Albert Habazaj: Nderim 10 vjetorit të Pavarësisë
| E Diel, 25.02.2018, 02:24 PM |

NDERIM 10 VJETORIT TË PAVARËSISË SË KOSOVËS

Krahët e Shpendit përhapin përjetësimin e dëshmorit të Kombit Skerdilajd Llagami

Nga MSc. Albert HABAZAJ

Në jetën e sotme shqiptare, portreti i shqiptarëve çdo ditë e më tepër na shfaqet me përmasa të madhërishme jo vetëm brenda vendit, por edhe në hapësirat ballkanike edhe europiane.

Shekulli XXI u solli shqiptarëve një fat tjetër dramatik, atë të përplasjes me sllavët lirimohues. Ishte gjaku i freskët i Shpendit të lirisë, tiranasit Skerdilajd Llagami dhe i mijëra djemve dhe vajzave të Kosovës që dritësuan lirinë dhe pavarësinë e mohuar dardane.

Ashtu si legjendari Adem Jashari,  profesori Ukshin Hoti, embelma jonë Jusuf Gërvalla, si lulja e lirisë Antigona Fazlliu, si yjet e pashuar Iljaz Kodra, Agim Bajrami, Besnik Begunca, Xheladin Kurtaj, 14 vjeçarja si vesë e bukur ylberi Njomëza Lipaj, si tërë ata trima e trimëresha sypatrëmbur para plumbit të zi të pushtimit, edhe Komandant Shpendi, ky dëshmor i ri i Europës, e batoi gjakun e tij në themelet e Republikës së re të Kosovës martire.

Ne jemi me fat, se sot në këtë përurim të veçantë që zhvillon Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë, Departamenti i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë dhe Biblioteka e Rektoratit në mjediset e Bibliotekës “Nermin Vlora Falaschi” të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, kemi mes nesh një ish-ushtarak të përkryer dhe dramaturg të shkëlqyer, nga më të mirët e dramaturgjisë shqiptare, ndërkohë mikun tim të hershëm Bashkim Kozeli, ç’ka e bën më mbresëlënës këtë organizim jo thjesht letrar. Kemi fatin se në këtë ditë simbolike, që unë do ta pagëzoja Dita e Shpendit në qytetin e Flamurit, midis studentëve ismailqemalistë, pegadogëve, dashamirësve, shkrimtarëve dhe poetëve të qytetit ndodhet shoku i fëmijërisë dhe adoleshendës së dramaturgut tonë të njohur, trimi i gjallë, babai i Shpendit, stoiku Bardhyl Llagami, ç’ka na e bën më dinjitoz e kuq e zi këtë takim të rrallë. Tek ky libër njohim një baba që nuk e qau djalin por i këndoi e i këndon bëmat atdhetare që bëri i biri deri në sakrificën sublime ç’ka mund të bëjë njeriu: I fali gjakun Kosovës, lirinë e tij ia dhuroi Lirisë së Kombit të Shqipeve. Dhe si një marathonomak vlerësimi e nderimi  jo vetëm nëpër djalin e tij, por për të gjithë dëshmorët e heronjtë e lirisë rend e rend nga Tirana, Gryka e Rugovës, Presheva, Medvegja e Bujanoci, rrafshi i Dukagjinit, anembanë në Kosovë, nëpër Shqipëri, në Begovi, Tetovë e ndër shqiptarët e Maqedonisë dhuron librin “Krahët e Shpendit-vargje kuq e zi” e na duket se kur e vendosim këtë monografi poetike, këtë biografi letrare në Bibliotekë, monument nderimi ndërtojmë në zemrat tona për kujtimin e ndritshëm të komandant Shpendit. Secili nga ne.  Edhe këtu në Vlorë. Bardhyli nuk ka ardhur vetëm, ka ardhur me miq kaq të nderuar, të mirë e atdhetarë të devotshëm, që nuk e lënë kurrë vetëm vëllain e përvëluar e të paulur. “Mos pastë prind pas fëmijës”-është një shprehje e vjetër dhembshurie e vatrës familjare. Por liria u shfaqka më e lartë, më e fuqishme, më e detyrueshme se çdo ndjenjë tjetër. Ta merr djalin, ta merr vajzën dhe ta kthen si imazhin e saj më të bukur, më fisnik, më dinjitoz-në përjetësim. Iku djali, u bë shqiponjë lirie. Rron babai e nuk e qan, por e këndon me ligjërime, që shndërrohen natyrshëm në himne atdhedashurie të kujtesës kombëtare. Se sa i dhembset Skerdi, atë e di veç shpirti i djegur i babait Bardhyl. Edhe ne. Se sa i krenaruar për Shpendin është Bardhyli, e di balli i tij i lartë e larë me dritë diniteti. Edhe ne. Edhe tërë kombi i Shqipeve. Rron ati të këndojë birin. Thuhet se kush fal një libër dhuron një trëndafil. Babai i Shpendit na dhuron këtë libër dhe furishëm ne i ngremë në zemrat tona përmendore paharrimi për të birin, Shpendin e Lirisë. Këtë akt titanik të burrërisë, që merr vërtet përmasa legjendare di ta bëjë, siç i takon shqiptarit të lartë, kreshniku i kohës Bardhyl Llagami. Skerdi është i përjetësuar si Komandant Shpendi e  Bardhyli jeton si babai i Shpendit. Ç’simbolikë madhërimi në thjeshtësinë unikale të  autorit të librit Bardhyl Llagami, njëkohësisht babai i dëshmorit, të cilit i thur mijëra vargje mallëngjimtare si lule nderimi. S’ka nevojë për koment. Nuk përmendet as data e lindjes së Skerdit 31 tetor 1969, as data e rënies më 29 qershor 2001, sepse ai është i gdhendur në memorien tonë dhe në krahët e lavdisë për solidaritetin dhe sakrificën për liri si 32 vjeçar në përmasat e përjetësisë.

Kushdo që e lexon këtë libër, nën titullin “Krahët e Shpendit”, e shikon flakadanin mbi malet e Sharrit dhe kujton jo vetëm heroin e Gjakovës, por edhe të Tiranës, edhe të Vlorës sot. Kushdo që e lexon këtë libër të veçantë - tregim në vargje, e ndjen nga afër frymëzimin, dhembjen, por njëkohësisht dhe imazhin e fuqishëm për lirinë njerëzore. Ky është edhe mesazhi i komandant Shpendit: ATDHE-LIRIA. Fjala e babait të Shpendit, autorit të librit “KRAHËT E SHPENDIT”- kushtuar heroit të Kombit Skerdilajd (Shpend) Llagami, që tha me aq emociion sa asnjëherë, se me këtë përurim kaq të përsosur, sa s’e mendoja dhe po bëjmë kaq mirë e simbolikisht sot këtu në Vlorë, në Universitetin që mban emrin e babait të kombit, më duket se kam datëlindjen e djalit, na preku të gjithëve dhe na vuri para shumë detyrash të larta e fisnike për të shkruar e kujtuar të rënët për atdhe, liri e pavarësi.Historinë e bëjnë ata që digjen, jo ata që ngrohen-kjo është kujtesa kombëtare që na bën të përgjegjëshëm ne punëtorëve të penës të dinë kë nderojmë e si ta nderojmë  në monumentin e shkronjave. Një libër për të rënët vlen më shumë se njëmijë varre me lule nderimi. Jo vetëm tek babai i Shpendit, dhembja shkakton lot, dhembja shkaton poezi, sepse akti i Komandant Shpendit është heroik në kohë të re, është sublim. Ja, kështu ndodh në trojet tona që rrënjët i kanë me lule gjaku: në paqe, bijtë varrosin etërit, në luftë, etërit varrosin bijtë”. Që Kosova ta gëzojë 10 vjetorin e Pavarësisë, të arrijë e të kalojë 100 vjetorin e 1000 vjetorin e lirë e të përparuar, dëshmorët e lirisë nuk duhen harruar, se u dhemb gjaku yjeve. Dëshmorët quhet se i nderojmë kur ne vijojmë rrugën  që ata e lanë në mes, se e lanë me gjakun e tyre. Ne nuk na kërkohet gjak, porn a kërkohetdjersë, korrektesë, ndershëmri, profesionalizëm, dinjitet e qytetari.

Kjo përmasë e heroizmit dhe e flijimit të këtij dëshmori të kombit na bën të gjithëve të na largohet dhimbja dhe në sytë tanë të shkëlqejë krenaria kombëtare. Është një gen i lashtë ky që vjen qysh prej Gjergj Kastriotit, Ismail Qemalit dhe gjithë heronjve tanë të çdo epoke, që janë vërtetë Feniksët e lirisë, që ashtu si ai zogu mitologjik, i cili ka vetinë të digjet e të ringjallet nga hiri i tij, simbolizojnë në mënyrë të kënaqshme figurën e përjetshme të dëshmorëve dhe idealin e tyre. Tek ne heronjve kur vdesin, u fillon pavdekësia. Me komandant Shpendin nuk krenohet vetëm babai i Shepndit, familja, të afërmit e Tirana e tij e dashur, por mbarë Shqiptaria e mban ballin tek dielli, sepse deri atje na e ngriti 32 vjeçari i përjetshëm, i pavdekshmi i idealit të lirisë, monumentin e të cilit ne e kemi ngritur tashmë në zemrat tona. Komandant Shpendit i dritëroftë kujtimi dhe nga shembulli i tij të mësojmë të gjithë ne, në përshatje me ç’na kërkon koha, zhvillim dhe përparimi i vendit. Të jemi shembullorë secili në pozicionin që ka në organigramën kombëtare, përparimin qytetar dhe integrimin europian.

MSc. Albert Habazaj

Përgjegjës i Sektorit të Shërbimeve të Librit (Shtypshkronjë dhe e/book)

Biblioteka Shkencore "Nermin Vlora Falaschi" Universiteti "Ismail Qemali", Vlorë, ALBANIA


16.02.2018

(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: