Fritz Radovani: Ndoci e Jolanda Gurashi ikën
| E Shtune, 24.02.2018, 10:15 PM |

Nga Fritz RADOVANI:

NDOCI E JOLANDA GURASHI IKEN PERGJITHMONË

VDEKJA E MIQVE ASHT GJITHMONË TOPITËSE…

ATA ASNJËHERË NUK KANË AS MOSHË !..

Në rrugen e bukur të Gjuhadolit per me dale tek Dugajt’ e Reja, majtas janë disa nga shtëpijat dykatëshe të viteve 1900… Të rreshtueme bukur dhe me dyer me harqe...

Në krahun e majtë asht edhe dera e Kol Gurashit. Aty deri vonë banonin tre djelmët e të Nderuemit Kolë, Zefi, Shani dhe Ndoci. Vajzen e kishte të martueme në Tiranë. Një nga shtëpijat e njohuna në Shkoder per disa virtyte të paharrueshme. Kola u plak tue kndue! Një muzikant dhe njohës i zakoneve dhe traditave Shkodrane. Kur hapej ajo derë aqsa e vjeter dhe e nderueme, njeriu kishte perpara një shprehje: “Hajde mirse të pruni Zoti!”

Mikpritja dhe buzqeshja nuk i mungonin asnjenit, tue fillue nga plaku muzikant.

Ndocin e njoha nga vllau im Alfonsi rreth vitit 1954 kur u lirue nga burgu i parë...

Ma vonë miqsia u trash dhe pa hy nder tunelet e moshave, kemi vazhdue si miq nga lidhja prej pikturës, ku Ndoci kishte shumë eksperiencë dhe pasion per atë art. Merrej me zbukurimin e ndermarrjes dhe në kohen e lirë Ndoci, vraponte me pikturue nder bukuritë natyrore të Shkodres, e cila të joshte sa në një qoshe në tjetren. Kemi vazhdue bashkë me Ndocin dhe një grup piktorësh Shkodranë, liceun artistik me korespondencë.

Aso kohe Ndoci ishte i martuem me Jolanden, vajza e argjentarit Nush Paci, që ishte Baba i shokut tim të shkollës Pedagogjike të Shkodres, piktorit njohun Ferdinand Paci.

Ferdinandi mbasi perfundoi pedagogjiken, punoi piktor në repartin e pikturës dhe, ma vonë kur ne vazhdonim liceun me korespondencë, Ferdinandi perfundoi shkollen e Arteve në Tiranë, sigurisht nder ma të talentuemit dhe të pergatitunit e asaj shkollë.

Pjesmarrja e ynë nder ekspozitat lokale në Shtëpinë e Kulturës në Shkoder, ku drejtonte piktori Vladimir Jani, kishte krijue edhe lidhje miqsore mes nesh, ku Ndoc Gurashi ka spikatë per miqësi, bujari, edukatë, besë e pse jo edhe si artist.

Në vitin 1966 kur në Shkoder ne komunikonim në shumë aspekte, një ditë shkova tek shtëpija e Ndocit, dhe tue u ngjitë në shkallen që të çonte nalt në katin e dytë.., ndalova një moment dhe po veshtrojshe pamjen e bukur të kompanjelit Kishës së Fretenve...

Ndoci, më ftoi dhe shkueme tek një dhomë pune, ku Ndoci kishte punue pejsazhin që më terhoqi aq shumë vemendjen per realizimin e mbrekullueshem artistik. Ma vonë ai pejsazh u ba aq problem sa rrezikoj per Ndocin edhe t’ ardhmen e Tij... Kur Ndoci ka dashtë me e paraqitë në Ekspoziten vjetore, nuk kanë mungue dashakqijtë e Ndocit...

Mbas shumë debatesh e telashesh si gjithnjë... Ndoci e terhoq vepren e Tij.

Jam i sigurtë se ai pejsazh asht edhe sot Kryevepra e Ndoc Gurashit...

Në vitin 1969, mue më larguen nga arsimi dhe shkova piktor në fabriken e Mëndafshit.

Aty ishte llogaritare Jolanda (pra Landi) zonja e Ndoc Gurashit, një trashigimtare e saktë e Nanës së vet Luçijes, që trashigonte mbi të gjitha dashamirsinë vllaznore...

Mbas vitit 1975 kur fatkeqsisht Fedrdinandi humbi jeten në aksidentin e Thethit, Ata dhe ne i shterngonim doren njenitjetrit, po në fyt lidhej një ny.., që nuk u zgjidh kurrma!

***

Kam komunikue me Ndocin dhe Landin edhe vitet e fundit...

Me moshen gjithshka sa vinte e vështirsohej, perveç dashunisë së Tyne të pakufi...

Ruej kujtime...

Po, Kolë Gurashi në sofren e Ndocit dhe Landit... Nuk këndon kurrma!

Trashigimtarëve të Kolë Gurashit prej zemret i uroj jetë të gjatë e të lumtun!

Melbourne, 24 Shkurt 2018. 



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: