Vangjush Saro: 'Çakej' mbi Tiranë
| E Diel, 18.02.2018, 04:09 PM |

“Çakej” mbi Tiranë...

Nëntitull: “Topin e kam unë!...”

Nga Vangjush Saro

Konflikti i rihapur, në media dhe në publik, për shkak të mendimeve dhe vendimeve të ndryshme për Teatrin Kombëtar, na bën të shohim më qartë se si pushteti abuziv i sotëm, i djeshmi gjithashtu, luajnë me njerëzit dhe me historinë, me kujtesën dhe me perspektivën e vendit gjithaq. Ky (vendi) po mbulohet gjithandej me beton. Kjo “ka rëndësi”. Paraja. Betoni. Fitimet. Të tjerat shkojnë e vijnë. “Hidhuni përpjetë, në daç! Topin e kam unë!” Kështu thonë zyrtarët e lartë, partitë. Ndërkaq, skandale të gjithfarshme, plasin kohë pas kohe, si një sfond i pandryshuar i këtij realiteti, ku hipokrizia po prevalon. E vërteta e thjeshtë është që mbi Shqipëri, mbi Tiranë më së pari, janë vërsulur çakenjtë. Këta duan të hanë çdo copë toke e çdo institucion. Një harbutëri e tillë, vështirë se mund të shihet gjetkë, në kohë dhe në hapësirë.

Nuk më ka pëlqyer asnjëherë të bëj rolin e atij që njëfarësoj “ia ka hedhur”, jeton diku gjetkë dhe e shikon pjesën tjetër të Botës, edhe vendin ku aktualisht jeton, si më të mirë… Por le të shtrojmë bisedën me drejtësi, pa patetizëm, pa anësira. Lexoja këto ditë diçka për historinë e Kanadasë dhe, rastësisht, pashë dhe mësova se kush ishte themeluesi dhe zhvilluesi i Shërbimit Gjeologjik të atij vendi. Nuk më kishte shkuar mendja në terma të tilla. Me sinqeritet. Po përpiqesha, më pas apo paralelisht, të bëja disa pranëvënie; vazhdoj ende. Por e shoh se dal me humbje… Kush është homologu i tij në Shqipëri? Po ai i naftës? I ndërtimit? I hidrocentraleve? Cili institut a institucion i mbulon apo i përfaqëson? (Se iu vutë kazmën të gjithave.)

Mbase janë pyetje të vështira. Sepse, me keqardhje, shoh që interesat e ditës bërtasin, parimet janë shkelur, politika fiton mbi drejtësinë, mbi ekuilibrin dhe nevojat reale të vendit. (Për shembull, shumica nuk i shikon këtu ato hidrocentralet, as kullat.) Në këtë vend, e kam thënë herët, vjen njëra palë dhe, me ngut, punëson, pasuron dhe dekoron të vetët. Vjen pala tjetër, havazi... (“Kryeministrat, presidentët dhe ligjevënësit venë e vijnë, ligjet mund të ndryshohen, por janë pikërisht normat themelore, me të cilat organizohen shoqëritë, ato që përcaktojnë rendin politik.” F. Fukuyama.) Pra, kjo është çështja: Ne jemi të paparashikueshëm, jetojmë në njëlloj paqartësie për dje dhe për sot, për tani dhe për nesër; përfshi epideminë e betonit. Nuk është puna të mos ndërtohet. Puna është të mos abuzohet e, ndërkaq, të shohim me sy pas betonit (që s’paska të mbaruar e të lodhur)… humbjet e mëdha që kemi pësuar. Në cilësinë e ajrit dhe të jetës. Në pamjen e qyteteve tona. Të plazheve. Në ndarjen e të mirave materiale. Në pagesat e majme për zënka e gjyqe absurde. Më në fund, në të ardhmen e pasigurt.

Iu thonë protagonistëve të politikës e të biznesit që mjedisi është ndër më të ndoturit në rajon e më gjerë. Jo. Nxjerrin justifikime, bëjnë krahasime si në hartimet e qëmotshme, luajnë të paditurin. Iu flasin atyre për probleme të rënda të edukimit, të arsimit, të punësimit, të shpronësimit ekstrem të shtetit… Prapë bëjnë sikur nuk dëgjojnë. Sikur ata që shkruajnë e flasin, janë pa shkollë, pa përvojë jete, pa mendim. Rëndësi ka që të bëhet siç thotë një grusht njerëzish, një klan; dhe zëdhënësit e tyre, që janë mjeshtra për t’i fshehur marrëzitë. Jeta e përditshme veç, i zhgënjen edhe ata më të kamufluarit.  (“S’ka gjë më të thellë se ajo që duket në sipërfaqe...” Hegel.)

Ani. Le të vazhdojmë me pozitivitet. Problemi nuk është se çfarë duhet ndryshuar e ribërë. Askush nuk është kundër ndryshimit dhe përparimit. Por në këtë temë, duhej të ishte e para fjala e specialistëve dhe jo diktati, as emocionet. Asnjëlloj emocioni. Të afrohemi më në temë. Problemi qëndron në atë se Teatri Kombëtar pothuaj nuk është më, në histori dhe në dinamikë. Dhe nuk është më as Cirku. Nuk është më as Estrada; (anipse ajo është zëvenduar me disa spektakle humori, pavarësisht ç’mund të themi për to, bie fjala banalitetet ekstreme). Po ashtu, nuk ka një Qendër Kulturore për Fëmijë; një institucion për të qenë, është fjala, me mjedise, me veprimtari, jo frymë të vdekura. Nuk është më (siç do të duhej të ishte) Akademia e Shkencave. Nuk është më treni, s’e dimë ku ka shkuar, stacioni dhe funksioni i tij. Nuk janë sportet. Edukimi. Nuk duket se do të jetë as edhe i vetmi Kënd i Lojrave për Fëmijë (i kryeqytetit); ai te Rruga e Elbasanit, ku gjithashtu çakenjtë po vijnë rrotull.

Na thotë ndokush se ja, kështu ndodh edhe në qytetet e mëdha të Botës, edhe atje, edhe më tej... kështu është kudo dautaun-i, qendra le të themi. Po, more zotëri, por ai (ajo) shtrihen a ngrihen në një zonë të kufizuar, ku ka densitet të jetës, biznesit dhe gjithë aktivitetit financiar dhe artistik; që do të thotë se hapësira tjetër është e “papushtuar”, ka vend për parqe, për rrugë, për qendra të komunitetit, për plazhe, për tren. Pra, nuk sajohen e nuk menderosen kulla nga të katër anët, ku të mundet dhe si të mundet, pa një projekt të përgjithshëm, pa një plan, duke ndjekur instiktin e çakenjve, që ia zhbënë vlerën edhe parasë, edhe punës, edhe kuptimit të jetës. Kullë te ish-Stadiumi Kombëtar, kullë te ish-Ambasada e ish-Jugosllavisë, kullë pas 15 katëshit, kullë në plazhe e mbi parqe, kulla buzë Lanës; mjaft të fitojnë këta që dinë ta përdorin pushtetin. Zjarri s’i paska rënë!

Është për t’u keqardhur pastaj, që kohë pas kohe, fillon një sherr e një shamata dhe hidhet baltë mbi njerëzit, mbi të gjithë njerëzit, janë artistë apo jo, janë shkrimtarë apo jo, janë njerëz publikë apo thjesht ndjekin jetën e tyre e të fëmijëve të tyre, jetë që dikush ua nxin dita-ditës. Zhvillimi! Ç’fjalë e madhe! (“Në se një njeri kupton një gjë, nuk mund të përjashtohet që edhe ta keqkuptojë.” F. Kafka) Dhe doemos, është si është “zhvillimi”, term apo realitet, ëndërr apo zhgjëndërr, spektakël apo ndjesi e përditshme tejet e vështirë, disa do ta mbrojnë fort... Do ta mbrojnë fort, sepse kanë në lojë bizneset e fëmijëve e të farefisit, (se nuk shfaqen vetë;) kanë vilën jashtë Tiranës dhe në breg të detit për fundjavë; kanë siguruar prona e para për disa breza; kanë të ardhura ose pensione të majme, ligjet për këtë punë i bëjnë mirë; kanë mbrojtjen e të qenit deputet apo zyrtar i lartë; më në fund, këta të kamur të vonë dhe të tjerë që iu mbajnë ison, kanë bindjen se... Partia nuk gabon asnjëherë. Kështu kanë thënë e thonë ky soj jetë e mot, në çdo kohë, në çdo rend, në çdo rrethanë. Ata nuk e kanë fituar lirinë. (“Çdo qen leh në oborrin e tij...” R. Kipling.)

Ajo që shoh në debatin në fjalë, për teatrin, për betonin, për abuzimet, ka të bëjë pikërisht me këtë konflikt të padëshiruar, me këtë pasiguri e paqartësi për jetën, për ekonominë, për kulturën, për historinë, për mungesën e kuotave të qendrueshme në një vend që duhej të ishte demokratik, perëndimor në kahjen e vet. Nuk është fjala për kuota tejet të larta, të paarritshme: si dorëheqja e atij deputetit britanik, pse u vonua në seancë apo e ministrit hollandez, sepse u vërtetua që kishte gënjyer njëherë; dhe as rasti i kryeministrit që disa ditë pasi kishte dorëzuar detyrën, shkonte në punën  e re me biçikletë. Jo. Të rrimë me këmbë në tokë; jemi shumë prapa. Është fjala për gjëra më të thjeshta, fundja të arritshme; p.sh. jepuni përparësinë e duhur ekspertëve, teknikëve; vendosni parimet mbi politikat e partive; praktikoni referendumin për çështje të rëndësishme të vendit: natyra, ndërtimet, hidrocentralet, historia, kultura dhe paqja. Jeni bërë gaz i  botës! U lemeris ai popull, ngaqë nuk kanë të mbaruar abuzimet e trasha, skandalet, sherret, polemikat dhe grindjet. Kurse hallet e tij janë ku e ku...



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: