Adil Fetahu: Harmoni letrare-artistike
| E Marte, 27.02.2018, 09:00 PM |

DY ANTAGONIZMA NATYRALË – NJË HARMONI LETRARE-ARTISTIKE

(Ibrahim Kadriu: “TË VDEKURIT E GJALLË”, botoi KOHA, Prishtinë,  dhjetor, 2017)

Nga Adil FETAHU

Gjetja e titullit për një libër,  është një mjeshtri e veçantë,  kur ai reflekton mirë fabulën e rrëfimit që përmban libri. Romani i Ibrahim Kadriut që në titull: “Të vdekurit e gjallë”, të jep asociacionin e situatës së një kontradikte natyrore të personazheve të caktuara.  Edhe proverbi “Luftën e bëjnë heronjtë, qeverisin maskarenjtë dhe fitojnë horrat”, që është vënë si moto hyrëse në roman,  është një asociim me gjendjen aktuale në Kosovë.

Janë tre   personazhe kryesore të romanit, të cilët ishin shpallur të vdekur, për të cilët ishte mbajtur “e pamja”, bile për njërin (Bledar Prush, alias  Safet Proja,) ishte ngritur lapidar dhe ishte shpallur hero i luftës së UÇK-së.  Fatmirësisht që të tre ishin  gjallë.  Kështu, Ibrahim Kadriu ka ndërtuar grehinën e romanit prej 285 faqesh, të ndarë në 20 kaptina: Derr shqiptari; Mirela; Në një dhomë bodrumi; Vdekja e shpallur; Adoptimi; Durimi si virtyt; Pas pesëdhjetë vjetësh; Te “Kafe Carica”; Armët në Beograd; Më mirë pelë se debil; Vdekja; Denoncimi i krimeve; rrugëtimi i paramenduar; Të vrarë dhe të djegur; Aksidenti; Në kërkim të lindjes; Njëzetetre vjet kërkim; Përballja me kriminelët; Drejt Prishtinës; Aktakuzat.

Njeni nga personazhet  “i vdekur i gjallë” është Adem Vrajolli nga Braina e Karadakut, i cili kishte dezertuar nga ushtria serbe, para Luftës së Dytë Botërore, dhe pas shumë peripetive kishte arritur të dalë në Turn Severin (Rumani). Pas 50 vjetëve kishte  dërguar një letër në vendlindje. Dy djem të ri, kushërinjë të Ademit shkojnë e vizitojnë në Rumani, dhe ky bashkë me ta vjen në vendlindje, ku e gjenë të gjallë vetëm motrën më të voglën.

Personazhi tjetër “i vdekur i gjallë”, i lindur shqiptar, i rritur serb dhe i kthyer përsëri në shqiptar, është Davidi (alias Diellori). Historia e tij  është e dhembshme, por hepiendi (fundi) është i lumtur. Prindët e Davidit, Agoni e Mirela Dreni nga Prishtina, kishin qenë në Hotelin “Park” në Paliq (Vojvodinë), për të pritur vitin e ri 1987. Në spitalin e Paliqit Mirela bëri një lindje parakohe, ashtu që foshnjën, të cilin e kishin regjistruar me emrin Diellor, e fusin në inkubator, ndërsa çifti  kthehet në Prishtinë. Pas një kohe, nga spitali i lajmërojnë se foshnja e tyre ka vdekur. Mirëpo, e vërteta ishte se foshnja nuk kishte vdekur. Diellorin më vonë e kishte birësuar një çift  nga Novi Sadi, i cili nuk kishte fëmi të vetin.  “Prindët” e ri të Diellorit ishin serbi Radomir Petriq dhe çifutja Viktoria. Ata ia ndërruan emrin Diellorit, dhe  ia vunë emrin David. Jeta e Davidit në atë familje të varfër ishte një skëterrë, sepse përveç varfërisë, “babai” Radomiri ishte  një pijanec kronik, i pështirë, i cili  maltretonte edhe Viktorian edhe Davidin, derisa ky u bë njëzetetre vjeç.  Bile, duke shprehur ndjenjën nacionaliste, Davidin e quante “derr shqiptari”, për ta krahasuar kështu me kafshën më të ndytë.  Davidi nuk e kuptonte përse e quante ashtu. Ky shoqërohej me një vajzë rumune (Mirela), e cila studjonte anglishten në Novi Sad, e që më vonë u muar vesh se ajo ishte me prejardhje shqiptare; ishte mbesa e Adem Vrajollit nga Braina e Karadakut. Davidi e pyet Mirelën, a njeh ndonjë shqiptar dhe  si duken ata, dhe Mirela i tregon se e njeh një të tillë (duke menduar për Bledarin), dhe se do t’i takojë një ditë me të.

Personazhi i tretë dhe kryesori është Bledar Prushi, me një përvojë tragjike.  Ishte pjesëtar i UÇK-së, por që akoma nuk kishte marrë pjesë në ndonjë aksion. Në një vrasje masive në fshatin e tij, Bledari, që atëherë quhej Safet Proja, kishte shpëtuar. Pas një kohe, kur e zënë policia, me  që nuk kishte dokumente identifikimi e maltretojnë fizikisht dhe e fusin në Burgun e Dubravës. Atyre u thotë se quhet Bledar Prushi, dhe ai emër i mbeti përgjithmonë. E dënojnë 4 vjet burgim, dy prej të cilave i vuan në Dubravë, e pas masakrës që ndodhi aty në maj 1999, e transferojnë në burgun e Mitrovicës së Sremit, prej nga lirohet pas dy vjetëve. Sa ishte në burg, kishte dëgjuar nga lajmet në radio, se si kriminelët ia kishin vrarë gjithë familjen dhe i kishin djegë shtëpinë bashkë me kufomat.  Prej atyre lajmeve, kishte dëgjuar se si e kishin konstruktuar ngjarjen e vrasjes së Safet Projës, kinse ishte vrarë heroikisht në luftë me armiqtë. Për këtë, Safetin e kishin shpallur hero,  ia kishin ngritur lapidarin në oborrin e shtëpisë dhe me rastin e inaugurimit, “bashkëluftëtarët” flisnin për bëmat dhe heroizmat e tij. Nga lajmet gjithashtu dëgjonte se si pas luftës (në Kosovë) kishin  zënë pozita  e pasuri njerëz të  dyshimtë e të mistershëm, pa merita e pa asnjë ditë përvojë pune, bash në frymën e asaj thënies së Viktor Hygos se: “Luftën e bëjnë heronjtë, qeverisin maskarenjtë dhe përfitojnë horrat”, prandaj vendosë të mos kthehet më kurrë në Kosovë as të mos lajmërohet se është gjallë!

Duke u sjellë rrugëve të Novi Sadit, Bledar Prushi takohet me Mirelën, pastaj me Davidin, dhe ndonjëherë së bashku shkonin të hanin akullore në një ëmbëltore të një shqiptari. Mirela i kishte treguar Bledarit se gjyshi i saj, i cili kishte vdekur në moshën 92 vjeçe, kishte qenë shqiptar, ndërsa Davidi i kishte treguar për jetën e vështirë që bënte, i maltretuar nga “babai” pijanec kronik, dhe nuk e dinte përse e quante “derr shqiptari”. Një ditë Bledari e shpëton një njeri që po mbytej në Danub, e qon në banesën e të shpëturit. Ai ishte një avokat (Desimir Ristiq). Duke pirë kafe në banesën e avokatit, Bledari i tregon për gjendjen dhe hallin e banimit.  Në shenjë falënderimi për shpëtimin, avokati i ofron Bledarit, pa pagesë dhe pa kufizim në kohë, një kthinë në bodrumin e banesës, dhe i thotë t’i paraqitet për çfarëdo nevoje që të ketë.

Në “Kafe Carica”, “babai” i Davidit (Radomir Petriq) shoqërohej  dhe pinte me tre kriminelë të luftës, pijanecë kronikë (Zoran Mariq, Gojko Bazhdareviq dhe Nikolla Gavella), të cilët lavdëroheshin se si kishin vrarë, dhunuar e masakruar njerëz në Kosovë. Radomiri shënonte fshehurazi çfarë flisnin ata, në një fletore që e mbante si ditar. Edhe kamarieri (Stojkoviq) i kishte inçizuar fshehurai lavdërimet e kriminelëve.   Pas një zënke dhe rrahje që pati “babai” i Davidit me kriminelët, tërhiqet nga ajo shoqëri e keqe, i denoncon ata në polici për ato që kishin pohuar vet, dhe nisi të sillet mirë me Viktorinë  e me Davidin, duke e quajtur “biri im”, e jo “derr shqiptari”, sikur e quante gjithnjë  më parë. Por kjo nuk i zgjati shumë, pasiqë pas dy ditëve u gjet i vdekur, nga një sulm në zemër, në rrugë të Novisadit. Në varrimin e Radomirit mori pjesë  edhe Bledar Prushi, me ç’rast e kishte njohur kriminelin Zoran Mariq, nga rasti i Burgut të Dubravës. Me qenë se Davidi e kishte njoftuar Bledarin për denoncimin që u kishte bërë “i ati” kriminelëve, Bledari  që e njihte njenin prej tyre, ofrohet si dëshmitar dhe se do të bisedojë me avokatin (Ristiq) për ta përfaqësuar palën paditëse në gjykatë. Avokati pranon, me gjithë që çështja ishte komplikuar, pasiqë denoncuesi kishte vdekur. Por, fletorja-ditar e Radomirit, inçizimet e kamaerierit dhe dëshmia e Bledarit,  sidomos një fotorafi e kriminelit Zoran Mariq që e kishte Bledari nga gazeta, kishte ndikuar që gjykata të ketë prova të mjaftueshme dhe i kishte dënuar kriminelët.

Davidi që nga arkivi i spitalit në Paliq e kishte zbuluar identitetin e vet dhe të prindërve të tij, bie në kontakt me telefon me të atin (Agonin) dhe merrën vesh që të takohën në Beograd (në hotel “Sllavija”). Pas bisedës njoftuese për gjendjen reciproke, të dy bashkë kthehen në Prishtinë, në një ambient të mrekullueshëm e të ngrohtë familjar, ku e kishte edhe nënën e vërtetë, një motër (Dafina) një vëlla (të cilit ia kishin lënë emrin Diellor, sipas Diellorit të parë  të cilin e kishin lënë në inkuabor në Paliq). Davidi merret vesh me prindët, që ta merr për të jetuar bashkë edhe “nënën” Viktoria, e cila kishte mbetur e vetmuar, e plakur dhe e sëmurë. Kur kthehet për ta marrë “nënën” Viktoria, takohet me Bledarin, i cili i tregon se Mirela ishte lënduar në një aksident komunikacioni dhe ishte kthye për shërim në Rumani. Bledari përshëndetet me Davidin e Viktorian dhe u thotë se do të shkojë për ta vizituar Mirelën e për të jetuar në Rumani, dhe se  kurrë më nuk do të kthehet  prej andej.

Kjo është fabula e romanit, në pikat më të shkurtëra të mundshme për ta përmbledhur tekstin prej njëzet kapituj e 285 faqe. Hollësirat tjera i mësoni poqese e lexoni vetë,  ndërsa unë ju garantoj se do të ndieni një kënaqësi  leximi, e që jo vetëm unë, por as edhe shumë më të zgjuarë se unë, nuk dijnë të shpjegojnë se çfarë është  e për çka përdoret kjo knaqësi misterioze e leximit të librave.

Romani i Ibrahim Kadriut “Të vdekrit e gjallë”, tematikisht lidhet me fatet (fatkeqësitë) e njerëzve. Nepërmes hebrejes Viktoria, dhe shqiptarëve Adem Vrajollit, Bledar Prushit  e Davidit, autori tërheqë një paralele të fateve të ngjajshme të popullit shqiptar me atë të hebrejve, të shpërndarë nëpër botë. Fatet e tyre i shtejllon me konotacione  historike, sociale dhe politike. Përmes rrëfimit për shpalljen e Safet Projës hero dhe ngritjen e lapidarit, autori dëmkos menalitetin e gënjeshtrës. Përmes narracionit letrar të botës së brendshme të personazheve, autori  bënë edhe histori,  për ngjarjet dramatike e traumatike: krimet e luftës në Kosovë. Dy personazhet kryesore: Bledari e Davidi, janë dy shtyllat kryesore të romanit, ndërsa jo pak interesante janë edhe personazhet tjera dytësore, që ndërtojnë tabllon jetësore. Ngjarjet zhvillohen në kohë e hapësirë të ndryshme; prej para Luftës së Dytë Botërore, deri në ditët e sotme, dhe prej Kosovës, në Vojvodinë e Rumani. Në atë kohë e ato hapësira, romani përmbanë edhe emra të përveçëm realë të vendeve .  Jeta e njeriut është një urë që qëndron mbi tri këmbë: fizike, mendore dhe shpirtërore. Kur i lexon rrëfimet në roman, përjetime të marruna (edhe) nga realiteti i situatave dramatike, të shfaqen para syve vendi i ngjarjes dhe personazhet e të dhem shpirti.  Të gjitha këto autori i shtjellon përmes personazhit të Adem Vrajollit, i cili  takon motrën pas pesëdhjetë vjetëve, apo Davidit, që takon prindët e vërtetë pas njezetetre vjetëve, dhe Bledarit (al.Safet Projës) i cili i vramë shpirtërisht vendosë të mos kthehet më kurrë në atdhe as të mos e kthejë emrin e vërtetë. Po në këtë roman autori nuk le pa ngre edhe problemet shoqërore e konfliktet sociale aktuale në Kosovë, karakteret e njerëzve, ku në pozita të rëndësishme kanë ardhur njerëz pa merita, kopukë, maskarenjë e horra,  pa dije e pa përvojë, ndërsa  bashkëpunëtorë të dikurshëm të  okupatorit sot janë “transformuar në patriotë”! Pasqyrohen në këtë roman edhe krimet serbe që ka kryer në Kosovë, lëvizjet ilegale, personalitete të asaj lëvizje.

Autori do të mund të më thoshte se nuk kam qenë i vëmendshëm në leximin e romanit, po të mos i gjeja edhe ndonjë “behane”. Ka një mospajtim teknik në datëlindjet e Davidit, që nuk është sqaruar (fq.65, shkruan datëlindja 1 janar 1982), ndërsa në fq.167, e 236 figuron data 2 janar 1987, e në fq.219 data 3 prill ?). Kjo nuk ka kurrëfar relevance në cilësinë letrare të romanit. Tematika e romanit është aq serioze, sa që autori nuk ka marrë mundimin ta melmojë me humor, çfarë din ai të bëjë, as me ndonjë aventurë dashurie, edhepse i avitet në “zgripc” një të tille, kur Bledar Prushi  çau dru te një zonjë, e cila e kishte burrin debil, ndërsa Bledarin  e barti me veturë, dhe pyeti “a di edhe punë të tjera pos çarjes së druve, dhe ku do ta gjente nëse i nevojitej tjetërherë për ndonjë punë”?,  e të mos flasim për Mirelën, së cilës “ia kishte vu syrin” seriozisht, sa që vendosi të shkojë pas saj e të vendoset për gjithmonë në Rumani.  Këtu autori “ka hy në gjynah” me zonjën, që nuk e ka zhvilluar më tutje një aventurë dashurie, por duket se këtë e ka bërë  për ta ruajtur moralin e  shqiptarit (Bledarit).

Ibrahim Kadriu është një shkrimtar me penë të mprehtë në prozën shqiptare, dhe jo vetëm në prozë, por i afirmuar  edhe në gjintë tjera letrare.  Deri më tash ka botuar afro gjashtëdhjetë vepra në prozë,  poezi drama, dhe është nderur  me çmime të ndryshme letrare, në Kosovë e në Shqipëri. Shumë poezi e fragmente  të prozës së  tij janë botuar në gjuhë tjera (frengjisht, gjermanisht, rumanisht, turqisht, italisht, anglisht, serbisht, madje edhe arabisht, dhe  kanë gjetur vend në më se njëzet antologji.




(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: