Milazim Kadriu: Sali Ramadani, sinonim i guximit
| E Marte, 27.02.2018, 10:08 PM |

REXHEPI : SALI RAMADANI, SINONIM I GUXIMIT, DIJES DHE ATDHEDASHURISË

Nga Milazim F. KADRIU

Në organizim të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare me kryetar Abaz Osmani, në Institutin Albanologjik në Prishtinë  u mbajt tubim përkujtimor për Sali Ramadanin, deputeti shqiptar që në vitin 1997 shpalosi flamurin kuq e zi në Parlamentin e Maqedonisë.

Sali Ramadani ka lindur në vitin 1939 në Kërçovë. Ai ishte një protagonist i politikës në Maqedoni në periudhën nga mesi i viteve 90-të si deputet i PPD apo më vonë PDSH-së në Parlamentin e Maqedonisë. Më 8 korrik të 1997 nga foltorja e Parlamentit të Maqedonisë nxori flamurin kombëtar shqiptar dhe e shpalosi në sallën e Parlamentit. Një pjesë e madhe e mediave dhe ekspertëve maqedonas për çështje juridike, që edhe sot janë protagonistë aktual në politik kërkuan arrestimin e tij.

Kryetar i parlamentit ishte socialdemokrati Tito Petkovski, i cili reagoi ashpër, duke kërkuar ndërhyrjen e shërbimeve për heqjen e deputetit Ramdani nga foltorja. Ai ka ndërruar jetë më 27 janar 2018, ndërsa LKSH me një tubim përkujtimor nderoi jetën dhe veprën atdhetare të Sali Ramadanit.

Duke folur para të pranishëmve në këtë takim përkujtimor Sadri Rexhepi ndër tjera tha ” Sali Ramadani –Kërçova  njihet si veprimtar i devotshëm i çështjes shqiptare, sinonim i guximit, dijes dhe atdhedashurisë, i burgosur dhe i përndjekur nga pushteti që nga mosha  studentore e deri në vitet e pluralizmit. Aktiviteti i tij politik ka filluar që në moshë të re, por ai intensifikohet në vitin 1968 me kandidimin për deputet të zonës ndërsa një vit më vonë burgoset pas një procesi gjyqësor  në cilin ai deklasoi politikën antishqiptare duke mbetur i palëkundur në qëllimet e veta, i guximshëm dhe energjik në veprime edhe përkundër presioneve  të mëdha  që pushteti monist i bënte në vazhdimësi.

Pas vitit 1981  Sali Ramadani- Kërçova bën një aktivitet të ngjeshur ilegal për sensibilizimin dhe mobilizimin e popullit shqiptar në kuadër të organizatës “Besëlidhja për çlirim kombëtar”. Pas viteve të 90-ta  ai kthehet në vendlindje  dhe jep kontributin e tij në proceset politike  që do të pasonin. Opinioni i gjerë tashmë  e ka të njohur veprimtarinë  e tij parlamentare  dhe veprimet konkrete  për të drejtat e shqiptarëve, siç ishte shpalosja  e flamurit tonë  kombëtar në foltoren e parlamentit të Maqedonisë më 8 korrik 1997.

Më tej Rexhepi tha se  Sali Ramadani pas luftës së fundit shqiptaro-serbe dhe shqiptaro-maqedone ai u muar kryesisht me shkrime dhe angazhohej për grumbullimin dhe botimin e atyre shkrimeve  që iu kishin ndaluar për 30 vjet me radhë.

E sot kur Kosova frymon lirshëm pas dhjetë vitesh  pavarësie nga robëria shekullore serbosllave, po shkojmë drejtë plotësimit të idealeve, synimeve dhe qëllimeve  të përhershme të Sali Ramadanit. Të gjitha këto na detyrojnë të çmojmë, ta nderojmë e ta përkujtojmë me pietet të lartë këtë veprimtar të palodhshëm, punëtor e luftëtar të denjë të çështjes  e të çlirimit kombëtar, tha Rexhepi.

Ndërsa Hydajet Hyseni foli për rolin dhe kontributin e ish të burgosurve politik shqiptar gjatë periudhave të ndryshme  e më këtë rast në veçanti për rolin  dhe kontributin e veprimtarit Sali Ramadani që për veprimtarin e tij atdhetare ishte burgosur disa herë nga ish sistemi monist.

Në emër t ë familjarëve motra Nexhbedije, të pranishmit i përshëndeti dhe organizatorët i falënderoi për këtë tubim në nderim të jetës dhe veprës së Sali Ramadanit. Në fund Abaz Osmani në emër të LKSH  për kontributin e dhënë për çështjen kombëtare i ndau mirënjohje veprimtarit tashmë të ndjerë Sali Ranadani - Kërçova. Mirënjohjen e pranoi Zylbije Ramadani, bashkëshortja e  Sali Ranadanit.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: