Zeqir Lushaj: Kolltuku i partizanit
| E Enjte, 08.02.2018, 09:44 PM |

KOLLTUKU I PARTIZANIT

-Edhe si kujtim për vëlllezërit e nderuar të Bytyçit, Shaban e Hasan Paci-

Nga Zeqir Lushaj

Ishin vitet e para të pasçlirimit. Një prej ish-partizanëve nga Malsia e Gjakovës (si shumë shumë të tjerë), merrte rrugën për në pazar, (për shtek, -i thoshin at’here), pra, për në Shkodër. Dy e tri, ditë e netë, nëpër Qafë-Kolç, Qafë-Agri, Gur të Kuq…, e në kryeqytetin e Veriut, në Shkodrën me shumë za. E për çka? Për të shitë 3-4 berre e për të ble, siç thotë një këngë e vjetër e atyre anëve: “…një okë krypë, një palë opanga/, pak barut , nëpër dugaja…”. (Besoj se, edhe vetëm këta dy rrjeshta këngë, shprehin më së miri, gjëndjen ekonomike të malsorëve tanë në ato vite të mbasmbretërisë shqiptare si dhe të mbas luftës partizane).

…!

-E kam një mik në Shkodër, e nuk mundem me u kthye për malsi, pa i ba za ,-ju tha ish-partizani, shokëve të tij të shtegut të paradimnit të atij viti. Nuk do vonohna, e,do ecim…!

Ndali, përpara derës së Degës së Punëve të Brëndëshme të Shkodrës.

-Urdhëroni, -e pyeti oficeri i rojes, me mirësjellje.

-A asht’ kryetari, Hasan Haxhia këtu , -pyeti ish-partizani që tani, nuk kishte ndonjë shenjë dalluese si , ish-i tillë.

-Ta shohim, -ju përgjigj tjetri, me një farë kujdesi në bisedë.

-Thuej se, -ka ardhe Filani, e po don me të takue se asht’ për rrugë…, -foli bindshëm në të drejtën e tij malsori.

Mbas telefonatës se “dezhurnit”, kryetari tha, -sille menjeherë lart, në zyrë…!

Hasan Haxhia (Paci) kish hapur derën e zyrës krah në krah, dhe po priste buzëgas mikun nga Krasniqja. U tokën, përzemërsisht, i rrahen shpatullat njëri-tjetrin në shenj miqësie, dhe kryetari, bëri me dorë, nga kolltuqet e pritjes, për tu ulur. 

-Jo, nuk ulem, -ja priti tjetri, si për befasi të përzier edhe me pak humor! Nuk ulem, pa me kallxue, -si e kan emrin qeto ?!

-Këto, e kan emrin kolltuqe, po lene atë punë dhe ulu, -ja priti kryetari.

-Kolltuuuqe ! ,-tha tjetri me buzë në gas dhe pa pritur reagimin e Hasanit, prap ju drejtue: -Po, pse na keni rre’ në kohën e luftës shoku Hasan ?

-Me ç’ka të kem’ rre’, more dreq, po ulu, -foli prap Hasan Paci?

-Po qysh, me ç’ka ju kena rre’ ? –A na kini thanë se nuk jena ka luftojmë për kolltuqe e grada por për çlirimin e vendit nga pushtuesi ?!, -I trimëroi fjalët mysafiri i kryetarit.

-…Heee, more budalla i Grisë ! Po qysh kujtove Ti? Po, me të pas thanë at’herë se, kur të çlirohet vendi, Unë, bahna kryetar Dege në Shkodër, e Ti, shkon prap me i ruejt dhitë, në Gri, a kishe ardhe mbas meje, aaa… ?!

-Aaaa, tash,po ! Tash m’kallxove drejtë, dhe jau pafshë hajrin, kolltuqeve e gradave, o Hasan Paci! …Veç, ta dishë mire, se ,at’herë…, at’herë, vallahi, at’herë, na kini rrejt…!

U ulën, pinë kafe e bënë muhabete, si përherë, shumë miqësisht. (Nga libri "Zbehje e heroizmit", Kristalina KH, Tiranë, 2016)



(Vota: 28 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: