Azgan Haklaj: Kushtrim lirie, këngë e zanave
| E Hene, 16.04.2018, 07:46 PM |

Kushtrim lirie, këngë e zanave të bjeshkëve

Sot në përvjetorin e 19-të të Shkelzenit, Fatmirit, Luanit ,Hasimit, në përvjetorin e 13-të Enverit.

Nga Azgan HAKLAJ

Nuk ka në hapsirën Shqiptare që nga Tivari deri në Prevezë që nuk njeh Epopenë e lavdishme të Dukagjinit dhë qëndresën e Haradinajve legjendarë.

Kam shkruar shpesh për betejat homerike të UÇK-së , për Marsin e dhimbshëm, por të lavdishëm të Jasharajve dhe Haradinajve, për Prillin e përgjakshëm të Koshares që shembi Murin e Berlinit mes shqiptarëve, por sot do të të flas për Kuartetin e Lirisë, Shkëlzenin, Fatmirin, Luanin, Hasimin, që ranë në betejën e përgjakshme në malet e Maznikut 19 vite më parë dhe për vrasjen mizore të Enver Haradinajt, siç e cilësoi Presidenti Rugova para 13 vitesh.

Ditën e varrimit të tij e shpalli zi kombëtare.

Megjithëse kam qenë disa herë mysafir në familjen kreshnike Haradinaj, nuk kam pyetur se kush e ka pagëzuar me emrin e Shkelzenit Madhështor djaloshin trim të Kosovës.

Shkelzen Haradinaj është një simbol i ri i qëndresës shqiptare, i cili luftoi 6 vjet me stoicizëm titanik, me vitalitet të pashoq, me trimeri të rrallë në betejat e përgjakshme për çlirimin e Kosovës.

"Trim si zana" siç thotë populli".

Ai rrjedh nga familja Haradinaj, e shquar për kontribut të madh patriotik brez pas brezi, e cila i dha luftës për liri 4 gjeneralë dhe tre deshmorë.

Kosovës simbolin e pamposhtur të qendresës, misionarin pa të dytë, De Golin shqiptar, Kryeministrin Ramush Haradinaj.

Shkelzen Haradinaj është përfshirë qysh heret në UÇK, në ilegalitet që në vitin 1993, përkrah Luanit, që ishte shtylla kurrizore e saj.

Shkelzeni gjatë luftës mbante nofkën skifteri dhe Xeni

Populli thotë " Trimi i mirë me shokë shumë".

Ai ishte mik me Adrian Krasniqin, Zahir Pajazitin, Rexhep Selimin, dajen Lahi Brahimaj.

Por ai pati fatin si askush tjetër, të ketë në krah bashkëluftëtarë e shokë ideali, vellezërit e tij trima Ramushin, Luanin, Enverin, Dautin Frasherin, Bacë Ilmiun dhe motrën e tij Meremen.

Shkelzeni në gjashtë vjet luftë të pandërprerë demonstroi guxim të rrallë, trimëri të pashoqe, ishte aksionist e guerilas i jashtëzakonshëm.

Ai ka një bilanc të jashtëzakonshëm luftrash fitimtare.

Çeta e tij gjatë luftës ilegale me aksionet e rrufeshme, të ngjashme me ato të Çerçiz Topullit dhe Azem Galicës u bë tmerri i armikut.

I goditi agresrët panderprerë, natën dhe ditën, në strofullën e tyre dhe i bëri tu dridhet toka nën këmbë.

Sëbashku me njesitin e tij u tregua mjeshter i pritave dhe aksioneve shkatrrimtare kundër armikut.

Vëçojmë 29 gushtin 1995 ku u vranë dy policë serbë dhe u plagosën disa të tjerë, si dhe aksionet e 12 shtatorit 1997 dhe 27 nëntor 1997 ku vriten disa policë serbë.

Renia heroike e Luanit me 6 maj 1997 nuk e ligshtoi, përkundrazi dhimbjen e ktheu në forcë.

Vetëm brenda një nate me shokët e tij ndermori 22 aksione të armatosura kundër bazave militare serbe.

Me dt 24 Mars deshmori Shkelzen Haradinaj dallohet si luftëtar i shkelqyer përkrah vëllezërve, Ramushit, Dautit,Enverit, Frashërit Bacë IImiut, Bujarit, motrës Meremes.

Në këtë dyluftim të përgjakshëm mbetën në fushëbetejë Agron Mehmetaj, Gazmend Mehmetaj dhe Hime Haradinaj dhe u plagos Ramushi.

Ushtria serbe pësoj deme të mëdha dhe u dtyrua të terhiqet.

Në luftimet e zhvilluara në Baballoq Shkelzeni plagoset në nofull dhe në krahëror.

Pas plagosjes rëndë të Enverit dhe plagosjes së Dautit me dt 9 gusht 1998 në frontin e Gramaçelit forcat serbe po i afroheshin shtabit në Gllogjan ,Shkelzeni shtrëngon plagët dhe gjindet në ballë të frontit për ditë të tëra.

Ai eshtë barrikadë e pathyeshme përballë kasandrave të njëpasnjëshme nga armiqtë dhe ishte faktori kryesorë i përballimit të ofensivës të Ushtrisë Serbe të shtatorit 1998.

Kryen me sukses detyrat e ngarkuara nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare.

Gjatë një aksioni gueril në prapavijë të armikut plagoset përseri me dt 18 nëntor 1998, në rrugën Deçan- Gjakovë ku u vranë 6 policë serbë.

Falë zgjuarsisë dhe dhë Guximit të Shkelzenit dhe luftëtarëve të Brigadës131 Jusuf Gervalla dhe Brigadës 134 u bënë digë e pakalueshme dhe e pathyeshme, varr për armikun.

Për 9 ditë 9- 18 janar 1999 luftëtarët e lirisë qendrojnë stoikisht duke e thyer keq Ushtrinë Serbe, e duke i detyruar të kthehen mbrapa.

Edhe në këtë betejë Shkelzeni merr plagë të reja.

Shkelzen Haradinaj shquhet në betejën e Pozharit historik zhvilluar me dt 27 Mars - 2 prill 1999 çka i detyroj forcat serbe të terhiqen dukë lënë dhjetra të vrarë, mes tyre dhe oficerë të lartë.

Me dt 5 prill drejton operacionin e tërheqjes së 40 të plagosurve.

Me dt 16 prill në malet e Maznikut në një betejë të ashpër gjoks për gjoks, dhemb për dhemb me forcat serbe per të mbrojtur popullatën civile në Bardhaniq Shkelzen Haradinaj ra heroikisht në Altarin e Atdheut së bashkua me shokët Fatmir Nimanaj , Luan Nimanaj, Hasim Halilaj.

Luftimet ishin të rrepta, në afersi deri 2 m.

Disa herë Shkelzeni me shokë ua kthenin bombat e serbëve që hidhnin në drejtim të tyre.

Deri në qiell jehonte kënga e luftëtarëve të lirisë.

Këndonin dhe luftonin panderprerë.

Shkelzenin më të fortë se shkembi, me madhështinë e bjeshkës që mban emrin e tij, nuk e rrezoi plumbi i armikut që e mori në gjoks, por ashtu i plagosur si gladiator nuk ndalet por vret nje polic serb.

Por kur e merr plumbi në ballë bie për të mbetur i pavdekshëm në përjetësi.

Bashkëluftëtarët e tij nuk besonin kurrë që mund të binte Shkelzeni, siç nuk mund të rrëzohet Shkelzeni madhështor nga asnjë lloj termeti, sado i madh të jetë ai.

Ai ra së bashku me bashkëluftëtarët e tij trima

Fatmirin, Luanin, Hasimin për të mbetur në panteonin e lirisë.

Kusherinjtë Nimanaj dhe Hasimi ishin pjesëmarres në betejat e përgjakshme ku u shquan për sakrificë e vetmohim për të mposhtur ushtritë e shumta të serbëve.

Ne keto beteja u plagosën disa herë dhe pa u shëruar plagët e vjetra merrnin plagë të reja.

Trimat e UÇK- së dilnin në fushë të mejdanit pa u tharë gjaku dhe pa u shëruar plagët e vjetra. Ata i shtrëngon ato dhe në dylyftime të ashpra plagoseshin përsëri, por nuk dorëzoheshim si Gjergj Elez Alia përballë bajlozëve të detit, si spartanët e lashtë në Betejën e Termopileve që luftonin me thonjë e dhembë përballë ushtrive perse të Kserksit.

Ata luftuan për çlirim kombëtar e bashkim të trojeve etnike.

Shkelzen Haradinaj u pagëzua me emrin e Shkelzenit madhështor pa e ditur se në shekullin e 20- të në betejën më të madhe të shqiptarëve do ta mbante me nder këtë emër dhe qendroi i patundur si Mali i Shkelzenit ku janë murosur Muji dhe Halili, ku flenë legjendat e tyre, lodrojnë zanat dhe rrezë tij u ndesh Gjergj Elez Alia me bajlozët e detit.

Ai mori fuqi prej tij si Anteu në mitologji.

Sot mbushen 19 vjet pa Shkelzenin, Fatmirin, Luanin e Hasimin.

Sot mbushen 13 vjet pa Enverin.

Por ata me veprën e tyre ishin të gjallë në 20 vjetorin e Epopesë së Jasharajve dhe Haradinajve.

Ata ishin Krushq Lirie në 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Vepra e tyre eshtë shkruar në germa të arta në historinë e re të Kombit Shqiptar.

Prilli i pranverës i larë me gjak, prilli i lulëkuqeve që mbin nga gjaku i tyre eshtë pranvera e lirisë, i denje për antologji.

Prilli i Koshares, prilli i Maznikut, do të jënë në Enciklopedinë Kombëtare përkrah betejës Shtimes dhe Slivovës të organizuara nga Ushtria e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit kundër ushtrive turke, që filloi me 18 prilli 1881, ku u luftua trup me trup e dhemb për dhemb për çlirim kombëtar nga Perandoria më e madhe e kohës.

Akti heroik i Mic Sokolit i cili i vuni gjoksin topit të sulltanit me dt 21 prill 1881 ka mbetur testament krenarie e patriotizmi në breza.

Bilbili i kengës shqipe Fatime Sokoli e ka përjetësuar në memorien e Kombit tonë kryeveprën legjendare të Mic Sokolit.

"Mic Sokoli yll ndër yje

Me gjoks topin e ka shqye"

Pa u tharë gjaku i Micit dhe trimave të rënë në betejë populli u ka ngritur këngën e pavdekshme:

" n'Fushë të Kosovës është lidh Jezeri

Haj medet ka mbetë shumë njeri

Mic Sokoli e Smajl Hyseni

A mi patë Smajlin e Micin

Fyt me fyt me Dervishin".

Apo kënga:

" Ali Ibra në vraç të zi

Po i shkon gjjaku për zingji

Se ktu i thonë Shqiptari".

UÇK- e lavdishme e ripërtriu Epokën e Gjergj Kastriotit (Skenderbeut), arkitektit të Nëntorit të Parë të Shqitarëve.

E përtriu Epokën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Epokën e Hasan Prishtinës, Isa Boletinin,Ismail Qemalit, Ded Gjon Lulit, Bajram Currit, Idriz Seferit, autorëve të Nëntorit të Dytë.

UÇK realizoi Nëntorin e Tretë.

Trimat e UÇK-së, që ranë në fushëbetejë, me këngë dhe me betimin e bajmë vdekjen si me le.

"Për Kosovën jap dy jetë

Vdekjen time e vras vetë."

Me aktet e tyre heroike na përsëritën historinë e përjetësuar në kengë.

" Çka kanë retë që po vetojnë

Dy dragoj sot po luftojnë

n'Kaçanik e në Caralevë

Isa Begu me Idriz Seferë".

Shkelzen Haradinaj vlerësohet me të drejtë si një nga herojtë më të shquar të luftrave për liri të Kombit Shqiptar.

Mal i përjetshëm i krenarisë dhe i qëndresës shqiptare.

Kënga popullore e ka bërë të pavdekshëm së bashku me Luanin.

" Se luani dhe Shkelzeni janë ba Diell janë ba Hanë

Dritë përmbi Gllogjan".

Ata ranë për të mbetur kushtrim lirie për vazhdimin e misionit ndaj Kombit.

Zanat e bjeshkëve ku pushonin trimat u xhelozuan kur eshtrat e tyre u morën për t’u prehur përgjithmonë në varrezat e Gllogjanit, në gusht të vitit 1999.

Lavdi dëshmorëve të Kombit, që dhanë jetën për Atdheun!

Lavdi!



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: