Besnik Dizdari: Arsyeja e triumfit olimpik të Kinës Popullore
| E Diel, 14.09.2008, 05:11 PM |

Besnik Dizdari
Arsyeja e triumfit olimpik të Kinës Popullore

Nga Besnik Dizdari

Kapitulli II

Nuk kam qenë në Olimpiadën e Pekinit. Kam qenë në Pekin në majin e këtij viti për Kongresin e gazetarëve sportivë, dhe megjithate, e kam prekë Olimpiadën. Jo vetëm sepse mjedisi mbulonte krejt Pekinin e dy muajve përpara, por sepse pata fatin të isha në përurimin e Stadiumit Olimpik të ashtuquajtur “Çerdhja e Zogjve”, të shihja fshatin olimpik dhe të qëndroja për disa çaste në Pallatin e shtypit, që ishte më i madhi i ndërtuar për gazetarët qysh nga Olimpiada e parë, 1896. Mund të punonin 15.000 njerëz të shtypit njëherësh, ndërsa pallati i televizionit kishte mbi 100 studio televizive!

Megjithate, nuk mund të kem një entusiazëm fëminor si të jo pak shqiptarëve për “mrekullinë” e Olimpiadës së Pekinit, sepse po e mrekullueshme qe bie fjala, edhe Olimpiada e Athinës, e vetmja që kam ndjekë duke qenë i dërguar i posaçëm. Çdo Olimpiadë, në një fare mënyre është e detyruar t’ia kalojë tjetrës. Dhe këte detyrë Kina e kishte tejkaluar. Madje më fort se organizimi shembullor, origjinal, elegant dhe madhështor i Olimpiadës së Pekinit, si gazetar, më mrekullon arritja sportive e Kinës së 51 medaljeve të arta përballë veëm 36 të SHBA! Në të vërtetë, kjo është historia e re, e bujshme e Olimpiadës.

Për të kuptuar sensacionin kinez, duhet “kuptuar” Yao Ming

Një gazetar perëndimor, e ka quajtur ate “hero proletar”. Eshtë fjala për njeriun me emrin Yao Ming, 2 metra e 26 centimetra shtatlartë, i përfshirë tri herë në Pantheonin e basketbollit amerikan të NBA All-Star. Autobiografia e tij përbën një bestseller. Fiton rreth 20 milion dollarë në vit! Ndërkaq, më 1 maj 2005, Yao Ming ka fituar një titull të çuditshëm të dhënë nga Partia Komuniste e Kinës, atë të “punëtorit model” të vitit. Me vendim të Këshillit të Shtetit, simboli i ri i proletariatit është ky gjigand i përzgjedhur prej 1 miliard e 300 milionëve kinezë. Eshtë gjigandi vetëm 26 vjeçar Yao Ming, i cili fiton 20.000 herë më shumë se mesatarja kineze në dollarë për krye: që është diçka më pak se 1100 dollarë.

Në të vërtetë Yao Ming përbën zbulimin më të rëndësishëm edhe për lexuesit shqiptarë, të asaj që ne e kemi quajtur “Arësyeja e triumfit olimpik të Kinës Popullore”. Përmes këtij protagonisti të madh, ne kuptojmë gjithë mendësinë e Kinës së sotme Komuniste, që, siç thotë një vëzhgues i sotëm i saj, është mendësia e një “kapitalizmi me pak liri e me më pak demokraci”. Mirëpo, gjithmonë ka një ”por”: dhe del se në këto 30 vjet reforma ekonomike dhe të një “revolucioni të vazhdueshëm social” të këtij vendi po i afrohen kulmit të tyre. Studjuesit e përcaktojnë “fizikisht” gjithë këte, të mishëruar në atë që njihet si “mrekullia e tri gjashtave”: në krahasim me bashkëmoshatarët e tyre të vitit 1978, sot një fëmijë kinez 6-vjeçar, është mesatarisht 6 centimetra më i gjatë dhe peshon 6 kilogram më shumë. Rasti Yao Ming, duket se flet disi edhe më fort, ndonëse gjithçka mvishet me mësimet e Partisë së vetme, asaj Komuniste.

Kur drejtimi i Sindikatave të Shangait propozoi Yao Ming-un, si “punëtorin model”, motivacioni ishte me të vërtetë origjinal: ”Propozojmë Yao Ming-un, sepse ai përfaqëson imazhin e Kinës moderne, përveçse atdhetarin në arenën sportive ndërkombëtare”. “Këte nder të ri që më jipet - përgjigjet Yao Ming, - e marr si një inkurajim prej shoqërisë. Isha mësuar që ky titull t’i jepej një prej punëtorëve të zakonshëm, të cilët mundohen tejet, por tash, përveç tyre nderohet edhe një tip i posaçëm i punëtorit emigrant si unë”.

Ky është Yao Ming, “punëtori emigrant” i cili është renditur nga revista amerikane “Forbes” si një nga sportistët kampionë më të paguar të të gjitha kohërave.

Dhe?..

Duke ecur në mjediset e Pekinit vëreja se vërtet, ashtu siç kisha lexuar, se foto e tij ishte jashtëzakonisht më e pranishme se fotot e Mao Ce Dun dhe të Teng Hsiao Pin, se përsa i përket presidentit të sotëm të Kinës Hu Jintao, ai ia ka stërkaluar në këte lloj publiciteti të pangjashëm. Ky “punëtor emigrant” sot shet një top basketbollit të firmosur prej tij për 400 dollarë, ndërsa fanela e tij e firmosur e klubit të tij “Houston Rockets” kushton 600 dollarë. Ndërkaq, mësohet se kohët e fundit Adidas ka blerë firmën e famshme Reebok për 3.8 miliard dollarë duke sfiduar epërsinë e firmës Nike në veshjet sportive. Një nga arësyet që e kanë bindur Adidas-in të blejë Reebok-un, është mu Yao Ming, i cili është në kontratë me Reebok. Dhe Adidas fitoi të drejtën e sponsorizimit të Olimpiadës së Pekinit, e, le të ndalim këtu:

E ashtunjohura Senda e Yancheng-ut, që ndodhet 200 kilometra larg Nankinit është një fabrikë me 12.000 punëtorë që prodhon 50 milion këpucë Adidas në vit! Prodhon këpucë për 100 partnerë të huaj në 40 vende të botës. Ajo ka si president dhe pronar, njeriun me emrin Zhu Xianggui, 55 vjeç, një nga kapitalistët më të pasur të Kinës, anëtar i Partisë Komuniste dhe deputet i zgjedhur në dy legjislatura nga Kongresi Kombëtar i Popullit. Tronditja vjen më mbas: 12.000 punëtorët që i qepin dhe që i bashkojnë “detalet” e këpucve, fitojnë nga 100 euro në muaj secili, kur një palë prej këtyre këpucëve në Kinë shiten për 30-45 euro, ndërsa në Europë 100 euro. “Rroga prej 100 eurosh në muaj është një rrogë e mirë”, thotë një vëzhgues i këtyre punëve.

Më 2007 Kina prodhoi 6 miliard këpucë të shpërndara në 7000 ndërmarrje! Yao Ming, “punëtori model” i Kinës është ndërkohë, në kontratë me Adidas. Një gazetar që e ka ngacmuar paksa drejtorin e miliarder Zhu, ky i është përgjigjur menjëherë: “Ah, demokracia perëndimore, kjo nuk është për ne. Nuk kemi arritur ende nivelet e arësimimit dhe të mirëqenies së mjaftueshme. Ju nuk e merrni me mend një Kinë në kaos, në anarki. Do të ishte një problem botëror. Do të ishte një problem edhe për ju”.

Vërtet, që për të kuptuar sensacionin kinez, duhet “kuptuar” edhe Yao Ming i Adidas dhe i NBA: njeriu i cili fiton 20 milion dollarë në vit.

Kur më 1989 po binin rradhazi vendet komuniste të Evropës, dhe drejt kësaj po shkonte edhe Bashkimi Sovjetik, Teng Hsiao Pin, tha: “Teksa shohim duke rënë njeri mbas tjetrit vendet e Lindjes së Evropës, problemi nuk është nëse do të bjerë flamuri i Bashkimit Sovjetik, por a bie apo Kina”. Ky ishte njeriu i cili kishte dhënë zgjidhjen e famshme: “Nga kredoja e Mao Ce Dun-it “luftë dhe revolucion” (“zhanzheng yu geming”) tek kredoja e tij “paqe dhe zhvillim” (“beping yu fazhang”).

Vetëm dhjetë vjet më parë një kinez nuk mund të lëvizte prej fshatit të tij. Tash ka “emigrantin miliarder” Yao Ming, “punëtorin model” të Kinës Popullore të NBA!

Në këte shembull do të mund të gjejmë jo pak për “Arësyen e triumfit olimpik të Kinës Popullore”.

Dhe jo vetëm në këte. Nuk kishte qenë sportisti më i madh olimpik i Kinës, kampioni olimpik i gjimnastikës (1984) Li, ai i cili u përzgjodh për të ndezur në fluturim flakën olimpike në ceremoninë fantastike të çeljes së Olimpiadës. Kishte më të famshëm se ai, por u përzgjodh ai, sepse pikërisht ai përfaqësonte një nga sportistët më të suksesshëm në biznes: në ate të veshjeve sportive ku sot ai është i pari dhe një nga më të pasurit në gjithë Kinën – përfaqësues i mendësisë së sotme të ekonomisë së tregut të “kapitalizmit të kuq” të Kinës Popullore.

Problemi parësor i të drejtave të njeriut, i vetë demokracisë në Kinë, i Dalai Lama-s e tjerë e tjerë, me të cilët u sulmua jo pak Olimpiada e Pekinit, çështje të mëdha të zhvillimit politik të vetë botës së sotme madje, duket se për Kinën Popullore marrin përgjigje edhe në këte kalim të marrë prej fjalimit të bujshëm të Zhang Weiwei në Marshall Forum të Munihut në qershor 2007:

“Ju perëndimorët e matni demokracinë simbas principit që çdo qytetar duhet të ketë të drejtën e votës dhe se në zgjedhjet universale partitë të ndryshme të mund të luftojnë midis tyre për shkëmbim vendesh në qeverisje. Por deri më sot është e vështirë të gjëndet rasti i një vendi emergjent i cili ka arritë të modernizohet simbas këtij modeli të demokracisë. Nuk e ka arritur një gjë të tillë India, ku midis Bombeit dhe Kalkutës shihet një varfëri më e madhe se sa kemi patur ne në Kinë njëzet vjet më parë. Më jepni një shembull të vetëm të një vendi të zhvilluar ku zgjedhjet universale të jenë vendosë para ose gjatë periudhës së modernizimit. Çka do të ndodhte sot në Kinë po të përshtasnim një demokraci të tipit tuaj? Vendi nuk do të shkonte në luftë civile apo në shpërbërje, dhe do të mund të zgjidhnim një qeveri fshatarësh përsa kohë që popullsia jonë përbëhet në shumicë të skajshme prej fshatarëve. Nuk kam asgjë kundër tyre, por del qartë se një qeveri prej fshatarësh nuk do të ishte kurrsesi në gjendje të drejtonte modernizimin. Në tridhjetë vjetët e fundit, Republika Popullore e ka dhjetëfishuar pasurinë ekonomike, ka përmirësuar kushtet e jetës së qytetarëve të saj, duke ruajtur qëndrueshmërinë (stabilitetin). Në gjenezën filluese të demokracive perëndimore ka një rregull të saktë evolutiv: në fillim vjen zhvillimi ekonomik dhe ngritja e nivelit arësimor, mandej ndërtimi i Shtetit të së drejtës, dhe mandej demokracia. Por të përdoreshin rregulla të gabuara kjo do t’i kushtonte një çmim shumë të rëndë shoqërisë”.

Thuhet ndërkaq, se prej 1 miliard e 300 milionëve të saj, Kina ka nxjerrë nga varfëria 300 milion njerëz.

Eshtë dhe çështje kulture, “e vjetër” dhe e re bashkë

Me sa duket, e gjitha kjo eshtë dhe çështje kulture.

Simbas Alexander Wendt, ka tri lloje kulturash në marrëdhëniet ndërkombëtare: kultura e Hobbes-it e cila sheh vetëm armiq; mandej kultura e Locke-ut që zëvëndëson luftën me garën. Dhe së fundi kultura e Kantit që synon aleancën me miqtë. Mirëpo, vazhdon Wendt, ka dhe një kulturë të katërt: ta bësh armikun tënd mik dhe kjo qenka parimi bazë i idesë kineze, që përbën këte kulturë të katërt, për fat, pak e njohur prej perëndimorëve.

200 milion kinezë mësojnë sot anglishten, qysh në shkollën fillore. Simbas një sondazhi del se sot çdo kinez pranon se kultura prëndimore është baza e mirëqënies, suksesit, zhvillimit dhe modernizimit. Të rinjtë kinezë shkëlqejnë në universitetet amerikane në matematikë dhe shkenca. Pianistët dhe violinistët kinezë i gjen sot në orkestrat më të mira të Evropës dhe të Amerikës. Gjithë gjërat dikur të ndaluara, po përhapen në gjithë Kinën. I pashë me sytë e mi libraritë gjigande shumëkatëshe të Pekinit, ku të rinjtë të ulur për tokë në sallat e tyre i përpinin librat me lexim, skena që nuk i kisha parë askund. Kësisoji libraritë qenë shndërruar në biblioteka, madje në biblioteka tejet origjinale, ku e merr librin vetë pa bërë asnjë lloj regjistrimi në një kartelë, pa dhënë emrin tënd. Librat me temat kontemporane të shoqërisë së sotme perëndimore sidomos, nuk kushtonin fort lirë. Zgjidhja ishte fantastike. Lexim pa e blerë librin dhe as pa e marrë me vete!

Të rinjtë merrnin librat, uleshin për tokë në sallonet e pafund të librarie dhe zhyteshin në një lexim të pandalshëm. Shumë edhe mbanin shënime. Çka lexonin? Për veç atyre të kulturës, letërsisë, teknikës e shkencës kineze, edhe vepra të famshme të politikës, ekonomisë, letërsisë dhe filozofisë perëndimore. Eshtë etja për dije.

Kina bën sot filma të pambarim dhe është kthyer në prodhuesi i parë i huaj i filmave të një suksesi botëror, duke lënë mbrapa Francën dhe Indinë në fitimet e nxjerruna prej kinemave. Kënga pop “Nostalgjia e shtëpisë” e Li Guyi, ka pushtuar Kinën, 50.000 studentë kinezë studjojnë në Britaninë e Madhe. British Council thotë se për pak vite do të mbërrihet në 130.000. Dhe… 800 milion kinezë të cilët jetojnë ende në fshat. Por statisticienët e ekonomisë thonë se më 2010 Kina do të ketë 797 milion punëtorë, çka përbën tregun më të madh të punës në Botë.

Vizita në Murin e madh kinez, krijim gjigand i kulturës dhe punës në historinë e njerëzimit, për çudi nuk më bëri shumë përshtypje. Më dukej se e kisha parë njëqind herë. Kaq i pranishëm ka qenë ai në botimet dhe në dokumentarët e Kinës që sundonin jo pak jetën tonë në kohët e “vëllazërisë shqiptaro-kineze” të viteve ’60-’70. Më shumë se Muri i madh kinez më bënë përshtypje të veçanta dy të tjera.

E para: shfaqja e një opere të sotme kineze në atë që njihet si “National Centre for the Performing Arts’, një ndërtim gjigand, i pambarim dhe me sallën e Operas, që ndoshta në “vetminë” e saj ia kalonte edhe La Scala-s së Milanos. Për ne që kemi parë qoftë “Vajza me flokë të thinjur”, por sidomos “Detashmenti i kuq i grave”, befasia është jo e vogël. Jo thjesht te kultura e lartë e të ndjekurit të një opera, por sidomos te interpretimi dhe përmbajtja së operas “Forbidden Love” me synimin e një Kine klasike vërtet, por që të dukej krejt moderne në të njëjtën kohë. E përshkonte shpirti human i një kohe, por nënkuptimi ishte universal: dashuria dhe humanizmi te njeriu nuk ndryshon asesi me shekujt.

Dhe e dyta: biçikleta! Biçikleta me qira mu në shkallët e Hotelit “të vjetër” të Kinës, atij “Pekin” por krejt të modernizuar deri në pesë yje. Kina me 42 milion turistë në vit (vendi i katërt në botë mbas Francës, SHBA dhe Spanjës), iu ofronte atyre edhe mjetin më çlodhës qytetar: biçikletën, “shpikje”e atij që tash përcaktohet si “kapitalizmi i kuq” i Kinës Popullore.

Biçikleta është edhe dobësia ime, sepse jam ndër rekordmenët e Tiranës: tash gati 50 vjet përditë në biçikletë. Qysh nga 1960. E ndjej se më duhet ta ribotoj esenë e biçikletës botuar pak vite më parë këtu në “TemA”. Tash ju lutem merreni pak me mend. Në sheshin Tien An Men, mbrenda mjedisit të jashtëm të hotelit “Pekin” - biçikleta me qira. Kur aty kalonin markat më të kushtueshme të veturave të sotme, ku vlonte jeta, gati si në një lloj Manhateni, por i Pekinit: transmetimi televiziv lart si CNN në avenjutë e Nju Jorkut, magazinat më luksose të firmave të të gjithë botës, si në Paris, shëtitje e çuditshme e njerëzve që mbushnin Mcdonaldet dhe baret e pafund. Dhe ... biçikleta me qira!

Në Shqipëri patën sunduar biçikletat kineze në ngjyrë të zezë dhe kafe. Në kryeqytetin e Kinës, ato ishin shumngjyrëshe, elegante, të shndritshme. Për t’i marrë kushtonte 1 dollar ora. Mu kujtua se çka heq unë në Tiranën e mbushur me biçikleta të vjetra, të pluhrosura, të pafshira, të ndryshkura, madje shumë prej tyre ende të llojit socialist kinez të viteve ’70. Dilni nëpër Tiranë dhe do të shihni se megjithë ardhjen e biçikletave zvicerane të përdorura, të vjetra, ende ka në qarkulllim biçikleta kineze të viteve ’70. Ne ende jemi në ate që e kam quajtur “requiem për biçikletën”, e cila ende nuk ka rrugëzat apo rrugicat e saj. Pekini shkëlqente ksisoji në këte dukuri çiklistike, e unë gjeja në këte gjest të tijin, edhe vetë kultivimin e shpirtit sportiv të biçikletës, “makinës së shëndetit”. U pendova përse nuk mora një biçikletë me qira si dikur në Tiranë, por sidomos në Shkodrën e biçikletave! Ishte çështje kohe. ..

Në këto parime krahasuese, edhe demografie, ecën edhe sporti dihet, që është pjesë e kulturës në tanësi. Olimpiada qe një shpërthim i papamë. Kina fitoi edhe një bronz për femra me Guo Shuang në atë që quhet Cycling – Track, sprint për femra. Duket se gjërat janë të lidhura fort. Ose më mirë me thanë: logjika e gjërave, kultura “e vjetër” dhe e re së bashku, mendësia “e vjetër” dhe e re, tradita e vjetër dhe e re, të cilat i shfrytëzon ajo që thamë: çështja e sistemit politik, e partisë së vetme, që sportin e shndërron edhe në propagandë dhe afirmim. Si BRSS dikur? Si RDGJ dikur? Jo mu ashtu megjithate…

Shteti i cili fabrikon kampionë

Ky shtet ka vendosur ndërkaq, të fabrikojë kampionë.

Kështu u tha në botën e madhe të sportit botëror mbas mbarimit të Olimpiadës së Pekinit.

Eshtë çështje e sistemit politik, e partisë së vetme, që sportin e shndërron në propagandë dhe afirmim. Si BRSS dikur? Si RDGJ dikur? Këto pak a shumë i shtérruam në shkrimin e së martës së shkuar dhe duket se suksesi i bujshëm i Kinës e kthen disi mbrapa gjeopolitikën sportive dhe olimpike së bashku. Çka duket një hap mbrapa për gjithë ecurinë e sotme të lëvizjes olimpike botërore, që e shndërron sportin si qëllim më vete të afirmimit të sistemit politik të ditës.

Eshtë e vërtetë, Kina sot është edhe një shet që fabrikon kampionë. Këta kampionë ajo i shpalosi në Olimpiadën e saj Pekin 2008. Dhe gjithmonë pa harruar filozofinë e Teng Hsia Pin që thotë: “Problemi kryesor është zhvillimi”.

Vëzhguesit pohojnë se fabrikimi i kampionëve kinezë nis qysh në moshën 6-vjeçare. Dhe qysh në këte moshë atyre iu thuhet se do të stërviten vetëm për të fituar, sepse vetëm kështu do të përfitojnë lavdi dhe pàra. “Kapitalizmi i kuq” i Kinës Popullore, siç e kanë quajtur. Dhe kush fiton mbulohet me nder të përjetshëm.

Duket shumë e thjeshtë. Në të vërtetë është shumë e ndërlikuar; ose e thënë më qartë, është shumë e mundimshme. Këte ende nuk e kanë kuptuar bie fjala, në Shqipërinë e vogël, e as shteti ynë i vogël. Jo për të mbërritur gjigandizmin e Kinës gjigande, sepse kjo as që mund të na shkojë ndërmend, por për të realizuar të mundshmen e vogël të Shqipërisë së vogël.

Thuhet se sistemi sportiv i fabrikimit të kampionëve në Kinë, nis në vitet ’80, kur i nxitur edhe prej sistemit të reformave pro tregut të Teng Hsiao Pin, Kina iu kthye Olimpadave mbas një mungesa 32-vjeçare. Në një kah dukej se gjithçka po i përngjasonte asaj që kishte bërë BRSS në fillim të viteve ’50, kur u kthye në Olimpada për të sunduar. Jo krejtësisht ashtu megjithate.

Ky i Kinës është një sistem që ekspertët e quajnë piramidal. Thuhet se janë dy ministri që merren me këte punë, ajo e Arësimit dhe ajo e Sporteve. Baza e kësaj piramide janë shkollat e rretheve ku mësuesit e edukimit fizik janë ata të cilët bëjnë përzgjedhjen e parë të fëmijëve 6-vjeçarë mbi bazën e një serie parametrash, të formacionit fizik të secilit, të harmonive fizike të tyre. Të rinjtë më të talentuar përfshihen në skuadrat e distriktit. Dhe ja ku ndërhyn edhe më fort shteti, i cili nis dhe plotëson nevojat e këtyre sportistëve të rinj: ushqimi, jetesa, studimet, veshjet dhe gjithçka tjetër. Mendohet se çdo kampion i vogël kësisoji, i kushton shtetit 3000 euro në vit. Ka ndërkaq zëra tepër “realistë” që thonë se më të mirët prej tyre studjojnë gjithnjë e më pak dhe stërviten gjithnjë e më shumë, me synimin e parë për t’u bërë “sportistë të shquar në të mirë të provincës”. Nuk është pak kur dihet se provinca në Kinë është e barabartë me një shtet evropian.

Në kete çast nis një përzgjedhje thuajse spartane. Kush nuk ecën si duhet, niset për në shtëpi. Një vëzhgues e krahason këte përzgjedhje me “seleksionim darvinian”. Një lloj seleksionimi (përzgjedhje) e luftës për ekzistencë. Atje lart është maja e piramidës, që është Kombëtarja e Kinës Popullore për secilin sport. Atje do të mbërrijnë vetëm ata që tregojnë më shumë vullnet, më shumë talent. Në “fabrikën e kampionëve”, bie fjala në ate të gjimnastikës, mendohet se sot janë përherë në përpunim 23.000 gjimnastë, shifër që na bën të kujtojmë se popullsia e pamatë e Kinës, përbën një prej shtyllave të fabrikimit të pafund të kampionëve të saj. Një ekspert shkruan kështu:

“Të larguar nga familjet, të çfshatarizuar, të nënshtruar ndaj një disipline të hekurt, këta të rinj, shpesh ende adoleshentë, i nënshtrohen një jete të ashpër e cila në tanësi është e mbushur me stërvitje masakruese dhe të përsëritjeve të pamshirshme të tyre. Jeta e tyre shoqërore është e ngushtuar deri ku nuk mban më. Mbrapa mureve të qendrave sportive, ku ata jetojnë thuajse gjysëm të izoluar për muaj të tanë, kampionët e ardhshëm kanë kohë të mësojnë rregullën e parë të pamshirshme të fabrikës së sportit: kush nuk reziston, përjashtohet. Ai që nuk duron këte sistem për rendiment të ulët, ose që pëson një traumë dhe nuk mundet më tej, është i detyruar të përjetojë mbarimin e një ëndërre. Shteti është bujar vetëm me kampionët e ardhshëm, duke i ofruar atyre një karrierë sipërmarrësish, menazherësh, punonjësisht publikë të rëndësishëm, ushtarakësh dhe politikanësh. Ndonëse Kina nuk është e para, por e gjashta në botë për çmimin që i jep atij që fiton titullin e Kampionit Olimpik: 20.000 euro. E gjashta mbas Italisë 140.000 eruro, Rusisë 100.000, Spanjës 94.000, Iranit 80.000, Francës 50.000.

Ndërkaq ajo është e pamshirshme ndaj humbësve, atyre që nuk i rezistojnë ligjeve të ashpra të fabrikës së kampionëve, dhe atyre të cilët tashmâ nuk do t’iu përkasë asgjë.

Ky është morali bazë i “fabrikës së kampionëve” të Dragonit kinez.

Për rezistuesit e kanë fjalën ndërkaq, gjithmonë teknikat moderne të stërvitjeve e përgatitjeve, shkenca e sotme sportive.

30 është numri i instruktorëve të huaj që ka rrëmbyer Komiteti Olimpik i Kinës për të fabrikuar kampionët e tij. Janë nga SHBA, Japoni, Gjermani, Australi, Francë, Rusi… Emrat janë të rangut botëror: Bauer i Francës në skermë, Kazlauskas i Lituanisë për basketbollin, Gringo i Rusisë për kanotazhin, Dujkovic i Serbisë për futbollin, Imura i Japonisë për notin, Capousek i Gjermanisë për kanoe, Lefebre i SHBA për bejsbollin. Në më shumë se gjysmën e disiplinave olimpike, Kina kishte konsulencën e specialistëve të huaj. Kjo ishte vetëm një pjesëz e sekreteve të shtetit që fabrikon kampionë.

Epilogu: përmbajtja e 51 medaljeve të arta të Kinës,

Madje të 100 medaljeve në tanësi. Sepse Kina fitoi plot 100 medalje: 51 ari, 21 argjendi dhe 28 bronzi, 10 më pak se SHBA që fitoi 110 medalje të përgjithshme.

Por dihet ndërkaq, mbi të gjitha në një Olimpiadë janë medaljet e arta, që nënkuptojnë Kampionin Olimpik. Këtu suksesi i Kinës ishte i bujshëm, sensacional, i pamshirshëm. Një sukses që hyn midis 6 epërsive më të mëdha midis të parit dhe të dytit të medaljeve të arta, të Olimpiadave të Mbasluftës së dytë kur dueli olimpik midis dy sistemeve shoqërore arriti përmasa të frikëshme:

1952: SHBA + 18 ari mbi BRSS

1968: SHBA + 16 ari mbi BRSS

1972: BRSS + 17 ari mbi SHBA

1988: BRSS + 18 ari mbi RDGJ

1996: SHBA + 18 ari mbi Rusinë

2008: Kina + 15 ari mbi SHBA

Cila ishte përmbajtja dhe përhapja e 51 medaljeve të arta të fituara nga Kina? E thotë kjo statistikë:

Qitje me hark – 1 ari

Badminton – 3 ari

Boks – 2 ari

Kanoe – 1 ari

Kërcim nga trampolini – 7 ari

Skermë – 1 ari

Gjimnastikë Artistike – 9 ari

Gjimnastikë (Trampolin) – 2 ari

Xhudo – 3 ari

Kanotazh (Rowing) – 1 ari

Vela – 1 ari

Qitje – 5 ari

Not – 1 ari

Taekwondo – 1 ari

Pingpong – 4 ari

Peshëngritje – 8 ari

Mundje – 1 ari

Këto janë 51 medaljet e arta të Kinës. E gjitha kjo tregon zgjuarsinë apo dhe dinakërinë e Kinës sportive. Kina ka dashur ta fitojë me çdo kusht këte Olimpiadë. Dhe duket se, më e lehtë ka qenë për te që të punojë fort në sportet vetjake ku puna ka rëndësi më të madhe se sa talenti, përjashto ndoshta deri diku gjimnastikën artistike, ku Kina ka fituar jo pak por plot 9 medalje ari! Numrin më të madh. Mandej 8 medalje ari në peshëngritje, mandej 7 medalje ari në kërcim nga trampolina, disiplina që kërkojnë stërvitje të pafund vetjake, deri aty sa njeriu mund të shndërrohet në makinë. Mandej qitja e cila nuk kërkon një talent të veçantë, por durim dhe qëndresë të madhe psikologjike.

Kjo është dhe llogaritja e përkryer kineze e bujës së saj në Pekin 2008.

Ku nuk ka triumfuar Kina? Në të vërtetë Kina nuk ka triumfuar në sporte të tillë si atletikë e lehtë, basketboll, volejboll, çiklizëm, hipizëm, futboll, tenis që përbëjnë elitën e sporteve të shoqërisë së sotme njerëzore, sportet që kërkojnë talent, harmoni, estetikë, bashkërendim kolektiv, skema, taktikë, teknikë, kolektivitet, psikologji. Dhe të gjitha këto përmes shkallës më të lartë të shpirtit dhe gjakimit sportiv. Sporte që përmbajnë mbrenda tyre befasi, dhe ku ndeshesh drejtpërdrejt me kundërshtarin.

Nga të 17 sportet që Kina ka fituar 51 medaljet e arta të saj, prej plot 39 që pati Olimpiada, në ato me takim të drejtpërdrejtë me kundërshtarin, Kina ka fituar medalje ari vetëm në boks (2), skermë (1), xhudo (3), taekwondo (1), mundje (1), pingpong (4) që përbëjnë 12 medalje. Çka do të thotë se 39 medalje Kina i ka fituar në sporte ku nuk takohesh drejtpërdrejt në duele kundërshtarësh. Edhe kjo është diçka e jashtëzakonshme, që tregon arësyen e suksesit kinez në Olimpiadë. Kina ka llogaritur se çdo medalje e artë ka të njëjtën vlerë dhe rëndësi për çdo sport, “i vogël” a “i madh” qoftë. (Macja nuk ka rëndësi se çfarë ngjyre është, rëndësi ka që ajo gjuan minj).

Ajo iu ka lëshur rrugë të tjerëve në atletikë, basketboll, çiklizëm, hipizëm, futboll, tenis, volejboll e vaterpol, sepse sundimi në këto sporte kërkon një traditë dhe punë të pamatë në kolektiv. Dhe i është kushtuar sporteve të tjerë vetjakë, ku më tepër se një zhvillim kolektiv, kërkohet një zhvillim personal (vetjak), i një kampioni të vetëm, çka një shtet prej 1 miliard e 300 milionësh, në fund të fundit, e përgatit më lehtë në fabrikën e tij të kampionëve.

Yu Shicun, një shkrimtar dhe kritik i shquar i Kinës, ndoshta ka bërë përcaktimin më kuptimplotë për hopin sportiv kinez, kur thotë:

“Edhe pse fiton shumë medalje falë përqëndrimit të të gjitha forcave të vendit në sportet më strategjike dhe në synimin “e të parit të shkëlqyeshëm”, Kina ende nuk është një fuqi sportive në sytë e komunitetit ndërkombëtar, sepse sporti ende nuk bën pjesë në jetën e përditshme të popullsisë kineze”.

Yu Shicun këte e ka thënë pak para Olimpiadës Pekin 2008. A ia rrëzoi Pekini 2008? Natyrisht që jo, pavarësisht se me sportet e saj “strategjike”, siç përcakton ai, Kina befasisht ndërroi kahun e fitimtarëve historikë të Lojërave Olimpike, duke e marrë në duart e saj fatin e madh olimpik.


Tema

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: