Gani Mehmetaj: Viti i Turqisë dhe ditët e numëruara të Gjergj Kastriotit
| E Hene, 28.05.2018, 11:30 AM |

Viti i Turqisë dhe ditët e numëruara të Gjergj Kastriotit

Nga Gani MEHMETAJ

Organizata turke TIKA, që merret me rrënimin e monumenteve të kulturës materiale e shpirtërore të arbërorëve-shqiptareve, në vitin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut ka paraparë ndërtimin e 18 xhamive, teqeve e objekteve islame në kështjellat e qytetet shqiptare. Ndërtimet do të bëhen mbi kishat e manastiret katolike. Në dhjetëvjetëshin e fundit kjo organizatë islamike që përpiqet të ringjallë me agresion fantazmën osmane, ka ndërtuar 250 xhami, teqe e objekte islamike në kështjellat shqiptare e vendbanimet ilire-arbërore. Në emër të kinse rinovimit ka falsifikuara e shëmtuar gjeografinë arkeologjike të Shqipërisë mesjetare më keq se çdo hordhi barbare në dymijë vjeteshin e fundit.

Me intensitetin e punimeve të TIKA-s për shlyerjen e kujtesës shqiptare për disa vjet nuk do të mbetet asnjë gjurmë e kulturës materiale e shpirtërore të mesjetës, kështjellat tona nuk do t’i ngjasojnë kështjellave të Arbrit, por kalave osmane me xhami, teqe e hamame, ashtu sikurse i shëmtoi Perandoria osmane pasi e pushtoi Shqipërinë.

Turqia me pëlqimin e qeverive shqiptare të korruptuara ka falsifikuar kulturën materiale e shpirtërore të shqiptarëve, ka fshirë mesjetën arbërore, nga evropianë e ka bërë aziatike. Aty ku duhej të ishte shtatorja e princave të Arbrit, turqit duke i korruptuar qeveritarët shqiptarë të te gjitha niveleve kanë vënë pllaka përkujtimore për sulltanët- gjakatarë që vranë shqiptarë.

Shqipëria vitin 2018 e shpalli vit të Gjergj Kastriotit- Skënderbeu, ndërsa është e kundërta, viti 2018 është vit i Turqisë në Shqipëri. Gjergj Kastrioti mbreti i Arbrit i ka ditët e numëruara në shtetin e vet. Sulltanët e xhamitë do t'ia zënë vendin. Është mashtrim kur thuhet se sivjet është viti i Gjergj Kastriotit, sepse shteti shqiptar nuk ia kushtoi asnjë shtatore, kështjellë të rinovuar e monument princave të Arbrit e Gjergjit të madh. Ndërkaq, Turqia e shënoi këtë vit në Shqipëri me qindra kushtime sulltanëve vrasës, islamit që bëri gjenocid ndaj shqiptarëve dhe osmanëve që gati na shfarosën.

Nuk mund të gjendet një shtet tjetër në Evropë e në Azi mbi të cilin ushtrohet dhunë e tillë kulturore e shpirtërore sikurse mbi Shqipërinë e shqiptarët nga Turqia, me lejen e zyrtarëve vendës. Shqipëria është nën vasalitet të pështirë.

Habitë reagimi i pakët i shkrimtarëve, artistëve dhe i elitës kulturore shqiptare. Sikur të reagonin me vendosmëri e me kohë sigurisht do ta pengonin vandalizmin turk. Ashtu si reaguan me vendosmëri artistët shqiptarë kundër rrënimit të Teatrit Kombëtar, duhej e duhet të reagonin edhe kundër vandalizmit të Turqisë ndaj kështjellave e monumenteve shqiptare. Heshtja i ka dy mesazhe: i kanë shushatur artistët shqiptare me fonde turke ? Apo strukturat e caktuara islamike u bëjnë presion te tmerrshëm që t'ua mbyllin gojën?

Gjendja është e njëjtë edhe në Dardani. Në katedralen e Prishtinës, aty ku u varros Pjetër Bogdani, Turqia e rindërtoi xhaminë më të madhe në kryeqytet. Janë rindërtuar nga themelet qindra xhami e teqe, që s’kanë asgjë të përbashkët me ato që ishin dikur, s’kanë asnjë vlerë trashëgimie. Mbishkrimet në xhamitë e rindërtuara e në Teqenë e re të Bektashinjve në Gjakovë, TIKA i ka vënë në gjuhën arabe, sikur të ishe në mesjetën osmane a në ndonjë shtet arab.

Prishtina e Pjetër Bogdanit dhe Gjakova e Gjon Nikollë Kazazit nuk e kanë asnjë përkujtim për kolosët shqiptar, ndërsa janë ndërtuar qindra xhami turke e teqe iraniane.



(Vota: 15 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: