Adil Fetahu: Dialogu i brendshëm në Serbi
| E Hene, 02.04.2018, 11:11 AM |

Dialogu i brendshëm në Serbi

DISA TONE MË REALISTE NGA SHOQËRIA CIVILE E SERBISË

*Me nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit, Serbia e ka njohur dhe pranuar  rendin kushtetues-juridik të Kosovës, gjë që nënkupton shuarjen e institucioneve të Serbisë në KeM; *Nuk ka kthim në të kaluarën; nuk ka ndarje të Kosovës; status-quoja është e papranueshme; *“Zajednica” të bëhet kategori kushtetuese, me kompetenca ekzekutive; *Është në interesin e Serbisë që Kosova të bëhet anëtare e KB  dhe BE-së

Nga Adil FETAHU

Janë këto disa nga tezat dhe mendimet e theksuara të përfaqësuesve të më se 700 organizatave të shoqërisë civile të Serbisë, në të ashtuquajturën Konventa Kombëtare për BE, ku u debatua për aspektet politike të zgjidhjes së plotë të çështjes së Kosovës. Konventa u mbajt në Beograd, më 31 mars 2018, në të cilën mori pjesë edhe kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili e ka inicuar dialogun e brendshëm dhe ka paralajmëruar se pasi t’i dëgjojë e merr  të gjitha mendimet, sugjerimet dhe propozimet në procesin e dialogut, do ta hartojë e publikojë Platformën, për të mundësuar dialogun konstruktiv midis përfaqësuesve të pushtetit, të opozitës, të shoqërisë civile dhe të gjitha palëve të interesuara, për të arritur në Serbi konsensusin shoqëror në lidhje me Kosovën.

Në kuadër të Konventës, u debatua në tri panele: 1) “Aspektet politike të zgjidhjes gjithëpërfshirëse të çështjes së Kosovës”; 2) “Konventa Nacionale për BE”,dhe 3) “Pozita e komunitetit serb në KeM”. Kryetari Vuçiq për herë të parë mori pjesë vet në një raund të dialogut, ku përfaqësoheshin më se 700 organizata të shoqërisë civile të Serbisë. Përfaqësuesit e këtij paneli theksuan se shoqëria civile është kundër ruajtjës së konfliktit të ngrirë me Kosovën, prandaj dialogu i brendshëm duhet të shfrytëzohet për gjetjen e zgjidhjes. Është mirë që më në fund nisi  dialogu,  por nga ajo që u pa deri më tash,  fitohet përshtypja se shumica janë  për ruajtjen e status-quos dhe konfliktit të ngrirë, tha Sonja Liht, kryetare e Fondit për Ekskluzivitet Politik. Këtë pikëpamje e kanë përfaqësuesit e disa partive politike te të cilat mungon zgjidhja reale dhe konstruktive, si dhe njerëzit e painformuar dhe ata që flasin me emocione. Paknaqësi për rezultatet e dialogut të zhvilluar deri më tash shprehën edhe debatues tjerë. Verka Jovanoviq, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike, theksoi se shumë pjesëmarrës të dialogut kanë qenë për ruajtjen e status-quos, për ndarjen e Kosovës dhe kundër integrimit në BE. Përfaqësuesi i Qendrës për Dialog Shoqëror dhe Nisma Rajonale (Dushan Milenkoviq) u përqëndrua në rëndësinë e Bashkësisë së Komunave Serbe (“Zajednica”), si kusht për ekzistimin e Serbëve në Kosovë, së cilës, sipas tij, duhet t’i jepen funksione ekzekutive, dhe ndihma nga Beogradi. Ivan Gjuriq, nga Inisiativa e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut, u shpreh se në zgjidhjen e konfliktit me Kosovën duhet të merret parasysh se përse u shpall pavarësia e Kosovës. Sipas tij, Kosova nuk u rrëmbye me luftë, veç nga ajo se si e ka trajtuar Serbia. Për të arritur paqen, duhet të zbardhim anët më të errëta të së kaluarës dhe të kërkojmë falje, sepse decenie me radhë Shqiptarët janë diskriminuar. Duhet të tejkalohen stereotipet, ngase ekstremizmat serbe dhe shqiptare vetëm krijojnë urrejtje e vetizolim. Ai propozoi të këmbëhën sa më shumë vizita të të rinjëve, për të parë  të vërtetën e njëri-tjetrit e për ta ndërruar realitetin në të cilin jetojnë. Izabella Kisiq, na Këshilli i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, shprehi qëndrimin e atij Këshilli, se pa shikimin e  gjithanshëm të natyrës së problemit të Kosovës dhe të historisë së këtij problem, nuk mund të ketë zgjidhje reale dhe të qëndrueshme. Duhet të jemi realë, se  është e pamundur ndarja e Kosovës dhe kthimi në të kaluarën. Proceset e papërfunduara të krijimit të shteteve, dhe etnonacionalizmat në gjithë rajonin, po e rrezikojnë zhvillimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Bashkimi Evropian  ofron hapësirë për bashkëpunim dhe ngushton hapësirën për veprimin e nacionalizmave. Hyrja në Bashkimin Evropian është me rëndësi gjeostrategjike, dhe në këtë aspekt mbetja e Serbisë, apo e cilitdo shtet të rajonit jashtë BE-së e bënë shtetin më të ndieshëm në sfidat e politikës së jashtme. Është në interesin e Serbisë që edhe Kosova të hyjnë në Bashkimin Evropian dhe në Kombet e Bashkuara, theksoi Kisiq. Ajo vlerësoi se, falë bashkësisë ndërkombëtare, në dhjetë vjetët e fundit është arritur një përparim i dukshëm në infrastrukturë dhe në përparimin e jetës së qytetarëve serbë në jug të Ibrit. Komuniteti serb në Kosovë mundet dhe duhet të bëhet një faktor i rëndësishëm në krijimin e shoqërisë  kosovare modern, demokratike e multikulturore, poqese inkorporohet fuqishëm në proceset integruese. Qeveria e Serbisë duhet ta ndihmojë komunitetin serb në KeM, por duhet të heqë dorë nga politika e manipulimit më atë komunitet, për arritjen e qëllimeve territorial të cilat janë në kundërshtim me proceset eurointegruese. Problemi i serbëve në KeM është papunësia, varfëria, arsimimi i fëmijëve, joefikasiteti i zbatimit të ligjit.  Qysh prej vitit 1999, pika më problematike ka qenë Veriu i Kosovës. Beogradi zyrtar disa herë i ka viktimizuar Serbët jashtë Serbisë, duke refuzuar zgjidhje paqësore. Shpresoj që kjo qeveri të mos e ndjek rrugën e njëjtë. Serbët në Jug të Ibrit ishin në rrethana të vështira por kanë bërë përpjekje për t’u integruar në shoqërinë kosovare, dhe ai process akoma vahdon. Integrimi evropian është me rëndësi edhe në këtë aspekt.

Sonja Stojanoviq, nga Qendra e Beogradit për Politikat e Sigurisë, u shpreh se, sipas hulumtimeve të asaj Qendre, 74% e qytetarëve mendojnë se shfrytëzimi i forcave të sigurisë (ushtrisë) nuk sjell zgjidhje të qëndrueshme. Gjithashtu, theksoi se të gjitha hulumtimet e deritashme të Qendrës, kanë treguar se Serbët në Veri të KeM, më tepër janë të frikësuar nga strukturat mafioze serbe, se sa nga fqinjët Shqiptarë (këtë e pat deklaruar pak kohë para atentatit edhe politikani serb, Oliver Ivanoviq,a.f.). Ekzistimi i strukturave paralele, të cilat determinojnë jetën në Veri, kërcënimet dhe frikësimet e tyre, kanë shkaktuar shpërnguljen e Serbëve nga Kosova, ka thenë kjo dislkutuese.

Millan Antonijeviq, drejtor i Komitetit të Juristëve për të Drejtat e Njeriut (JUKOM), u shpreh se konflikti i ngrirë dhe status-quoja nuk janë zgjidhje, poqese duam ta përmirësojmë jetën e Serbëve në KeM. Ai thotë se duhet ta tejkalojmë frikën për të dialoguer. Në Kosovë i kemi humbur disa zëra të arsyeshëm që kishim, siç ishte Oliver Ivanoviqi, por jam i sigurtë se ekzistojnë edhe njerëz tjerë me të cilët mund të krijohet bashkëpunimi.

Dragisha Mijaçiq, nga  In-TER, që ishte moderator i panelit “Pozita e Komunitetit Serb në KeM”, tha se është realitet që Serbia herët a vonë do ta nënshkruajë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Prandaj, çdo shtyrje e nënshkrimit të asaj marrëveshje është në kundërshtim me interesat nacionale serbe dhe shprehet negativisht në qëndrimin e Serbëve në KeM. Me nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit, Serbia e ka njohur dhe pranuar rendin kushtetues-juridik të Kosovës, i cili nënkupton shuarjen e institucioneve të Serbisë në KeM. Ky proces sot është i pakthyeshëm, prandaj na mbetet vetëm të punojmë në avancimin e zgjidhjeve ekzistuese. Çdo zgjidhje tjetër e re, jashtë asaj suaze, do të na futë në situatë politike me pasoja të paparashikueshme për shoqërinë ton dhe për paqen në rajon. Përpilimi i marrëveshjes për normalizimin e marredhënieve, paraqet rast të shkëlqyeshëm, dhe ndoshta të vetmin, për t’i rregulluar marredhëniet midis Serbisë e Kosovës, dhe pavarësisht nga statusi, në rregullimin e marredhënieve me Kosovën, Serbia duhet të fokusohet në  përmbushjen e katër qëllimeve: të gjendën zgjidhje që garantojnë sigurinë dhe prosperitetin e Serbëve në KeM, e që përfshinë formmin e “Zajednicës” së komunave serbe, mbrojtjën e trashëgimisë kulturohistorike, dhe zgjidhjen e problemeve ekonomike. Qëllim tjetër është forcimi i besimi midis Serbëve e Shqiptarëve, gjë që është në interes të Serbisë dhe të paqes së përhershme. Zgjërimi dhe forcimi i marrëdhënieve ekonomike midis Serbisë e Kosovës, do të krijojë kushte për bizneset e Serbisë që të zhvillojnë veprimtari afarizmi “në krahinë”. Dhe qëllimi i fundit është fokusimi në përspektivën evropiane edhe të Serbisë edhe të Kosovës,- thotë Mijaçiq.

Stefan Surlliq, nga Qendra për Studime Intërdisiplinare të Ballkanit, thekson se zgjidhje e vetme për  KeM është arritja e një marrëveshje, sipas së cilës Serbët do të ndiheshin sikur po jetojnë në Serbi, ndërsa Shqiptarët sikur e kanë realizuar shtetësinë e tyre. Kjo, sipas tij, arrihet nëse

“Zajednica” e komunave serbe bëhet kategori kushtetuese. Ky diskutues e porositi Vuçiqin që ta shfrytëzojë ndihmën e liderëve evropianë për arritjen e marrëveshjes historike dhe zgjidhjen e çështjes së KeM. Konflikti i ngrirë do të na ballafaqonte me një popullatë e cila nuk ka kurrëfar identiteti me Serbinë, ndërsa ndarja nuk është zgjidhje, sepse do të margjinalizonte territoret dhe Serbët  në jug të Ibrit, thotë ky panelist.

Edhe Jovana Radosavljeviq, nga “Nova drustvena inicijativa” (Nisma e Re Shoqërore), është shprehur kundër ndarjës apo këmbimit të territoreve, që do të ishte mënyra më e rrezikshme, sepse gjysma e Serbëve do të mbeteshin të izoluar në Luginën e Moravës në Kosovë, gjë që do të shkaktonte shpërnguljen e tyre dhe do të rrezikonte përfaqësimin e garantuar të serbëve në institucionet e Kosovës. Prandaj, kjo diskutuese apelon për ndryshimin e qasjes në bisedimet që po zhvillohen në Bruksel, dhe të gjendet zgjidhje kompromisi,që të arrihet paqe dhe siguri.

Verka Jovanoviq, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike, mendon se arritja e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, e cila nënkupton neutralitetin e statusit, është e vetmja zgjidhje e qëndrueshme. Është me rëndësi të krijohen instrumente institucionale kundër diskriminimit të Serbëve në jug të Ibrit. Ajo mendon se “Zajednica” e komunave serbe, ashtu qysh është caktuar në Bruksel, nuk ofron garancë të mjaftueshme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut për popullatën serbe në KeM, prandaj duhet të formohet “Zajednica plus”.

Miodrag Milliçeviq, nga OJQ “Aktiv”, ka vlrësuar bisedet që janë zhvilluar disa muaj  deri më tash, në kuadër të dialogut të brendshëm,  por ato nuk kanë siguruar konsensus për statusin e Kosovës, prandaj vëmendjen duhet përqëndruar në zgjidhjen e problemeve të hapura me Prishtinën, sikur janë: njohja dhe pranimi i dokumenteve personale, që po shkakton problem në lirinë e qarkullimit; pastaj të punohet më shumë për kthimin e të shpërngulurve dhe të drejtat e tyre, kthimin e pasurisë, problemet e judikaturës, shfrytëzimit të gjuhës serbe etj. Me rëndësi vitale për ekzistimin dhe qëndrimin e Serbëve në KeM, janë sistemi i arsimit dhe ai i shëndetësisë.

Grupi punues për Kapitullin 35 (të procesit të integrimit në BE, a.f.), sugjeron që Platforma për zgjidhjen e gjithëpërfshirëshme të problemit të Kosovës, duhet të jetë në harmoni me kontekstin ndërkombëtar, duke pasur parasysh që çdo acarim i marredhënieve kirjon tensione të reja, të cilat nuk janë në favor të zgjidhjës së çështjes së Kosovës, dhe aq më tepër ua vështirësojnë jetën Serbëve në Kosovë dhe krijojnë ndasi të reja në shoqëri. Krijimi i paqes së përhershme nënkupton sundimin e ligjit.  Propozimi për zgjidhjen e gjithëpërfshirshme dhe për normalizimin e marrëdhënive midis Beogradit e Prishtinës, duhet të mundësojë rrugën e papengueshme të Serbisë për t’u anëtarësuar në BE, në harmoni me obligimet të cilat Serbia i ka marrë në kuadër të negociatave me BE.  Zgjidhjen duhet kërkuar në pajtim me kontekstin ndërkombëtar, në bazë të interesave reale të qytetarëve të Serbisë, në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare, para së gjithash me BE-në, dhe në kompromis me institucionet e Kosovës.  Ky grup konsideron se janë të papranueshme kërkesat maksimale të njerës apo të palës tjetër.  Bisedimet midis Beogradit e Prishtinës duhet të vazhdojnë me mirëbesim dhe përkushtim të të dyja palëve për zgjidhje gjithëpërfshirëse. Heqja dorë nga bisedimet dhe nga zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri më tash, paraqet rrezik për procesin e normalizimit të marredhënieve dhe forcon mosbesimin në synimet e të dy qeverive për sigurimin e jetës normale dhe prosperitetin e qytetarëve.  Dialogu i brëndshëm duhet të zhvillohet në institucione, para së gjithash në Kuvendin e Serbisë, gjë që deri më tash ka munguar.  Pasi të përgatitet Platforma për zgjidhjen e problemit të Kosovës, dialogu të vazhdohet midis përfaqësuesve të pushtetit, të opozitës, të shoqërisë civile dhe palëve tjera të interesuara, sepse kjo është e vetmja mënyrë për të arritur konsensusin shoqëror, të sigurohet zbatimi dhe të garantohet qëndrueshmëria e zgjidhjes së propozuar-miratuar, theksojnë anëtarët e Grupit “Konventa Nacionale për BE”, në konkluzionet e tyre paraqitur kryetarit të Serbisë, në kuadër të dialogut të brendshëm, që u mbajt më 31 mars 2017. Këto mendime e sugjerime të shoqërisë civile, shfaqën disa tone më realiste, në krahasim me tonet e dëgjuara deri më tash në procesin e dialogut të brenshëm serb.

Kur është inicuar Dialogu i brendshëm, është thënë se ai  do të përfundojë para muajit mars, ashtu që kryetari Vuçiq, duke marrë parasysh të gjitha mendimet, opsionet e propozimet, ta harojë Platformën për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Se kur do të përfundojë ai dialog, tashmë nuk ka një afat të caktuar. Nga i gjithë procesi i zhvilluar deri më tash, duket se më afër realietit kanë qenë përfaqësuesit e shoqërisë civile, në takimin e përmendur. Por, sa qojnë peshë mendimet dhe sugjerimet e tyre, kjo mbetet të shihet. Në këtë dialog akoma nuk e kanë dhënë mendimin e tyre as pozita as opozita. Nga ana tjetër, patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Irinej, si një kundërpërgjigje dialogut të shoqërisë civile, paralajmëri se Kisha së shpejti do të dalë në public me qëndrimin e saj zyrtar për situatën e përgjithshme “në krahinën tonë”, siç thotë ai djall në veladon.  Ka të ngjarë që patriarku këtë ta bëjë me rastin e Pashkëve ortodoks. Mediat serbe, informojnë se patriarku do të takohet me komandantin e forcave ushtarake amerikane në Bonstill, kolonelin Nik Duçiq, i cili e ka marrë komandën më 20 mars, dhe është me prejardhje serbe, që të tre fëmijët e tij i ka pagëzua me emra serbë (Ivan, Lluka, Natalija). Mendimin dhe qëndrimin e kishës serbe e dijmë, edhe pa e publikuar, sepse atë e ka shprehur mijëraherë deri më tash.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: