Puntorie Ziba: Premiera e dramës 'Gratë'
| E Merkure, 14.03.2018, 02:23 PM |

SHFAQJE TEATRORE

KOMEDIA E ZEZË

Premiera e dramës “Gratë” u shfaq në dt. 26 dhjetor 2017 në Teatrin e Komedisë në Shkup. Në atë periudhë kohore unë gjendesha në Njujork. Autori i famshëm Robert Thomas dhe personazhet femra zgjuan kërshërinë tek unë si kultivuese e këtij zhanri dhe si adhuruese e flaktë e lojës së aktorëve në skenë. Kërshëria për ta shikuar dramën bashkë me veprimet që i kërkon drama, ishin personazhet femra dhe gratë aktore që do të ngjiteshin në dërrasat e Talias. Mos qofsha gabim, por mendoj se në tërë botën, në këtë  zhanër mund të jenë shkruar dy ose tri drama ku personazhet e dramës janë vetëm femra.

VËSHTRIM

Mbresat nga repriza e dramës “Gratë”

Drama “ GRATË” është i llojit të zhanrit që mund të përkufizohet mes trilerit dhe komedisë së zezë. Mbase edhe vetë regjisori e ka nuhatur që kjo dramë cilësore është e denjë për t’u ngjitur në skenën e Teatrit Shqiptar në Shkup.  Pjesa dramatike është shkruar në vitin 1961 nga autori francez Robert Thomas  dhe vihet në skenë nga regjiia mjeshtërore e Qendrim Rijanit.

Kjo dramë, ku ngjarja sillet rreth misterit të një vrasjeje, është vepra më e famshme e autori R.Thomas. Ky lloj zhanri me një tekst që i rezonon fatalitetit të pozitës diskriminuese të gjinisë femërore, sigurisht që ngjall interes tek spektatori i të dy gjinive. Shfaqjet teatrore ngjallin interes kur trajtojnë tema nga dukuritë e  përditshmërisë. Në subjektin e dramës hasen ngjarje që e shqetësojnë spektatorin grua.  Mbase ndonjëra prej tyre edhe mund ta gjej veten duke shikuar problemet që i bezdisin të gjitha gratë pa patur parasysh pozicionimin dhe statusin e saj në shoqëri.

Tema e kësaj drame është fatkeqësia që e përcjell  gruan gjatë udhëtimit të saj jetësor. Karakteret janë të ndërtuar sipas kërkesës që imponojnë rrethanat e caktuara. Brenda fabulës  shihet ballafaqimi imediat me të keqen, fati i nënës, i motrës, i bijës që ndihet e tradhëtuar, e zhgënjyer, e braktisur, e futur në ankth kur gjatë një jete pasojnë keqtrajtimet, kushtëzimet, devijimet, incestet, homoseksualizmi etj. Momentet e trishta dhe rrëqethëse të kësaj shfaqjeje, janë çastet kur personazhet rrëfejnë lidhjet dashurore me njeriun që ishin në afri gjaku. Incesti është njëri ndër çështjet më të rënda të shoqërisë njerëzore, prandaj autori, por edhe regjisori i shfaqjes gjen mënyrën e duhur për ta parandaluar këtë dukuri të shëmtuar të shoqërisë njerëzore. Edhe kjo është njëra nga qasjet serioze për ta parandaluar fenomenin, për t’i mbrojtur gratë, për t’i rehatuar ato shpirtërisht sepse familja dhe ata pak metro katror të futura brenda muresh, janë foleja ku rriten vajzat dhe ku duhet të jetojnë pa frikë me qëllim që të mos ndihen të frikësuara, të përbuzura dhe të nënçmuara. Ngjarje të ngjashme të shëmtuara ndodhin edhe në shoqërinë shqiptare sepse fenomeni nuk është ekskluziv për vende dhe shoqëri të caktuara. Personazhi femër që tregoi incestin, përmes lojës së saj në skenë arriti t’i thotë spektatorit se gratë që janë viktima të dhunës, shpirtërisht janë të vdekura.

Regjisori i kësaj drame realizon pasqyrimin e ndodhive, përmes interpretimit të aktoreve femra në skenë. Ato duken të brishta, të nënshtruara, të pambrojtura dhe të trembura deri në alivanosje, gjithmonë të ngarkuara me dilemën se cila nga ato ishte vrasësja e burrit monstër që abuzonte.

Disa nga personazhet themelor të kësaj drame, lidhen me subjekte dhe fabula që përbëjnë tërësinë e subjektit dhe të konfliktit. Kështu që regjisori dhe aktoret e kanë pas të lehtësuar punën për të arritur deri tek veprimi konkret dhe tek realizimi i figurave skenike.

Devijimet ndodhnin në një rreth të ngushtë familjar, ku vetëm njëra nga gratë kishte fituar të drejtën të del jashtë atij burgu shtëpiak për t’u shkolluar në Londër. Interpretimi i aktoreve na dha idenë se sa e shthurur ishte jeta brenda atyre mureve të shkreta, pikërisht aty ku e kishte fillin e shëmtuara dhe ku ndodhte shkundja nga ajo dremitje e zezë. Gjatë luftës me jetën, grave ju mungon  guximi të ruajnë frytin e ngjizur në rrethana të ndryshme. Ky fatalitet ndodh edhe në dramën “Gratë”.

Dyshimi në tërë ngjarjen sillet tek të gjitha gratë e futura në ankthin e pritjes së daljes në pah të një vrasësi. Ato duken të hutuara dhe të mbushura me dyshime për njëra- tjetrën.

Drama e arrirë në nivele artistike nxjerr në pah vetitë më të qenësishme të qenies femër, fatin tragjik si ndjekës monstruoz gjatë tërë jetës së një femre që duhet të rritet afër babait, afër vëllait, që duhet të arsimohet e të punësohet, që dodmosdo i duhet pavarësia ekonomike, që duhet të martohet e të krijon familje të shëndoshë.

Në regjinë e Qendrim Rijanit mund të themi se drama udhëton drejt një arritjeje sublime. Regjisori i ri ndërton një shfaqje me elemente mjaft të harmonizuara. Realizimi dramatik është një gjetje regjisoriale. Kërkesa e regjisorit dhe vullneti i aktoreve që përmes monologjeve të shkurtëra, të krijuara nga vetë ato, të përforcojnë mesazhin që duan t’ia përcjellin spektatorit, si dhe dëshira për të ndërtuar imazhin e realtë për gratë e keqtrajtuara,  e të mbushura me mllef e dilema për njëra tjetrën, të themi se plotëson dhe e pasuron subjektin e kësaj drame të shkruar nga një shkrimtar i madh me vlera të larta artistike.

Zgjidhja për lëvizjet e aktoreve në skenë ishte mjaft e përshtatshme. Gjetjet e befasishme dhe të mirëfillta në frymën tragji-komike, ishin monologjet dhe paraqitja e nervozizmit të grave me shpinë të kthyer nga publiku. Ato nxirrnin tymin e cigareve të ndezura, si me nxjerr shpirtin e tyre të zeherosur nga shqetësimet psikike të krijuara nga burri i “tyre”  përmes të cilit mund të identifikohen të gjithë burrat e zvetnuar të kësaj bote. Disa prej tyre njihen si dhunues, si mobing komunikues, si fantazma për ta frikësuar, për ta dhunuar gjininë më të bukur dhe më të brishtë: gruan. Kjo pamje skenike tregon momentet dramatike  ku nënkuptohet shikimi i grave, i drejtuar në asgjënë, frika, ngujimi në një farë lloj koshereje dhe pritja e daljes në shesh të dorës vrastare.

Për mishërimin e karaktereve regjisori me shumë sens ka angazhuar një grup aktoresh me përvojë,  për t’i realizuar me sukses karakteret.  Në dramë shikuam gjallërinë e aktores së dëshmuar në çdo shfaqje që nga fillimi i karierës së saj Z. Teuta Ajdini-Jegeni; Z. Drita Karaba si një figurë markante, thellimin e tërë qenies së saj në ndodhinë, interpretimin që të dhuron përshtypjen se ngjarja ndodh aty për aty, një mjeshtre aktrimi që do të mbetej për t’u dëshiruar në çdo skenë teatrore; figurën e realizuar emocionalisht të Linda Saitit; energjinë e Vjollca Bekteshit; dinjitetin skenik të Amernis Nokshiqit; gjestikulacionet, dinakërinë e saj prej aktoreje, ose si do ta quaja unë fluturën e shfaqjes Znj. Aida Elezi; figurën sharmante të Z. Aida Alidemit dhe emocionin që përcolli Z. Xaka Jonuzi-Çeliku.

Në tërë dramën nuk mungon befasia reale, befasia e veprimeve që përbën drama dhe sigurisht as befasia artistike. Padyshim se edhe në skenografinë e Fatos Bakallit nuk lënë për të dëshiruar kërkesat e skenës. Aty në skenë bindshëm mishërohen idetë. Skenografia ku shihen gratë e tubuara si në një koshere bletësh, është zgjidhje kulminante, befasuese dhe e mirëfilltë për lëvizjet dhe veprimet e aktoreve.

Muzika e kompozuar enkas për këtë shfaqje teatrore, realizohet me sukses nga kompozitori Fatos Lumani.

Angazhimi  krijues i regjisorit dhe profesionalizmi i aktoreve, në formën e duhur përcolli emocionin tek spektatori. Brenda natyrës dhe zhanrit të vet, shfaqja e dramës “Gratë” është përpjekje për të pasqyruar shqetësimin dhe ndodhitë fatale që akoma e përcjellin gruan në shumë vende të botës e në veçanti gruan, motrën e nacionalitetit tonë. Kjo dramë përcolli shqetësimet, problematikat dhe kërkesat e një kohe kur fenomenet e këtilla mund të luftohen në çdo mënyrë.

Puntorie Muça-Ziba



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: