Ndue Dedaj: Muret Skënderbegiane të Lezhës
| E Enjte, 08.03.2018, 10:33 PM |

MURET SKËNDERBEGIANE TË LEZHËS

NGA NDUE DEDAJ

Besëlidhja e Lezhës, 2 mars 1444

Për historinë skënderbegiane vetëm muret kështjellore të Krujës mund rrëfejnë si ato të Lezhës, ngaqë me qytetin e lashtë buzë Drinit lidhën dy nga ngjarjet më të mëdha të Motit të Madh, Kuvendi i Besëlidhjes i 2 marsit 1444 dhe varrimi i Gjergj Kastriotit po aty. Lezha dhe Skënderbeu qëndruan bashkë për një çerek shekulli, nga rikthimi i Heroit Kombëtar në tokën amë e gjer në prehjen e tij.

E kundron Lisusin antik nga maja e Shëlbuemit dhe parasysh të lartohet një qytetërim i shuar, me vetëm majën e “ajsbergut” sipër. Përfytyron princët arbnorë, hipur mbi kuaj shale të bardhë e të zez, tek zbresin rëndë-rëndë në Lezhë, ku do të ngjizej besëlidhja shqiptare. Ishin tridhjetë princër, secili më fisnik se tjetri. (Tridhjetë kishin qenë dhe agët e Jutbinës.) Ata vinin nga krahinat e Krujës, Durrësit, Matit, Dibrës, Myzeqesë, Beratit, Zadrimës, Danjes, Shalës, Shoshit, nga Kosova etj; zotër bujarë si Gjergj Arianiti, Pal e Nikollë Dukagjini, Andrea Topia, Lekë Dushmani, Teodor Muzaka, Pjetër Spani, Lekë Zaharia, Gjergj Stres Balsha, po dhe Arianit Komneni, Gjin Muzaka etj. Pasardhës emërmëdhenj të Progonit e Dhimitrit të Arbërit, që kishin themeluar shtetin e parë të shqiptarëve (1190-1255) dhe institucionin vetëqeverisës të kuvendeve shqiptare, një vazhdë e pandërprerë besëlidhjesh nëpër shekuj, ku pas Kuvendit të Lezhës do të vinin Kuvendi i Ndërfanës (1594), Kuvendi i Dukagjinit (1602), kuvendet e Shpalit, për të mbërritur në vigjilje të Pavarësisë te Lidhja e Prizrenit, Lidhja e Pejës, Kuvendi i Dibrës, kuvendet e Jugut etj. Një gjerdan më vete i qendresës së popujve të këtij rajoni ishin dhe kuvendet ndërballkanike, që nisin me atë të Kuçit (1614) në malësitë shqiptare të Plavës e Gucisë, me pjesëmarrës prijësit e kryengritjeve të Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnjës, Hecegovinës etj., për të vazhduar më kuvendet e Prokupljes e Beogradit, për të njëjtin qëllim, përballimin së bashku të ekspeditave turke në Ballkan. Arbëria mesjetare ishte ende pa asnjë gjurmë të orientit dhe princërit shqiptarë ngjisnin me ata perëndimorë, që bekimin e merrnin në katedralet e tyre. Ndaj nuk është e rastit që dhe Kuvendi i Lezhës u mbajt në katedralen e Shën Nikollit, ku “të parin ndër të parë” zgjodhi zotin e Dibrës dhe Matit, Gjergj Kastriotin - Skënderbeun, i cili, duke predikuar bashkimin e madh të shqiptarëve, nuk kishte munguar të tërhiqte vëmendjen se “njerëzit janë më të prirur për të mos u marrë vesh, sesa për të rënë në ujdi”. (K. Frashëri.) Nuk qenka e rastit që dhe sot, pas pesëqind e pesëdhjetë vitesh, e kemi më të lehtë për të mos u marrë vesh, çka e gjejmë të shtjelluar mjeshtërisht te “Mosmarrveshja” e Ismail Kadaresë. Por kemi hyrë në “katedralen” e historisë së Lezhës dhe më mirë të ndjekim enigmat e saj, sesa të merremi me të sotmen, që dhe për pak desh e ktheu në “akshihane” kalanë e Lezhës, pa iu rikthyer as debatit të sertë ndezur kohë më parë, nëse duhej nxjerrë nga arka vënë te porta e kalasë apo jo pllaka me mbishkrimin e Sulltan Sulejmanit?...

Varri i Skënderbeut, në kala apo në qytet?...

Por nëse Besëlidhja nuk ka lenë as një peng mbrapa, me varrin e kryeprincit shqiptar nuk ka ndodhur kështu. Para një gjysmë shekulli ishte dhe atëherë si sot, Viti i Skënderbeut dhe qeveria kishte përcaktuar një serë punësh që duheshin kryer, ku kryekrejet do të ngrihej një memorial mbi varrin e Heroit Kombëtar në Lezhë. Por më parë duhej zbuluar varri! Dy kishin qenë qysh herët tezat për vendndodhjen e tij, njëra që varri ishte diku në pjesën e poshtme të qytetit dhe tjetra që varri ishte brenda kalasë. Ndërsa burrat e shtetit vendosnin kurora vit për vit në ngrehinën memoriale me kollona të mermerta dhe çati të tejdukshme, burrat e historisë nuk e kishin përfunduar debatin shkencor se ku kishte qenë në të vërtetë varri i kryezotit, tempulli që e mbante atë varr - Katedralja e Shën Nikollit, lart në kala apo poshtë në qytet? Një gjyq historianësh që nuk ka përfunduar as sot, megjithë praninë tashmë të Memorialit prej një gjysmë shekulli në qytet. Fundja nuk është e vetmja enigmë që lidhet me Skënderbeun, siç dihet, çeshtje e hapur është dhe vetë origjina e tij.

Marin Barleti njoftonte se Skënderbeu qe varrosur në kishën e Shën Kollit, por duke mos thënë se ku ishte saktësisht kjo kishë e përmendur, në qytet apo në kala. Shekuj më pas, Teodor Ippen, konsulli i përgjithshëm austriak në Shkodër, gjurmues i pasionuar i visarit arkeologjik e monumentor nëpër Shqipëri, ftillon tezën se një figurë madhore si Skënderbeu duhej të ishte varrosur në vendin më të rëndësishëm të qytetit, dhe e tillë ishte kalaja në kodrën si siprinë e Akrolisit, ku sipas tij duhet të ketë pasur në atë kohë patjetër një kishë, në rrënojat e një xhamie të mëvonshme, e cila kishte gjasë të ishte ngritur mbi ngrehinën e një kishe paraturke. Por arkeologu i njohur Frano Prendi, që ngarkohet zyrtarisht me zbulimin e varrit të Skënderbeut dhe kryen gërmime në Lezhën e 68-s argumenton të kundërtën e Ippenit, pa pasur kurrëfarë kompleksi nga statura e lartë e dijetarit europian të Akademisë vjeneze, domethënë që kisha e Shën Kollit nuk kishte qenë në kala, por poshtë në qytet. Duke nënkuptuar se varri i Skënderbeut duhej të ishte në një vend të sigurtë, për të mos u përdhosur nga turqit pushtues, në artikullin e tij studimor “Vendvorrimi i Skënderbeut”, ai shkruan se “qyteti i Lezhës, siç e tregojnë burimet historike dhe të dhanat arkeologjike, ka qenë po aq i forcuem me mure sa edhe vetë kështjella”. Njëherësh arkeologu argumenton se varri i Heroit nuk ndodhej as në kishën e fretërve të Shën Nunciatës (që njihet dhe si kisha e Dom Lleshit) në anën e tejme të Drinit - Marin Bici, kur kishte vizituar Lezhën me 1610, kishte dëgjuar një gojëdhanë, sipas të cilës Aleksandër Kastrioti - Skënderbeu kishte qenë varrosur në këtë kishë. Kësisoj Frano Prendi “ngulet” në Xhaminë Selimije të qytetit, duke zbuluar në nënshtresat e saj, si një palimpsest, katedralen e Shen Kollit e sipas tij dhe vetë varrin e Skënderbeut, çka bëri të ngrihej aty Memoriali. Ndërkohë, nuk do të ishte i një mendje historiani i shquar Kristo Frashëri, biograf i njohur Skënderbeut, i cili e konteston zbulimin e Prendit, duke e kërkuar varrin e Heroit, rrjedhimisht dhe katedralën e Shën Nikollit, në një vend tjetër aty afër, që nënkupton kalanë. Për këtë Frashëri citon një varg autorësh të huaj të shekujve të fundit e pikë së pari Teodor Ippenin, duke mbërritur në përfundimin se ai që për arkeologun Prendi është varri i Skënderbeut, “mund të ketë qenë piedestal i ndonjë monumenti antik ose vend adhurimi pagan, i mbuluar nga dheu i aluvioneve shekullore, por kurrësesi një varr, i cili, përveçse nuk përmbante asnjë gjurmë eshtrash, kishte përmasa të vogla e të papërshtatshme për trupin e madh të Heroit”. Kjo do të thotë se kërkimi i “gralit të shenjtë” skënderbegian nëpër muret e Lezhës nuk ka sosur.

Varri i Skëndebeut, në kala apo në qytet? do të vazhdojë të mbetet enigmë mbase dhe për do kohë, mbase përgjithmonë, por kjo nuk do t’i pengojë vizitorët t’i prekin eshtrat shkëmbore të prehjes së tij veshur me lëmyshkun e shekujve. Lezha është një qytet që tërheq vizitorët e të gjitha moshave e kategorive, nga nxënësit te pedagogët, diplomatët e huaj, ipeshkvinjtë, burrat e shtetit. Sidomos nuk mund të ndodhë të vijnë arbëreshët dhe të mos gazmojnë tek ky “breg” i historisë, ashtu si dhe kosovarët e shqiptarët e tjerë të trojeve e të diasporës. Një foto e gjithësecilit në këto mure, me “Skënderbeun”, është e pashmangshme. Edhe pse gjendet një bust i Heroit brenda “Vendvarrimit”, e udhës do të kishte qenë të kishte dhe një permendore në sheshin “Gjergj Kastrioti” të qytetit. Pse jo, në krah të tij, do të duhej dhe një shtatore e Frang Bardhit, thuajse i harruar në këtë qytet, si njëri nga katër shkrimtarët e parë të letërsisë shqipe, po dhe për aktin e rrallë se pati shkruar një apologji kushtuar Skënderbeut. Mirëpo Lezha moderne, me vendosjen e shtatores së merituar të Fishtës, ende nuk ka krijuar mundësi të vihen dhe disa shtatore të tjera të rëndësishme, siç mungon dhe një obelisk kushtuar Kuvendit të Arbërit të vitit 1703, një nga ngjarjet shqiptare kulmore pas vdekjes së Skënderbeut, mbajtur nën kujdesin e Papës, me origjinë shqiptare, Klementit XI.

Sot në Lezhë të gjithë mendojnë se si ta përmbushin sa më mirë Vitin e shënuar të Skënderbeut e ndoshta janë shkollarët që i japin më shumë kuptim atij, fëmijët që vizatojnë portretin e kryeheroit, si ata piktorët e mesjetës që ndritën me gravurat e tyre skënderbegiane...



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: