Florim Zeqa: Kohë e hipokritëve dhe maskarenjëve!
| E Marte, 29.05.2018, 08:45 PM |

Kohë e hipokritëve dhe maskarenjëve!

Shkruan Florim Zeqa

Nëse deri dje morali njerëzor ishte vlera absolute e shoqërisë sonë, sot  maskarallëku dhe poshtërimi njerëzor kanë njollosur imazhin dhe mjegulluar të ardhmën e saj.

"Dita e Presidentit" ishte një mundësi e mirë për oponentët politikë të presidentit historik Ibrahim Rugova që të manipulojnë edhe një herë (sikurse herave tjera) me emrin dhe vepren madhore të njeriut që bëri historinë.

Pas shkuarjes në amshim, është bërë retorikë e oponentëve të  dikurshëm politikë të "vizitojnë" në çdo përvjetor varrin e tij,...të cilët me përulje të pasinqertë janë shndërruar në lëpirësit më të mëdhenj të mermerit mbi trupin e presidentit!

Mirëpo kësaj radhe në ditën e presidentit, cak nuk ishte varri i tij, por të gjallët e vdekur për t'i manipuluar me plot hipokrizi me rastin e  hapjes së ekspozitës nga Muzeu i Kosovës me titull; “ Kontributi i Presidentit Historik Dr.ibrahim Rugova në Shtetformimin e Kosovës”.

Eksozita shpërfaqi edhe një herë degradimin e skajshëm të familjes Rugova, ku pjestarët e saj  i janë bashkangjitur të keqës në pushtet, duke u larguar nga rruga dhe vizioni i zotit të shtëpisë.

Sikur familja Rugova ta ndiqte shembullin e familjes Jashari për mbylljen e derës për politikanët e inkriminuar, jo vetëm se do të ruante imazhin e saj si familje emblematike e presidentit historik,...dhe LDK-ja nuk do të ishte katandis keq, por kishte për të mbetur zonjë e politikës kosovare dhe shpresdhënëse e qytetarëve të Kosovës.

Emërtimi i kësaj ekspozite paraqet tendencën për minimizim të veprës madhore të presidentit, me tërheqjen e një paralelje mes Ibrahim Rugovës dhe disa figurave të vogla dhe të papërfillshme kombëtare.

Ekspozita do duhej emërtuar kësisoji; Ibrahim Rugova Arkitetkt i Pavarësisë dhe Themelues i Shtetit të Kosovës".

Dallimi me vlerave dhe antivlerave

Sot ka plot të atillë që thirren në emrin e presidentit. Ata që thirren në emrin e tij, do ti veqoja në tri kategori:

1). Në kategorinë e parë hyjnë adhuruesit e vërtetë të tij, të cilët për asnjë çast  nuk e harrojnë idolin e tyre shpirtëror, andaj me gjithë shpirtë mundohen të ruajnë vazhdimësinë dhe konceptin politik të Ibrahim Rugovës.

2). Kategoria e dytë, janë gjithë ata që për të gjallë të Rugovës nuk arriten në asnjë rrethanë të pershtatën me lidershipin e tij, dhe tani pas vdekjes është një mundësi e mirë perfitimi nga emri, nga vepra e të bëmat e tij, për realizimin e ambicieve të vjetra karrieriste për interesa personale apo grupore.

3.Ndërsa kategoria e tretë, janë kategoria e atyre njerëzve që për së gjalli jo vetëm që nuk e kanë dashur e respektuar, e kan mbajtur në shënjestër të likuidimit moral e fizik.

Pas vdekjes së rivalit të tyre, sa herë që e ndjejnë vetën ngushtë apo të rrezikuar nga ndonjë "furtunë", si shpëtim e gjejnë po atë emër ( Ibrahim Rugova ), si mburojë, si forcë mbrojtëse.

Pas shkuarjes në amshim të Presidentit Historik Ibrahim Rugova, na ka rënë shpesh t'i shohim oponentët e dikurshëm politikë, të shkojnë të varri i tij me përulje duke u shndërruar në lepirësit më të mëdhenjë të mermerit mbi varrin e tij.

Më i dhimbshëm se abuzimi me figurën madhore të presidentit, është manipulimi me familjen e Rugovës nga ana e oponentëve të tij politikë. Janë pikërisht ata që për së gjalli e luftuan me të gjitha mjetët, duke filluar nga shpifjet dhe akuzat për tradhëti kombëtare e deri të atentatet për likuidimin e tij fizik.

Shënjtërimin e Ibrahim Rugovës nuk e bënë kisha e as xhamia, por të shenjtë e bëri vepra e tij madhore. Ai më urtësinë e tij, paqësisht e më plot dashuri, hyri në zemrat e gjithë shqiptarëve të Kosovës, për të mbetur përjetësisht në kujtesën e popullit si shënjtor i historisë më të re, simbol i demokracisë, lirisë, pavarësisë dhe arkitekt i shtetit të Kosovës.

Po ashtu edhe profetizimin e tij nuk e bënë kisha as xhamia, por e bënë largpamësia, pragmatizmi, vizioni dhe atdhedashuria, urtësia dhe sinqeriteti, karakteri i fortë, vendosmëria dhe përcaktimi i tij në arritjen e cakut final, që ishte liria e vendit dhe pavarësia e shtetit të Kosovës nga Serbia.

Në njërën i thurin lavdata, në tjetrën e përçmojnë

Njëri nga oratorët kryesorë në ekspozitën “ Kontributi i Presidentit Historik Dr.ibrahim Rugova në Shtetformimin e Kosovës”, në librin e tij autobiografik (super të kushtueshëm, të botuar me paratë e buxhetit të shtetit), presidentin historik Ibrahim Rugova e paraqet si; "pijanec, i nënshtruar, defetist, frikacak, njeri që pinte vazhimisht konjak, politikan pasiv, i lodhur, si kritik letrar që merrej me letersinë e shekullit 16 dhe i papërshtatshëm për udhëheqjen e negociatave në Rambuje,...etj!

Pas këtyre fjalëve poshtëruse, vetëm një njeri hipokrit dhe pa dinjitet njerëzorë mund të kalojë në anën tjetër të medaljes, nga përçmues në adhurues në mbështetës të filozofisë politike të Ibarhim Rugovës!

Hipokrizia nuk përfundon me kaq

Pafytyrësi dhe hipokrizi akoma më e madhe se kjo, është ta mbash një njeri për vite të tëra në pushtet dhe ta ngritesh atë në majat e pushtetit (president), kurse më pastaj në vend të pendimit, t'i vërsulesh me sharje e fyerje...

Më tepër se hipokrizi është të akuzosh subjekte të caktuara për rrënim të rendit kushtetues, korrupsion e krim të organizuar dhe më pas të bëhesh pjesë e tyre.

Këta janë lakmitarët e pushtetit, të cilët derisa janë së bashku i thurin lavde njëri-tjetrit, ndërsa kur ndahen shahen e kungjohen pa fije turpi.

Vërtetë nuk ka ku shkon më keq, kur bëren bashk e mira dhe e keqja, e bukura dhe e shëmtuara, besa dhe tradhëtia!

Kur bëhen bashk maskarenjët dhe hipokritët, njerëzit më shumë gjasojnë në njëri-tjetrin për të përvetësuar çdo gjë të gjallë dhe të vdekur!

Maskarenjë janë ata që pështyjnë e lëpijnë, hipokrit janë ata që pohojnë e mohojnë dhe anasjelltas.

Është e kuptueshme dëshira e disave për t'u pajisur me vlera që ju mungojnë, por fillimisht duhet t'i kerkojnë falje publike popullit të Kosovës për të gjitha të bëmat gjatë dhe pas luftës, për përçarjet e popullatës shqiptare, për obstruksionet që i bënë në vazhdimësi vizionit rugovian për shtetin e Kosovës deri në djegëien dhe përdhosjen e simboleve rugoviane të shtetit të Kosovës.

Është i kuptueshem qëllimi i disa maskarenjëve, por një gjë e kanë të pa mundur ta bëjnë, ta ndryshojnë-historinë, e cila një ditë do të jetë e pamëshirshme për ta!

Ngjarjet e idhëta të ndodhura në këtë vend nuk kanë qënë të shkruara në akull, por janë të shkruara mirë në kujtesën e popullit përmes vuajtjeve e sakrificave të panumërta, përmes mundit e djersës, flijimit e gjakut të derdhur ndër vite e dekada për këtë LIRI që e gëzojmë sot.

Zoti i mallkoftë maskarenjët dhe hipokritët!

Zoti i bekoftë njerëzit e mirë e të dëlirë!



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: