Xhavit Kryeziu: Ferid Berisha- nismëtar i shkollave shqipe
| E Enjte, 31.05.2018, 09:00 PM |

Ferid Berisha- nismëtar i shkollave shqipe

(1916 - 1989)

Nga Xhavit Kryeziu

Ferid Berisha është njëri ndër veteranët  e parë të arsimit  që vuri themelet  e disa shkollave me mësim në gjuhën shqipe, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, jo vetëm në komunën e Dardanës, po edhe në viset e tjera të Kosovës. Kështu  vetëm gjatë vitit 1942, në hapësirën territoriale të komunës së Kamenicës, filluan mësimin, për herë të parë në gjuhën shqipe, me mësuesin Ferid dy shkolla: në Koretin dhe Strezoc.

Ferid  Berisha u lind në fshatin Krilevë të Dardanës (Kamenicës). Ai ishte djali i Kadriut që ishte me profesion- hoxhë, i ardhur nga Svirca në Krilevë ku edhe shërbente si hoxhë duke e kryer detyrën e imamit. Shkollën fillore  katërklasëshe Feridi e mbaroi në vendlindje, ndërsa Medresenë e mbaroi në Gjilan.  Gjatë kohës së shkollimit në Medrese, mbaroi edhe shkollën qytetare të Gjilanit, po në gjuhën serbe.

Pas mbarimit të shkollës dhe kursit pedagogjik, në vitin 1942, Mbretnija Shqiptare, Inspektorija e Arsimit në Prishtinë, më 8. 4. 1942 e emëron mësues në Koretin,  me shkresën e nënshkruar nga Inspektori Kolë Kosmaçi, me lartësinë e pagesës 150 franga në muaj. Shkolla filloi punën me dy klasa, klasa e parë dhe klasa e dytë që numëronte 44 nxënës, kryesisht ata ishin nga Koretini dhe vetëm 2 nga Topanica: Xhemail Zubaku dhe  Mustafë  Çitaku. Nxënësit që vijuan mësimin për herë të parë në gjuhën shqipe, në vitin 1942 nga Koretini janë: Gani Selmani, Ilaz Keçmezi, Ramush Canaj, Osman Dubova, Abdulla Hoda, Veli Hoda, Qazim Hoda, Avdi Berisha, Destan Berisha, Hysen Canaj, Miftar Kovani, Ramiz Dubova, Sylejman Canaj, Shaban Dervishi, Mehmet Canaj, Kadrush Masurica, Lazim Keçmezi, Musa Canaj, Shaban Berisha, Mexhid Kovani, Jakup Bugaçku, Zejnullah Canaj, Vesel Basha, Alihaki Basha, Januz Keçmezi, Shefki Haxhiu, Raif Canaj, Xhafer Canaj, Halim Basha, Murat Kovani, Fejzullah Kovani, Muharrem Basha, Ramush Canaj, Ramiz Bugaçku, Bajram Bugaçku, Musa Rexha, Latif Kovani, Mexhid Kovani, Habil Kovani dhe Shaban Keçmezi. Edhe sot rrëfen me admirim nxënësi i tij e tash veteran i arsimit, Kadrush Masurica,  për angazhimin  maksimal të mësuesit Ferid në procesin edukativo-arsimor dhe  punën e palodhur në shkollë. Për  zellin e dashurinë për punën në procesin edukativo-arsimor e dëshmon edhe shkresa e dërguar nga Inspektorati i Prishtinës,  më 13. 9. 1943, dërguar Ministrisë së Arsimit në Tiranë ku dhe angazhimi dhe sjellja mësuesit Ferid  vlerësohet si shembull.

 

Në Shkollën fillore shqipe të Strezocit  mësimi në gjuhën shqipe,  përmes kursit të gjuhës shqipe- kurs që funksionojë për zhdukjen e analfabetizmit, ku më 1. 6. 1941  mësues i parë ishte Ferid Berisha, të cilin Nënprefektura e Gjilanit e kishte emëruar Mësues Popullor për luftimin e analfabetizmit. Po për përvetësimin e shkrim–leximit në gjuhën shqipe mungonin tekstet dhe mjetet mësimore të nevojshme e i shtyrë nga kjo nevojë mësuesi Ferid hartoi një shkresë dhe ia dërgoi Komisionit  Shkollor të Jashtëzakonshëm në Prizren, ku kërkoheshin që të arriheshin rezultate optimale për zhdukjen e analfabetizmit, 300 abetare dhe mjete të tjera mësimore, më 22. 11. 1941.

Ndërsa mësimi i rregullt në Shkollën e Strezocit  fillon me 2. 4. 1942, po me mësuesin Ferid, i cili ishte larguar nga Fshati Dunav i Rrethit të Gjilanit, pasi ai fshat kishte rënë nën administrimin e bullgarëve.

Që nga 18 shtatori i vitit 1942 Ferid Berisha pranohet përfundimisht  mësues me gradën e XII, me pagë prej 130 franga shqiptare, ndërsa punën e filloi më 5 nëntor 1942. Në shkollën e Strezocit vijonin edhe nxënësit e fshatrave tjera, si: Leshtar, Krilevë, Kremenatë, Gragjenik, Vaganesh dhe Rahovicë. Mësimin e vijonin  njëkohësisht klasa e parë dhe klasa e dytë, me afër 50 nxënës. Për angazhimin e mësuesit Ferid në  mësimdhënie flet me admirim edhe ish nxënësi i tij , Jetullah Cakolli nga Krileva, tash në pension.

Sipas kujtesës së vijuesve që i ka mësuar  mësuesi Ferid, në këtë shkollë, janë: Rrahman Sinani, Shaban Zeqiri, Hysen Ibishi, Sylejman Demolli, Qamil Demolli, Ymer Hysk Tahiri, Xhemajl Rr. Shillova, Hamdi Shefki Shillova, Riza Fazli Llapashtica, Nezir Ajeti, Avdulla Sinani, Ahmet Zuka Sadiku, Bajram Beqir Hasani, Sinan Sinani,  Jahir Xh. Beka, Bektesh Xh. Beka, Avdullah Çubiqi,  Ajvaz Azem Buca,  Durak Arifi, Vehbi Hasan Kacabashi, Sherif Sinani, Sylejman R. Sinani, Kadri R. Sinani, Jahir F. Demolli, Ibrahim V. Tahiri, Rexhep B. Sylejmani, Sadri Sylejmani, Salih Demolli, Avdullah Demolli, Avdullah A. Avdullahu, Xhemajl H. Avdullahu, Musli Beka, Vesel S. Demolli, Hafiz Shillova. Hazir Sinani,  Ramadan Ahmeti, Muharrem Sh. Mërkoja, Hysen J. Bogunovci, Rexhep S. Sinani, Aziz Hasani,  Hysen Sadiku, Metush Shillova, Nezir Arifi, Riza Bunjaku, Nezir Demolli. Pra, të gjithë vijuesit ishin të gjinisë mashkullore.

Ferid Berisha vuri themelet e mësimit në gjuhën shqipe edhe në Shkollën fillore të fshatit Përlepnicë të komunës së Gjilanit.

Në vitin shkollor 1949/50 Ferid Berisha kalon me punë në Gjilan, aty udhëheq klasën e dytë fillore e në atë klasë ishte nxënës edhe Avdylaziz Veseli. Dr. Avdylaziz Veseli, në gjysmën e parë të viteve `60, të shekullit XX, në Normalen e Gjilanit na ligjëronte grupin e lëndëve pedagogjike dhe shumë herë kur fliste për procesin në mësimdhënie e mësimnxënie, merrte si shembull personalitetin e mësuesit Ferid.

Pasi që me angazhimin e tij në procesin edukativo-arsimor bie në sy të pushtetit  të atëhershëm sllavo-komunist, Ferid Berisha arrestohet dhe burgoset. Pas vuajtjes së dënimit me burg për disa kohë largohet nga Anamorava. Një kohë detyrën e mësuesit e ushtroi në shkollën e Bellaqevcit të Prishtinës.

Pastaj kthehet, sërish të punojë nëpër shkollat e rrethinës së Gjilanit. Me zell angazhim të plotë punoi në shkollën e Zhegrës e pastaj në fshatin Cërnicë.  Po një fjalë e urtë popullore thotë: “Ujku qimen e ndërron, po zanatin nuk e harron”. Shërbimi  i UDBA-s serbe nuk kishte pushuar përgjimet e survijimet ndaj personalitetit e punës së mësuesit Ferid. Nuk mund të heshtnin ndaj rezultateve që po arriheshin në kultivimin e afirmimin e vlerave tona kulturore e kombëtare në fushën e arsimit, prandaj tani e ndryshojnë vetëm formën e persekutimeve ndaj mësuesit Ferid. Nuk mund të pajtoheshin me rezultatet që po arriheshin në fushën e arsimit në gjuhën shqipe, nuk mund të pajtoheshin, ata që gjetjen e Abetares, para ca vitesh, në familjen shqiptare e konsideronin si vepër të rëndë penale të orientuar kundër shtetit. E tash gjetën dhe aplikuan një formë tjetër. E shpallën moralo-politikisht të papërshtatshëm për të punuar në arsim dhe e largojnë nga procesi edukativo-arsimor, pasi që mësuesi Ferid ishte në listë e UDBA-s serbe që punën e angazhimin e tyre e përcillnin vazhdimisht. Nga komuna e Kamenicës në këtë listë ishin këta mësues: Babush Tali, Bajram Spahiu, Hajdin Hasani, Jahi Sylejmani, Ilaz Jashari, Mumin Salih Kastrati, Murat Nezir Shkodra, Adem Kastrati, Ahmet Avdyl Avdimetaj, Gani Gashi, Faik Jakupi, Hamit Masurica, Ndue Nekaj  dhe Tahir Aliçkaj (shih: Dr. Sulltane Kojçini-Ukaj – Kuadri arsimor shqiptar i Kosovës në shënjestrën e Sigurimit Shtetëror 1945-1952, Prishtinë, 1997).

Vitet e fundit të veprimtarisë së tij arsimore i kaloi në detyrën e mësuesit në shkollën e fshatit Pozhoran të komunës së Vitisë dhe në Prishtinë.

Gjatë tërë kohës së veprimtarisë në procesin e mësimdhënies e mësimnxënies, afër 40 vjeçare, ishte vazhdimisht i përndjekur nga shërbimi i OZNA-s dhe pastaj UDBA-s sllavo-komuniste dhe tri herë e kanë burgosur dhe dy herë e kanë suspenduar nga detyra e mësuesisë. Nëpër të gjitha shkollat, ku punoi e veproi përhapi dritë e dituri ndaj gjuhës e vlerave kombëtare. Nëpër të gjitha shkollat ku punoi, në oborrin e tyre,  mbillte ndonjë dru apo ndonjë pemë. Nuk u përul ndaj presioneve, suspendimeve, arrestimeve e burgosjeve që përdori pushteti i atëhershëm, po detyrën e mësuesit përherë e kreu me nder e krenari, prandaj është edhe mbetet një veteran  i nderuar dhe i respektuar i sistemit të   arsimit dhe shkollës shqipe.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: