Zeqir Lushaj: Intervistë ekskluzive me juristin, publicistin, studiuesin dhe aktivistin Adil Fetahu
| E Enjte, 01.03.2018, 08:23 PM |

Intervistë ekskluzive per në ZSh

E DREJTA E ZOTIT... DHE LIVADHI

-JAM ME FAT QE KAM PRITUR ÇLIRIMIN E KOSOVES-

Juristi Adil Fetahu, intelektual mendje-ndritur i studimeve në shkencën dhe publicistikën shqiptare

-Intervistë me juristin, publiçistin, studiuesin dhe aktivistin e shquar shume dimensional kosovar Adil Fetahu, në 80-vjetorin e lindjes së tij.

30 pyetje per jeten, drejtesinë, krijimtarinë letrare publiçistike, shoqrinë (pak politikë) dhe familjen-

ZemraShqiptare ju don e vlereson ndaj dhe ju interviston në këtë jubile nepermes Redaktorit të saj të Pergjithshem-

-Adil Fetahu eshtë i vetmi që e ka paditur ish-kryetarin e RSFJ-së, Zoran Liliqin, për vepra penale kundër shqiptarëve dhe i pari që e ka shkruar publikisht (prill 1998), se kryetari i RFJ, Sllobodan Millosheviçi do të gjykohet në Hagë, për krimet që ka bërë e po bënë kundër shqiptarëve-

...!

-Si „para-dhënie“ per lexuesit e nderuar, po ju tregoj një „sekret“. Kur ia drejtova pyetjet zotri Adilit, ai më tha (miqesisht)  me shkrim se:  -më ke shti në „siklet“ per t'u pergjigjur në gjithë këto pyetje e nenpyetje , ma shume se kur e kam dhene provimin "E drejta romake"...!-

Nga Zeqir Lushaj

Me të drejte lexuesi i don dy fjalë permbledhtazi se kush është Adil Fetahu, perpara bisedes se drejte-per-drejte që po zhvillojme me të:

Një nder bashkpunetoret me serioz dhe kualitativ te revistes sone ZemraShqiptare,i nderuari Adil Fetahu ka nje jete shume aktive dhe produktive. Ai, ka 45 vjet pune te pamderprerë, si përkthyes dhe shef i administratës në Fakultetin Ekonomik; sekretar i Institutit Ekonomik; bashkëpunëtor i lartë në Qendrën Krahinore për Produktivitet dhe Inovacione; këshilltar i lartë në Bankën Popullore të Kosovë; gjyqtar i Gjykatës së Punës së Bashkuar të Kosovë; sekretar i përgjithshëm i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës; sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Juristëve të Kosovës. Ka qenë anëtar aktiv i shumë organizmave shkencore e profesionale. Ka marrë pjesë me kumtesa e referime në shumë tubime shkencore e profesionale në qendra të ndryshme në ish-Jugosllavi, por edhe jashtë vendit, kryesisht me tema nga fusha e mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve dhe të drejtave tjera. Me më se 300 artikuj të ndryshëm të botuar, ka bashkëpunuar e botuar në gazeta e revista të ndryshme të Kosovës e jashtë saj.

Është bashkautor i librit “Ekonomia e Kosovës (1981)”; autor i dispensës “Pronësia Industriale” (1981); autor i librit “Masat e përkohshme – akte të shkatërrimit të ndërmarrjeve ekonomike dhe të institucioneve të Kosovës” (1992); autor i librit “Krijimi dhe rrënimi i gjyqësorit të Kosovës” (2011); autor i “Buletinit Jubilar” të 20-vjetorit të Shoqatës së Juristëve të Kosovës (2011); koautor i dy botimeve të “Doracakut për provimet e jurisprudencës” (2001 dhe 2004); autor i disa moduleve të Institutit Gjyqësor për arsimimin ligjor të gjyqtarëve dhe prokurorëve (2005); autor i dy botimeve (në gjuhën shqipe dhe serbishte) të librit publicistik “Shtegtimi nëpër lajme” (2011 dhe 2013); koautor i Monografisë “Kujtimi për një gjeneratë” (2011), dhe i Monografisë “Lidhja e Pensionistëve e Kosovës” (2014)..

Në mbrojtje të Drejtës dhe Drejtësisë ( 2014), është një libër-enciklopedi për nga përmbajtja.

Në mbrojtje të drejtave të pensionistëve ( 2015),

Çamërinë përherë në mendje e zemër ( separat 79 faqe)… etj etj.

Nje pjese shume e madhe e artikujve e studimeve te zotri Fetahut, jane botuar ne ZemraShqiptare dhe ruhen ne arkivin e saj.

Me Adil Fetahun (djathtas). Shengjin 2017

I.  Zanafilla

1. Duke ju deshiruar edhe shumë e shumë vite jete të gjatë e të lumtur, në 8 dekadat e jetes suaj, per të cilat të urojmë perzemersisht,  cilen do e veçonit si më të suksesshmen, apo më të paharruaren tuaj?

Pergjigje:

- Në aspektin personal profesional, dekadën më të suksesshme e veçoj dekadën 1970-80, kur pa shkëputje nga puna kam kryer Shkollën e Lartë Administrative-Juridike dhe Fakultetin Juridik, në Universitetin e Prishtinës, dhe tre semestra të studimeve postdiplomike në Fakultetin e Shkencave Organizative në Beograd (që për shkak të shpërthimit të demostratave të vitit 1981 i ndërpreva).  Ndërkaq, më të paharruar e kujtoj dekadën 1990-1999,   luftën, ekzodin biblik kur afër 900.000 shqiptarë u detyruan ta lëshojnë Kosovën e të bëhen refugjatë,  dhe – më në funt çlirimin e  Kosovës nga okupimi 87-vjeçar serb, që e konsideroj veten  se jam me fat që kam pritur çlirimin.

2. Nga njohja ime per Ju, them se edhe njehere po ta rifillonit jeten separi, nuk do i ndaheshit profesionit te juristit? Ajo  jo?

Pergjigje:

- Jo kurrësesi. Ndarja prej këtij profesioni që e kam zgjedhur, do të thoshte ndarja edhe prej emrit tim që kam. Emrat e shumë shqiptarëve pavaresisht se në gjuhen arabe kanë domethënie në perkthimin ne shqip. Emri im (Adil) ka kuptimin: i drejtë. Emri yt (Zeqir) do të thotë: i dijshëm, dhe kam bindjen se, për koincidencë, ne të dy kemi punuar e vepruar edhe në frymën e kuptimit të emave tanë. Të drejtën e kisha profesion, ndërsa drejtësinë – vokacion jetësor.

3. Shoh se keni një vullnet të çelktë studimi dhe krijimtarie sa shpesh na ben edhe „xheloz“. Si e keni ruajtur këtë stabilitet?

Pergjigje:

- Ju jeni vet një krijues i afirmuar, prandaj s’kam çka të shpjegoj. Krijimtaria të lodhë, por edhe të jep knaqësi. Çdo shkrim i botuar në media të shkruara (po edhe në këto elektroniket) të jep  njëfarë knaqësie, ndërsa botimi i çdo libri është kurorëzim i një pune të përkushtuar dhe e gëzon autorin, sikur lindja e një fëmije që i gëzon prinderit e familjen. Kjo sigurisht ndikon në disponimin dhe stabilitetin e personit-autorit, sidomos nëse vepra e botuar është pritur mirë nga lexuesit.

4. A i ktheheni shpesh vendlindjes në rrethinat e Prishtines dhe a vazhdon të jetë ende ajo frymëzimi juaj?

Pergjigje:

-Në vendlindje shkoj herëpas-here, sipas rasteve, dhe shkoj më tepër për të mos u harrua me ata njerëz të mirë, ata malësorë që i dua dhe i respektoj dhe ata më respektojnë, por njerëzit e  brezit tim tashmë edhe aty janë rralluar jo pak. Sidoqoftë, atje jam rritur, kam jetuar 30 vjet, kam shumë kujtime dhe nostalgji për atë vend, ndonëse sa kam jetuar atje, pjesën më të madhe të jetës e kam patur të vështirë e në varfëri.

5. Jeni një mik i qytetit të Shengjinit dhe i revistes ZemraShqiptare, dy terrenet ku jemi njohur dhe sebashku.

Pergjigje:

-Me Shëngjinin dhe me Ty, jam njohur vonë (para 4 vjetëve). Pushimet verore në bregdet i kam kaluar prej Ulqini deri në ujdhesën Murter (në Dallmaci). Në bregdetin shqiptar kam kaluar pushime vetëm pas çlirimit të Kosovës, kur mund të vija pa pengesa. Disa vjet në “Mali Robit” (afër Kavajës), më pak në Sarandë, e këto 4 vjetët e fundit “e zbulova” Shëngjinin si destinacion i preferuar edhe për shkak të afërsisë nga Kosova dhe moshës sime. Me revistën “Zemra Shqiptare” jam miqësuar si lexues, përmes internetit, e më vonë me botimet e ndonjë shkrimi tim. “Zemrën Shqiptare” e lexoj rregullisht (adresën elektronike të saj ma ka dhënë i ndjeri Kadri Mani). Përmes “Zemrës Shqiptare”, e gjeta një mik real, mik për kokë siç thuhet, Redaktorin e Përgjithshëm të saj, Ty, Zeqir Lushaj. Pasi i kam lexuar të gjitha veprat Tua, dhe pas takimeve që kemi pasur në Shëngjin, miqësinë e kemi trashë dhe do ta ruajmë sa të jemi gjallë.

II. Shkallët e jetës

1. Shquheni per një arsimim intensiv në rininë tuaj. Nuk ka qenë e lehtë.

Pergjigje:

-Përgjigjen për këtë pyetje e dhash disi në pyetjen e parë. Po shtoj këtu se vërtetë nuk ka qenë e lehtë. Shkollën e Lartë dhe Fakultetin i kreva pa shkëputje nga puna. Përveç punës 8 orë në ditë, prej 7-15 (atëherë punohej edhe ditën e shtunë), sa kam studjuar në Shkollën e Lartë, pas orarit të punës, prej ores 17-22  rregullisht i ndiqja ligjëratat. Pastaj duhej lexuar shumë për të përgatitur provimet. Edhe gjatë studimeve në Fakultetin Juridik, kur kishte ligjërata pasdreke, i ndiqja ato. Kjo ishte sakrificë, por ia vlente dhe krahas vullnetit, mosha e përballonte.

2. Perfshirja në levizjen patriotike e pandarë nga ajo publiçistike e letrare. Edhe kjo jo krejt e kollajt!

Mësues në Shkollën Fillore në Koliq, viti shkollor 1966 - 67 (nga e majta Shefki Lahu, Adil Fetahu, Ibish Xhaferi, Abaz Jashari, Kadri Osmani, Shemsedin Kadriu dhe Fazli Maloku)

Pergjigje:

- Në kushtet që kemi jetuar në Kosovë në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, ka qenë gadi e pamundur të mos angazhohesh në një mënyrë a një tjetër në lëvizjen patriotike. Unë një aktivitet mjaft të dendur e kam zhvilluar në cilësi të sekretarit të përgjithshëm të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), dhe më pas të sekretarit të përgjithshëm të Shoqatës së Juristëve të Kosovës.  Nga ato pozita, kam zhvilluar aktivitet si në aspektin organizativ, ashtu edhe në atë teorik. Kam hartuar e dërguar në adresa të ndryshme ndërkombëtare mijëra faqe informata e raporte për diskriminimin dhe represionin serb kundër shqiptarëve. Jam i vetmi që e kam paditur ish-kryetarin e RSFJ-së, Zoran Liliqin, për vepra penale kundër shqiptarëve, dhe i pari që kam shkruar (prill 1998), se kryetari i RFJ, Sllobodan Millosheviqi do të gjykohet në Hagë, për krimet që ka bërë e po bënë kundër shqiptarëve. Shumicën e atyre shkrimeve të botuara atëherë në gazeta, i kam përfshi  në librat e mia publicistike, të botuara më vonë. Vërtetë, nuk ishte kollaj dhe nuk ishte pa rrezik, po  të rrezikuar ishin të gjithë shqiptarët në Kosovë.

3. Në korpusin e botimeve tuaja të shumta prej  12 librash, cilin nga ato e rimerrni më shpesh në dorë?

Pergjigje:

- Për autorin të gjitha librat janë “të dashura”. Libri “Krijimi dhe rrënimi i gjyqësorit të Kosovës”,  ka një peshë të veçantë shkencore e profesionale, ndërsa libri “Në mbrojtje të drejtës dhe drejtësisë”, me tema të ndryshme e të dhëna të shumta nga fusha të ndryshme, e them pa modesti, se është njëfar “enciklopedie e vogël”, prandaj këtë e marr në dorë më shpesh, kur më duhen të dhëna të caktuara për shkrimet që bëj.

4. A e shihni rininë kosovare të angazhuar mirë në rrugen e shkollës e të dijes?

Pergjigje:

- Jo, nuk është mjaft e angazhuar, dhe për këtë ekzistojnë disa shkaqe. Së pari, sistemi i arsimimit, në vend se të avancohet e përmirësohet, ka degraduar keq, dhe dijen e fituar në arsimin tonë në Kosovë, në Shqipëri e në Maqedoni, PISA e ka vlerësuar me nota tejet të dobëta. Së dyti, të rinjëve po iu mungon motivi për mësim e dije. Shkalla e papunësisë së të rinjëve është e madhe. Ata që gjejnë ndonjë punë, jo në bazë të konkurrencës së dijes, por në bazë të lidhjeve të tjera, e shohin se dija nuk çmohet as nuk mund të avancojnë në bazë të dijes, por në bazë të përkatësisë partiake, klanore, familjare, apo të korrupsionit. Përqindje e madhe e të rinjëve synojnë të dalin jashtë shtetit, gjë që është mjaft shqetësuese. Interneti dhe rrjetet sociale, që nuk  shfrytëzohen në funksion të fitimit të diturive të reja, është vetëm humbje kohe.

5. Si ndihet Adil Fetahu kur shkon te femijtë e tij në emigracion?!

 Çifti Fetahu me fëmijët, fëmijët e fëmijëve dhe nuset e djemeve

Pergjigje:

-Dy djemtë e mëdhenj me familjet e tyre jetojnë e punojnë në Londër, ndërsa vajza e vogël me familjen e saj jeton e punon në Gjermani (Weinstadt, afër Shtutgartit).  Unë me gruan time shkojmë rrallëherë (kemi qenë gjithsejt tri herë). Më tepër preferoj të vijnë ata në Kosovë, bashkë me fëmijët e tyre. Ta dijnë se këtu e kanë rrethin e njerëzve  të gjakut të vet, të mos e harrojnë ata as gjuhën amtare. Dhe ata vijnë çdo vit, bile së paku njëherë në vit për pushim, por shpeshherë edhe kur kanë fëmijt pushime nga shkolla.  Kur i vizitoj atje,  sa jam brenda në familje, ndihem “si mbret”, kur jam jashtë familjes ndihem si turist fare i parëndësishëm. Kur kthehem prej andej, ndihem shumë i emocionuar, sidomos kur ndahem me fëmijet e “fëmijve”, sikur që ndihet çdo gjysh.

III. A janë e drejta dhe e padrejta dy anë të drejtësisë? 

1. Shprehja popullore „Ndaje me të drejtë të Zotit, por livadhin lema mue“, a tregon se e drejta është subjektive dhe deri ku lejohet kjo?

Pergjigje:

-Nëse drejtësinë e shohim nga dy anë, si medaljen, ana e ndritshme e saj, ajo që shprehë vlerën e vërtetë, është drejtësi. Ajo është faqja e bardhë. Ana tjetër është padrejtësi, është – faqja e zezë. Ajo shprehja popullore që përmende, është ana e errët, dhe mjerisht po dominohet në sistemin tonë, edhe në Kosovë edhe në Shqipëri. Shkaqet janë të shumta. Padrejtësi ka pasur dhe do të ketë gjithmonë, diku më shumë e diku më pak, veçse jo kaq shumë e kaq hapur. Fundja, vet shprehja që përmendët: “Ndaje me të drejtë të Zotit, veç livadhin lema mua”, tregon një traditë të hiles dhe padrejtësisë. Sot pushteti gjyqësor, që duhet të ndajë drejtësinë, nuk është i pavarur, por është i ndikuar nga politika, nga ekzekutivi, nga mafia, është i frikësuar,  është edhe i korruptuar, siç janë të gjitha segmentet e tjera të shoqërisë.  Gjykatësi që ndanë drejtësi, thënë figurativisht, duhet të jetë “qorr dhe i shurdhër”, të mos e shikojë cilin e ka përpara, as të mos dëgjojë kush çfarë i thotë anash, por rastin konkret ta zgjidhë drejtë, sipas normave të ligjeve pozitive, pa marrë parasysh pozitën a statusin e palëve. Drejtësia – nuk duhet të lejojë padrejtësi ndaj askujt.

2. Ku ndahet e drejta me interesat e atij qe e kerkon atë. Kush e percakton shoqen, e drejta interesat apo e kunderta? Si lindi shprehja „E drejtë si konopi në thes!“.

Pergjigje:

-Interesat  dhe kërkesat e individëve a grupeve të caktuara janë të ndryshme dhe ato duhet ta kenë bazën juridike sipas ligjeve në fuqi. Nëse një kërkesë nuk ka bazë ligjore, ajo nuk është e drejtë dhe aty ndahet. Sot është në modë dhe shumë e përhapur sintagma “konflikti i interesit”, dhe kjo ka të bëjë me shfrytëzimin e pozitës ose lidhjeve për realizimin e interesit të caktuar, edhe pa pasur të drejtë. Për korrupsionin as të mos flasim. Pra, e drejta e përcakton interesin e ligjshëm. Sintagma: “i/e drejtë si konopi në thes”, ka lindur mu nga defektet në zbatimin e drejtësisë, dmth. kur nuk funksionon drejtësia si duhet, dhe kjo i referohet individit i cili “ndanë drejtësinë”, por nuk e ndanë drejtë, veçse e lakon, për çfarëdo arsye qoftë.

3. Si e sa e ndjeni ju juristet betimin shekullor të të parëve tanë: „Pasha të drejten e Zotit“  si dhe thenien se „E drejta zhytet por nuk mbytet“?

Pergjigje:

-Eeeh more Zeqo: - Betimi “në të drejtën e Zotit” është betim i vjetër jashtë-institucional, që ka premisa fetare,  por njerëzit i kanë besuar më shumë, se vetëm e drejta e Zotit është perfekte.  Betimit në kushtetutë apo në ligje që bëhet tash, nuk i beson askush, madje as vet ata që betohen. Sintagma “E drejta zhytet, por nuk mbytet”, tregon se megjithatë, njerëzit kanë shpresë dhe besojnë se e drejta heret a vonë ngadhnjen dhe arrihet, se e drejta as nuk fundoset në ujë, as nuk digjet në zjarr.

4. A ka ndonjë dekoratë më të madhe per një njeri e sidomos kuader, se sa kur të tjerët thonë se „Filani është njeri i drejtë!“

Pergjigje:

-Virtytet e njeriut janë të shumta. Drejtësia është mbretëreshë e të gjitha virtyteve. Platoni, para 2500 vjetëve, e ka thënë: “drejtësia është virtyti më i lartë; gjithë ari që gjendet nën tokë e mbi tokë, nuk është i mjaftueshëm për ta dhënë në këmbim të virtytit”.

5. A është Kanuni i Lek Dukagjinit një nder kushtetutat më të vjetra të Europës?

Pergjigje:

-Kanuni i Lekë Dukagjinit është një kodifikim i mbledhur i traditës, mençurisë, filozofisë, përvojës jetësore arbnore-shqiptare, i sintetizuar dhe i shkruar, që përmbanë parime e rregulla të organizimit shoqëror. Është një dëshmi monumentale e vlerave dhe e kulturës juridike të popullit shqiptar, në fushën penale, civile, familjare, për të mbrojtur jetën, pasurinë dhe dinjitetin e njeriut. Me parimet dhe normat që përmbanë Kanuni ka vlerë historike dhe  kishte përmasa të një kushtetute, kur asnjë popull në Europë nuk ka pasur kushtetutë.

IV. E drejta e Zotit …dhe livadhi ballkanik!

1.  Pse në fatin e ne shqiptarëve kaq shumë padrejtësi ballkanike dhe europiane?

Pergjigje:

-Kombet dhe shtetet e vogla gjithmonë kanë qenë, dhe do të jenë “monedhë kusuri” në pazaret që bëjnë kombet dhe shtetet e mëdha për ineresat e tyre. Kjo politikë ka shkaktuar luftëra e tragjedi. Në Ballkan, populli shqiptar e ka pësuar më së keqi, sa që është tkurrë maksimalisht, është ndarë në disa shtete, dhe ka mbetur në nivelin më të ulët të zhvillimit në çdo pikëpamje. Dihen pazaret e fuqive të mëdha që kanë bërë në kurriz të shqiptarëve,  në Kongresin e Berlinit (1878), në Konferencën e Londrës (1913), në marrëveshjet e hapura e të fshehta, sipas të cilave Shqipëria do të fshihej nga harta politike. Pas Luftës së Parë Botërore,  ishte presidenti amerikan Wudrov Wislon që e shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi midis monarkive të Ballkanit. Në shenjë nderimi e  mirënjohje për këtë kontribut,  qyteti yt, Shëngjini një kohë mbante emrin “Qyteti Wilson”. Mjerisht, ndaj shqiptarëve edhe sot Europa udhëheqë një politikë diskriminuese në çdo pikëpamje. Me çlirimin e Kosovës (që është meritë e Amerikës), është bërë një ndreqje e vogël e padrejtësisë, por Europa e ka  izoluar keq, ndërsa për Çamërinë dhe çamët as që i përmend kush, përkundër gjenocidit dhe diskriminimit që  është bërë dhe  bëhet atje.

2. Pse ne livadhin ballkanik gjithnje gardhi shtyhet në tokat tona?

Pergjigje:

-Sepse nuk jemi mjaft të fortë për ta mbrojtur vet, as nuk kemi një mbrojtës të fortë e të vendosur, sikur e kanë ata që e shtyjnë gardhin.

3. Njiheni si dalzotes i pakursyer i Çamërisë. Si e shihni të nesermen e saj?

Pergjigje:

-Druaj se fati i Çamërisë do të jetë si fati i Sanxhakut të Nishit, që ishte shqiptar, por sot nuk ka asnjë shenj shqiptare. Në Çamëri është bërë gjenocid, deri sa nuk ka mbetur asnjë shqiptar i besimit mysliman, ndërsa ndaj vëllezërve tanë shqiptarë të besimit ortodoks është ushtruar e po ushtrohet procesi i asimilimit të plotë, duke mos pasur asnjë të drejtë të identitetit si minoritet autokton. Klero-fashizmi dhe nacional-shovinizmi grek është regjimi më i egër në Europë, i cili nuk iu njeh asnjë të drejtë minoriteteve brenda shtetit të vet, derisa ngritë zërin në kupë të qiellit për minoritetin grek në Shqipëri, të cilët gëzojnë të drejta plotësisht të barabarta me shqiptarët.

4. A i perfytyron gjithe trojet shqiptare në një shtet dhe a ka rrezik që at’herë të zihemi më shumë me njeri tjetrin se sa me pushtuesit tanë shekullor?

Pergjigje:

-E parafytyroj, në një të ardhme jo fort të afërt. Së pari, duhet të forcohemi e të bëhemi faktorë të rëndësishëm si dy shtete (Shqipëri e Kosovë), ose si një shtet  i bashkuar, të fitojmë miqë e përkrahje nga faktorët relevantë ndërkombëtarë, dhe të punojmë me mend në realizimin e aspiratës së bashkimit kombëtar. Deri atëherë, duhet t’iu ndihmojmë shqiptarëve në shtetet përrreth që ta ruajnë dhe forcojnë identitetin kombëtar, të lënë grindjet partiake për pushtet në shtet të huaj, por të bëhën grusht në çështjen kombëtare. Zënkat mes vete, sado që janë të dëmshme dhe pengojnë ecjën përpara, kanë karakter tjetër prej zënkave me pushtuesit.

5. Bota po i kthen kufinjte në konvencional kur ne akoma nuk i kemi zgjidhur kufinjt politik teritorial. Vonesa jonë  historike a mos na vë në kontraditë me frymen bashkohore europiane. A ka rrezik që ndonje “I madh” të merzitet me ne e të thotë: “Ooou, edhe keta shqiptaret”!?

Pergjigje:

-Për moszgjidhjen e kufijve tanë, fajin kryesor e kanë fuqitë evropiane, edhe në këta kufij po na bajnë ne geto. Qytetarët e Europës sot i kalojnë kufijtë shtetëror pa kurrëfar pengesash as pritjesh, ndërsa shqiptarët, edhe kur krejtësisht janë në rregull me letrat, duhet të presin 7, 8, 10 orë, ose ditë të tëra në kufi, duke filluar prej Serbisë e gjithandej nëpër Europë. Madje, në aeroportet evropiane janë linja të veçanta për shqiptarët dhe ballkanasit tjerë! Por, nëse tërë kohën vetëm flasim e lamentojmë për kufijtë, sigurisht do t’iu mërzitemi edhe miqve të paktë që kemi.

V. E drejta e Reformes në drejtesi

1. Një Drejtësi, nëse është e Drejtë, a ka nevojë per reformim?

Pergjigje:

-Reforma në drejtësi është e nevojshme, për të përcjellë trendet e zhvillimit të përgjithshëm dhe për të krijuar ambient më të mirë juridik e shoqëror për jetën e qytetarëve dhe veprimin e subjekteve tjera. Reforma po na imponohet si kusht në procesin e integrimit në BE, pa marrë parasysh kushtet, rrethanat, mentalitetin, traditën vendore.

2. Kush fiton me shume në jetë, e drejta apo e padrejta?

Pergjigje:

-Jeta e njerëzve dominohet nga padrejtësitë, sepse më shumë njerëz janë të padrejtë, qofshin ata qytetarë të rëndomtë, apo zyrtarë të shtetit. Drejtësia e vërtetë është ndërgjegje, që shumicës iu  mungon.  Frytet e drejtësisë janë më të rralla, më zor  arrihen, por janë më të ëmbla.

3. Si e shihni Reformen në Drejtesi që gati po permbyllet në Shqiperi?

Pergjigje:

-Reforma në drejtësi që po bëhet në Shqipëri dhe në vendet tjera të cilat aspirojnë të integrohen në BE, është e imponuar. Ajo bëhet më tepër në aspektin e harmonizimit të ligjeve me standardet evropiane,  që ka të bëjë me pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe zgjedhjen e gjykatësve e prokurorëve. Por, reforma duhet të bëhet në krijimin e vetëdijes, moralit, etikës, profesionalizmit dhe guximit të atyre që zbatojnë drejtësinë. Pa këto kualitete, reforma do të mbetet vetëm në letër.

4. Kush ishin me të padrejte me popullin e Kosoves edhe të Shqiperisë, drejtuesit  dje në regjimin komunist apo sot në rendin demokratik?

Pergjigje:

-Padrejtësitë e regjimit komunist ishin të një natyre tjetër. Në Kosovë padrejtësitë, diskriminimi e represioni bëheshin në bazë të përkatësisë kombëtare, politike, madje edhe fetare. Në shqipëri diktatura e egër komuniste bënte padrejtësi dhe krime në baza politike, po edhe sociale. Pasojat ishin të tmerrshme. Sot padrejtësitë bëhen më shumë me pasoja sociale. Drejtuesit e të dy sistemeve ishin dhe janë të padrejtë.

5. Eshtë sistemi politik apo vet drejtuesit ata që percaktojne drejtesine e një rendi shoqror?

Pergjigje:

-Sistemi politik përcakton kornizën kushtetuese-ligjore të drejtësisë, ndërsa drejtuesit e zbatojnë atë drejtë, ose shtrembër. Sistemi politik, edhe në Shqipëri edhe në Kosovë, teorikisht dhe me kushtetutë është i pëcaktuar si demokratik dhe shtet i së drejtës, por janë drejtuesit ata që e keqëpërdorin të drejtën për interesat e veta dhe njerëzve të tyre, dhe kështu e degradojnë tërë sistemin.

VI.  5 pyetje, në dukje si familjare, intime…blic!

1.  Kur je zenë më shumë me nusen tende, në rini apo tani në moshë të madhe?

Pergjigje:

-Mund të ju duket e pabesueshme, por për 54 vjet që jemi të martuar, kurrë, asnjëherë nuk jemi zënë as ia kemi thyer fjalën njeni-tjetrit. Për këtë sigurisht meritën më të madhe e ka nusja ime. Kemi pasur një harmoni perfekte, që na admironte dhe na merrte për shembull rrethi familjar, edhe të anës time edhe të anës së nuses. Ishte një shkollë e suksesit në bashkëshortësi

2.  Si e spjegoni zotri Adil që në „zenkat“ e vogla, por larg qofte edhe në të medhajat, femijtë zakonisht mbajnë më shumë anën e nënës?

Adil Fetahu me nusen e tij dhe 5 fëmijët e tyre

Pergjigje:

-Fëmijët deri në moshën madhore janë më të afërt me nënën në çdo pikëpamje. Më vonë mund të vlerësojnë vet, se cili ka të drejtë në ndonjë rast të zënkës. Por, nëna është  Një, dhe nuk ka raport mes njerëzve më të afërt e më të sinqertë se raporti midis nënës e fëmijëve. Nuk thuhet ashtu kot: “Nëna ime është më e mira në botë”!

3.  A mos nenat janë më të drejta me fminjtë se ne baballaret. (Po e mbajte anen e baballareve, besoj se nuk do ia tregosh gruas këtë intervistë).

Pergjigje:

-Varet nga personi: babë apo nënë, nga  shkalla e inteligjencës dhe e arsimimit të tyre. Nënat më shumë janë në anën e fëmijëve, madje edhe kur fëmijët nuk kanë të drejtë.

4.  Simbas jush zotri Fetahu: -Kush e len me shume femijen jetim, humbja e nenes apo e babait dhe pse?

Pergjigje:

-Rolet e prindërve  ndryshojnë në faza të ndryshme të rritjes së fëmijëve dhe kjo varet edhe nga  gjendja materiale dhe arsimore e prindërve.  Sidoqoftë, kur fëmija mbetet jetim derisa është i vogël, madje do thosha deri në adoleshencë, më shumë do ta ndiejë mungën e nënës, se sa të babait. Më vonë, ndoshta më tepër mbetet jetim për babain.

5. Si një njeri i njohur i drejtesisë, si mendon Adil Fetahu: -Më të drejtë janë burrat ndaj garave apo gratë ndaj burrave të tyre.

Pergjigje:

-Këtu, pa fije dyshimi them se gratë janë shumë ma  të drejta dhe ma tolerante ndaj burrave. Këtë po e them sidomos për gjeneratën time dhe tëndën, se te  gjeneratat e reja kanë ndryshuar raportet shumë, në drejtim të kundërt.


Juristi e publicisti Adil Fetahu në Shëngjin, 2017. (Foto Z. Lushaj)

-Ekskluzivisht per ZemraShqiptare, nga Prishtina dhe Lezha e Kastriotit, fillim-marsi 2018-



(Vota: 64 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: