Anton Marku: Muret e lirisë
| E Hene, 07.05.2018, 02:44 PM |

MURET E LIRISË

Në vend se të jenë dyer drite, muret e lirisë po trashen çdo ditë e më tepër. Por, a ka nevojë liria për to dhe a është liri ajo që rrethohet me mure.

Nga Anton Marku

Politikanët

Kur i dëgjon politikanët e Kosovës duke folur e kupton pse jemi aty ku jemi, në bisht të botës.

Ata janë bërë pjesë e pashmangshme e problemit dhe nuk janë doemos pa alternativë. Në relacion me masat janë shndërruar në një zemër që rrahë jashtë gjoksit. Të paktë janë ata që nuk u takojnë këtyre ujërave. Për më tepër, për fat të keq, një pjesë e tyre sot identifikohen si çlirmitarët e djeshëm që u bënë okupatorë të lirisë së sotme. Mbase është koha e fundit që ata të shkojnë tek varrezat. Jo për të vdekur, por për tu gjunjëzuar përultësisht para varreve të ish-bashkëluftëtarëve të rënë dhe kërkuar falje për katandisjen e atdheut.

Majën e ke arritur jo kur të ngjitesh por kur të zbresësh sigurtë prej saj.

Perspektiva evropiane

Në kohën kur Ballkani, vrima e fundit e BE, në vend se të mbyllet ka gjasë që të hapet edhe më dhe kur Serbia është duke gjuajtur përtej shënjestrës, reagimet e pozitës kosovare lidhur me raportin e fundit të progresit të Komisionit Evropian, më të dobëtin në këto vitet e fundit, pa asnjë analizë serioze dhe reflektim, mund të përmbledhen në formulën ‘‘Gjendja nuk është dhe aq e keqe sa thotë opozita. Dita kur do të marrim liberalizimin e vizave nuk është e largët.’’

Por, jo aq keq nuk do të thotë mirë. Jo aq larg nuk do të thotë afër.

Revolucioni

Ajo për çka ka nevojë Kosova është një revolucion demokratik i udhëhequr nga vet qytetarët e saj. Por, a ka realisht forca të cilat do e realizonin një projekt të tillë dhe nëse po cilat do të ishin ato. Partitë aktuale politike edhe mund të kenë kapacitetete, nëse jo të duhura atëherë së paku të mjaftueshme, por atyre u mungon vullneti për reforma gjithpërfshirëse dhe ardhja në pushtet është karremi që i mban peng dhe largon nga ky synim. Shoqëria civile është e pakordinuar, sindikatat e kontolluara nga qeveria, mediat, me disa përjashtime, u shërbejnë klasave politike dhe klientelës ekonomike, ndërsa elita intelektuale sillet inferiore dhe nuk po ia del të artikulojë bindjet e saj.

Nëse populli nuk po arrin që për njëzet vite të heq nga skena këtë klasë politike, atëherë duket se problemi qëndron tek vet populli.

Megjithatë, për këmbët e lidhura të gjitha rrugët janë të gjata.

Lideri

Për të ardhur deri tek ndyshimi substancial Kosova duhet që, në një të ardhme të afërt, të prodhojë një lider të ri të tipit të Dr. Rugovës, i cili do të arrinte që të krijojë autoritet si burrështetas, së pari të pastrojë e pastaj të unifkojë spektrin politik dhe tu prij procesve të cilat do ta nxirrnin shoqërinë nga balta ku e kanë katandisur ‘‘heronjtë’’ e luftës dhe kriminelët e pasluftës, dhe atë të të gjitha ngjyrave dhe ideologjive.

Për fat të keq, një figurë e tillë ende nuk është shfaqur edhe pse disa personalitete publike do të mund të arrinin përmasat e përafërta, nëse jo të njëjta.

Deri atëherë muret e lirisë do vazhdojnë të trashen dhe atë me pëlqimin tonë.

Vjenë, 6 maj 2018



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: