Nikë Gashaj: Pushteti ligjor
| E Marte, 27.02.2018, 09:07 PM |

PUSHTETI  LIGJOR NË VEND TË PUSHTETIT TË NJERËZVE

Nga Nikë Gashaj

Shteti juridik është një ide emancipuese e barazisë së përgjithshme, e drejtshmërisë dhe e sigurisë. Ai mbështetet në idenë se ligji është i detyrueshëm si për pushtetarët, ashtu dhe për qytetarët. Prandaj, shteti juridik si krijesë shoqërore nuk lejon askënd të jetë përmbi sistemin juridik dhe demokratik. Andaj, funksionimi i tillë i shtetit paraqet sigurimin ligjor për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Konceptimi i shtetit juridik ështe një përpjekje serioze, e cila sot vështirë që ka ndonjë alternativë adekuate, meqënëse, është i përcaktuar për pushtetin ligjor kundrejt pushtetit të njerëzve. Ai ka zënë fill në një kontekst të gjërë europian të shekullit të ri, si kërkesë liberale të shoqërisë qytetëruese.

Shekulli i ri ka dy variante themelore moderne të pushtetit ligjor, të cilat janë të ngjashme, por kanë edhe dallime. Ndonëse, të dyjat kanë zënë fill në procesin e të menduarit politikë liberal dhe të marrëdhënieve të reja shoqërore: 1) varianti anglez në formë të mësimit mbi “pushtetin e së drejtës” (rule of laww) dhe 2) varianti gjerman mbi “shtetin juridik” (Rechtsstaat). Të dyja këto koncepte burojnë nga nevoja që pushteti shtetëror të rregullohet juridikisht, që në pikëpamje ligjore të kufizohet, por mund të vërehen dhe dallime midis tyre për shkaqe specifike dhe të ambientit të ndryshëm se kur kanë zënë fill.

Modeli anglez i shtetit juridik në formë të “pushtetit ligjor” ka zënë fill para atij gjerman. Ai është bazuar mbi supremacionin e parlamentit ndaj pushtetit mbretëror me qëllim të kufizuarit e pushtetit të tij. Sipas atij konceptimi të organizimit  shtetëror, asnjë subjekt nuk mund t’i shkelë rregullat e përcaktuara ligjore, madje as ai, i cili i nxjerr ligjet. Prandaj, ekzistojnë procedurat dhe parimet e caktuara të institucioneve demokratike liberale në bazë të cilave bëhet konstitucionimi dhe funksionimi i pushtetit.

Mësimi mbi “shtetin juridik” është produkt i liberalizimit dhe konstitucionalizimit gjerman, i cili për bazë ka pasur filozofinë politike të Kantit dhe ka zënë fill nga nevoja e borgjezisë liberale gjermane të shekullit XIX.

Sipas disa njohjeve, këtë nocion e ka përdorur për herë të parë Robert Von Mohl (1855) edhe pse vetë ideja ka qenë e formuar nga fundi i shekullit XVIII (dr. Stanko Pihler).

Ajo është një sajim metaforik, ndërsa domethënia e saj, në variacione dhe në kohë të ndryshme ka ndryshuar, sipas nevojave dhe rrethanave shoqërore.

Mirëpo, gjatë historisë ky nocion shpesh është keqpërdorur,  çka vazhdon dhe në kohën e sotme. Prandaj, për t’i ikur manipulimeve të mundshme, me shprehjen “shteti juridik”, është e domosdoshme të përcaktohet përmbajtja e nocionit në fjalë, si dhe supozimet nga pikëpamjet e nevojave të sotme të pranimit dhe njohjes të këtij koncepti. Andaj, mund të përcaktohen dhe mundësit e sendërtimit të tij në shoqërinë përkatëse.

Duhet të theksohet se shoqëritë në tranzicion të dalura nga realsocializmi ndeshen me vështirësi të veçanta për zbatimin e pushtetit ligjor, për shkak të kushteve specifike shoqërore, ekonomike, kulturore dhe qytetëruese.

Për nevojat e shtetit juridik janë me rëndësi: përmbajtja, cilësia e të drejtave dhe zbatimi i të drejtave të tilla. Njëra pa tjetrën nuk shkojnë. Vetëm në atë mënyrë është e mundur kuptimi integral i shtetit juridik.

Shteti juridik e respekton njeriun dhe qytetarin dhe i kupton si qëllime dhe jo si mjet. Sepse nuk jeton qytetari për shtetin e për qëllim të shtetit, por përkundrazi – shteti ekziston për qëllim të qytetarëve.

Më tutje, parimet juridike janë: të jetohet me nder, ndërsa tjetri të mos ofendohet dhe çdokujt t’i jepet çfarë i takon.

Në bazë të njohjeve historike, shteti juridik – sipas cilësive të veta relevante – është bërë kornizë instrumentale për konstituimin e elementeve themelore të shoqërise qytetare (civile), e ato janë, para së gjithash: ndalimi i privilegjeve të shtresave klasore; kufizimi ligjor i pushtetit politik; vendosja e kontrollimit efikas e demokratik dhe të opinionit të ushtrimit të pushtetit; ndarja vertikale dhe horizontale e pushtetit; sigurimi adekuat normativ, institucional dhe faktik i të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave kombëtare; gjyqësia e pavarur; pluralizmi politik; tregu i lirë ekonomik dhe kulturor dhe konkurrenca e vlerave dhe cilësive të vërteta.

Drejtësia bazë e çdo qeverisjeje të mirë

Shteti juridik, para së gjithash në vendet e Ballkanit perëndimor, më tepër është një ideal dhe teori, sesa njëmendësi dhe praktikë. Andaj, koncepsionet statistike shtetërore ndaj shoqërisë, nuk janë në harmoni me pushtetin ligjor. Pushteti ligjor nënkupton fatgjatësinë e të drejtave dhe detyrave, të idesë së kontinuitetit dhe respektimit të të drejtave të arritura.

Në pushtetin ligjor komponenti kryesor është mprehtësia e arsyes, ratio, si dhe kërkesa që e drejta duhet ta ketë parasysh idenë e drejtësisë dhe drejtshmërisë apo arsyeshmërisë, sepse ajo është bazë e çdo qeverisjeje të mirë. Për mendimtarët e mëdhenj politikë, gjatë historisë, si qëllim kryesor dhe ndër problemet më të mëdha ka qenë – si të rregullohet në mënyrë normative kufizimi i çdo pushteti politik, prandaj dhe pushteti i shumicës?

Mirëpo kjo çështje ka qenë dhe është ngusht e lidhur me një problem tjetër të vështirë për të cilën edhe filozofi i njohur, Aristoteli është shprehur, se nuk di t’i përgjigjet. E fjala është: si të sigurohen ligjet e mira, d.m.th. rregullat e urta normative, përkatësisht, si mund t’i zgjedhim ligjdhënësit e mirë?

Një nga parimet me rëndësi të pushtetit ligjor është universalizmi. Që do të thotë se, rregulla deri tek e cila do të vijmë, duhet të jetë e zbatuar në mënyrë universale dhe të njëjtë apo të barabartë për të gjithë. Nuk është e lejuar që për situata të njëjta apo të ngjashme të zbatohen masa të ndryshme. Kemi situatën që atë çka njëra palë dhe grup e kërkon për vehte, nuk është e gatshme t'ia pranojë ndonjë grupi tjetër dhe anasjelltas. Andaj, ajo qëndron në kundërshtim me kuptimin më të thellë me pushtetin ligjor apo shtetin juridik. Pushteti juridik, ndër të tjera, nënkupton të drejta dhe detyra të barabarta për të gjithë dhe ajo më tutje do të thotë edhe mundësi juridike të njëjta për të gjithë.

Ideja mbi pushtetin ligjor mbështetet në supozimin e rregullave të arsyeshme dhe logjike të cilave çdo vullnet politik, prandaj dhe vullneti i shumicës duhet t'i nënshtrohet, përkatësisht t'i respektojë dhe zbatojë. Mirëpo, që moti ekziston një pengesë e madhe në inkorporimin e pushtetit ligjor, të drejtësisë dhe ajo pengesë mbahet e zgjatur. Ka të bëjë me një greminë të thellë të kundërshtimeve midis vullnetit politik dhe të drejtës së vërtetë.

Gjatë historisë, vullneti politik dhe forca kanë mbizotëruar dhe kryesisht drejtësia është trajtuar si mjet i thjeshtë urdhëror dhe i njoftimit se çka pushtet mbajtësit kërkojnë e presin nga shtetasit,  me një gadishmëri të vogël që të "mëdhenjtë" t'u nënshtrohen rregullave të cilat  i hartojnë për të tjerët  apo i kodifikojnë.

Në provë për zbatimin e idesë të pushtetit ligjor, ata të cilët synojnë kah një drejtim i tillë  ndeshen me një seri pengesash, sikurse janë trashëgimia e shtetit partiak, përkatësisht partokratia, monopolet politike e juridike, korrupsioni, nepotizmi, kultura politike e pazhvilluar, mungesa e traditës demokratike, verbimi ideologjiko-nacionalist, klasa e mesme e pazhvilluar, etnocentrizmi, fundamentalizmi, paragjykimet etnike, vetëdija farefisnore etj.

Shteti juridik, respektivisht pushteti ligjor, supozon institucionet ligjore stabile dhe funksionale, kushtet ekonomike, dijen, rrjetën cilësore të institucioneve arsimore, njohje drejtuese dhe organizative, kapacitete demokratike, resurse njerëzore etj.

Në pikëpamje juridiko-filozofike, nuk mund të pranohet se e drejta është çdo grumbull i normave pas të cilit qëndron monopoli i dhunës shtetërore. Përkundrazi, duhet të kihet një distancë kritike ndaj përmbajtjes të së drejtës pozitive. Në vazhdim po theksojmë,  se për disa ligje e norma, Ciceroni, Aureli e Augustini, si dhe një numër i konsiderueshëm i juristëve, gjithnjë deri te Gustav Radbruh, e kanë konsideruar se nuk e meritojnë të quhen ligje. Me fjalë të tjera, e drejta është ajo që është e drejtë, e arsyeshme e logjikshme, objektive, pas së cilës qëndron drejtshmëria, d.m.th. një vlerë etike për të cilën thuhet se është themel i pushtetit, përkatësisht i dinjitetit mbretëror, ndërsa në pikën e fundit, pas të drejtës në atë kuptim qëndron ratoja juridike.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: