Drita Lushi: Perëndim mbi Danub
| E Merkure, 25.04.2018, 08:31 PM |

PERËNDIM MBI DANUB

-Mbresa nga Beogradi-

Nga Drita LUSHI

Që të gjykosh drejt, duhet ta shohësh diçka me sy,ta shkelësh më kembë,të prekësh dhe të bisedosh me njerëz;

E vërteta dhe e Rrejshmja janë gjithmonë relative,andaj çdo njeri shpreh veten, pa marrë përsipër përfundime dhe gjykime gjithpërfshirëse;

Pikërisht për këtë, dhe për shumë arsye, ndonse pak i lodhshëm udhetimi në rrugë tokësore, nuk më ndalën të vizitoja kryeqytetin e Serbisë dhe  kryeqytetin e ish Republikës Jugosllave, Beogradin.

Sa herë, që telefoni më kujtonte dhe uronte mirëseardhjen në Maqedoni, Shkup, Serbi, Beograd s’më dukej aspak se isha tej kufijve, sepse Atdheun e Parë, Familjen, e kisha me vete dhe gjendesha ngrohtë, e mbrojtur dhe e gatshme të shkoja kudo.

Beogradi është quajtur ndryshe Qyeti i Bardhë, por tashmë pas kaq vitesh, kjo duket si diçka e largët;

Nuk ka gjurmë bardhësie askund.

Ka ndërtesa të kohës së komunizmit, por dhe ndërtesa të reja moderne, ka pallate në rikonstruktim por dhe pallate te rrënuara.

Edhe pse në një kryeqytet të huaj ndjehesh mirë, kur dëgjon të flitet për rrugën e shkodranëve “Skadarska Ulica” ndërtuar e frymezuar nga kalldrëmet dhe rrugicat shkodrane nga disa

beogradas, që jetuan në Shkodër shekullin e kaluar.

E gjithë zona quhet Skadarlija, për hir të kësaj rruge. Është një rrugë e bukur, e gjitha me kalldrëm, që vizitohet më këmbë dhe ka mjaft turistë, bare, restorante, në njërin nga të cilët drekuam edhe ne. Të flisje shqip me njërin nga kamarirët ishte ogur i bukur i Ditës se Pashkëve. Ishte një mesoburre dhe vinte nga një fshat mes Gjakovës dhe Kukësit.

Në këtë lagje ka jetuar shkrimtari dhe poeti i njohur serb Djura Jaksic.

Shpesh, në ambjentet e kësaj rruge mblidheshin poetët, ata të varfrit në xhepa, por të pasurit dhe të lirët në shpirt dhe mbrëmjeve shkruanin, bisedonin recitonin vargjet e tyre dhe pinin një gotë raki.

Diku, një djalë shet në një tavoline, raki të llojeve të ndryshme; një gotë kushton një euro, dhe mund të pihet aty në këmbë, e të vazhdosh shëtitjen; Me e njohura në Serbi, është rakia e kumbullës - shlivovica. Ajo serviret në gota të veçanta me grykë të ngushtë, që avulli i alkolit të merret avash vetëm përmes gojës dhe jo hundës, që përthithja e alkolit të jetë e avashtë dhe të evitohet dehja;

”Skadarska Ulica” zbukurohet edhe nga lulet e shumta, që varen si kurorë në të dy anet e rruges,si per te na dhene një përshëndetje nga zemra e pranverës.

Pallati Albania, ndërtuar në vitet 1939, ishte grataçiela e parë në Beograd dhe në atë kohë bëri mjaft bujë, madje edhe sot shikohet, vizitohet dhe njihet po me ketë emër nga beogradasit.

Është e djelë, ditë Pashkësh dhe qyteti nuk ka shumë njerëz, rrugët kanë këmbësore të paktë dhe ndesh trolejbusë gati bosh;

Një djalë i vogël i bie fisarmonikës, ulur diku duke na dhenë pak ngjyrë në shpirt, ndërsa tregtarët ambulantë në Kalegmejdan janë aty në pritje të turistëve dhe shitjes së gjerave simbolike- kujtim nga Serbia.

Si ditë Pashkësh, nuk mund të lije pa vizituar Kishën Ortodokse te Shën Savës, që konsiderohet,si një nga kishat më të mëdha në botë.

Beogradi i Vjetër, qëndron përballë Beogradit të Ri, si për ti thënë, që ai ka historinë më të madhe, është më i lashtë, më i fortë, dhe vizitorët e duan pikërisht, për këto, dhe për mjaft institucione të rëndësishme të vendosura në këtë pjesë të kryeqytetit.

Aty është i vendosur Kalaja e Beogradit, që sheh nga Lumi Sava dhe Danub, Parlamenti, Bashkia, Parku i Pioniereve, bulevardi “Kneza Millosha” “Statuja e Fitores” në parkun Kalemegdan ku gjenden edhe rrenojat e qytetit romak.

Kur kalon ne rrugen e ambasadave,prane asaj amerikane dhe izraelite,sheh të cilësuar : “Ndalohet rreptësisht fotografimi”

Gjithsesi pjesa e re e Beogradit, “Novi Beograd” shtrihet buzë Danubit,(ose sipas ilirëve është quajtur Tuna) atij lumi të gjerë valëzues dhe frymëzues dhe në këtë zonë, ndodhet salla e kongeseve “Sava” ku mbahen mbledhje dhe takime te rëndesishme në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar,rruga e tregtarëve Kneza Mihaila, Hotele, Restorante, qendra tregtare dhe zë një siperfaqe të madhe ndërkohë, që Lumi i jep një frymëmarje të gjerë dhe relaksuese.

Danubi Bashkohet me Lumin Sava duke krijuar një ishull natyral, “Ada”, ku ngrihet e bukur ura me te njejtin emer. Ishulli shrytezohet kryesisht për organizimin e aktiviteve të ndryshme sportive.

Te jesh mbi Danub dhe të mos kujtohet “Danubi Blu” kompozuar nga Johann Strauss?

Te jesh në Beograd dhe tëmos kujtosh me krenari aktorin me famë botërore Bekim Fehmiu?

Te jesh dhe të shihesh në sy me Danubin, dhe imagjinata të mos lundrojë me erën dhe perëndimin?

Nën zë luhet simfoni diellore, ndërsa orët e kësaj dite prilli prekin dritat dhe mbrëmjen e qytetit me udhetimin romantik, që bëmë me anije mbi këtë lumë që kalon nëpër 10 shtete.

Ndërsa yjet zënë vend ne qiell, dritat dhe mbrëmja, rruga drejt  hotelit, më kujton vështrimin e atij djaloshi të vogël, tingujt e qashtër të fizarmonikës së tij, valëzimet dhe dallgëzimet e Danubit, dhe shpesh e ripërsëris se popujt, lumenjtë dhe poezia janë kudo të njëjtë, dhe të paqtë...!

Drita LUSHI

Prill 2018

 



(Vota: 11 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: