Tuna Prekpalaj: Gaspër Gjini - prifti i paharrueshëm
| E Hene, 19.02.2018, 10:00 PM |

Filozofia dhe teologjia e don Gaspër Gjinit - prifti i paharrueshëm

”Nji person bâhet nji qenie humane sidomos nëpërmjet dashnisë, lidhjes dhe raportit me të tjerët. Njerëzit duhet të bashkohen dhe të duhen ndërmjet veti. Vetëm ashtu jo vetëm mbas vdekjes, por edhe në tokë mund t’a arrijm Parrizin”,  tha prifti, filozofi dhe teologu dr. don Gaspër Gjini.

Nga Tuna Prekpalaj

Don Gaspër Gjini (lindi në Ferizaj, Kosovë me 24 shtator 1930 -  † 7 mars 1985) me të cilin unë kam pasë fat rregullisht me ndejt me te dhe me bisedue shpesh mbi gjanat e thjeshta – si, për shembull, mbi kohen, mbi natyrën e bukur rreth Sojevës (afër Ferizajt) së atëhershme, mbi ambjentin e bukur të rrethit të “sallahanës” në Ferizaj (Kosovë) etj. etj.- , ashtu edhe mbi gjanat e thella filozofike, teologjike dhe religjioze. Ai përpiçej me i skjarue disa aspekte filozofike tue me më  thanë: “Tunë, unë due të tham se unë si person dhe njeri jam sepse na jemi. Përate unë jam tash si jam, për arsye se e kam nji detyrë të madhe para Zotit dhe para njerëzimit. Unë duhet për ate të bâhem human për të tjerët. Kurse tjetri, tjetri âsht pasqyra e ime, të cilin unë e shof vetvetin“. Dhe ma tutje thotë - do t´a citoj në mënyrë të lirë - Por, na  njerëzit duhet të përpiqemi për me e formue nji filozofi jete dhe nji teologji pajtimi, nji besim të vërtetë në Zotin dhe në Krishtin. Poashtu edhe me krijue mënyra të mira jetsore, njerëzore, dhe me pasë dashni njani me tjetrin. Jo vetëm në rrethanën tonë, por edhe me tanë njerëzimin e rruzullit të botës. Atëherë unë – si i ri – nuk ia vnova aq veshin dhe nuk mendova aq shum për këto fjalë. Por këto fjalë domethanëse i mbaj ndër mend. E tash e konstoj se ato fjalët e tij janë dhe mbesin në qenien time shum domethanëse. “Nëse s’ kemi dashni për të afërmin, s’kemi asgjâ”, Dhe vazhdoi ma tutje se njeriu si i tillë duhet të angazhohet jo vetëm me fjalë, por me vepra me u kujdesue për të tjerët. Kjo do të thotë se dashnija dhe kujdesi për të tjerët janë dy terme që lidhen ngusht me filozofi dhe teologji. Ky shprehim mbi konceptin e randësishëm në filozofinë dhe religjionin e Gaspër Gjinit ka shumë drejtime. Ta marim para sysh Shejtneshën nanë Terezen, e cila fitoi famë në mbarë botën, e inspiroi edhe Don Gaspër Gjinin me parimin e saj se na njerëzit jemi njerëz nëpërmjet ndihmës së njerëzve, që kanë nevojë dhe të cilët në çdo aspekt e kan vështirë në jetën e tyne. Na njerëzit kemi nevojë për të tjetrët. E jo si thot Jean Paul Sartre: “Të tjerët janë Ferri i im“. Dhe: “Tjetri âsht ai që e kufizon lirinë time”. Simbas Gaspër Gjinit bash angazhimi dhe kujsesa për tjetrin janë vleftat e madhaja në jetën e njeriut. Të tjerët janë ata që e plotsojnë personën time si të tillë. Angazhimi dhe kujdesimi për të tjerët nuk duhet të jenë vetëm si akcione dhe veprime boshe, të kufizueshme. Vetëm në nji zonë lokale. Politika si e tillë nuk âsht e mjaftueshme për me e drejtue poullin në nji shoqni ideale, humane dhe të barabart. E kemi pa se nuk u realizua “socializmi”. Fjalët e politikanëve të socializmit ishin fjalë që fluturojshin me krah e ashgja tjetër. Politika, e cila s’âsht politikë në fjalën e plotë të domethanjes. Politika e cila ditë mbas dite e përpunon, e përpilon dhe e ban ligjin. E ligji âsht si elastiku. Elastiku që mund me e ngreh nji here (ose në nji kohë) nji centimetër ma të gjatë e tjetrën herë 10 centimetra ma të gjatë. E mbaj në mend si sot kur don Gaspri në nji bisedë qeshi me zemër kur i thash se “politika nuk ka as mish as shpirt“ - tue e citue të ndjerin babën tim. Më lejoni t’a citoj prej librit të tij, i cili âsht i publikuem në gjuhën e bukur gegnishte, “Shujtja shpirtnorre. Ai thot: “Të lutemi për ata që vuejnë prej ǔjët (mga uria T.P.), kurse atynë që kanë, zbutju zemrrat e të kryejnë deturën    kanë ndaj të afërmit e t’u ndihmojnë tanë nevojtarëvet”. Dr.  gaspër Gjini,  “Shujtja shpirtnore”, shtëpija botuese KS, Zagreb, 1978, f. 41. Ai më tha se dashnia për tjerin ose për të tjerët duhet të shpërndahet edhe në vendet tjera, në tan botën. Sepse çdo njeri âsht nji krijesë e Zotit. Kjo âsht nji detyrë substanciale etike dhe morale. Gaspër Gjini këte na sugjeron dhe akoma na shtron si detyrë mbi tapetin e jetës sonë. Ai na këshilloi, na udhëzoi dhe na mësoi, dhe akoma na këshillon, na udhëzon dhe na mëson si në predikimet e tij e poashtu edhe në shkresat e tij. Posaqërisht me librin e tij “Shujtja shpirtnore”. Ky punim i don Gaspër Gjinit u shfaq para shum kohësh. Por ai âsht akoma aktual dhe infinit. Ai aty shkruen shkurt dhe në mënyrë koncize. Aty ai e shfaq nji filozofi të jetës dhe nji angazhim fetar të posaçëm për tjetrin, për të âfërmin. Këto parime si filozofike e poashtu fetare janë ma se të dobishme për njerëzimin dhe janë si arsye të  mira për t'i vnue në praktikë në këtë kohë kontemporrane dhe digjitale, në të cilën kohë varfënia ka mrri në kulm. Në këtë kohë që na ka mrri katastrofa materiale, por poashtu edhe shpirtnore. Në këtë kohë, ku i pasuni -  i cili e ka “plancin” plotë me ushqim – e nuk e kupton dhe nuk e ndien urinë e fukaraut, tjetërkujt. I pasuni që nuk âsht në gjendje me i ndi zorrët e shprazta të fukaraut - se si krrasin kur shkon me fjet.

Simbas teologjisë dhe filozofisë së Gaspër Gjinit jeta e njeriut âsht nji rrjedhje e vazhdueshme, në të cilën rrjedhje gjithçka, pa prâ e gjithmonë e kërkon nji ekuilibër: në pajtim me Zotin, me njerëzit dhe me tanë botën mbarë. Paça, “Rahatia”, për  me e mar uha nji term arab. Paqa âsht nji gjendje shpirtnore e lezetshme, e cila na ban të lumtun. Paça me vetvetin, dhe paça me të tjerët, me ambientin. Krishti - kur iu ka paraqitë apostujve mbas vdekjes së tij – i ka përshëndet me  fjalë: “Paqa kjoft me ju!” Në paçë njeriu me të vërtetë bëhet ma human dhe ma i lumtun nëpërmes lidhjeve me njerëzit që jan rreth tij. Dhe ashtu njeriu ma leht i transcendon problemet që për ditë na paraqet jeta pran hundës. Por i transcendon edhe ato probleme që gjinden larg hundës së tij, të cilat janë në potencë. Kjo mund të tingëllojë e paqartë, pikërisht për shkak të fjalës foljes “transcendoj”. Kjo folje – si duket në instancën e parë -  nuk âsht aq e lehtë për t'a kap në nji  definicion. Për ate nji shembull mund me e skjarue domethanjen: Të transcendohesh don të thotë të qohesh jasht vetvetës për me muejt me i pâ disa gjâna që nuk i shef, kur gjindesh në sipërfaçe. Të shkojsh jasht realitetit. Dhe të bâhesh ate që nuk je. Të shkojsh ma nalt. Don Gaspër Gjini bani njisoj si Nana Tereze. Mnyra e jetës dhe e vaprave të tij i kanë përngjâ nanës Tereze. Don Gaspri në mnyrë të mrekullueshme e ka transcendue vetvetën. Shikoni, lexues të ndershëm, TRANSCENDIMIN tij: se si ai âsht nënshtrua bindjeve të tij filozofike dhe religjioze - me të gjitha kapacitetet që i ka pasë. Ai e ka pasë nji bagazh të madh të ditunisë, mençunisë etj.  Ai doktoroi në Univerzitetin “De Propaganda Fide - Urbaniana” në Romë në gjuhën latinishte me temën e doktoratës “De fontibus historico-iuridicis ecclesiae Scopiensis” (Burimet historiko-juridike të ipezhgvnisë së Shkupit). Ai i ka ditë të gjitha këto gjuhë: shqip, kroatischt/serbisht, italisht, gjermanisht, anglisht, frangjisht, latinisht, maçedonisht dhe roma. E kan pyet me dhanë ligjerata në nji univerzitet të italisë. Nuk e ka pranue. Kam ndigjue prej tjetërkujt se edhe univerziteti i Prishtinës ia ka ofrue nji katedër. Ai ka muejt me bâ edhe karierë në shoqni, por nuk ka dasht. Ai âsht nënshtrue – përshkak të thirrjes së ti për prift  dhe për shkak të bindjes së ti si religjioze, posdhtu dhe filozofike – vetëm superiorëve të tij dhe Kishës Katolike. E kërkujt tjetër. Ky âsht  transcendimi i personalitetit don Gaspër Gjinit. Au u ngjit jash të gjitha gjanave materiale. Gjanat materiale, të cilat sod i ke e neser s’i ke. Gjanat që sod janë nesër s’janë. Don Gaspri ishte i vetëdijshëm se Krishti dhe Kisha Katolike e ka pas ate si nevojë për me e udhëzue popullin shqiptar (por jo vetëm popullin shqiptar) si nji bari. Nji bari i dashtun për gjithë. Nji bari që e përcjell popullin deri në nji fushë të lezetshme shpirtnore dhe paçëdhanëse. Në nji fushë, apo gjendje shpirtnore, që e drejton në nji jetë me knaqësi shpirtnore edhe në nji jetë të amshueshme. Përpos ksaj ai ka qenë edhe nji njeri që i respektonte dhe i donte të tjerët si njerëz, si qenje të krijueme prej Zotit. Prej Zotit të njejt të religjioneve tjera, por vetëm emnin e ka tjetër: Allah, Nirvana, Shpirti (te afrikanët). Dhe emni Katolik Krisht, të cilin muslimanët e quejt Isa.  Ai nuk i ka urrye kundërshtarët e tij. E nga ana tjetër, ai nuk ka muejt me e kuptue se për çka ka ndodhë në historinë e popullit shqiptarë ajo çka ka ndodhë - në kohën Otomane. Personalisht e di se don Gaspri ka pas takime të shpeshta dhe zjarrësisht ka bisedue me intelektualët musliman. Intelektualët e kan nderue shum don Gasprin. Ata i kan msue prej ti shum gjana të vlevshme si politike e shoqnore, njashtu edhe kulturore. E kjo ka ndodhë bash në kohën kur problemet në Kosovë kan qenë ma se të mdhaja. Ato kohë ishin shum e shum të vështira. Kisha Katolike e ka pasë jashtzakonisht vështirë. Në këtë drejtim do ta citoj dr. mons. Lush Gjergjin – nji nga exponentet e klerikut shqiptar në Kosovë, i cili shkruen në revistën “Drita”: ”Ishin kohë tejet të ndërlikuara dhe shumë të vështira  për të gjithë, sidomos për ne shqiptarët katolikë, për Kishën tonë,  sepse nuk kishim “lëshuar pe” para diktaturës së kuqe komunisto-ateiste me ngjyra pan-sllaviste, para askujt, si edhe gjatë tërë historisë sonë dymijëvjeçare. Kishim pak meshtarë shqiptarë; ishim pa kisha dhe pa shtëpia famullitare, pothuaj pa asgjë: pa liri kombëtare dhe fetare. Në çdo hap varfëri, kufizime, kërcënime, nevoja dhe halle të ndryshme”. Kurse ma tutje në nji artikull të publikuem në të njejtën “Drita” monsinjor Lush Gjergji shkruen mbi don Gaspër Gjinin, si rrjedh: “Don Gaspri kurrë s’ i mbylli sytë dhe zemrën para kësaj gjendje të mjerueshme. Në këto kushte, ai kishte si parim: Bukë dhe Libër, ushqim trupor dhe kulturoro-shpirtëror”. (Drita, Don Lush Gjergji, “Dr. Gaspër Gjini (1930-1985): Vetmia është shoqëruesja e njerëzve të mëdhenj”, 10 mars 2016).  E populli shqiptarë, në përgjithsi, ka pasë presione të mdhaja nga sistemi diktatorial dhe represiv i Tios (dhe i  njerëzve të tij, serbët). Kleriku i Kosovës ka qenë si therra ma e madhe në sytë e regjimit serb. Shpijunët i kan përcjell klerikët pa prâ në jetën e tyne.

Por, çka âsht ma se e befasueshme, âsht fakti se kur don Gaspër Gjini ishte sekretari i ipezhgvit te atëhershëm, Smiljan Čekada, (ma përpara në dioçezin e Shkupit, të Ferizajt dhe prap në Shkupit) nuk e ka pasë leht. Me nji pozitë të ktillë si sekretar, ai i befasoi edhe disa prifta po të njejtës ipezhgvëni. Ata ishin kundër don Gaspër Gjinit. Nuk e di saktësisht se a ka qenë gjelozia e kolegëve të tij apo rivaliteti me motive dhe aspirata kariere që e ka luejt nji rrol të madh - për me u bâ ata vet ipezhgëv e jo don Gaspër Gjini. Ata e kan urrye don Gasprin, gjâ që  âsht nji kundër parim i religjionit Katolik që si prift me e urrye kolegun dhe priftin si të tillë! Tej i kanë shkrue letër edhe papës se don Gaspri nuk duhet të bahet ipezhgëv. Dhe kjo ishte nji gjâ tipike në kadrin e nji pjese të vogël të klerit katolik në Kosovë. E don Gaspri, si nji prift që nuk i ka praktikue intrizhet dhe inatin, e ka vnue në praktikë principin e Krishtit, kur thotë: “duani edhe ata që ju urrejn”. E don Gaspri nuk ka dasht me revanshue. I ka dasht  edhe anmiqtë e vet. Don Gaspri e kishte edhe nji sugjerim ma se interesant. Ai më tha nji herë në nji bisedë: “Tunë, njerëzit duhet të jen të hapun ndërmjet veti. E nëse ne jemi të hapun ndaj të tjerëve dhe, dhe anasjelltas, të tjerët ndaj neve, ateherë âsht e mundun që së bashkut të vijm deri te nji ndryshim dhe përmirësim në jetë. Me këte mund ta krijojm nji botë të re dhe ma të mirë. Atëherë do të shkon mirë si në fushën e politikës, të fesë dhe të ligjit, kolegialitetit, të shoqnisë. E poashtu do të shkon mire edhe me marrëdhëniet dhe bashkpunimet e njerëzve ndërmjet tyne në tanë botën e, në mënyrë të posaçme, me njani-me-tjetrin”. Mandej, vazhdoi ma tutje: “Thjesht ‘me qenë vetëm njeri’ nuk mjafton. Duhet me u bâ edhe i vetëdijshëm. Të jesh njeri atëherë duhet ta afirmojsh njerëzimin tand, tue e njohtue edhe humanitetin e të tjerëve“. Mbi këtë bazë, duhet të kemi bashkpunim njerëzorë me të tjerët...  Dhe kjo do të thotë se duhet të kuptojsh dhe të jesh i vetëdijshëm se gjaku që rrjedh nëpër damarët tu, âsht i njëjti gjak që qarkullon si ai njerëzve tjerë... Bârnat, të cilat i përdor mbreti, i përdor edhe katundari i përdor (kur janë të smund) me të njejtin qëllim si mbreti”. Për me u sherue. Këto mendime të don Gasprit (por edhe ato mendime tjera që nuk i kam cek janë mendime të thella që mi ka dhanë - jo vetëm mua por edhe ty, i nderueshmi lexues i këti artikulli - i falenderohem pa masë. Ai ishte i vetmi njeri i cili më ka kuptue...Por edhe ai nuk më ka kuptue! Kurse mendimet e tij filozofike dhe teologjike do të mbeten ne qenjen time deri sa jam gjallë.

 

(c) Irene Prekpalaj - van Baaren  /// vorri i don Gaspër Gjinit në oborrin e Kishës në Ferizaj (Kosovë)



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: