Sejdi Berisha: Gjurmë jete e dritë historie
| E Diel, 18.03.2018, 10:45 AM |

Analizë libri

Sejdi BERISHA:

TINGËLLIMA E VARGUT-GJURMË JETE E DRITË HISTORIE

(Fatmir Terziu: “Lumenjtë e ëndrrave”- poezi, botoi Shtëpia Botuese “Lulu” UK-USA Janar, 2012)

Po të lexosh krijimtarinë letrare të Fatmir Terziut, vëren një rrugëtim karakteristik dhe me plot temperament të dellit krijues gjithnjë me qëllim për të afirmuar vlerat shpirtërore dhe kulturore dhe krijimtarinë jo vetëm të vetvetes, i cili temperament, as autorin por as lexuesin nuk e lë të qetë pa u futur në brendinë ndijimit, të mendimit dhe të mesazhit, faktorë këta të cilët janë mirë të kompozuar me ankthin, makthin, dashurinë, me dritën, mallin dhe me etjen, por edhe me lumturinë e njeriut, me mirëqenien e tij dhe të atdheut. Të gjitha këto elemente, thekshëm dhe me amanetin e etjes shtrohen për ta ngritur lapidarin e dritës, e kjo, veçmas bëhet më domethënëse dhe me kuptim shumëdimensional, kur gjërat shkruhen e analizohen me shkrumbin dhe mallin për vendlindje, për atdhe, por edhe kur shkruhen nga ai këndi i shikimit të pafund në horizont, të cilin ta imponon kurbeti. Këtë karakteristikë me peshë filozofike e hasim edhe tek libri i pestë me poezi “Lumenjtë e ëndrrave” të shkrimtarit, Fatmir Terziu.

Vargu sinonim i shpërthimit shpirtëror

Vargëzimi dhe këndimi poetik në këtë vepër, prej fillimit ecën plotë dashuri e dhembje, por edhe, thënë figurativisht, edhe trishtueshëm, mu ashtu si ora në dhomën e vetmisë, rrjedhë mahnitshëm si lumi, por, ç’është ajo dhembja që dot nuk hiqet qafet, por, gjithnjë e më shumë zë vend në shpirtin e njeriut, në shpirtin e poetit, është se: “Dhe prapë nga e para/një zanafillë/një grahmë që s’na puqet/e djeshmja/e sotmja.../e mbara”. Andaj, kështu, që në fillim, autori na imponon mendimin të përcjellë me ritmin e jetës, ndërsa, jeta edhe pse na këshillon, ajo ndonjëherë, edhe pse i besojmë, nuk del e saktë në shkronjat e vargut dhe të jetës. Ndërkaq, peizazhet, edhe pse, si tek piktorët ashtu edhe tek poetët, janë simbol i madhështisë, i jetës fragmentare mbase edhe historike, këtë formë ravijëzimi, poeti na sjellë me një subtilitet dhe ndërtim vargu duke i hapur shumë tema për debat: “...Fati i një viti të plotë/Mbledhur në grusht”, dhe “...Dasma ka nisur vitesh/Çafkat i ka flakur tutje/Biznes i vetëm glasat që lënë pas/Një bust i ndotur prej tyre/Ashtu vesh këputur/Gojëlidhur nisi të flasë”!

Vargjet e tilla, që janë metaforë e veçantë dhe karakteristike, sikur para nesh sjellin nyjën, jo të Gordiut, por një tjetër për ta zgjidhur, atë i cili me shekuj e decenie ngulfatë për gjithçka! Këtë lëvizje zjarri të mendjes, poeti e ngre edhe më lartë kur na bezdis me përplasjet e “ëmbla” shpirtërore të tij: “Mos më pyesni për kërcitjen e gishtave/...Më ndje qenia ime tokësore/...Të ndjej edhe Ty/...Edhe kur nën zë bilbilat këndojnë”. E theksova këtë me një qëllim, sepse, këndimi nën zë, shpeshherë është sinonim i shpërthimit shpirtëror, sinonim i ankthit për diçka, mbase edhe atëherë nuk di ta shpjegosh deri në fund, gjë kjo e cila e bën edhe më të fuqishëm vargun, poezinë!

Prof. Dr. Fatmir Terziu

Kur lexuesi i lexon me kujdes dhe me përkushtim vargjet dhe poezitë në këtë vepër, ato duken sikur janë të zgjedhura e të përzgjedhura për të na sjellë panorama kohërash për të na fërkuar e përplasur qëllimshëm mendjen me etapa e periudha, duke na nxjerrë kështu nga fundit i fundit përjetimin dhe ndijimin, duke na provokuar mendjen që edhe opinioni lexues për të hartuar një hartë dhembjeje, historie, matematike, qortimi, lumturie e krenarie, e të cilat gjëra, pastaj na detyron t’i sublimojmë në një mendim të arsyes, i cili binarët e jetës do t’i pajtonte me peshën e tillë të mospajtimit dhe të pajtimit në të njëjtën kohë. E këtë, si nismë provokimi për lexuesin e hasim tek poezia “Albania” kushtuar Faik Konicës: “...Jeta tek vjen me mua/Shëtit rrugë më rrugë/Dhe botës i thua/”Albania” s’vdes kurrë”!

Kurse, karshi kësaj teme, kurbeti është shqetësimi më i madh shpirtëror, i cili kalon normalen e zjarrit dhe të etjes, por që për gjithçka bëhet piramidë kënge e dashurie; për vendlindjen dhe atdheun si dhe për njeriun të cilit trupi i merr frymë ilirisht dhe ka erë dheu e shkëmbinjsh të vendit, ku shqiponjat fluturojnë lirisht, e vëzhgojnë tokën e cila ka peshën e mallit dhe madhështinë e Zotit: “...Si qenka kjo bota kështu/...Çdo ditë unë e vuaj largësinë/...Të ftohtit e ndjej edhe në verë/Dhe shiut as këngën s’ia ndjej”
Por, kur lumenjtë marrin veten, dhe me ujin e kthjellët mahnitin gjelbërimin e tokës dhe bukurinë e fushave, ata, jo rrallë buzë vetes vjedhurazi prekin e lagin tokën dhe kështu tinëzisht i puthin ngjyrat e luleve që kanë petale përrallore. Andaj, për këtë, edhe poeti ka të drejtë të vargëzojë duke shmangur ndonjëherë rrugën e mallit dhe të zgjimit, e për të kujtuar “kalërimin” e jetës, duke shprehur në mënyrë të përzier edhe dhembjen edhe dëshirën, por ngjitur me to edhe mallin dhe vetëm mallin: “...Eh. Se ç’më zgjojnë takat nga gjumi/Dhe dijeni miq se s’është sekret/Pa taka na duket se na merr lumi/Dhe dheu më shpejt na tret...”!

Mirëpo, poeti menjëherë i kthehet realitetit që tronditë e dhemb për fatin e njeriut, për historinë e jetën, që janë të thurura e të ndërtuara edhe me shumë ngjarje-pasqyrë e çuditshme e njeriut që ia zë frymën kombit e atdheut: “Eh, sa gurë janë hedhur/Qëmoti për të gjakosur/Vrarë e nëpërkëmbur Fjalën/Të lirën e të bukurën”. Por, kur e analizojmë këtë, nganjëherë, më të vërtetë na duket mendim i tejkaluar dhe naiv, sepse, jeta është aritmetikë, mirëpo “Jeta rrokullisej përditë/Mes numrash me ankth e me frikë”.
E tërë kjo, na shpie për t’u ndërlidhur me poezinë “Mall”, e cila reflekton përjetimin e thellë shpirtëror të autorit me rastin e vdekjes së poetit Tahir Desku, i cili me vargun e tij karakteristik atëbotë i ushqente “Engjëjt e lirisë”, por edhe duke kënduar: “Në cilin gjeth e kam vdekjen”. Të gjitha këto, autorin e librit “Lumenjtë e ëndrrave”, e bëjnë shtegtar të jetës edhe të të tjerëve, për çfarë dëshmon se krijuesi, i tëri i është përkushtuar njeriut dhe jetës së tij, të cilat gjëra i rrumbullakon në rrethin e zjarrtë që quhet mall!

Në poezi, loti i nënës si faqe historish

Në “Lumenjtë e ëndrrave”, F. Terziu, gjithnjë ecën duke prekur çdo gjë që e ka në vetvete, që e ka të gjakut dhe të tokës e të vendit që i takon. Por, kjo merr pezëm e fuqi edhe më shumë, kur ai, larg atdheut thotë, këndon e ligjëron: “...Ditë-netët e mia/Murashë të largësisë/Garojnë në takimin tim me Ju”. Kjo, sepse, poeti në asnjë moment dhe në asnjë mënyrë nuk mund të pajtohet me largësitë që e kanë katandisur nga vendlindja dhe toka e rrahur, e përgjakur dhe trazuar nëpër shekuj, por gjithmonë stoike, krenare dhe përherë ishte pip në këmbë-vertikalisht, toka arbërore: “Në motin qaraman, të ngrirë, të bufatosur/Si troshanak pas një cope buke përditëso/Magazinoj kujtesën time/Dita-ditës/Struk e ngjesh në të/Si emigrant valixhen e detyruar/Në udhëtimin drejt vendlindjes”.
Lumenjtë e ëndrrave, njeriun e sjellin edhe tek thelbi i dashurisë dhe i dhembjes. Këto dy drejtëza prush e zjarr, takohen, ku tjetër pos tek nëna. Prandaj, F. Terziu na i “lidhë” duart dhe na ngushton mendjen për lotin e nënës: “Një pikë loti nëne/I ardhur nga Zoti për tu derdhur/Djepeve/Odave/Frëngjive/Sa herë që është e nevojshme/Loti i nënave!/Dobësia e tyre e vetme/Një lot për njerëzimin”!

Përmes këtyre vargjeve, poeti, si formulë matematike na sjell një histori të tërë, e cila ngjit me lotin e nënës na i shfleton edhe faqet më të vështira dhe më të ndritshme të kombit. Për këtë, loti i nënës dhe pesha karakteristike e tij na ofrohet si univers i veçantë. 
Autori, jeton larg atdheut. Andaj, siç kemi thënë edhe në fillim, ai është shpirt i trazuar, është me mijëra plagë nga më të ndryshmet, por është edhe me mijëra pikëpyetje për fatin e vet, të njeriut dhe të atdheut. Për këtë arsye, dhembjen e tij na ofron si pikturë: “Vite të tëra larg/Vragë në shpirt/Sy e duar ngatë/...Edhe pse mua pa Ju/Distanca më gërryen/Atdheu im, i vjetër i ri/Ndjej mall/para teje përkulem”!

Një gjendje të tillë në “Lumenjtë e ëndrrave”, e hasim edhe tek shumë poezi të tjera, si “Kredhje hutaqe”, “Në vend të ikjes”, “ Dhuratë e munguar”, “Gëlltitje” etj.

Kur vargëzimi bëhet dritë dhe portë e lumturisë

Vargu peshon më rëndë dhe shprush mendimin kur ngritë zërin për të shpjeguar se sa dhemb kurbeti, kjo plagë shekullore që ka goditur njeriun tonë. Andaj, poeti, kujtimet bashkë me kohën, të cilat korrespondojnë si valët e detit dhe të lumenjve, dëshiron ato dhe çdo gjë tjetër që ia rëndon mendjen e zemrën, t’i bëjë jehonë dhe pjesë të pashkëputshme edhe të lexuesit: “Ej, ndjesi të lumturisë/Ecni të paktën pranë meje/Ju ndjej/Ju prek/Ju njoh”, ose: “Ej, miq më dëgjoni/Këngën të paktën/Ma ndini/Vargun të paktën/Ma lexoni/Miq të vargut/Mikesha të fjalës/Më kuptoni që tretëm/Mes jehonës suaj/Më besoni”!

Pikërisht, për këtë arsye, poeti na rrëmben mendjen e zemrat edhe me poezitë: “Zbrastësi”, “Ne, 20-vjeçarët”, “Kacafytje guralecësh me ujëkripë”, “Kthinë” etj. Duke ndje mallin për atdhe, autori në “Lumenjtë e ëndrrave”, u këndon edhe shumë figurave dhe personaliteteve që atij ia “trazojnë” ecjet, si: Aleko Likajt, Vasil Qesarit, Pendeli Koçit etj. Poeti, thjeshtë shpreh rebelim, i cili edhe më shumë ia madhështon mesazhin poetik, sepse, siç dihet, përjetimet nuk rrinë galuc, por gjithnjë ecin dhe trazojnë e ngacmojnë njëri-tjetrin kudo që ndodhet poeti: “...Pastaj ndizem i tëri nën jorgan/Kaploj male, fusha oqean”. Shih se çfarë “rehatie” jete bën autori. Edhe nën jorgan, duke e braktisur gjumin, kush e di se çfarë bën duke shëtitur e duke vrarë mendjen, dhe pastaj sikur e “qetëson” shpirtin: “...Tani jam këtu bija ime/Jam këtu në këtë anë/Që të thërras ëndrrën time”, për të vazhduar: “Kush na trazoi bija ime/Kush na dredhoi rrugën e mirë/Kush na la në thërrime/Kush na la të ngrirë”!
Me këtë formë të vargëzimit, autori fuqishëm prezanton përplasjet shpirtërore të tij dhe jo vetëm të tij, të cilat, pastaj sikur shndërrohen në një rrëfim romani ku gërshetohet gjithçka që trazon, që sjellë dilema, por edhe njeriun e zbërthen në qëndresë të çuditshme, e cila bëhet si dritë që vjen nga lartë, kurse dera e lumturisë hapet njëherë, por përgjithmonë mirë. Bile, edhe atëherë kur “edhe gurët nën lumë pikojnë gjak”.
Të kësaj natyre fuqishëm tingëllojnë dhe bëhen gjurmë historie edhe poezitë: “Butrint”, “Janinës ia pashë sytë” e kështu me radhë.

Kthehemi tek mesazhi i veprës. Duke e njohur bukur mirë timbrin krijues të Fatmir Terziut, libri “Lumenjtë e ëndrrave”, në një mënyrë shpreh dhe prezanton një formë të biografisë së autorit, e cila shpalos faqe interesante, duke i gërshetuar ato, e nganjëherë edhe duke i shndërruar në periudha dhe etapa historike, që bashkërisht dhembin, djegin e përcëllojnë: “Ujëra pafund në ëndrrat e mia/Lumenj që rrjedhin pa pushim/Aty pastaj krihet vetmia/Aty nis çdo mendim”.

Në këtë vargëzim të “tensionuar”, autori mëton dhe dëshiron për të na bërë me dije, se: “Lumenjtë e mi kurrë s’flejnë/Lumenjtë ka kohë që janë egërsuar/Ëndrrave të mia të netëve dimërore/S’di ç’duhet për t’i qetësuar/Ndoshta, rikthim te ëndrrat rinore”!
Libri “Lumenjtë e ëndrrave” i F. Terziut është një vepër e cila edhe provokon edhe intrigon për vlerat letrare dhe të mendimit të thellë filozofik, për metaforën e vargut, të cilat, bashkë i ngjajnë bukurisë së kohës jo vetëm në katër stinët e vitit. Në këtë aspekt, mendimi dhe ndijimi sikur shndërrohen në një hartë e cila akoma e ka të paidentifikuar peshën dhe hapësirën e vetë, por që i ngjanë kopshtit me lule e plot gjelbërim, e që aty-këtu përvidhen edhe therra të cilat në aspektin metaforik e zbukurojnë qilimin e jetës!
Andaj, këtë analizë libri do ta përfundoj me disa nga vargjet e kësaj vepre: “Kohën e gozhduam mureve/E futëm në dosje/E kyçëm në sirtarë/E flijuam stendave, muzeumeve/Në parcela, kënde e qoshe...”! Pra, e tërë kjo dëshmon se rrugëtimi i mëtejmë është i domosdoshëm, por që do akoma më shumë ndërgjegjësim, vetëdijesim, angazhim, flijim e sakrificë dhe studim mbase edhe këndim poetik.

Për këtë, kujtoj se libri me poezi “Lumenjtë e ëndrrave” i Fatmir Terziut është edhe një vepër e cila begaton letrat dhe krijimtarinë letrare kombëtare.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: