Fritz Radovani: 11 mars 1948
| E Marte, 13.03.2018, 08:00 PM |

Nga Fritz RADOVANI:

11  MARS  1948,  ORA  05.00;

TEK  ZALLI  I  KIRIT,  SHKODER

25 BURGJEVE NË SHKODER ME 17 NANDOR 1946, I SHTOHET EDHE BURGU I KISHËS SË FRETENVE KU DO TË FILLOJNË HETIMET, TORTURAT, GJYQET E MBYLLUNA DHE VRASJET E PUSHKATIMET MBI 700 VETË...

Në Nandorin e 1946 nder disa Kisha Katolike të Shqipnisë së Veriut Sigurimi i Shtetit komunist, me urdhen të kriminelit Enver Hoxha futi armatime, tue fillue nga kjo Kishë si dhe të tjera në Dukagjin, Mirditë dhe Lezhë ku, akuzoi Klerikët e pafajshem...

Hetimet dhe torturat kanë vazhdue deri nga Janari i vitit 1948. Atëherë filluen edhe disa nga gjyqet e mbylluna në mensen e Kuvendit të kthyem në burg...  Shumë nga Klerikët Katolik janë pushkatue pa i pa dhe ndigjue njeri në gjyqe, mbasi nuk pranonin akuzat.

Prelatët e Klerit Katolik Shqiptar janë dënue me daten 8 Janar 1948. U mbajtën të lidhun duersh e kambësh, pa ju dhanë asgja me u ushqye madje, as ujë, deri me 11 Mars 1948.

Me 11 Mars 1948, rreth orës 4.00 të mengjesit bashkë me 12 persona të dënuem perpara per Lëvizjen e Postribës, u hypne në dy kamjona... Dhe, u derguen në Zallin e Kirit, tek Muri i Gjakut i Rrëmajit, në Token e Zef Sylës dhe, mbasi janë vendosë tek gropa e hapun, u asht marrë Fjala e Fundit dhe, po aty janë pushkatue... (Dosja 1302/II-A)

1. MONSINJOR FRANO P. GJINI tha se: Rroftë Krishti Mbret, Feja Katolike dhe Katolikët në botë, Rroftë Papa, gjaku dhe trupi i em mbetët këtu, por Shpirti dhe zemra është tek Papa. Rroftë Shqipnija!

2. PADËR MATI KOL PRENNUSHI tha se: Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës s’eme. Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Papa, Rrofshin Katolikët, Rroftë Shqipnija!

U bëj hallallë gjyqit dhe ato që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!

3. DON NIKOLL ZEF DEDA tha se: Rroftë Shqipnija, po vritem në punën teme. Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Populli Shqiptar!

P. Kryetar i Gjykatës Kapiten i I-rë                    (Misto Bllaci) d.v.”

Të dënuemit me vdekje që janë pushkatue atë ditë ishin:

1. Imzot Frano Gjini, 2. At Mati Prennushi, 3. Don Nikoll Deda, 4. At Çiprian Nika,

5. Cin Serreqi, 6. Dulo Kali, 7. Caf Dragusha, 8. Guljelm Suma, 9. Ing. Fahri Rusi,

10. Murat Hysen Haxhija, 11. Bilbil Hajmi, 12. Pjetër Prendush Pali, 13. Gaspër Simon Gaspri, 14. Xhelal Hardolli, 15. Zef Kol Prela, 16. Rasim Gjyrezi...

Fjalët e Fundit të Tyne nuk janë në Dosjen e pushkatimit.

1993 MJEKU LIGJOR DR. PAPAVRAMI MË KA TREGUE:

Atëditë me 11 mars, rreth orës 04.30 të mëngjezit kur po i lidhnin në Zallin e Kirit për t’i pushkatuar, në mes të At Matisë dhe At Çiprianit kanë lidhur ingj. Fahri Rusin, 28 vjeç. At Matia, i thotë Fahriut: “Fahri, je më i riu, qëndro si burrat dhe mos i turpëro të Parët e familjes s’ate!” - Fahriu i përgjigjet: “Nuk besoj se kush nga fisi im ka pasë këtë fat, me dhenë jetën mjedis dy Shejtënve, për çfarë me u tremb?” Burrërisht u ngjitën tek stomi i një gropës 4X2 ml. E hapur mbas Pendës së Kirit, drejt me çinarin e dytë, vërtikalisht me Pendën, në drejtim Lindje-Perëndim,” shpjegonte doktori, i thirrun si mjek ligjor në pushkatimin e këtyne 16 vetëve. “Mbasi i lidhën edhe ndër brryla me vargonj me drynjë, aty maje atij stomi, i kërkuan “fjalën e fundit”. Nuk më harrohet kurrë, edhe pse kanë kaluar 50 vjet, qëndrimi burrëror i klerikëve katholikë. Atyre nuk iu trembej syri nga vdekja, sëpse mbi jetën e këtueshme kishte triumfuar Ideali i lartë i fitorës së Parajsës me vuajtjët e tyre, që nuk mund të tregohën, madje, ato vuajtje nuk krahasohën as me Kalvarin. Shtinë me armë mbi ata gjokse burrash që dukeshin si lisa ... Ranë andej stomit ... kur u afrova per të vërtetuar vdekjën nuk arrijta të vizitoj asnjërin, kishin rënë në gropë dhe ishin mbuluar nga gjaku i tyre. Nuk dukëj se jetonte ndonjëri .., asnjë lëvizje në atë pellg gjaku. Mbas gjysëm ore i mbuluan me dhé. .....Atëherë, nuk dija të kuptoj si falët gjykatësi dhe toga e pushkatimit kur je i pafajshëm ... Krishti, Papa dhe Shqipëria ishin Ideali i tyre!” (Shpjegim gojor i Doktorit në vitin 1993, në Shkodër).

***

11 MARS 1948 “SHTINË ME ARMË MBI ATA GJOKSE BURRASH QË

DUKESHIN SI LISA...” E LISAT RANË ANDEJ STOMIT... PLOT 70 VJET...

Që, bashkë me Ata Lisa u shemben shkollat e Tyne, u shemb historia e gjuha e të gjitha Atyne Fidanishtave Europjane, nder të cilat, lulzonte Rinia Shqiptare... Bash aty ku, nuk u shue 500 vjet Formula “Atdhe e Fe” e Pasuesve të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut...

2018 Këte vit asht detyrë Atdhetare me kujtue Figura të Këtilla që kanë dhanë jeten!

Fatkeqsisht, asht tue u veprue në të kunderten e asaj që duhet të bante Shqiptari...

Kriminelët dhe terroristët nuk po ngopen me vjedhje, mashtrime dhe shperdorime...

Nder dritarët e Akademisë, arkivave dhe universiteteve shihet vetem “tym...”!

Melbourne, 10 Mars 2018.



(Vota: 5 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: