Ndue Dedaj: Kalaja e Vigut dhe origjina e Skënderbeut
| E Diel, 03.06.2018, 06:37 PM |

KALAJA E VIGUT NË MIRDITË DHE NJË QASJE RRETH ORIGJINËS SË SKËNDERBEUT

NGA NDUE DEDAJ

Kemi shtegtuar drejt Kastrit (Vigut), në pjesën perëndimore të Mirditës, për të kundruar nga afër kalanë e këtij vendi, pak e njohur për ne shqiptarët e sotëm, por jo për paraardhësit tanë. Shkodra është vetëm 30 kilometra prej këndej, kurse Vau i Dejës mbase as dhjetë. Këtë kala iliro - romake, afro dymijëvjeçare, vendasit e thërrasin “Kalaja Qytet”, siç hasen këtu dhe toponime të tjera me fjalën qytet. Ka gërmuar në mars-prill të këtij viti një grup studentësh gjermanë, udhëhequr nga profesori i tyre, si dhe arkeologu i Institutit të Arkeologjisë Tiranë, Gëzim Hoxha. Nga gërmimet kanë dalë në pah disa nga mjediset e brendshme të kalasë, dy portat hyrëse e dalëse, kullat e vrojtimit (gjithësej 12 të tilla), dhomat, muret rrethuese, qeramika të ndryshme, është zbuluar dhe ndonjë monedhë, që përforcon datimin e kësaj kalaje si e shekullit IV të erës sonë etj. Me gjithë njëfarë vëmendjeje të kohëve të fundit, duhet thënë se është ndër kalatë më të harruara të vendit, materiali ndërtimor i së cilës është dëmtuar në vazhdimësi, ku rreziku më i madh i saj ka qenë lumi i rrëmbyeshëm i Gjadrit, që bashkohet aty me përroin e Vomës, duke ia gërryer muret anësore etj.

Sot zor se gjen të moshuar që mund ta lidhin këtë kala fushore me ndonjë ngjarje a figurë historike madhore, por nuk ishte kështu njëqind e pesëdhjetë vite më parë. Albanologu i shquar Johann Georg von Hahn, gjatë kalimit të tij në këto anë, në vitin 1863, përshkruan një bisedë interesante të tijën me famullitarin e asokohshëm të Vigut, Dom Engjellin, i cili i bën me dije albanologut austriak “një vendlindje të re të Skënderbeut”. Ai thoshte që Skënderbeu kishte lindur në një qytet të madh, tashmë të shkatëruar, rrënojat e shpërndara të të cilit ndodheshin gjysmë ore në perëndim të famullisë së tij të Vigut dhe të cilin populli e quante dhe sot e kësaj dite “Kastri”. Këtu, sipas tij, kishte jetuar i ati i Skënderbeut, i cili kishte vazhduar të rronte aty edhe mbasi i ishte dorëzuar Sulltanit, deri sa u helmua me anë të një xhybeje (rrobe e mendafshtë) të kushtueshme, të cilën ia kishte dërguar Sulltani si dhuratë. Për këtë qytet-kala kishte pas marrë njoftim më parë dhe gjeologu e etnografi francez Ami Bue gjatë qëndrimit të tij si konsull në Shkodër dhe kërkimeve në terren. Dom Engjëlli i rrëfen Hahnit themelet e mureve rrethuese, që “mund të shihen gjatë dy anëve të këndit që formon derdhja e përroit të Vomës në atë të lumit të Gjadrit. Ato përbëhen nga gurë të palatuar, të lidhur midis tyre me gëlqere dhe të një madhësie të vogël, pikërisht ashtu siç ndërtohen dhe sot e kësaj dite”. (Bëhet fjalë për shekullin XIX.) Kalaja dhe një vendbanim i vjetër i saj gjendeshin aty ku kryeqëzoheshin rrugët nga Shkodra për në Orosh dhe nga Lezha për në Pukë e Prizren, çka garantonte kalimin e sigurtë të njerëzve dhe karvaneve nga kjo pjesë e malësisë në fushë dhe ndërsjelltas. (G. Hahn, Udhëtim nëpër viset e Drinit dhe të Vardarit, “Geer”, Tiranë 2001.)

Kjo gojëdhanë e vjetër mbi Kastrin si vendorigjinë e Skënderbeut është dëgjuar në popull nga Dom Engjëlli, ndërkohë që pak gjera kishin mbijetuar nga Moti i Madh. Por Kastri nuk ka mbetur një tezë vetëm në gojëdhana. Atë e mbështesin dhe një varg historianësh të dëgjuar, si akademiku gjerman i shekullit XIX Jakob Falmerajer (formuluesi i parë i kësaj teze), Athanas Gegaj, Fan Noli etj. Sipas Gegajt Mirdita bënte pjesë në zotërimet e Kastriotëve dhe mbiemri Kastrioti lidhet më shumë më Kastrin e Mirditës, sesa me fshatra të tjerë që kanë të njëjtin emër. Për Selman Rizën zotërimet e Kastriotëve ishin në mes Shkodrës dhe Lezhës, kurse Aleks Buda këto zotërime i shtrinte nga Adriatiku në Mirditë, Lumë e deri në Prizren. Historania turke Bozbora specifikon se Gjon Kastrioti njihej si një nga princët katolikë të rajonit të Mirditës. Noli sjell në vëmendje Thaloc dhe Jeriçek, të cilët pohonin se llagapi i Kastriotëve i kishte rrënjët në një fshat të quatur Kastër. Tezës së vjetër të origjinës së Skënderbeut nga Mirdita, posaçërisht nga Kastri, pas njësoj shmangie nga historianët bashkëkohorë, këto njëzet vitet e fundit i ka kushtuar shumë artikuj e monografi studiuesi skrupuloz mirditor Preng Cub Lleshi, duke qëmtuar dëshmi të shumta e sjellë një varg argumentesh, përfshi dhe gjuhësor, si “në të folmen e Mirditës trajta Kastërjot na zbulon emrin Kastër të pashquar” etj. (“Mirdita”, Nr. 18, 2018). Duhet thënë se Kastri i Vigut kërkon një hulumtim serioz në rrënoja e dokumente, pasi burimet për të nuk shterrojnë, aq më tepër që sipas Dom Nikollë Mazrekut, në romanin e tij të njohur “Me flamujt e Kastriotëve”, në Kastër ka patur dhe një shkollë ku studentët mësonin retorikë etj. Dhe dihet se një shkollë e tillë në ato kohë të largëta mund të ishte veçse në një qytet të rëndësishëm e të zhvilluar iliro-arbnor, më pas krejtësisht i shuar.

Që ky monument kombëtar të mos dilte nga kujtesa, fatmirësisht rreth tij, shumë vite më parë, qe kryer një studim nga Gjerak Karaiskaj, sipas të cilit kalaja e Vigut është njëra ndër tre kalatë fushore të Shqipërisë, krahas asaj të Elbasanit dhe Paleokastrës. Këto kështjella u ndërtuan nga fundi e shekullit III dhe fillimet e shekullit IV, nën perandorët Dioklecian dhe Kostandin, në disa nga pikat më të rëndësishme strategjike të vendit. Kështjella e Vigut dëshmon për praninë e një rruge gjithaq të rëndësishme ushtarake nëpër territorin e Mirditës në shekujt e parë të erës së re. Ky është kuadri i hershëm historik i kësaj kështjelle të fshehur mes dy brigjeve lumore, po a ishte ajo dhe një kala e vendorigjinës së Skënderbeut? Nëse kjo mbetet një punë e thukët e historianëve dhe nesër, që të vënë pikat mbi “i” sa i takon së vërtetës skënderbegiane, ose jo të Kastrit, është e pafalshme që ky monument kulture (i shpallur si i tillë që në vitet e para të pas Luftës) po shkon drejt shkatërrimit të plotë, nga gërryerjet e rrëmbyeshme të Gjadrit. Nëse ka studiues vullnetmirë, të vendit dhe të huaj, që sakrifikojnë jo pak për të bërë gërmime arkeologjike herë pas here këtu, Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Vaut të Dejës lypet ta gjejnë mundësinë që kjo kala të mbrohet më së fundi, me anë të ndonjë prite prej vërshimeve të dy lumenjëve të sipërthënë, si dhe të ruhen punimet e kryera deri më tash, sa të krijohet një mundësi gërmimesh shterruese. Është jo vetëm një vlerë historike e dorës së parë, por dhe një atraksion turistik me vlera të veçanta për zonën. Aty haset dhe toponimi “Tokat e Begut”, që thuhet se ka mbetur që nga koha kur Bushatlinjtë luftonin në këtë kala kundër turqve, çka do të thotë se funksioni i saj mbrojtës nuk është ndërprerë as shekujt e fundit.

Ky areal kulturor - historik, ku pikëpritën disa treva, si Mirdita, Shkodra dhe Puka, me një pozitë gjeografike nga më të lakmushmet, ka dhe një qasje tjetër skënderbegiane. Kisha e Shën Mërisë e Vaut të Dejës e shekullit XIII ka qenë ndër më të zëshmet e rajonit të Sapës e Danjës antike, kishë monumentale romanike-gotike, me plot afreska të vjetra, që u hodh në erë mbas vitit të mbrapshtë 1967, megjithëse prej vitit 1948 ishte shpallur “Monument Kulture - Mbrohet nga Shteti”, që do të thotë se shteti për intersa ideologjike shembte jo vetëm traditën e gurtë, po dhe “vetveten”. Nuk është e rastit që pamja e kësaj kishe u përdor nga Banka e Shqipërisë në prerjen e monedhës njëmijëlekëshe. Pikturat e saj të stilit bizantin krahasohen me ato të Kishës së Rubikut etj. Autorë të ndryshëm e vleësojnë atë si një monument të çmueshëm historik, pasi aty kishin qenë bërë pajtime mes princërve shqiptarë, po mbi të gjitha se në atë kishë besohet se kishte vënë kunorë Skënderbeu. Studiuesi gjerman Markus Peters shkruan se Gjergj Kastrioti u kororëzua në Vaun e Dejës në martesën e tij me Donikën. Edhe më intrigues e bën këtë pohim historiografik, teza e vendorigjinës së heroit kombëtar nga Kastri fqinj.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: