Fotaq Andrea: 'Zogu I' dhe 'Skënderbeu III'
| E Diel, 22.04.2018, 02:33 PM |

Nga Ahmet Zogolli te “Zogu I” dhe “Skënderbeu III”

Nga Fotaq Andrea

Nuk kemi ndër mend të bëjmë historikun e formimit të Mbretërisë shqiptare, kur Ahmet Zogu, nga kryetar i Republikës shqiptare u shpall nga parlamenti me dy tituj njëherësh: “Zog I - mbret i shqiptarëve”, por edhe “Skënderbeu III”. Në është folur gjerë e gjatë për arsyen pse ai u shpall mbret i shqiptarëve dhe jo mbret i Shqipërisë, pak është folur për titullin e dytë të tij  “Skënderbeu III”, titull nga i cili ai do hiqte shpejt dorë. E megjithatë, shtypi i huaj i kohës, si vëzhguesi i hollë i gjithë sa ndodhte në fronin dhe frontin shqiptar, nuk do e linte pa e komentuar edhe një ngjarje të tillë .

Sigurisht, të shpallurit “Mbret i shqiptarëve” më 1 shtator 1928, kërkonte edhe një ceremoni të veçantë kurorëzimi, kërkonte përgatitje paraprake për bujë e buhi. U parashikua fillimisht, sipas gazetës “Politika” të Beogradit e 15 tetorit, që kurorëzimi të bëhej më 28 nëntor 1928 në Krujë, dita dhe vendi simbol i ngritjes së Flamurit të Skënderbeut, si dhe dita e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, festë kombëtare e dyfishtë. Por u shkua edhe më tej: u dërgua në Vjenë që në fillim të shtatorit 1928 (sipas gazetës austriake “Neues Wiener Tagblait”) një delegat shqiptar për t’iu lutur qeverisë austriake t’i huazonte përkrenaren dhe shpatën e Skanderbergut, që ruhen në muzeun e arteve historike, në koleksionin e mrekullueshëm të armaturave dhe armëve të lashta mbledhur nga Habsburgët. “Ahmet Zogu I, vijon gazeta, do të dëshironte të mbante përkrenaren dhe shpatën e heroit të madh kombëtar në ceremoninë e kurorëzimit të tij, që do të mbahet në Krujë, atdheu i Skanderbergut, në muajin prill të ardhshëm [nënvizimi ynë]. Është i gatshëm të japë një sasi shumë të madhe të hollash për të marrë në zotërim këto objekte të çmueshme”.

Sikurse vihet re nga sa citimi i mësipërm, duket qartë se Ahmet Zogu e ka “shtyrë” me katër muaj afatin e kurorëzimit të tij, duke sakrifikuar datën simbol të 28 nëntorit. Me siguri duhet ta ketë kuptuar se realizimi i kërkesës së tij për të huazuar armët e Skënderbeut kërkonte kohë dhe garanci më të mëdha se vetë shuma e parave që do viheshin në dispozicion, garanci ndoshta edhe të karakterit politik, kur afrimi që ai po bënte me Italinë nuk kish si të shihej me sy të mirë nga Vjena zyrtare. Megjithatë, ai këmbëngul në kërkesën e vet. “Domosdo, mbreti i parë i Shqipërisë, shkruan gazeta “Le Gaulois” e 5 shtatorit 1928, duke marrë emrin Scanderberg III, si pasues fiktiv i heroit të famshëm kombëtar shqiptar, mendon t’i shtojë kurorës së tij më shumë ndriçim, më shumë shkëlqim, të paktën për popullin shqiptar, sepse [titulli] Zogu I nuk shpreh asgjë, kurse [titulli] Scanderberg, kjo po, tingëllon fuqishëm, ndrit dhe të kujton bëma luftërash të shkëlqyera, heroizëm të paepur, patriotizëm të lartë...”.

Mirëpo, e njëjta gazetë, në të njëjtin artikull me titull “Mbret i shqiptarëve apo mbret i Shqipërisë?”, shkruar nga Robert Chariot, nënvizon gjithashtu: “Pavarësisht se ç’thuhet tani, është pikërisht ky emër [titull] që Zogu donte të merrte apo që populli shqiptar donte t’i jepte mbretit të vet të parë. Më pas, nuk dihet përse, u ndërrua mendje, u tha se pasuesit e drejtpërdrejtë të Skanderbegut ekzistojnë akoma në Itali dhe se vetëm ata kanë të drejtë të mbajnë këtë emër. Dhe për javë të tëra, lajmërohej ngado se Zogu do të merrte emrin e heroit kombëtar shqiptar dhe tërë gazetat folën për këtë, madje botuan edhe episode të gjata mbi jetën e Skanderbegut. Por në fund, nuk njihen arsyet e këtij ndryshimi të menjëhershëm” dhe Zogu hoqi dorë nga titulli “Skënderbeu III”.

Nga sa më lart, del qartë se sapo Zogu u shpall “Skënderbeu III”, menjëherë erdhi edhe reagimi negativ nga dy familjet kastriotase të Napolit, nga vetë pasardhësit e familjes së Gjon Kastrioti Skënderbeu, konkretisht nga markezi i Auletës dhe nga pasardhësit e familjes së Filip Kastrioti Skënderbeut, baronit të Kasteluçios. Të dyja këto familje arbëreshe kastriotase ishin madje të gatshme ta kalonin çështjen në proces gjyqësor dhe të shkaktonin skandal publik. Ndoshta në këtë mes ka luajtur rol edhe Roma zyrtare për të shmangur reagimet e forta në plan ballkanik e europian dhe për të ruajtur njëfarësoj balancat politike, sidomos në drejtim të monarkive të vjetra. Edhe pse gjithçka u bë “në emër të popullit shqiptar”, se ishte dëshira e tij që sovrani të shpallej mbret i shqiptarëve, edhe pse kolonitë shqiptare të Sicilisë, Kalabrisë dhe Zarës e njohën Zogun si monark të shqiptarëve, përsëri titulli i dytë “Skënderbeu III” binte ndesh, mbi të gjitha, me origjinën myslimane të vetë sovranit, ndërkohë që Heroi Kombëtar i Shqipërisë ishte pagëzuar nga papati me titullin “Atlet i Krishtit”. Nga ana tjetër, më 1928, Princ Wied nuk i kishte reshtur përpjekjet dhe rivendikimet e veta për të ruajtur gjer në fund titullin “Mbret i Shqipërisë”, madje i kishte shtuar ato, ndërkohë që çdo ndryshim regjimi në vend kërkonte edhe respektimin e formave diplomatike ndërkombëtare, sidomos për vënie kurore mbi krye. Më tej akoma, Rexhep Shala, ish ministri i brendshëm i qeverisë noliste, që drejtonte në atë kohë partinë e tij republikane, i kishte drejtuar Shoqërisë së Kombeve një protestë të fortë, ku vinte në dukje se “ndryshimi i regjimit në Shqipëri ishte fyerje jo vetëm për popullin shqiptar, por edhe për gjithë popujt ballkanikë”.

Pra, në rrethanat politike të krijuara, duheshin ulur tensionet, duhej hequr dorë të paktën nga titulli “Skënderbeu III”. Për më tepër që kronisti dhe analisti i njohur ndërkombëtar René Pinon, me artikujt e tij “bombë”, shpallte hapur se “... Ahmed Zogu ishte prej vitesh një diktator, pak a shumë i plotfuqishëm, dhe se Zogu I nuk kishte as më shumë e as më pak pushtete... Por, theksonte ai, ç’ka Europa i kërkon mbretit të ri është pikërisht të organizojë vendin e tij dhe të mbetet paqësor”.

Më 8 shtator 1928, në artikullin e botuar në organin republikan “L’Ouest-Eclair”,  Pinon e bënte të qartë për opinionin francez dhe ndërkombëtar “karakterin e vartësisë ku ndodhej Zogu I në drejtim të Italisë fashiste”: Ai nuk është veçse një “sovran i marrë nën mbrojtje” dhe që “vetëm falë kësaj mbrojtjeje, ai është sovran. U bë i tillë - vijon Pinon -, thjesht me mbështetjen dhe paranë e italianëve... u vu pra në shërbim të Italisë. Le t’i quajmë gjërat me emrin e tyre : ai u shit tek qeveria e Romës dhe e mbështeti pasurinë personale në marrëveshjen me Italinë...! ” (sic!)

Dhjetë vjet më vonë, pushtimi tragjik i Shqipërisë nga Italia fashiste dhe vetë fati i Zogu I do të vërtetonin fjalët e historianit frëng Pinon.

Një tjetër analist francez, Louis de Saint Victor de Saint Blancard, i njohur me pseudonimin Saint-Brice, vinte në atë kohë në dukje në revistën politike e letrare “Correspondance d’Orient” të shtatorit 1928, përgatitjet e mëdha që ishin bërë në Shqipëri për shpalljen e Zogut I, mbret i shqiptarëve. “Pa dyshim, theksonte ky gazetar, duke u shpallur mbret, Ahmet Zogu ndjek sidomos impulsin e ambicies së vet personale. Salla e fronit është gati që prej një viti. Një punë propagandistike është bërë pranë fiseve shqiptare... Italianët, sigurisht, i linin gjërat të rridhnin vetë. U lidhën me Ahmet Zogun dhe një nga klauzolat e paktit të Tiranës parashikon pikërisht ruajtjen e pushtetit të tij... Italianët nuk mund të dëshironin më tepër se një diktator të devotshëm për ta, të ndërgjegjshëm për domosdoshmërinë e ndihmave të tyre”. Sepse “Në fund të fundit, një diktator duhej të kënaqej me para, armë, mbështetje ekonomike dhe ushtarake”.

Po ky autor, në artikullin “Fillimet e mbretërimit të Zogut I”, në të njëjtën revistë “Correspondance d’Orient” të tetorit 1928, citonte një deklaratë të Zogut në “Daily Express” lidhur me mënyrën se si ky e konceptonte regjimin e ri: “Rezultati i parë i vendosjes së monarkisë do të jetë të çlirohet vendi im nga luftërat partiake... Mbreti do të jetë mbi partitë. Do t’i shërbejë vetëm kombit. Ministritë, ushtria dhe xhandarmëria do të jenë në kontakt të drejtpërdrejtë me monarkun, pa kaluar në ndërmjetës”.

Sigurisht, marrja e tërë pushteteve në një dorë do të haste në kundërshtimin e forcave politike shqiptare të majta, dhe shumë shpejt Fan Noli do të organizonte opozitën për të protestuar me forcë, duke krijuar madje edhe një komitet të emancipimit kombëtar që do t’i drejtonte Gjenevës një manifest “të fuqishëm”, por që do binte në vesh të shurdhët, kur njëra pas tjetrës Fuqitë perëndimore (të parat Shtetet e Bashkuara të Amerikës) do të njihnin monarkinë e re shqiptare. Në Europë e në botë, në mbarim të viteve 20 dëshirohej e kërkohej njëfarë statu quo-je dhe qetësie e përkohshme, si koha e bukur para furtunës së Luftës së dytë botërore. Ishin vitet 20-30 të depresionit të madh, të cilësuara “Années folles” (vitet e marrëzishme) kur harrohej frika dhe tallandia mes valseve të Shtrausit.

Më në fund, në po atë periudhë, shtator 1928, një tjetër autor, këtë radhë vetë drejtori i revistës “La Revue Diplomatique”, Jules Meulemans, duke paraqitur një jetëshkrim të shpejtë të “Madhërisë së Tij Zogu I-rë – mbret i shqiptarëve”, nuk mungon të bëjë lavde e të nxjerrë në pah mbi të gjitha cilësitë e veçanta të mbretit të ri, “i pajisur, si thotë ai, me zgjuarsi të fuqishme, mendje kureshtare, kulturë të gjerë, i prirë drejt ideve të reja dhe qytetërimit perëndimor”, kur që herët, luftërat ballkanike kishin ndezur tek ai “dëshirën e zjarrtë për t’iu përkushtuar kauzës së shenjtë të pavarësisë së atdheut”. Po ashtu, vijon gazetari frëng, “karakteri i tij energjik dhe njohja e thellë e psikologjisë së bashkëqytetarëve të vet, aftësitë e shquara si administrator e reformator do t’i mundësonin [mbretit Zog] të luante që herët një rol të dorës së parë në situatat e vështira që po kalonte atdheu i tij”. Dhe, si shembull në këtë drejtim, kronisti francez i njeh Zogut rol parësor në Kongresin e Lushnjës, kur “nga mendimet dhe diskutimet e tij do të dilte, thotë ai, statuti që, duke i siguruar Shqipërisë një qeveri të rregullt, do bënte të mundur që ajo të çlirohej nga pushtimi i huaj.”

I entuziazmuar pas figurës së Mbretit Zog, Meulemans rendit kështu arritjet e Shqipërisë në hapat e saj të para të forcimit shtetëror, kur “energjia e tij [e Zogut] bën mrekulli dhe [kur] brenda dy vjetëve ai vendos rendin në atdheun e vet... krijon rrugë, ushtri dhe marinë, administratë, shkolla dhe bankën kombëtare”. Autori citon Zogun, në besimin dhe këmbënguljen e tij se “vendi shumë shpejt do njohë begati..., se Shqipëria është vërtet shtet i ri, por komb shumë i lashtë... dhe se “vendit i nevojitet një kulturë moderne, me rini të kulturuar e të guximshme, me klasë udhëheqëse që t’i sigurojë kombit fate të shkëlqyera” (nënvizimi ynë).

Dhe ja ku pas gati një shekulli të shkuar, qëkurse Zogu parashtronte këtë platformë politike me rastin e shpalljes së tij “Mbret i shqiptarëve”, Shqipëria vazhdon sot e kësaj dite të përballet me sfidën e saj të gjatë për më shumë kulturë e emancipim shoqëror të nivelit europian, e sidomos për një klasë politike drejtuese të ndërgjegjshme për misionin e saj në ndërtimin e shtetit ligjor dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Që Zogu u shpall nga parlamenti “Mbret i shqiptarëve”, domethënë i krejt kombit shqiptar në kufijtë etnikë, kjo nuk përbën risi, në një kohë kur ushqehej ethshëm ideja e nacionalizmave dhe kur shqiptarëve u ishin bërë padrejtësi të mëdha historike me Kongresin e Berlinit dhe Konferencën e Ambasadorëve. Që më 1863, princi i ri danez Georges, që u zgjodh mbret  i Greqisë në vend të mbretit Othon të rënë nga froni, e shpalli veten “Mbret i Helenëve”, që nënkuptonte edhe vetë përfshirjen e Kostandinopojës “nën suazën e tij” me mbi një milion grekë që jetonin në vetë Stambollin e sulltanit, i cili u detyrua në atë kohë të protestonte ashpër në kancelaritë europiane.

Më në fund, çka i bënte interesant titujt “Zogu I-rë mbret i shqiptarëve” dhe “Skënderbeu III” ishte shpallja njëkohësisht e nënës së tij Sadije Toptanit “Nëna Mbretëreshë”. Lartohej kështu familja fisnike shqiptare “Toptani”, për të cilën konsulli i Francës në Shkodër Jules Alexandre Emile Degrand thotë në librin e tij “Kujtime nga Shqipëria e Epërme” (1902) se pinjollët e kësaj familjeje shprehen që janë pasardhës nga familjes e lashtë Topia dhe tregon me këtë rast edhe rrëfenjën e bukur të Ali Topiaj-Toptanit për themelimin e Tiranës.

Para disa kohësh na ka rënë në dorë një fotografi e Sadije Toptanit e vitit 1896. Me bukuri të veçantë shfaqet sa grua e re fisnike, aq edhe nënë e re, kur dihet viti i lindjes së Zogut 1895. Fotografia është bërë me sa duket në Itali dhe bien në sy po ato flokë  plot hijeshi gjithë onde që karakterizonin edhe princeshat shqiptare, motra të Zogut. Po e botojmë për herë të parë në shtypin shqiptar këtë foto të panjohur.

Ilustrimet e tjera janë nxjerrë nga Album-Antologjia enciklopedike “F. Andrea, Skënderbeu – Heroi Kombëtar shqiptar” (Zenit, 2017),  ku Zogu vërehet në krahun e majtë të Heroit kombëtar, ose pasandaj duke mbajtur mbi krye përkrenaren e Skënderbeut, e cila do të zbukuronte edhe stemën e Mbretërisë shqiptare.

Post Scriptum

Nuk e kemi zënë në gojë qëllimisht Skënderbeun II, sepse nuk përbën objektin e studimit tonë. Skënderbeu II apo Skënderbeu i Ri, apo edhe Gjergj Gjon Scannalibech  ekziston mirë e bukur historikisht, është një figurë mjaft interesante dhe enigmatike, konkretisht është nipi i vetë Skënderbeut apo djali i madh i Gjonit. Studiuesi pasionant Ylli Polovina dhe autori i këtyre radhëve disa herë e kanë trajtuar figurën e tij historike.



(Vota: 14 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: