar, në përgjithësi.  Gjithashtu, gjenerali Clark ishte dhe vazhdon të jetë mik i diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sidomos shqiptaret e Kosovës, por i gjithë kombi shqiptar ka një mik të madh në personin e Gjeneralit Clark, prandaj nuk duhet të harrojmë kurrë veprimtarinë dhe kontributin e tij ushtarak, diplomatik e politik të tij, sidomos, përpara dhe gjatë luftës në Kosovë, por edhe për angazhimin e tij edhe sot në interes të mirëqenjës së shqiptarëve.  Prandaj, të gjithë shqiptarët kudo që janë, duhet t'i jenë mirënjohës Gjeneralit Wesley Clark, për rolin e gjithanshëm që ka luajtur për paqën e sigurinë në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit.  Kontributi i tij për mbijetesën e shqiptarëve të Kosovës dhe për lirinë e tyre si edhe për një të ardhme më të mirë në një shtet të lirë e të pavarur për ta dhe për një të ardhme më të mirë për kombin shqiptar në përgjithësi, Gjenerali Clark meriton dekorimin e fundit me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë, nga Presidenti i Kosovës.  Për kontributet e tija në historinë moderne të Kombit Shqiptar, Gjenerali Clark do të kujtohet dhe do të nderohet brez pas brezi nga shqiptarët kudo, për triumfin dhe fitoren e tij në Kosovë, si Komandanti Suprem i NATO-s.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: