Idriz Zeqiraj: Iliri luftoi abuzimin dhe përçarjen
| E Hene, 21.05.2018, 09:00 PM |

ILIRI LUFTOI ABUZIMIN DHE PËRÇARJEN

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Kanë kaluar dy dekada, nga ekzekutimi i ngeshëm i shefit të Emërgjencës të Luftës, Ilir Konushevcit dhe mikut të tij besnik, Dr. Hazir Mala, nga Tropoja, megjithatë, këta heronj nuk harrohen as tani, as nesër dhe askurrë. Ata vazhdojnë të kujtohen me nderim dhe respekt, nga brezat që përjetuan kohën zezonë të luftës si dhe brezi i lindur pas luftës. Iliri ishte kyçur herët në jetën ilegale e guerile. Ai nuk mund të pajtohej me bythë-pambukët e hoteleve luksoze dhe endacakët e bulevardeve, qofshin ata të Tiranës apo të bredhurit e Evropës.

Abuzimin, shpërdorimin e parave të popullit, nuk e duronte dot, përkundrazi e denoncoi zëshëm. Përçarjen ndërshqiptare dhe, në veçanti, ndarjen e faktorit ushtarak, e shihte si vetëvrasje të shqiptarëve, ende pa hyrë në luftë. Këto dy kundërshti bazë, e çuan në plumb, heroin tonë, Ilir Konushevcin, i cili mbetet në mendjet dhe zemrat e shqiptarëve, përjetësisht, trim e fisnik.

Viktimat e SHISH-it dhe të SHIK-ut prehen në një parcellë

Tirana jonë hyjnore ka dy palë varreza: Varrezat klasike të Sharrës, afro 8 kilometra larg qendrës, tej Kombinatit "Stalin" dhe Varrezat e Tufinës, relativisht, të reja, të bartura nga "Varri i Bamit", tanimë, hapësirë e mbuluar me ndërtesa shumëkatshe. Bulevardi i përmasave botërore, "Dëshmorët e Kombit", me tri sheshet, të emërtuara me emrat e personaliteteve më të shquara gjithëkombëtare: "Skënderbeu", "Zogu i Parë" dhe "Nënë Tereza", i bërë nga Italia pushtuese, në vitet `40-a, i ndanë banorët e Tiranës, për prehjen e tyre të përjetshme, në këto dy vend-varreza, lindje dhe perëndim.

Varrezat e Sharrës. Hyrja në varreza, normalisht, të ngjallë ndjesi të trishtme. Shuarja, amëshimi është i pa alternativë. Këtu barazohen mbreti dhe bariu. Dy metra vend, pavarësisht stolive sipër kësaj mini-hapësire. Përgjatë rrugës hyrëse, në të dy anët e saj, janë punishtet për pllaka varresh, baraka lulesh dhe kurorash, me të cilat shqiptarët e Shqipërisë të Vjetër i nderojnë fort të vdekurit.

Në një parcellë, (kështu emërtohen ngastrat simetrike të grup-varrezave), pranë njëri-tjetrit, pushojnë trupat e viktimave të SHISH-it dhe të SHIK-ut, përkatësisht, të Sigurimeve kriminale të Shqipërisë dhe të Kosovës: tribuni i demokracisë shqiptare - Azem Hajdari, shoqëruesi i tij Besnik Çerja, ministri i mbrojtjes, Kolonel Ahmet Krasniqi, shefi i Logjistikës të Luftës, luftëtari Ilir Konushevci. Një masë simbolike njerëzish të heshtur, si vetë varret: Familja e gjerë e Ilirit, nusja Luljeta, vajza Nertila. Të tjerët, kryesisht, miq, shokë dhe bashkëluftëtarë të Ilirit.

Një Familje dinjitoze, si vet Iliri. Në fytyrat e tyre lexohej, qartazi, dhimbja e skajshme. Por, përmbajtja ishte admiruese. Baca Halit, maturisht dhe i qetë, përshëndetej me miqtë dhe shokët e djalit, luftëtar të lirisë. Nëna Nazmije na e kujton atë vlerësimin e saktë psikologjik të frengut shkrimtar famoz, Hygo: "Për një nënë që ka humbur djalin e saj, gjithmonë zemra është si në ditën e parë të dhimbjes. Sado kohë të kalojë, sado që të zbardhën rrobat e zisë, zemra e nënës mbetet e zezë". Vëllai Saimiri, nipat dhe mbesat, në rrjesht, të heshtur dhe me shikim zhbirues e të përmallshëm drejt varrit, ku pushonte trupi i Ilir Konushevcit, sikur donin të qendronin më gjatë, për t`u çmallur më shumë me Ilirin e tyre, me Ilirin tonë.

Përballja më e vështirë, padyshim, ishte me Lulen nuse dhe vajzën Nertilë të Ilir Konushevcit. Një nuse që rrezatonte harmonishëm: bukuri, fisnikëri e dhimbje të pafundme. Ajo zgjodhi të mbetet nusja e përjetshme e Ilir Konushevcit. Ndërkohë që plot nga shoqet e saja ende nuk kanë veshur vellon e nusërisë, Lulja ka veshur fustanin e zizë të përjetshme. Ajo përkujdeset për rritjen, edukimin, shkollimin e frutit të dashurisë të parë dhe të fundit, të vajzës të saj dhe të Ilirit - engjëllores bukuroshe Nertilë. Duhet të jesh prej guri, për t`u përmbajtur nga lotimi.

Vrasja e Ilirit dhe e Dr. Hazir Malës, është, pothuajse, publike

Çuditërisht, sa vjen e shtohet oreksi për ta falsifikuar historinë, për të përvehtësuar luftën, për t`i privatizuar dëshmorët. Pas akademive përkujtimore për Agim Ramadanin, Sali Çekaj, radha i erdhi asaj të Ilir Konushevcit me dr. Hazir Malaj, tropojan. Patronati i kryeministrit, tashmë, u bë modë dhe kjo ka arsye, thjeshtë, politike dhe asnjë fije ndjesie të dhimbjes dhe të respektit. Luftimi pa kompromis, madje me të gjitha mjetet, në gjallje të heronjve, përjashton çfarëdo keqardhje pas amëshimit të tyre. Pra, këtu kemi të bëjmë me një hipokrizi dhe demagogji të kulluar dhe të turpshme partiake e pushtetare, e cila synon mashtrimin masiv, për të vjelur votat e shqiptarëve mjeranë.

Pa paragjykuar apo hamendësuar çfarë u tha tjetër në akademinë përkujtimore, kushtuar Ilir Konushevcit dhe dr. Hazir Malaj, veç asaj që kemi dëgjuar në televizionin "publik" RTK, ishte një maskaradë e tipit komunist, një lum fjalësh, për ta heshtur e fshehur të vërtetën e atentatimit të dëshmorëve të cituar. Dhe, nuk kishte si të ndodhte ndryshe, kur akademia ka skenar e regji të vrasësve të djeshëm dhe pushtetarë të sotëm.

Folësit në akademi, nga Shqipëria dhe Kosova, ligjëruan përdhimbshëm, duke maskuar kujdesshëm tragjikën e luftës të Kosovës, akuzën ndaj Serbisë pushtuese, por "harronin" me dashje se personazhet, të cilëve u kushtohej kjo akademi, se ishin vrarë brenda territorit të Shqipërisë, madje nga shqiptarë, qofshin ata vendorë apo të Kosovës, ose, më saktë, së bashku. Përveç asaj që "u vranë në rrugën Qafë Mali - Bajram Curr",  asnjë fjalë tjetër nuk u tha për mospajtimet e hapura që kishte pasur Ilir Konushevci me shefat e LPK-së dhe as për rrethanat e vërteta të ekzekutimit në pritë!?

Ajo që shqiptarët kanë mësuar për qendrimet e Ilir Konushevcit, për luftën e tij, është se ai ishte kategorik kundër shpërdorimeve materiale, qoftë tregtimi kontrabandë të armëve, i ndihmave të ndryshme materiale, i fondeve të destinuara për luftën. Gjithashtu, ai ishte për bashkimin e faktorit politik dhe ushtarak, për ta përballuar luftën me Serbinë. Ndërkohë që shefat e LPK-së, të "menaxhuar" nga banda zyrtare e Tiranës, ishin kategorik t`i luftonin ushtarët dhe oficerët institucionalë si dhe LDK-në, më parë dhe më shumë sesa Serbinë!! Çuditërisht, ata nuk i kursyen as veprimtarët e hershëm të LPK-së, si sekretarin e saj Behajdin Allaçin, Ismet Jashari-Kumanova dhe të tjerë, të ekzekutuar ose të vënë në pritat e policisë dhe të militarëve serbo-sllavë.

LPK-së i interesonte pushteti dhe jo shteti. Ata i bindi Paskal Milo me shokë se tani duhet punuar për realizimin e amandamenteve të Kushtetutës të 1974-ës. Dhe, për habinë e atyre që nuk e njohin, në masën e duhur, demagogjinë komuniste, shefat e LPK-së e pranuan në heshtje edhe këtë poshtërsi dhe tradhti - njëherësh!!! Prandaj edhe ditën fatale të ekzekutimit, shefi i Emerrggjencës të luftës, Ilir Konushevci, udhëtonte drejt Kosharës, ku luftonin forcat ushtarake të Presidentit Historik, dr. Ibrahim Rugova.

Ekzekutimet, qofshin ato të SHISH-it apo të SHIK-ut, kanë qenë gjysmë-legale. Në minutat e parë të vrasjes të deputetit Azem Hajdarit, Partia Demokratike e Shqipërisë, personalisht, Prof.Dr. Sali Berisha, i ka denoncuar me emra ekzekutorët. Megjithatë, ata kanë udhëtuar me makinë, përgjatë gjithë natës, në relacionin Tiranë - Bajram Curr, madje pa i ndaluar askush!? Dhe, kur dihet se ka vetëm një rrugë tokësore drejt Malësisë të Gjakovës, ndërkohë që ishte vrarë kryetari i parë i të parës parti pluraliste, PDSH-së, tribuni i demokracisë shqiptare - Azem Hajdari, flet qartazi për një linçim zyrtar, ekzekutim pa gjyq fare!

Heshtja e krimit, me qëllim harrese

Vite me radhë është heshtur, qëllimshëm, vrasja e luftëtarit Ilir Konushevcit. Por, "gjaku ujë nuk bëhet", - thotë populli, nuk e përpin toka, përkundrazi, gufon, shpërthen një ditë, sipërfaqësohet, si protestë, për t´u bërë thirrje të gjallëve, për syçeltësi dhe drejtësi. Kështu ndodhi edhe me gjakun e Ilirit tonë. Emri dhe vepra e tij atdhetare ka zgjuar ndjenja e dhembje, duke përlotur miliona sy shqiptarësh, kudo që ata jetojnë, edhe tani, pas 20 vjetësh të amëshimit të tij hyjnor.

Përvoja ime personale, si i përndjekur dhe i sakatosur i të "dy shteteve vëllezër" dhe "dy partive motra - komuniste", të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë, më ka bindur se metodat e krimit dhe të demaskimit ndaj viktimës, ngjasojnë "si më e ndarë një bajgë përgjysmë". Për shembull, për fjalartin e njerëzorin Xhemajl Mustafa, pasi e ekzekutuan, hapnin fjalë se bënte dashuri me vajza 16 vjeçare në Tiranë; për avokatin Shaban Manaj, pasi e maltretuan barbarisht, e dogjën, deri në karbonizim, thoshin se u kishte marrë para klientëve, por nuk i kishte mbrojtur, edhepse dihet korrektësia e pashoqe e njeriut modest Manaj dhe pa fije grykësie për t`u pasuruar, në kurrizin e të tjerëve.

Vrasja e Ilirit ishte e prositur

Shefi i Logjistikës për Luftën, Ilir Konushevci, në natën fatale të 9 majit 1998, u nis nga Durrësi me veturë, së bashku me dr. Hazir Malën, për ta shoqëruar kamionin me armë. Në kamion ishin, veç shoferit në timon, edhe dy oficerë, agjentë të SHISH-it, pra, të Sigurimit Shqiptar, të armatosur me kallashë, për mbrojtjen e Ilirit me shok dhe kamionin me armë, në rast nevoje. Prita në fshatin Miskajë, ndërmjet Qafë Malit dhe Fierzës dhe biseda e bërë nga banda, ngjason me dialogun e atentatorëve, në natën e ekzekutimit në Tiranë të ministrit të mbrojtjes, Kolonel Ahmet Krasniqit.

I pari i bandës urdhëron:

"-Vetëm njëri do të vritet"!

Zëri i dytë:

"-Ti ikë, shporru që këtej", - i thotë dr. Hazir Malajt.

"-Unë nuk ndahem nga miku im", - gjegjet prerazi dr. Hazir Malaj.

"-Atëherë futuni në makinë",- urdhëron prerazi kapobanda.

Tek Përroi i Poravës, afër Fierzës, ndalon makina. Trimi i madh, gjakftohtë e fisnik, dr. Hazir Malaj, edhe në ato çaste tmerri, kujtohet ta mbrojë Ilir Konushevcin. Pozicionohet para Ilirit, e mbulon me trupin e tij. Breshëri nga arma automatike në distancë të afërt. Ndërkohë që trupi i dr. Hazir Malajt bëhet shoshë, trupin e Ilir Konushevcit e përshkojnë vetëm 18 plumba dhe, pothuajse, të gjithë në organet vitale. Banditët atentatorë i hedhin viktimat, tashmë, kufoma, poshtë një ure dhe marrin rrugën për kthim në qytetin e Bajram Curr. Ndërkohë, arrin shefi i Policisë të Tropojës, ndalon makinën e atentatorëve

"- Pse i vratë?"

Dhe, pa pritur fare përgjigje, e ekzekuton me revole kreun e bandës, brenda makinës së tij. Dhe, ky ekzekutim zyrtar, në stilin e filmave kauboj, përforcon faktin se vrasja ishte e porositur nga shefat në Tiranë dhe atantatori duhet ta mirrte sekretin në varr. Përndryshe, shefi i Policisë mund ta arrestonte, bëhej hetimi dhe dënimi ligjor.

Agjentët e SHISH-it e kthejnë në Tiranë kamionin me armë, pa shkrepur asnjë plumb, pa u hyrë ferrë në këmbë. Kjo demanton krerët e Lëvizjes se, kinse, prita-bandë kishte për qëllim grabitjen e kamionit me armë. Por, jo vetëm që nuk u grabit kamioni me armë, por as xhepi plot para i Ilirit, si shef i Logjistikës, nuk është prekur, nuk është boshatisur! Jo, qëllimi i vetëm ishte vrasja e Ilir Konushevcit. Ndërsa dr. Hazir Malaj është viktimë e burrërisë prej malësori dhe besnikërisë ideale, ndaj bashkëluftëtarit të tij, Ilir Konushevcit.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: