Prend Buzhala: Rrëfimi holografik mbi realitetin futurist
| E Diel, 03.06.2018, 11:23 AM |

RRËFIMI HOLOGRAFIK MBI REALITETIN FUTURIST

(Në vend të recensionit për romanin “Kush e solli Çetinën”, science fiction, roman, Prishtinë 2017)

Nga Prend BUZHALA

Autori i ri, Bekim Shala, depërton me sukses në fushën e prozës. Ndryshe nga shumë letërsi, ku zhanri i prozës së fantastikes shkencore ka një traditë e zhvillim të spikatur, letërsia jonë ende është tejet deficitare për sa i përket prozës së tillë. Në të kaluarën, gjeneratave të vjetra, do t’iu kujtohen romanet e Alqi Kristos. Mandej vjen edhe ndonjë autor me ndonjë vepër tejet të rrallë. Por letërsia jonë për fëmijë, pothuajse, është mjaft e pasur me vepra në prozë e në gjinitë tjera, për sa i përket këtij zhanri.

1. E ardhmja dhe e shkuara: Hologram Vizion Box dhe trashëgimia etnike

Ndërveprimi mes shkencës e teknologjisë, i përvijuar nëpërmes imagjinatës letrare, është procedeu kryesor i romanit të Bekim Shalës me titullin asociativ "Kush e solli Çetinën". Nëse ngjarjet vendosen diku në të ardhmen, në një realitet futurist, në Nju Jork, aty është edhe polemi shqiptar, me predispozita të veçanta, me individualitetin e vet etnik, trashëgimor e historik, por duke i zhvendosur ato në të ardhmen. Kjo do të thotë se ky autor e njeh mirë zhanrin e kësaj letërsie të fantastike shkencore.

Nëse romani i Kadaresë, i thurur mbi fantastiken e letërsisë sonë popullore të legjendave e baladave; po ashtu edhe kjo vepër ngërthen shtresën fantastike të baladave e legjendave e miteve shqiptare mbi zanat dhe këngët kreshnike e legjendare. Ky roman, jo vetëm që e rikrijon përmasën e tillë të së kaluarës shqiptare, por e pasuron edhe me shtresa të tjera, sikundër janë fenomenet e botës teknologjike të tjetërsimit shoqëror, njerëzor e intelektual, madje, sidomos shkencor, kundruall përvojës empirike.

Bartës të rrëfimit, bartës të ngjarjeve të kohës e të historisë, të konteksti fantastik kohor etj, është Tani, shkurtesë e emrit Konstantin, pastaj një bashkësi familjare si Gjini, dy axhallarë me shtatë fëmijë, babai, nëna, Tani (që rrëfen në veten e parë), Edi dhe Çetina, gjallonim së bashku nën një bashkësi. Vijnë edhe personazhe si Donaldi, Gregori, Tanja, Billi e deri te presidenti i shtetit. Kurse Henri paraqitet si zhdrivillues situatash komplekse, që e çon fantastikun përpara. Secili prej tyre ka një qëllim në jetë, për të mirë, për ambicie, për lakmi a për të keq, për ecje përpara apo për rend e harmoni.

Ende gjallojnë kodin i nderit, apo, sikundër thotë personazhi:

Gjyshi gjithmonë ia thoshte nga ato citate të Kanunit se “Tani është lisi i gjakut, kurse Çetina lisi i tomlit, edhe pas gjashtëqind oxhaqeve trashëgimi prapë jeni motër e vëlla.

Kjo trashëgimi (e figuruar përmes vraçit dhe së bukurës), zhvillon te Tani edhe predispozitën për hetime dhe intuitën për situata misterioze e të ndjeshme.

Etja e madhe e njerëzimit me kureshtjet e pafund, se si bota është bërë, si është krijuar dhe se si ajo ishte, kur u shfaq njeriu si dhe rolin që luan ai, njerëzimi është interesuar që nga kohërat e lashta. Ata bënë përpjekje për të gjetur në mitet kosmogonike përgjigje për krijimin e qytetërimeve të ndryshme, të cilat janë përpjekur për të organizuar një sistem të elementeve të universit, për të mbushur një boshllëk në njohuritë mbi botën, për të përfaqësuar një formë sinkretike të gjithë diturisë rreth tij, së bashku me dëshirën për të shpjeguar natyrën e dëshirën për zhvillim, për të ndikuar dhe mbizotëruar botën natyrore. Njeriu u krijua dhe u bë nga hyjnitë, të cilat në vende të ndryshme mbajnë emra të ndryshëm, por ai ka aftësinë për të kuptuar dhe ndoshta për të penguar e për t'u parashikuar nga fuqitë më të larta.

Të gjitha këto thadrohen edhe te ky roman, ku parakalojnë mite e legjenda të ndërthurura me zhvillimin teknologjik; ato bëhen krejtësisht reale, edhe përmes "ëndrrave", fantastikës, fluturimeve imagjinative, zbulimeve teknologjike... dhe e gjithë kjo konsiderohet të arrihet nëpërmjet këtyre tranzicioneve në mes botës fizike dhe metafizike, e kontaktit mes njeriut dhe Zotit. Prandaj fantastika merr rolin udhëheqës letrar e procedimor, të cilat janë përdorur si tek nga autorët tjerë, si një mjet për të arritur thellësinë më të madhe artistike psikologjike, shoqërore, teknologjike, e sdomos komunikuese, përmes një HVD-je, Hologram Vizion Box, si e përkufizon protagonisti ideografik i romanit:

“shtoni edhe diçka nga kërkesa juaj imagjinative. Bota e tij përrallore ishte aq e mrekullueshme. Unë dhe zanat e mia.” Ai ndien nevojën që të ketë komunikim vizual “me nënën,Çetinën dhe Edin, bëra porosinë e pajisjes më të përsosur për komunikim dhe shikim vizuel, Hologram Vizion Box.”

Rrëfimi fantastik shfaqet si rrëfim holografik; ky narracion dramatizohet me ndihmën e poetikës specifike të dialogut dhe diskurseve posstmoderne të procedimit letrar (fo rmast e komunikimit), gërshetohen me bisedën krejt të rëndomtë të lojës e të imagjinatës, tek e gërsheton edhe realen me irealen, të mundshmen me të pamundshmen. Romani ngërthen përmbajtje interesante, tërheqëse, dinamike, me përfundime shpesh të papritura e efektive.

Ndryshe nga fantastiku ynë letrar ku ligjërojnë pjesëtarët të botës së të faunës, shtazëve të shumta, insekteve, shpezëve etj; ndryshe edhe nga fantastiku tjetër ku komunikojnë civilizime të ndryshme planetare; te ky roman ka një arritje tjetër: aty e kemi ekskluzivisht të mundshmen, mu ashtu si do të thoshte Aristoteli antik: letërsia paraqet të mundshmen, kurse historia atë që ka ndodhur. Ndërsa shkrimtari i fantashkencës, Robert A. Heinlei, na e zhdrivillon realen si spekulim rreth ngjarjeve të mundshme në të ardhmen, të bazuara fuqimisht në njohjen përkatëse të botës reale, të së kaluarës dhe të së tashmes, dhe në të kuptuarit me themel të natyrës dhe metodave shkencore.

Ndërthurja e urbanes qoftë edhe ekzotiken e rurales, e të zakonshmes me fantastiken, e aventurës së bukur me rrëfime të lezetshme, ngërthejnë edhe mesazhe argëtuese, edhe të shëndosha. Episodet paraqesin dhe një varg situatash dramatike, të gjalla, interesante e kuptimplote. Kurse David Hartwell shprehet se fiksioni shkencor vihet në gërshet me mrekullinë, të besueshmen e arsyeshme dhe çudinë.

2. Paralele të botës asociative: religio dhe tehne

Ç’është e vërteta, autori përdor po ato koncepte të imagjinatës, sikundër janë raportet midis shkencës dhe teknologjisë futuriste, zhvendosjet në kohë dhe botët paralele (dje e sot); pastaj risitë shkencore, gjithnjë me mbështetje te dija.

Nuk është e habitshme përse aty lexojmë dhe kode etike paralele kohësh: kur dje mbroheshin vajzat, ato sot (dmth në kohën futuriste), të rinjtë “vajzat e veta i ofendojnë dhe poshtërojnë.” Jepen pamje e tipare të lojës së djeshme me atë të sotme e që ka marrë tjetërsim theqafës: “Djelmoshat e sotëm i kanë lojërat e veta në videolojëra, aty janë të pamëshirshëm, thejnë rekorde dhe janë më të fortit, zgjedhin personalitetin e më të keqit dhe bëjnë masakrat më të këqija të mundshme, ku vrasin, e presin koka të fëmijëve e pleqve”, kundruall të rinjve të djeshëm që identifikoheshin me një hero, trim legjendar a mbrojtës të vlerave etike, nderit, vlerave njerëzore, virtytit apo çështjes kombëtare. Eksperimentet me njerëz nuk prajnë. E mbinatyrshmja sikur nuk ekziston, por vetëm sa bëhet “e prekshme”nëpërmes këtyre risive shkencore-teknologjike. Edi ka fat tragjik, por përmes një vizioni hyjnor të protagonistit, në fund të romanit ai bëhet vetvetja. Bëhen përqasje dhe të vlerave shoqërore të përmasave shqetësuese të këtij tjetërsimi: “pse po brengosesh, kjo botë është e tillë dhe pikë. E lirë,demokratike, pa përkufizime, pa kode etike.” Kurse e kaluara, kodi etik trashëgimor, është mbrojtje nga tjetërsimet e tilla:

“Ndoshta do ta mësojë edhe atë se çka është e keqja kurdo të përballet me të, e ka në predispozicion edukatën e të moçmit gjysh, ai i ka përjetuar gjërat më të tmerrshme,masakrat i ka parë me sy të vet, atje në Ballkan, në Kosovë, kur ka qenë i ri. Shpesh i tregon përjetimet e tij të së kaluarës së tij të tmerrshme mbi mbijetesën nëpër luftë. Tani gjithmonë e dëgjonte me vëmendje dhe kujdes gjyshin e vet.”

 Njeriu është i lirë për të gjitha veprimet e tij. Kjo është një dhuratë e dhënë nga vetë Zoti. Liria për të menduar,vepruar, jemi të lirë për gjithçka, askush nuk është përcaktues i fatit tonë. Jemi të lirë edhe ta pushtojmë vetë pushtuesin - universin. Shoqëria është duke e bërë këtë, për të mirë apo të keqe.”

Apo:

“Mendja e njeriut nuk ka përkufizim. Veprimet e njeriut nuk kanë përkufizim. Dëfrimet e njeriut nuk kanë përkufizim. Zoti na ka lënë përballë tij. Nuk e kuptoj pse është kjo dhunti e falur tek njeriu.”

Pra, iu bën vend historisë dhe legjendës, traditave kanunore, mitologjisë e bestytnive popullore dhe përditshmërisë, aksionit dhe aventurës, të pabesueshmes dhe të rëndomtës, kurse vendin e nderit ua lë imagjinatës dhe kënaqësisë së përjetimit të së bukurës.

Kjo do të thotë që bota romanore e fantastikes së tillë, e kësaj vepre, jo vetëm që është një alternativë e realitetit empirik aktual, por edhe si alternativë kulturore, qoftë dhe religjioze:

“Liria shpirtërore, në këmbim me teknologjinë, solli në Amerikë njeriun e ri, njeriun i cili i lejon vetes të bëjë dhe mendojë gjithçka pa përkufizime. Rregullat që përcollën njeriun me shekuj, religjioni, traditat, thuajsejanë shuar. Askush nuk shkon më në kishë, xhami apo sinagogë për arsyen e vjetër, për t’u lutur, për të shpëtuar shpirtin apo pse i beson Zotit ose një të mire, thuajse Zoti më nuk ekziston. Ai është zëvendësuar me priftërinj. Në kontinent ka filluar të dominojë një besim tjetër’Riandja’ “.

Porse kjo përqasje e esencave të besimit, sa vjen si çlirim nga paragjykimet e së kaluarës, aq vihet në dukje edhe një keqpërdorim-tjetërsim tjetër i besimit...

“Ky besim nuk po jep shpresë, por fakte dhe zgjidhje. Tek religjionet e vjetra luhej me shpresë, shpresë për shpëtim. Shpresa shuhet atëherë kur bëhet realiteti, e pikërisht këtu zhvillohej lufta mes besimeve të vjetra dhe të resë. Priftërinjtë e sotëm kanë shuar shpresën dhe kanë dhënë zgjedhjen,me të cilën ka filluar një rend i ri shoqëror, kur shumë kisha, xhamia, sinagoga po zëvendësohen me tempujt e rinj të religjionit të ri. ‘Kemi kapur pavdekshmërinë’,ishte parulla e tyre nëpër tempujt e tyre.”

Donaldi, një tekno-religjioz, ka arritur që përmes teknologjisë së tillë, ta bartë kujtesën një mendje në mendjen e tjetrit trup, e kjo përbën “ringjalljen”, rilindjen:

“Ta qartësoj teorinë se kur bëhet bartja e kujtesës,nga një mendje në mendjen e tjetrit trup, rilind shpirti i njejtë atëherë do të lindin të njëjtat ndjenja, të njëjtat kujtime, do të krijohet i njëjti personalitet. Ti do të jesh prapë ti. Po ta pyes secilin nga ju, i cili nuk është i kënaqur me trupin e vet, qoftë i moshuar apo i sëmurë apo i pakënaqur me gjendjen fizike të trupit të vet, se ado të pranojë që të transformojë kujtimet në një trup të ri. Me siguri se do të pranoni.”

Përqasja e procedimi i tillë romanor, shpalos një utopi negative, skajshmërisht të tjetërsuar kundër natyrës e ligjeve të saj, të cilës duan t’i dalin përpara personazhet që nuk e kanë bjerrë shpirtin humanist.

Njerëzit, duke aspiruar përjetësinë dhe mos-harresën, tashmë përmes tekno-religjionit, duan të thyejnë edhe krejt ligjet e deritashme hyjnore, sepse hyjnoren njeriu “e ka zbritur” te vetja:

Nuk është kjo sfida, nuk ka mëdyshje, secili i cili e meriton, me siguri të plotë do të përzgjidhet që ta ketë përjetësinë dhe mos-harresën.”

“Zotat e rinj po krijohen”, klith personazhi i romanit. “Ne jemi zotër tëvetvetes, ne jemi vetë Zoti. E frikshme po tingëllon, porkjo është e vërteta dhe kjo është një gjë e bukur dhe emirë, apo jo.”, arsyeton personazhi i kësaj utopie negative.

Edhe kontrasti social i këtij realiteti futurist, nxjerr bë pah të njëjtin ankth të pabarazisë dhe mizorisë, përmes skenave të garës së të varfërve për pastrimin e shkallëve.

Kund e kund ka dhe një metakoment romanor, e që përëbnm një si diskurs metaromanor:

“Personazhet thuajse janë të ardhur nga tregimet futuriste të shkrimtarëve fantazer, të cilës me mosinteresim ma ndërpreu telefonata e Donaldit.”

3. Distopia e kënaqësisë: tjetërsimi dhe utopia negative e kënaqësisë e tipit të Huxley-it

Dalldia dhe entuziazmi i imagjinatës së pafre i njeriut postmodern (dhe atij futurist, kësaj radhe), nuk kanë të ndalur. Të duket sikur ke parasysh ideologjinë e njeriut të ri të regjimeve totalitare, ku humbin vlerat e së kaluarës, ku individualizmi i pafre e tjetërsimit njerëzor, shpik edhe diçka tjetër: “sot është vështirë ta imagjinosh se ekziston ende tek dikush dashuria familjare.” Deri këtu ka arritur kjo utopi reale negative!

Kësisoj, nuk është e habitshme, përse, krahas të arriturave të teknologjisë së komunikimit (autori e përkufizon si viedokomunikim kompleks të HVD), shfaqen edhe forma të reja të religjiozitetit, filozofisë,... shoqërisë, kulturës, ndërkohë që dashuria njerëzore kundruall urrejtjes, dija kundruall keqpërdorimit të saj, apo dhe vlerat humaniste kundruall zhveshjes së tyre, mbesin të njëjta. Aty janë dashuritë dhe tradhtitë, tragjeditë njerëzore dhe mirëqenia në kulm, majat humaniste dhe tjetërsimet e alienimet e kësaj shoqërie, ku ekspozitura “ka bërë që personaliteti mund të vidhej dhe të shfrytëzohej për gjithçka në lidhje me HVB”, pra, ku vidhet “trupi” e vendoset kujtesa a qenia e dikujt tjetër! Në roman zhdrivillohet një botë e tërë asociative e komandimit të jetës përmes teknologjisë, apo mrekullive të teknologjisë holografike, e që përkon ironikisht me të sotmen.

Pikërisht pse edhe vetë shteti, edhe vetë personazhet me shpirt humanist, duan t’i kundërvihen kësaj utopie (rrjetit mafioz), romani merr edhe formën e një fabule kriminalistike... Në këtë drejtim, personazhi i Gregorit (përmes fjalimeve të kësaj utopie) shkon kah utopia e tillë e negativitetit, duke “u mahnitur” me të arriturat e mrekullitë që bën teknologjia e ku vihen në gërshet me artin dhe natyrën:

“Sot ndihem me ndjenja sepse sot po shpalos punën dhe përkushtimin tim, gati trevjeçar mbi atë se çka punoj dhe çka dua. Siç edhe e keni lexuar nëpër ftesat e juaja ekspozita quhet “Ngërçi më i bukur në botë”. Unë jam me fat dhe ndjej lumturi për atë se çka ka dhënë përkushtimi im në studime, duke e rrumbullakësuar në atë se çka vlerëson njerëzimi më së shumti në botë, e ajo është arti.... çka bën arti dhe çka duhet të bëjë një artist, cila është dëshira e tij më e madhja. Arti bën atë çka ka bë e plotëfuqishmja natyrë, ku me ndihmën e formulave më të sofistikuara e ka krijuar bukurinë, e kjo është arsyeja pse një artist i frymëzuar krijon formulën me të cilën arrin në shkallën më të lartë qiellore dhe është ai i cili i afrohet më së shumti hyjnores për t’u shpallur i pavdekshëm. Në mes njeriut dhe hyjnisë krijohet dashuritë cilën unë e kam shijuar, sepse unë kam gjurmuar, kam gjurmuar pa ndërprerje dhe e kam gjetur.”

Kënaqësia është kulti i këtij realiteti futurist, dhe, gjithsesi edhe i të sotmes. Aldous Huxley, shkrimtar i përkthyer edhe në shqip, flet për utopinë negative 9term i këtij shkrimtari), ku, te romani i tij “Brave New World” (“Botë e re e guximshme”, 1932) , por ndryshe nga romani “1984” i George Orwell (romani i kësaj utopie të tillë negative, ku bota duhet të kontrollohet përmes frikës e frikësimit), te Huxley, bota duhet të kontrollohet përmes kënaqësisë! I këtij lloji është edhe romani i bekim Shalës: i botrës së kontrolluar nga kënaqësia që shoie në trajta të përbindshme të tjetërsimit.

4. Shtresimet e ndërliqshme të botës romanore

Romani ka dhe një botë të ndërliqshme tematike, që gërshetohen natyrshëm në sfonin e përgjithshëm të lëndës së trajtuar. Në sfondin e përgjithshëm të realitetit “holografik”; e nuancuar, e ndjeshme dhe përplot përshkrim-përjetime, është edhe tematika e dashurisë midis Tanit e Tanjës, apo Çetinës dhe Billit (në të dy rastet ndërhyn një “botë mafioze” teknologjike, për ta prishur dashurinë, për ta shndërruar atë në dashuri “pa besë”). Në roman zhdrivillohet një botë e tërë asociative e komandimit të jetës përmes teknologjisë, apo mrekullive të teknologjisë holografike, e që përkon ironikisht me të sotmen.

Në sfondin e përgjithshëm të realitetit “holografik”, e nuancuar e ndjeshme dhe përplot përshkrim-përjetime, është edhe tematika e dashurisë midis Tanuit e Tanjës, apo Çetinës dhe Billit (në të dy rastet ndërhyn një “botë mafioze” teknologjike, për ta prishur dashurinë, për ta shndërruar atë në dashuri “pa besë”).

“Më ka pyetur për ndjenjat Tanja, duke e ditur se kot aty gërmon, për shenjat që kam nëpër trup, vazhgat e lëndimeve në trup, se si i kam marrë ato, apo pse ka domethënie ajo që jam shqiptar, pse e potencoj atë. Shpesh ka ndodhur të më thotë se çka domethënë kjo tatua e shqiponjës dykrenore dhe se është shumë e bukur!A bën të ta prek? A bën që të puth? Secilën herë kur kalojmë nëpër prekje, më jep shqetësimin, më pyet pse më quajnë Tan dhe jo Konstantin, se po i pëlqejnë muskujt e mi mirë të formuar dhe se sonte dëshiron që të ledhatohet me to. Gati secilën herë më pyet për librat dhe poezitë të cilat më pëlqejnë.”

Në gërshetimin e realitetit futurist me të djeshmen, të duket sikur me sukses autori krijon edhe personazhe holografike. Madje, personazhi i Henrit, që kurdoherë është i pranishëm në rrugëzgjidhjet teknologjike, pothuajse qëndron midis një personazhi shajnish dhe realitetit.

Romani ngërthen edhe shtresa të diskurseve refleksive-meditative e që e shpirtëzojnë realitetit holografik-treknologjik, pandan kohës sonë:

“Koha kalon sikurse uji i një lumi, i cili rrjedh por lumi mbetet në vendin e vet. Ashtu kjo kohë bën hajgare me ne të vdekshmit, që nuk e duam kohën dhe nuk duam që t’ia dimë për të, po t’ia dimë jeta nuk do të ishte e logjikshme, duke e ditur se fundi është i njëjtë... Koha shkoi sikurse të mos ishte këtu asnjëherë, sikurse një furtunë e fortë që trazon çdo gjë që ka kapur, pas secilës furtunë ia dimë vlerën asaj se çka kemi pasur përreth. ...”

Teknologjia e tillë futuriste (dhe e sotme), vjen për ta ndërgjegjësuar edhe brendinë e njeriut, pikëpamjet e tij plr ekzistencën dhe fatin:

“Për fatin kanë thënë, se duhet kërkuar dhe se ai nuk është i fshehur siç mendohet. Fati nuk del në një akt të kryer dhe i shtruar, i ardhur me një të dridhur të një shkopi magjik, i cili nuk ndalet së reshturi plotësimin e dëshirave. Fati është duke përcjellë mirë Çetinën tash edhe me këtë lidhje të plotë me Billin, po edhe fati në karrierë është duke i ecur. Çetina ma kumtoi një lajm të mirë sa i përket muzikë-bërjes.”

5. Në poetikën e romanit: sfondi kompleks postmodern

Sado që vetvetiu zhanri i tillë i fantashkencës ngërthen edhe shtresën e linjës utopike, megjithatë autori arrin ta zbusë këtë përmasë duke e sjellë atë në strukturat e rrëfimi të natyrshëm të alternativës kulturore-shoqërore e teknologjike të rrafshit njerëzor.

Gjatë të gjitha epokave historike të artit, ashtu edhe sot, imagjinata dhe fantastiku bëhen një nga vlerat më të larta të artit, sidomos, kur endëzohen në gërshet me ndonjë formë të shprehjes artistike.

Kësisoj vepra procedon me emaile, mesazhe, komunikim të ndërliqshëm në forma teknologjike, me fjalime, predikime religjioze e shkencore, por edhe me procedime imazhesh pikturale, me procedime të këngëve shqiptare (zanat e këngët e letërsisë sonë popullore përmes vizionit holografik, e deri te procedimet tjera. Prandaj, i gjithë ky sfond kompleks, veprës i jep një sharm postmodern tipik, mu ashtu si i shfrytëzon këto procedime të ndërliqshme vetë romani postmodern.

Sado që ka një ndëriqësi të tillë procedimesh, komunikimesh e thyerjesh tematike; megjithatë romani ka arritur krejt natyrshëm ta ketë edhe rrjedhën e vet fabulative, ndryshe nga disa autorë të sotëm që dështojnë në këtë drejtim. Prandaj, edhe historia, edhe aventura, edhe fantastiku (koha e ardhme ku vendoset ngjarja), nuk janë assesi vetëm fabul për zbavitje, por ajo merret edhe si mësuese të jetës e që i kanë protagonistët e saj me ideale të madhërishme, po që dalin në mbrojtje të vlerave më të larta etike e njerëzore.

Por autori ka dhe një vlerë tjetër që e shtresëzon te ky roman; përjetohen këndshëm edhe një lirizëm i aty-këtushëm, edhe e bukura që shkëndijëzon nëpërmes pasazheve të shfrytëzimit të kësaj teknologjie postmoderne tashmë të prekshme edhe për kohën tonë. Ka aty edhe reflektime meditative për ekzistencën, shoqërinë, fatin e njerëzimit, religjionin, kulturat, trashëgiminë, dashurinë, etj etj. ka vizione njerëzore, deri te ato hyjnore. Prandaj edhe diskurset ligjërimore narrative-romanore, marrin trajtë sipas lëndës përkatëse të shëtitjes nëpër sferat e imagjinatës së pakufi. Konceptimet e tilla të lëndës fabulative, nuk janë të sforcuara.

Ashtu si koha, jonë edhe në kohën e fantashkencës së këtij romani ndeshim në himnizimin e ndjenjës patriotike, me patosin e porosinë e shëndoshë. Aty e lexojmë dhe e dëgjojmë zërin humanist të protagonistëve të romanit.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: