Blerina Bytyçi: Ariola Bardhi - një shkencëtare shqiptare në Amerikë
| E Enjte, 08.02.2018, 08:20 PM |

Interviste:

ARIOLA BARDHI – NJË SHKENCËTARE E RE SHQIPTARE NË AMERIKË

Intervistoi: Blerina BYTYÇI

Ariola Bardhi: Studimet në Amerikë më dhanë mundësinë per tu dashururar me shkencën.

Ariola është aktualisht studente e vitit të katert për doktoraturë në kërkime mjekësore tek Albert Einstein College of Medicine në Nju Jork. Ajo u largua nga Shqipëria për të filluar studimet universitare në SHBA me qëllimin për të arritur një arsimim e të ardhme më të mire. Rrugëtimi në sistemin akademik amerikan hapi mundësi që ajo nuk i kishte parashikuar më parë duke zgjuar interesin në kërkimet shkencore, një mundesi kjo që do ti mungonte në Shqipëri. Në këtë artikull Ariola rrëfen eksperiencën e saj me shpresën për të tërhequr vëmendjen e mjekësisë shqiptare mbi rëndësinë e kërkimeve ne mjekësi.

Përse zgjodhe SHBA-në, dhe si përfundove në një universitet amerikan?

Gjithmonë kam patur një interes për lëndët shkencore dhe mjekësinë. Isha e vendosur për të studiuar jashtë shtetit për një të ardhme më të mirë, dhe SHBA ofron shumë mundësi për arsim dhe arritje të larta profesionale në fushën e mjekësisë. Problemi i vetem ishte pagesa, pasi universitet në SHBA janë tepër të kushtueshme. Gjithësesi pas shumë aplikimesh mora oferta nga disa universitete, njëri nga të cilët, Averett Univerity, më ofroi një bursë të arsyeshme dhe unë vendosa ta pranoj.

Si ishte eksperienca universitare dhe si filloi interesi në kërkimet shkencore?

Studimet universitare dhe pas-universitare në fushat mjekësore dhe të shkënces në universitetet amerikane janë tepër ndryshe nga ato në Shqipëri, pasi studentat duhet të përfundojnë një katërvjeçar të përgjithshem para se të specializohen në mjekësi, stomatologji, farmaci, etj. Unë zgjodha degën e shkencave biologjike dhe mjekësore me dëshirën për të vazhduar mjekësi. Një avantazh shumë i madh ishte fakti që kisha një këshilltare akademike që ishte tepër e përkushtuar ndaj suksesit tim. Ajo, së bashku me një profesor tjetër që e kishte vënë re interesin tim në lëndën e gjenetikës, më këshilluan që të aplikoja në programe të ndryshme për të zhvilluar kërkime në biologji. Fillimisht aplikova thjesht për të shtuar një eksperiencë në CV dhe për të qenë aplikante më e fortë në shkollat mjekësore. Pasi përfundova një program veror tek Wake Forest Institute for Regenerative Medicine, ku studiova një mutacion gjenetik që mendohet të jetë i lidhur me plakjen e parakohshme, fillova ta konsideroj seriozisht përfshirjen në kërkimet shkencore. Në Shqipëri, për shkak të mungesës së fondeve në arsim, lëndët e laboratorit në gjimnaz zakonisht nuk zhvillohen, ose janë tepër të limituara. Mundësia për të zhvilluar kërkime më dha një kënaqësi që nuk e kisha menduar ndonjëherë, pasi për herë të parë kisha mundësinë të ekzekutoja një eksperiment me duart a mia dhe të zbuloja dicka që nuk dihej akoma në shkencë.

Me cfarë kërkimesh po merresh gjatë doktoraturës dhe si është një ditë e zakonshme në laborator?

Aktualisht jam e përfshirë në disa projekte të ndryshme që investigojne kombinime të ndryshme terapeutike për të kuruar infeksionin me virusin HIV.  Ditët në laborator zakonisht janë tepër të zëna. Çdo javë planifikoj eksperimentet më të rëndësishme që duhet të zbatoj, dhe brenda të njejtës ditë mund të performoj disa eksperimente paralelisht. Analiza e rezultateve nuk është gjithmonë e thjeshtë, kështu që shpeshherë më duhet të konsultohem me studenta apo shkencëtarë te tjerë për të gjetur mënyren më të mirë të interpretimit. Si rezultat, kam mbledhje të ndryshme puthuajse cdo ditë, dhe një herë në javë kemi mbledhje të përgjithshme të laboratorit. Natyra e punës gjithashtu kërkon frekuentimin e seminareve në fushën time apo ato ne fusha të ngjashme, si dhe lexim te thellë të literaturës që zakonisht e bej në mbrëmje, pasi koha nuk prempton gjatë ditës.

A ke zbuluar ndonjë gjë të rëndësishme që mund ta ndash me ne?

Per momentin është tepër herët për të thënë diçka përfundimtare, por kam disa rezultate pozitive në lidhje me kapacitetin e një antitrupi të inxhinjeruar për të luftuar virusin HIV. Shpresoj që të zbuloj më tepër mbi vetitë e këtij antitrupi dhe të publikoj dicka deri në fund të vitit.

Cila ka qenë sfida apo vështirësia më e madhe gjate studimeve tuaja në SHBA?

Sfida më e madhe ishte pranimi në një program për doktoraturë, pasi unë kisha zhvilluar shumë pak kërkime shkencore në krahasim me kandidatët e tjerë. Besoj që ishin rezultatet e larta në universitet, si dhe dëshira dhe pasioni që kisha për tu marrë me shkencën, ato që më dhanë mundësinë për të filluar studimet për doktoraturë. Vështirësitë në përgjithësi janë të shumta për cdo student që ndodhet i vetëm jashtë vendit të origjinës, dhe i duhet të mësoje një sistem të ri shoqëror, shkollor e punësor, dhe të përballet me cdo vendim i vetëm, por besoj se kjo eksperiencë më ka pergatitur më mirë për sfidat e ardhshme në jetë.

Ariola, ti je dhe një nga themelueset e organizatës INet NYC. Cfarë është kjo organizatë, dhe si të erdhi ideja për ta filluar atë?

INet NYC është një organizatë që mbështet të gjithë shkencëtarët dhe studentët e huaj që studiojnë në fushat e shkencave biologjike dhe mjekësore në Nju Jork. Ideja për të filluar këtë organizatë lindi gjate shumë bisedave me studenta të tjerë të huaj që shpeshherë ndihen të konfuzuar nga mundesitë që ekzistojnë pas kompletimit të doktoraturës në SHBA, cfarë karrierash të ndryshme janë të mundshme, dhe cilat janë rrugët për të marrë një ofertë pune që sponsorizon dhe vizë pune. Interesi që kisha për të zbuluar më shumë mbi këto mundësi, si dhe fati që njhja një tjetër student, Mike Veenstra nga Hollanda, i cili ishte gjthashtu i përkushtuar për të bashkuar dhe ndihmuar komunitetin e shkencëtarëve të huaj, çuan në lindjen e INet NYC. Organizata u themelua në tetor të vitit 2014 dhe tashmë ka mbi 350 anëtarë, një bord drejtuesësh prej 12 vetash, dhe nje grup këshillëtarësh të përbërë nga drejtori i marketingut të firmës farmaceutike Pfizer, drejtoresha e programit Science Alliance tek akademia e shkencave të Nju Jorkut (New York Academy of Sciences), dhe drejtoresha e qendrës gjermane për kërkime dhe inovacion (German Center for Research and Innovation) në Nju Jork. Për më tepër, në bordin drejtues të INet NYC ndodhet dhe një studente tjetër shqiptare, Linda Molla, e cila po përfundon doktoraturën tek Rockefeller University.

Cfarë drejtimi kërkon të marrësh mbas diplomimit dhe ku e sheh veten mbas 5 vitesh?

Dua të vazhdoj të punoj në shkencë dhe të ndihmoj me kerkimet më të fundit. Pas përfundimit të doktoraturës dua që të punësohem në një kompani farmaceutike dhe të merrem me projekte që kërkojne zbulimin e manipulimeve të sistemit imunitar për të luftuar kancerin. Kam dëshirë që të përfshihem më tepër me drejtimin e projekteve dhe propozimin e ideve të reja dhe gradualisht të shkëputem nga eksperimentet. Shpresoj që me pune dhe vullnet t’ia arrij këtij qëllimi.

Do të kishe ndonjë këshillë për studentat në Shqipëri, apo ato që duan të studiojnë jashtë Shqipërisë në programe universitare apo pas universitare?

Këshilla e vetme që kam është që ti marrin studimet seriozisht dhe të përpiqen të kërkojnë mundësi për të ardhmen, qoftë jashtë vendit apo edhe në Shqipëri. Largimi nga atdheu, familja, e shoqëria nuk është e lehtë, kështu që secili duhet të ndjekë rrugën që e bën më të lumtur. E rëndësishme është që të mos kenë frikë të provojnë eksperienca të reja dhe të jenë gati për sakrifica, sepse puna në fund gjithmonë shpërblehet. Personalisht, nuk e kisha menduar kurrë që do ti futesha kërkimeve në mjekësi, por ka qenë një mundësi shumë e mirë që besoj do të më ndihmojë të eci përpara. Shpresoj shumë që së shpejti në Shqipëri te krijohen mundësi për kërkime shkencore dhe që mjekët e rinj ta kuptojnë rëndësinë që ato kanë per avancimin e mjekësisë.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: