Sejdi Berisha: 'Kalërim mbi kokë'
| E Marte, 27.02.2018, 09:00 PM |

Tregim i shkurtër

Sejdi BERISHA:

“KALËRIM MBI KOKË”

Dikush thoshte: ndoshta është pikturë e Pikasos, sepse, vështirë se mund të nxjerrje diçka nga ajo...! Si duket, askush nuk e kishte kuptuar atë rrugëtim...

______________

Pas afro dy deceniesh, në shtëpinë e kulturës sërish ishte hapur galeria e artit. Ishin gëzuar të gjithë ata që e duan dhe dinë ta bëjnë pikturën. Në hapjen e ekspozitës kishin ardhur më shumë se asnjëherë më parë. Këtu, kishte edhe vizatime edhe piktura nga pena të njohura, por edhe nga ata piktorë të gjeneratës së re, që bartin në pëlhurë e letër një botë krejt tjetër ndryshe. Një prej pikturave që kishte zgjuar kërshëri atë natë, ishte ajo që mbante titullin intrigues: “Kalërim mbi kokë”.

Të gjithë e komentonin në mënyra të ndryshme, bile krijonin edhe opinione krejt jashtë kornizave të saj. Në pëlhurën e mbytur me ngjyrën e kaltër, por edhe me ngjyrat tjera të theksuara në trajtë kubi e në formë të shfrenuar, apo të mbushur helm nga hidhërimi i jetës, gjithnjë e më shumë joshën vizitorët e asaj mbrëmjeje në galerinë e cila kishte qenë e pranguar për afro njëzetë vjet.

Të gjithë, në saje të titullit, kalëruan në mënyrën e vetë dhe sollën aq mendime e supozime, sa që kjo pikturë tani sikur kishte marrë ngjyrën e zezë dhe në te nuk vërehej asgjë. Njëri, nxitoi ta thotë fjalën e prushit të mendjes:

-Kjo pikturë qenka vetëm terr. Këtu, nuk shoh dot kurrfarë kalërimi!

Të gjithë u pajtuan me këtë mendim. Atëherë, autori i pikturës, heshtazi iu afrua atyre që bënin këtë koment dhe si i mbushur hidhërim, u tha:

-Këtë terr, ju vetë e keni krijuar! Nëse doni, e bëni ju dritë. Atëherë, do ta vëreni gjuhën dhe jetën e kësaj pikture. Ajo, duket si jeta e juaj. Përqendrohuni ndërgjegjshëm. Padyshim se pastaj do të kënaqeni me veprën tuaj. Unë, nuk jam autor i kësaj pikture, jo!

Pastaj kishte ikur diku thellë në galeri, piktori i zemëruar. Ndërsa, të gjithë ata vizitorë, edhe më shumë e mundonin vetveten dhe mendjen për ta kuptuar sa më mirë mesazhin e pikturës. Gjatë tërë kohës sa qëndruan pranë kësaj pikture, terri i saj bënte dritë! Dhe dikur, ikën vizitorët duke murmuritur nëpër dhëmb titullin e pikturës “Kalërimi mbi kokë”. Si duket, askush nuk e kishte kuptuar atë rrugëtim... Dikush thoshte: ndoshta është pikturë e Pikasos, sepse, vështirë se mund të nxjerrje diçka nga ajo...!



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: