Bardhyl Mahmuti: Shpifjet e doktorit të teologjisë Mustafa Bajrami-plagjiaturë (2)
| E Enjte, 31.05.2018, 09:08 PM |

Shpifjet e doktorit të teologjisë Mustafa Bajrami-plagjiaturë (2)

Akuzat për “anti-islamik”, “komunist” dhe “antidemokrat” janë gjuhë dhe terminologji e shërbimeve sekrete sllave

Nga Bardhyl Mahmuti

Pohimi i Mustafa Bajramit se ai "nuk i ka qëndruar besnik tekstit të shkrimit tim", nuk do të kishte qenë shumë i rëndë, sikur të kishte përdorur një logjikë gjuhësore origjinale. Gjuha dhe terminologjia që përdor ky teolog në reagimin e tij kundër meje janë logjikë gjuhësore dhe terminologji të sajuara në laboratorët e shërbimeve sekrete sllave.

Meqenëse Mustafa Bajrami dhe bashkëmendimtarët e tij më drejtohen duke kërkuar nga unë "emra konkretë të teologëve shqiptarë myslimanë që punojnë kundër interesave të popullit shqiptar", e shoh të domosdoshme që të përfshij një spektër temash, për të kuptuar drejt qëndrimin tim. Do të ketë edhe emra konkretë të teologëve shqiptarë myslimanë, që ishin rekrutuar nga shërbimet sekrete sllave për të punuar kundër interesave të kombit tonë. Madje atyre do t’u dalin boll, ndërsa besimtarët e devotshëm do të neveriten kur t’i dëgjojnë emrat dhe punët e këtyre lloj teologësh, që janë objekt i kritikave. Kuptohet, nëse nuk i kanë ditur.

Në fillim e theksoj se një numër hulumtimesh shkencore dhe vepra të fushave të ndryshme kanë argumentuar në mënyrën më të mirë të mundshme se, që nga krijimi i shteteve kombëtare në Ballkan, strategjia serbe ishte fokusuar në shkatërrimin e qenies shqiptare: vrasjet, grabitjet e pasurisë, shkatërrimet, dëbimet, shpërnguljet për në Turqi dhe forma të tjera të dhunës. Sado që do të ishte me interes të trajtohej dhuna antishqiptare gjatë periudhës së sundimit të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, po kufizohem vetëm në përmendjen e konkluzionin që del si rezultat i studimeve të shumta: gjatë periudhës historike kur u krijuan shtetet kombëtare në Ballkan, propaganda serbe stigmatizonte shqiptarët si "mbeturina të Perandorisë Otomane, që dëshironin ta ruanin praninë e Turqisë në Europë".

Pas shpërbërjes së Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene dhe krijimit të Jugosllavisë Komuniste, shqiptarët përjetuan të njëjtat tmerre dhe vetëm stigmatizimet ndryshuan. Në kontekst të polemikës që po zhvillojmë, po veçoj një segment të strategjisë serbo-maqedonase për realizimin e objektivave të vet. Edhe pse është fakt i pamohueshëm që Jugosllavia Komuniste nxori nga Platforma e Vasa Qubrilloviqit orientimin që në strategjinë e vet antishqiptare të përfshihen hoxhallarët, unë nuk e kam trajtuar këtë temë deri tani. Për të vetmen arsye, se dhunën dhe terrorin e ushtruar kundër popullit shqiptar e konsideroj si rezultat i vizionit sllav për të pasur "një shtet pa të tjerët". Politika ekspansioniste e pushtimit të territoreve tona dhe politika ekspulsioniste për dëbimin e shqiptarëve janë shtyllat e strukturës ideore që përbëjnë "Vizion serb për hapësirën shtetërore". Përballë një vizioni të tillë, instrumentet e realizimit të këtij vizioni dalin në rend të dytë. Pra, vetëm për këtë arsye nuk e kam trajtuar angazhimin e teologëve myslimanë shqiptarë të instrumentalizuar për realizimin e vizioneve serbe dhe maqedonase.

Për ata që nuk kanë pasur mundësi ta lexojnë platformën antishqiptare të përpiluar nga akademiku serb Vasa Çubrilloviqi, po nxjerr disa elemente, që na hyjnë në punë për të ndriçuar këtë aspekt të polemikës.

Pasi konstaton "se për shkak të naivitetit dhe fanatizmit të saj popullata myslimane i nënshtrohet shumë lehtë ndikimit fetar", Vasa Çubrilloviqi u sugjeron autoriteteve shtetërore të Serbisë që, "për t’i shpërngulur shqiptarët, në radhë të parë duhet të bëjnë për vete hoxhallarët dhe parinë e tyre që kanë ndikim, qoftë duke u dhënë para, qoftë duke i kanosur". Krahas kësaj, Vasa Çubrilloviqi udhëzon që të gjenden agjitatorë, të cilët do ta lëvdojnë Turqinë dhe jetën e atjeshme, të shajnë Kosovën si vend i nëmur, si vend i kryqit, ku rrezikojnë të bëhen shkje, të propagandojnë për shpërnguljen në Turqi, për të ruajtur fenë e kështu me radhë. (Është me interes të lexohet në tërësi ky elaborat antishqiptar, për të parë aplikimin e formave të reja të strategjisë së moçme).

Meqë kërkohen nga unë argumente për të dëshmuar se teologë myslimanë shqiptarë kanë hyrë në shërbim të politikave antishqiptare, atëherë do ta përfshij edhe këtë aspekt. Të jemi të qartë. Sa i përket këtij aspekti, nuk do të flas për periudhën kur shumica e njerëzve nuk janë gjallë. Do të ndalem vetëm për gjërat që mund të vërtetohen nga dëshmitarët e gjallë, që kanë qenë të implikuar në strategjinë antishqiptare.

Po tërheq vëmendjen, se njëra nga strategjitë kryesore të shërbimeve sekrete të sllavëve të jugut ishte fshehja e gjurmëve të krimit antishqiptar, propagandimi i parajsës jugosllave, ku gjoja shqiptarët gëzonin të gjitha të drejtat, sidomos ato fetare, dhe zhvendosja e vëmendjes nga gjendja e shqiptarë në Jugosllavi në situatën në Shqipëri.

Mustafa Bajrami më akuzon se gjoja unë përdor një "gjuhë të formësuar në bungaja të historisë së errët shqiptare, gjuhë me deformime patologjike, gjuhë e periudhës komuniste, gjuhë e njerëzve që s'e duan islamin të jetë pjesë e traditës sonë kombëtare dhe metodat e njohura serbe për të diskriminuar myslimanët".

Në vijim të shkrimit tim po sjell për lexuesin disa pjesë të shkrimeve, ku kam pasqyruar qëndrimet e mia rreth këtyre çështjeve, të publikuara për dy dekada rresht. Pasi të kem sjellë këto shkrime, do të kërkoj nga lexuesi të mendojë se cila palë përdor "metodat e njohura serbe": unë apo teologët myslimanë të llojit të Mustafa Bajramit. Kam bindjen e plotë që lexuesi do ta kuptojë se strategji e kujt është, që të më bëjnë përgjegjës për krimet që ka bërë  komunizmi në Shqipëri.

T’i shohim gjërat si kanë qenë!

Përkundër asaj që territoret shqiptare nën Jugosllavi u copëtuan në mes Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, logjika e dhunës antishqiptare në thelb mbeti e njëjtë. Megjithatë, kjo dhunë u zbatua në forma që u përshtateshin rrethanave të secilës nga këto tri republika. Për këtë arsye edhe qëndrimet e mia kanë qenë të përqendruara në kontekstet e republikave përkatëse. Po filloj me Maqedoninë, sepse aty kam bërë një përshkrim kronologjik që nga themelimi si Republikë Socialiste në kuadër të Federatës Jugosllave e deri në periudhën pas luftës së vitit 2001.

Në "Platformën Antidiskriminim të Shqiptarëve në Maqedoni", autor i të cilës jam unë, kam trajtuar edhe këtë aspekt në kuadër të një problematike të përgjithshme. Në përputhje me këtë platformë u botua edhe shkrimi im i titulluar "Kush janë ekstremistët politikë dhe radikalët fetarë në Maqedoni". Përmes këtyre publikimeve tërhoqa vëmendjen se, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, premtimet komuniste për respektimin e së drejtës për vetëvendosje u shoqërua me një dhunë të dyfishtë ndaj shqiptarëve: terror fizik dhe terror psikologjik. Për të sjellë argumente për pohimet e mia, në këto shkrime ndër të tjera thuhet:

"Që nga shtatori e deri në dhjetor të vitit 1944, nën akuzat e “antikomunizmit ekstrem” u ekzekutuan me mijëra shqiptarë: në Kumanovë dhe rrethina të saj u ekzekutuan mbi 700 shqiptarë; në Shkup dhe rrethina të tij 1400 shqiptarë; në Kampin e Gostivarit, ku kishte mbi 5000 të burgosur, 800 u ekzekutuan, ndërsa një pjesë e madhe vdiqën nga pasojat e torturave; në Kampin e Monopolit të Tetovës, ku kishte mbi 10 000 të burgosur, 1200 shqiptarë u ekzekutuan brenda natës, ndërsa mbi 500 të tjerë i dërguan në Shkup, gjoja për t’i mobilizuar për frontin e Sremit. Asnjëri nuk u kthye që andej. Në Kërçovë, vetëm nga fshati Zajaz u ekzekutuan 320 shqiptarë; në vendbanimet e tjera shqiptare ndodhi e njëjta gjë: vrasje, burgosje, tortura...!

Këtij terrori fizik iu shtua edhe terrori psikologjik, që konsistonte në paraqitjen e instalimit të komunizmit në trojet shqiptare dhe mosrespektimin e së drejtës për vetëvendosje, si “Çlirim”!

Sintagma “PAS ÇLIRIMIT” do të imponohet si interpretim i vetëm i historisë në të gjitha diskurset publike dhe private në Maqedoni dhe më gjerë. Bartës kryesorë të përçimit të këtij interpretimi të historisë ndër shqiptarët do të jenë disa shqiptarë "të ndershëm", që u integruan në strukturat shtetërore për të trumbetuar për gjysmëshekulli vëllazërim-bashkimin dhe “parajsën jugosllave” të respektimit të të drejtave kombëtare.

Trumbetonin me aq pompozitet kur vriteshin, arrestoheshin dhe torturoheshin me mijëra “ballistë - armiq të popullit”! “PAS ÇLIRIMIT”!

Trumbetonin me po aq pompozitet kur vriteshin, arrestoheshin dhe torturoheshin me mijëra “NDSH-istë - armiq të popullit”! “PAS ÇLIRIMIT”!

Trumbetuan edhe më tepër kur vriteshin, arrestoheshin dhe torturoheshin me mijëra “nacionalistë - armiq të popullit”! “PAS ÇLIRIMIT”!

Trumbetuan po aq zëshëm kur vriteshin, arrestoheshin dhe torturoheshin me mijëra “irredentistë - armiq të popullit”! “PAS ÇLIRIMIT”!

Sintagma “PAS ÇLIRIMIT” do të trumbetohet edhe pas krijimit të Maqedonisë si shtet i pavarur, por me një ndryshim të vogël: në vend të “ekstremistëve antikomunistë”, shqiptarët u vranë, u burgosën dhe u keqtrajtuan nën akuzën e “ekstremistëve antidemokratë”.

- Vrasje, burgosje, tortura... ndaj shqiptarëve në Bit Pazar! “PAS ÇLIRIMIT”! Në demokraci!

- Vrasje, burgosje, tortura... ndaj shqiptarëve në Gostivar! “PAS ÇLIRIMIT”! Në demokraci!

- Vrasje, burgosje, tortura... ndaj shqiptarëve në Ladorishtë! “PAS ÇLIRIMIT”! Në demokraci!

- Vrasje, burgosje, tortura... në Kollare të Kërçovës! “PAS ÇLIRIMIT”! Në demokraci!

Pos vrasjeve, burgosjeve, keqtrajtimeve, shkatërrimit të gjurmëve ilire, diskriminimit kulturor dhe etnik të shqiptarëve, periudha komuniste në Maqedoni, në synimin për asgjësimin fizik dhe kulturor të shqiptarëve, lidhet edhe me religjionin.

Komunistët e kësaj republike jugosllave krijuan Kishën Ortodokse maqedonase, e cila sot e kësaj dite nuk njihet si kishë autoqefale nga asnjëra qendër e ortodoksisë (as nga Patrikana e Rusisë e as nga Patrikana e Stambollit).

Në koordinim të plotë me politikën komuniste të Maqedonisë,  Kisha Ortodokse maqedonase përcaktoi si orientim parësor vënien nën kontroll të kishave ortodokse të frekuentuara nga shqiptarët e besimit ortodoks. Aplikimi i këtij orientimi strategjik pati si rezultat që sot, pas gjashtë dekadave të kësaj politike, askush nuk mund të japë një përgjigje se sa shqiptarë ortodoksë kanë ruajtur identitetin e vet kombëtar në Maqedoni. Pak, për të mos thënë hiç!

Orientimi i dytë strategjik i Kishës Ortodokse maqedonase ishte humbja e të gjitha gjurmëve të katolicizmit shqiptar në Maqedoni.

Për realizimin e këtij qëllimi u zbatua sistematikisht dëbimi, shpronësimi dhe asimilimi i shqiptarëve katolikë, si dhe vendosja e kontrollit shtetëror mbi kishën katolike. Koordinimi i politikës ekstreme me fondamentalizmin religjioz e lanë Kishën Katolike Shqiptare në Maqedoni pa meshë në gjuhën shqipe dhe emëruan, për herë të parë, një maqedonas (Kiro Stojanov) në krye të saj.  Me këtë edhe është bërë shndërrimi i kishës katolike shqiptare e ritit romak në kishë katolike të ritit bizantin të Lindjes dhe Dioqeza e Shkupit, historikisht e njohur si Kryedioqeza e Dardanisë, është vendosur nën Kryedioqezën e Vërhbosnies me seli në Sarajevë. Po rikujtojmë se Andrea Bogdani (gjyshi i Pjetër Bogdanit, figurës së shquar të historisë shqiptare), ishte kryepeshkopi i parë, ndërsa Mark Sopi i fundit i Dioqezës së  Shkupit, deri në ndarjen e saj nga ajo e Prizrenit në vitin 2000.

Me projektin e ndërtimit të Kishës Ortodokse maqedonase mbi themelet e shtëpisë së Gonxhe Bojaxhiut (Nënë Terezës, simbolit të katolicizmit shqiptar) dëshirohet t’i jepet fund këtij objektivi strategjik.

Të vetëdijshëm se shumica e shqiptarëve në Maqedoni janë të besimit mysliman, orientim i veçantë strategjik i kësaj kishe ishte koordinimi me strategjinë politike të komunistëve për  pushtimin e shumicës dërmuese të pronave të Bashkësisë Fetare Islame, rrënimin e xhamive dhe objekteve të tjera të kultit fetar dhe përpjekja për t’i asimiluar shqiptarët e besimit islam në kombësinë artificiale të quajtur “MAKEDONSKI MUSLIMANI”!

Lufta Globale kundër fondamentalizmit islamik "ka trimëruar" Kishën Ortodokse maqedonase të ndërmarrë një fushatë të “pyllëzimit” të territoreve, që ende kanë mbetur me shumicë shqiptare, me kisha ortodokse maqedonase! Në të njëjtën kohë, jo vetëm që nuk lejohet ndërtimi i Xhamisë së Çarshisë të djegur në vitit 2001 në Prilep, por as nuk lejohet falja e xhumasë në oborrin e kësaj xhamie.

Përveç të gjitha formave të lartpërmendura të dhunës, periudha komuniste në Maqedoni karakterizohet edhe me politikën e ndërrimit të strukturës së popullsisë. Vetëm gjatë kësaj periudhe u shpërngulën për në Turqi, SHBA, Itali, Kanada, Australi dhe në Europë mbi 38 000 shqiptarë nga rrethi i Manastirit, mbi  80000 shqiptarë nga rrafshi i Pollogut dhe Malësisë së Sharrit, me dhjetëra mijë shqiptarë të tjerë nga rrethi i Velesit, Prilepit, Prespës, Ohrit, Strugës, Kërçovës, Dibrës, Shkupit dhe Kumanovës. Në të njëjtën kohë, territoret shqiptare u kolonizuan me sllavë të ardhur nga disa shtete të Europës Lindore.

U deshën të kalojnë më shumë se pesë dekada, që shqiptarët e Maqedonisë të flakin sintagmën “PAS ÇLIRIMIT” dhe t’i përgjigjen apelit të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare për t’u çliruar.

Nga të gjitha pasojat e luftës arritëm një rezultat: PARIMET THEMELORE TË JAJCËS u zëvendësuan me PARIMET THEMELORE TË MARRËVESHJES SË OHRIT. Kjo për të ruajtur Maqedoninë unitare!

Bilanci është i ngjashëm!

Pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë periudhës së “komunizmit sllavo-maqedonas”, disa shqiptarë  "të ndershëm"  u integruan në strukturat e Republikës Socialiste të Maqedonisë për të trumbetuar për gjysmëshekulli “vëllazërim-bashkimin” dhe luftën kundër:

- “ekstremizmit antikomunist shqiptar”,

- “ekstremizmit nacionalist shqiptar”,

- “ekstremizmit irredentist shqiptar”!

Në mënyrë të njëjtë, pas Luftës së UÇK-së kemi integrimin e “shqiptarëve të ndershëm” në strukturat e shtetit maqedonas për të ruajtur “bashkëjetesën ndëretnike” nga “ekstremizmi shqiptar”, nga “terrorizmi shqiptar”.

Për shqiptarët që jetojnë në Maqedoni, analogjia e Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës së UÇK-së është kuptimplotë: iu premtua vetëvendosja dhe liria dhe këto premtime nuk u realizuan as pas Luftës së Dytë Botërore e as pas Luftës së UÇK-së; shqiptarët pas Luftës së Dytë Botërore dhe pas Luftës së UÇK-së u vranë e po vriten, u burgosën dhe po burgosen, u torturuan e po torturohen, u diskriminuan e po diskriminohen...!

Vrasje, burgosje, tortura... ndaj shqiptarëve në Sopot, Brezë, Tanushë, Vaksincë, Brodec, Haraçinë, Radushë ...! “PAS ÇLIRIMIT” ! Në demokraci!

Dhuna dhe terrorizmi i regjimit të Maqedonisë nuk ka të ndalur. Sikurse dikur, ashtu edhe tani! Monstrumët qeveritarë të Shkupit terrorizojnë shqiptarët! Tani nën akuzën e “radikalizmit islamik shqiptar”!

Fatkeqësisht, sikurse në të kaluarën, edhe tani të njëjtit “shqiptarë të ndershëm” apo pjella e tyre politike dhe mediatike, valëvisin akuzat e sajuara në kabinetet antishqiptare sikur të ishin realitete!

Fatkeqësisht të njëjtit apo pjella e atyre, që asnjëherë nuk guxuan të ngrenë zërin kundër ekstremizmit politik sllavo-maqedonas, që herë nën petkun e komunizmit, e herë të veshur me kostumin e demokratëve vranë, torturuan, burgosën, dënuan dhe dëbuan me qindra mijëra shqiptarë nga trojet e veta etnike, janë vërsulur për të dëshmuar se ekstremizmi shqiptar paraqet rrezik për Maqedoninë dhe rajonin!

Fatkeqësisht të njëjtit apo pjella e atyre, që asnjëherë nuk guxuan të ngrenë zërin kundër fondamentalizmit ortodoks sllavo-maqedonas që përvetësoi kishat e frekuentuara nga shqiptarët e besimit ortodoks dhe asimiluan shumicën absolute të shqiptarëve të këtij besimi në kombin e krijuar nga komunistët jugosllavë e që mbajnë emrin "maqedonas"!

Fatkeqësisht të njëjtit apo pjella e atyre, që asnjëherë nuk guxuan të ngrenë zërin kundër fondamentalizmit ortodoks sllavo-maqedonas, që përvetësoi Kishat Katolike të frekuentuara nga shqiptarët katolikë!

Fatkeqësisht të njëjtit apo pjella e atyre, që asnjëherë nuk guxuan të ngrenë zërin kundër ekstremizmit politik sllavo-maqedonas dhe fondamentalizmit ortodoks sllavo-maqedonas, që u përpoqën të asimilojnë shqiptarët e besimit islam në kombësinë artificiale “MAKEDONSKI MUSLIMANI”!

Fatkeqësisht të njëjtit apo pjella e atyre, janë mobilizuar dhe si qen të tërbuar janë vërsulur për të dëshmuar se shqiptarët “radikalë islamikë” janë rrezik për Maqedoninë, Ballkanin, NATO-n dhe krejt botën!

Si dëshmi për të argumentuar tezat e tyre sjellin fotot e disa flamujve turq e arab në mesin e mijëra flamujve shqiptarë në protestat antiqeveritare dhe thirrjen "Allahu Ekber", që u dëgjua disa herë në protesta.

Të dashur shqiptarë kudo që jetoni! Sidomos ju që nuk e njihni realitetin tragjik në këtë shtet ku aplikohet regjimi terrorist kundër shqiptarëve!

- Në shtetin e Maqedonisë jetojnë edhe qytetarë që identifikohen si turq, të besimit islam, që në tubimet politike dhe kulturore dalin me flamuj të Turqisë. Mund të ketë edhe individë që identifikohen me flamuj të shteteve arabe!

- Në të gjitha xhamitë që ende nuk janë rrënuar nga ekstremizmi politik sllavo-maqedonas dhe fondamentalizmi ortodoks sllavo-maqedonas PESË HERË NË DITË thirret ezani! Dhe për ata që nuk e dinë, ezani fillon me "Allahu Ekber"!

Të gjithë e dimë se as prania e flamujve e as thirrja "Allahu Ekber!" në vetvete nuk përbëjnë ekstremizëm politik apo radikalizëm fetar!

Të gjithë e dimë se në shtete të ndryshme të botës, në Ballkan dhe në Maqedoni, ka ekstremizëm politik dhe fondamentalizëm fetar!

Të gjithë e dimë se gjatë protestave, në të shumtën e rasteve, ky ekstremizëm shprehet me brohoritjet “VDEKJE AMERIKËS!” “VDEKJE NATO-s!”, si dhe me djegien e flamurit amerikan! Këto skena i kemi parë shumë shpesh! I kemi parë në shtete të ndryshme të botës në të njëjtën mënyrë si edhe në Maqedoni! Por jo nga “ekstremistët politikë shqiptarë” e as nga “radikalët islamikë shqiptarë”!

Protestat antiqeveritare që shprehën revoltën e popullit kundër proceseve të montuara gjyqësore ishin paqësore, të drejta dhe demokratike! Aty, krahas dominimit të flamurit kombëtar shqiptar, dominoi edhe flamuri amerikan dhe flamuj të tjerë dhe nuk u dogj asnjë flamur i asnjë shteti!

Dhe në fund të shkrimit tim "u bëhet thirrje të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen e që nuk konsiderohen “të ndershëm” nga armiqtë tanë, se duhet të ngrenë zërin kundër ekstremizmit politik antishqiptar dhe fondamentalizmit ortodoks në Maqedoni, që paraqesin gjeneratorin e krizave të vazhdueshme politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe fetare në këtë pjesë të Europës!".

Secili lexues mund të shohë se në qëndrimet e mia të publikuara për dy dekada rresht ka një koherencë intelektuale për të ngritur zërin kundër të gjitha formave të dhunës që janë bërë ndaj shqiptarëve myslimanë, katolikë dhe ortodoksë nga ekstremizmi politik maqedonas dhe fondamentalizmi ortodoks në këtë shtet. (Për pasojat e ekstremizmit politik të Beogradit dhe fondamentalizmit ortodoks në Serbi do të flas në pjesën që vijon).

Të gjithë lexuesve të besimit islam u kërkoj të lexojnë edhe një herë qëndrimet e mia lidhur me revoltën time kundër diskriminimit që u është bërë shqiptarëve në Maqedoni. Secili lexues do të bindet se, përveç "hoxhallarëve komunistë", askush nuk mund ta cilësojë si "anti-islame" revoltën time për shpronësimin e Bashkësisë Fetare Islame, rrënimin e xhamive dhe dëbimin e shqiptarëve myslimanë. (Për "hoxhallarët komunistë" do të flas në pjesën e katër të shkrimit tim). Përveç "hoxhallarëve komunistë", askush tjetër nuk mund ta cilësojë si "anti-islam" arsyetimin tim, se në Maqedoni nuk ka "radikalë islamikë shqiptarë" dhe se ky nocion është shpikje e shërbimeve sekrete sllave për t’i njollosur shqiptarët. Asnjë njeri i logjikshëm nuk mund ta cilësojë si "anti-islam" konstatimin tim, se në Maqedoni ka radikalizëm fetar e ai është "fondamentalizmi ortodoks". Përveç "hoxhallarëve komunistë", askush tjetër nuk mund ta cilësojë si "anti-islam" qëndrimin tim, se thirrja "Allahu Ekber!", në vetvete, nuk përbën radikalizëm fetar!

Cila gjuhë dhe terminologji që përdor unë për të denoncuar dhunën e ushtruar kundër shqiptarëve në Maqedoni mund të cilësohet si "gjuhë komuniste, gjuhë me deformime patologjike, gjuhë e njerëzve që s'e duan islamin të jetë pjesë e traditës sonë kombëtare"? Cilën metodë paskam përdorur unë e që mund të kualifikohet si "metodë serbe për të diskriminuar myslimanë"?

Nga kronologjia e shkurtër e stigmatizimit të shqiptarëve që u përmend më lart, secili lexues e kupton se shërbimet sekrete sllave përdornin etiketimin e shqiptarëve me ideologjitë, që në kontekste të ndryshme historike perceptoheshin keq nga opinioni publik ndërkombëtar dhe ai vendor, për të justifikuar dhunën. Këtu qëndrojnë arsyet që shpjegojnë faktin pse dënoheshin shqiptarët herë si "nacionalistë", herë si "antikomunistë", herë si "komunistë stalinistë", herë si "antidemokratë", herë si "terroristë islamikë" e kështu me radhë. Kjo metodë serbe shpjegon arsyet pse pjella e komunistëve të djeshëm dhe argatëve të tyre që vijnë nga të gjitha drejtimet profesionale dhe religjioze akuzojnë atdhetarët si "komunistë" dhe "antidemokratë!

Çdo lexues e ka të qartë se stigmatizimi që më bën Mustafa Bajrami, duke më etiketuar si "komunist", si "antidemokrat", si "anti- Turqisë", si "anti-islamit", nuk ka asgjë origjinale të këtij teologu. Gjuha dhe terminologjia që është përdorur kundër meje është kopje e metodave serbe për njollosjen e shqiptarëve. Kjo është një plagjiaturë e kulluar nga "Libri i Bardhë" i përpiluar nga Shërbimi Sekret i Serbisë.

Kjo kopje e shëmtuar e metodës serbe për të më njollosur, e degradon titullin akademik që i ka vënë emrit të vet përpara Mustafa Bajrami. Ai intelektual që ka pak dinjitet, do të shpërndante gënjeshtrën se gjoja "i madh e i vogël e di se Bardhyl Mahmuti deri dje ishte një komunist i rryer e sot është një antidemokrat i përbetuar".

Çdo intelektual që ka qenë i interesuar për ta kuptuar strategjinë që kanë përdorur shërbimet sekrete sllave kundër shqiptarëve, ka pasur mundësi të bindet se, me qëllim që të njollosen udhëheqësit e UÇK-së në Kosovë, se gjoja i përkisnin ideologjisë së ekstremit të majtë dhe rrjedhimisht luftonin për ta kthyer komunizmin në Kosovë, më shumë se gjysma e "Librit të Bardhë", të përpiluar nga Shërbimi Sekret i Serbisë dhe të shpërndarë në fillim të luftës në vitit 1998, i kushtohet prezantimit tonë si "komunistë-marksistë-leninistë-stalinistë-enveristë" dhe si "antidemokratë të përbetuar".

Këtyre gënjeshtrave nuk u besuan shtetet demokratike dhe na hapën dyert e qendrave diplomatike me peshë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ne nuk kemi pasur as moshën e as nuk kemi jetuar në Shqipëri për të qenë komunistë të vendit amë.

Prandaj, secili që ka lexuar "Librat e Bardhë", që ishin përpiluar nga Shërbimi Sekret i Serbisë, me qëllim që të NXININ shqiptarët, do të bindej që akuza e mësipërme e Mustafa Bajramit kundër meje duhet të formulohet kështu: I madh e i vogël e di se Bardhyl Mahmuti dhe shokët e tij janë akuzuar si "komunistë" dhe "antidemokrat" nga Shërbimi Sekret Serb!

Pa marrë parasysh përkatësinë dhe bindjet religjioze, është turp për çdo njeri që i thotë vetes "shqiptar", të plasojë në opinionin publik shqiptar sajesat e Shërbimit Sekret të Serbisë për të njollosur ata që mendojnë dhe veprojnë ndryshe prej tyre.

(Vijon shkrimi “Bashkësia Fetare Islame dhe Shërbimet Sekrete Jugosllave”) 



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: