http://www.zemrashqiptare.net/
Zemra Shqiptare

Frank Shkreli: Trashëgimia në zhdukje e sipër?
| E Diel, 13.05.2018, 02:27 PM |

A ËSHTË TRASHËGIMIA KULTURORE DHE HISTORIKE SHQIPTARE NË ZHDUKJE E SIPËR?

Nga Frank Shkreli

Janë të pakën dy mënyra për të shkatërruar trashëgiminë kulturore dhe historike të një vendi, ose të një kombi. Njëra është si përfundim i ndonjë lufte siç ka ndodhur në Afganistan, ku në fillim të këtij shekulli talebanët kanë shkatërruar me mina dhe tanke, monumente prej më shumë se 1700 vjetë të vjetra. Raste të tjera janë Iraku dhe Siria, ku i ashtuquajturi “shteti islamik” (ISIL) ka shkatërruar qytetin e vjetër sirian Palmyra dhe monumentet e vjetra të tij.  Mënyra tjetër e shkatërrimit të trashëgimisë kulturore dhe historike të një kombi është pakujdesia ose mosinteresimi zyrtar për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike të një kombi.

Mbrëmë isha duke shikuar programin “Gjurmët Shqiptare”, një dokumentar të gazetarit nga Tirana, Marin Mema në lidhje me

https://www.youtube.com/watch?v=-bhSBktpmAY,

Frashërin, “Vendin e Shenjtë të Shqiptarëve”, vendlindjen e tre vëllëzërve të mëdhej, Avdyl, Naim dhe Sami Frashërit.  Shikoni dokumentarin e Marin Memës, i cili nuk ka nevojë për propagandimin tim të këtij seriali televiziv dokumentarësh mbi historinë dhe kulturën shqiptare anë e mbanë trojeve të tyre dhe më gjërë.  Por Frashëri është në Shqipëri dhe jo në disa zona jashtë Shqipërisë, dikur të banuara nga shqiptarët ose nga ilirët, por të cilat Marin Mema i ka programuar me aq mjeshtëri, e të cilat gjithashtu janë pjesë e tarshëgimisë së historisë së shqiptarëve.   Janë këto programe që ai përgatit, e të cilat flasin vet për vlerën dhe rëndësinë që mbartin për shikuesin dhe për kulturën dhe historinë kombëtare në përgjithësi.  Si gazetar, Marin Mema meriton vlerësimet më të larta nga shikuesi dhe lexuesi shqiptar, pasi me programet e tija, ai jo vetëm që informon me objektivitet, gjë që është detyra e parë e një gazetari, por me punën e tij të palodhshme ai, njëkohësisht, edhe edukon. Për më tepër, për ata që duan të shikojnë dhe të reflektojnë mbi historinë dhe trashëgiminë e shqiotarëve, programi “Gjurmët Shqiptare”, është edhe një zgjim i ndërgjegjës dhe përgjegjësive kombëtare për të mësuar, për të kultivuar dhe për të ruajtur historinë dhe kulturën e Kombit Shqiptar, në trojet e veta -- po se po -- por edhe larg kufijve shqiptarë, në vende të tjera ku edhe pas qindra vjetësh, mund të gjëndet edhe sot gjurmët e kulturës, të gjuhës, traditave dhe të historisë shqiptare në pëgjithësi.

Dokumentari i radhës i programit “Gjurmët Shqiptare” i gazetarit Mema i kushtohet fshatit historik të Frashërit, “vendit të shenjtë të shqiptarëve”, siç quhet.  Fjalët e mia nuk mjaftojnë që të zgjoj tek lexuesit interesimin për këtë program mbi fatin e keq të shtëpisë-muze të vëllëzërve Frashëri, pasi duhet ta shikoni vet videon e mësipërme që të bindeni se në çfarë situate të mjerueshme gjëndet sot trashëgimia kulturore dhe historike e kombit shqiptar.  Ky mund të jetë një simbol i vogël i një problemi shumë më të madh i moskujdesjes zyrtare për ruajtjen e trashëgimisë kombëtare dhe të monumenteve të kulturës.

Unë me disa të tjerë, për një kohë të gjatë, kemi bërë thirrje -- por të cilat kanë rënë vazhdimisht në veshë të shurdhët të njerëzve përgjegjës për kulturën shqiptare -- për restaurimin e shtëpisë ku ka jetuar At Gjergj Fishta.  Kur të shikoni programin e më sipërm, “Gjurmët Shqiptare” mbi gjëndjen në të cilën ndodhet sot shtëpia muze e vëllëzërve Frashëri, do të konstatoni se diçka nuk është në rregull me ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë kulturore në Shqipërinë tonë.  Jo, ajo shtëpi-muze nuk është sulmuar as nuk është dëmtuar në luftë me të huajt, por ka degjeneruar në pikën që gjëndet sot nga mos kujdesi, nga mos kokëçarja dhe mos respekti zyrtar ndaj trashëgimisë kulturore dhe historike, në të këtë rast, të tre vëllëzërve Frashëri, të cilët kanë dhënë aq shumë për kombin e vet.  Merrni me mend, kemi të bëjmë me shtëpinë-muze të Avdyl Frashërit, ideatorit të frymës kombëtare të Lidhjes së Prizrenit dhe të bashkimit kombëtar????!!!!  At Gjergj Fishta nuk qenka i vetëm përsa i përket negligjencës zyrtare dhe mos njohjes së kontributeve të tija për kombin e vet, nga ana e atyre që sot janë përgjegjës për mbrojtjen dhe kultivimin e trashëgimisë kulturore dhe historike të shqiptarëve.

Frashëri, si shumë zona anë e mbanë Shqipërisë, nga jugu në veri – për arsye ekonomike e të tjera, është zbrazur dhe ka mbetur me shumë pak banorë, kryesisht të moshuar. Banorët kërkojnë ndërtimin e rrugës duke thënë se mungesa e rrugës për tu lidhur me zonat dhe qytetet për rreth, është një prej arsyeve që është boshatisur fshati.  Por cilat do qofshin arsyet e largimit të banorëve, shtëpia-muze e tre vëllëzërve Frashëri nuk meriton të jetë në gjëndjen që është sot. Është trup!

Në programin e gazetarit Marin Mema mbi fatin e keq që ka katandisur fshatin Frashër, shihen dëmet që i janë bërë ndërtesës nga moti ose nga vandalët. Janë thyer dritaret, librat janë të hedhura në tokë e të shpërndara sikur i kanë përhapur qenët duke kërkuar për ndonjë copë mish. Të pakën ato libra shpëtoni, se mund të jenë me vlerë.  Duket se dëmet materiale në shtëpinë që ka rritur Avdylin, Naimin e Samiun, janë të konsiderueshme dhe nevojitin ndërhyrje të menjëhershme.  Por ama si rrjedhim i pakujdesisë si kjo, dëmet ndaj trashëgimisë shpirtërore, kulturore dhe historike të shqiptarëve janë shumë më të mëdha dhe mund të jenë të përhershme, nëqoftse nuk ndërhyhet menjëherë.  Duke shikuar “Gjurmët Shqiptare” mbi fshatin Frashër dhe veçanërsiht mbi shtëpinë-muze të vëllëzërve Frashëri, mbeta me ndjenjën se, fatkeqësisht, më duket sikur kam parasysh shkatërrimin e jo vetëm të një fshati dhe të një zone, por edhe zhdukjen e identitetit të një shoqërie dhe qytetërimit të kombit – dhe jo vetëm të atyre banorëve të pakët që gjithnjë jetojnë aty, por edhe të brezave të tërë, në të kaluarën dhe në të ardhmen.

Ka ndodhur dhe ndodhë që në kohë lufte dhe konfliktesh – shqiptarët e dinë këtë më mirë se shumë popuj të tjerë – monumentet dhe simbolet që përfaqësojnë identitetin dhe rrënjët e përbashkëta të një kombi, bëhen objekte sulmesh dhe dhune me qëllim për t’i zhdukur ato nga faqja e dheut, e me to edhe identitetin kulturor dhe historik të një populli.  Por një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë kurrë në kohë paqeje, si pasojë moskujdesit, nga mos kokëçarjes dhe mos interesimit zyrtar për ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë kulturore dhe historike – siç është shtëpia-muze e vëllëzërve Frashëri dhe shtëpia ku ka jetuar At Gjergj Fishta, ndër të tjera.

Raste si këto, të pasqyruara nga gazetari Marin Mema në programin e tij dokumentar, “Gjurmët Shqiptare”, duhet të zgjojnë interesimin e ndërgjegjen, por edhe zemërimin mbarë-kombëtar për gjëndjen e krijuar në fushën e mbrojtjes së monumenteve kulturore dhe të bëhet pyetja nëse me të vërtetë është duke u bërë mjaft në mbështetje të trashëgimisë kulturore dhe historike, identitetit kombëtar, traditave dhe vlerave të kombit shqiptar, të cilat po vihen në dyshim dhe po sulmohen madje edhe sot nga ata që me shekuj janë munduar t’i mohojnë historinë dhe identitetin, kombit shqiptar. Dhe si rrjedhim, të kërkohet llogari nga ata që janë përgjegjës.  Detyra numër një e çdo qeverie është mbrojtja e sigurisë dhe interesave kombëtare, pjesë e së cilës është edhe mbrojtja e identitetit kombëtar, e kulturës, historisë, gjuhës dhe traditave të një populli… por edhe nderit të emërit shqiptar, do të thonte Naim Frashëri:

Ti Shqipëri, më ep nderë, më ep emrin shqipëtar,

Zëmrën ti ma gatove plot me dëshirë dhe me zjarr.

Dhe ti lutemi Perëndisë, gjithnjë me Naimin, me shpresën që shqiptarëve tu tregojë “udhën e punës së mbarë” dhe bashkimin, në mbrojtje të trashëgimisë kulturore, interesave dhe të identitetit kombëtar:

Tregomu dhe shqipëtareve udhën e punës së mbarë,

Bashkomi, bëmi vëllezër edhe fjeshtë shqipëtarë,

Falmi, falmi Shqipërisë ditën e bardh' e lirisë,

Udhën e vëllazërisë, vahn' e gjithë mirësisë.

Nxirr të vërtetën në shesht, paskëtaj të mbretëronjë,

Errësira të përndahet, gënjeshtëra të pushonjë. (Naim Frashëri)

Lutemi për mbrojtjen dhe kultivimin e dashurisë për trashëgiminë historike dhe kulturore të shqiptarëve!