Ilir Muharremi: Mos vidhni o artistë!
| E Diel, 04.02.2018, 12:00 PM |

Mos vidhni o artistë!

Nga Ilir Muharremi

Artistët tonë vjedhin, vjedhin shumë, por jo vetëm artistët tanë, të gjithë vjedhin ngaqë asgjë nuk vjen nga asgjëja. Hajdutët e artit gabojnë kur nuk i theksojnë referencat ose nuk i qesin në dritë burimet. A mbetet ende diçka origjinale e pa krijuar? Çdo gjë që duhet krijuar, deri më tash është krijuar, ka shumë që nuk e kanë dëgjuar, ajo krijohet përsëri. Pastaj, ajo ngjanë dhe s’mund t’i shmangemi ndikimit dhe të jemi krejtësisht origjinal. Si mund të jetë njeriu një art i ri dhe  forcë e re? Ose ndonjë fillim i lëvizjes, apo rrotë që vetërrotullohet? Vetëm nëse lartësohet mbi ndikimet duke kërkuar origjinalitetin. Lakmi për majat! Këtë nuk e kanë artistët tanë plagjiatorë. Nuk janë ambicioz, nuk janë të lirë, veprat e tyre janë si ato tullumbacet që fluturojnë dhe e lënë bosh ashtu siç vërtetë ishte “artisti”. Kur mbeten pranë vetes së tyre, shohin poshtërsinë e tyre, dhe  bërtasin “gjithçka çfarë bëra është mashtrim”. Po ku e kanë këtë ndërgjegje këta majmunë mashtrues të artit? Këta vetëplagjiatorë, maniakë, vetëavokat të lodhur, e ku ta dijë se çfarë më. Ku dinë këta për vetminë e për ato ndjena që shpesh edhe e vrasin vetmitarin. Si mund të jenë të drejtë me të tjerët, kur janë të padrejtë me vetveten. Ata i përfillin shumë sulmet e dashurisë ndaj vetvetes, Narcis janë, bëjnë atë çfarë do prej tyre vetëm për të arritur qëllimet, por ku mbetet ndërgjegjja? Sa lehtë degradohen këta mashtrues dhe rrëzohen për toke përballë artit të tyre. Nuk u duhet dhënë dora dhe mos pini verë nga kupa e tyre, ngaqë edhe ju mund të bëheni mashtrues si ata. Janë mashtrues, heretik, shpirtligë, shtrigë, magjistar, palaço, të ndyrë dhe shumë e shumë të ligë.

Si të jesh origjinal? Djege përbrenda vetes flakën tënde, bëhu si hi, pastaj krijoju, mos u riprodho, iki kësaj, edhe pse interneti s’të lë rahat. Izolohu, jo nga bota, por nga interneti nganjëherë edhe nga vetvetja. Me lotët e tua ndiqe vetmin, e kuptoj se vështirë është të krijosh mbi veten, sëpaku bëhu origjinal. Shkatërroji tabelat e vjetra, o mik. Nëse i lë hapësirë vjedhjes, ose të shkuarës, apo riprodhimit, demoni do të ndërtojë urë në formë rrethore dhe ne vetëm do sillemi si budallenj. A jemi budallenj? Natyrisht që jo dhe është për tu vlerësuar mendimi i njerëzve të thjeshtë përmes rrjeteve sociale që reaguan ndaj vjedhjeve të artistëve, konkretisht me rastin e parafundit, përzgjedhjen e logos së 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës: Njerëzit e morën me shqetësim krijimin e logos për 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës të krijuar nga dy artist: Arbër Racaj dhe Egzon Çaka. Kjo logo padyshim erdhi me ngjyrat e flamurit të Republikës së Kosovës, poashtu me tri gjuhë: shqip, serbisht dhe anglisht. Logoja ishte vjedhje, padyshim, dhe duhet të shqetësohemi sepse radhitet te vjedhjet e këqija dhe këta çuna vodhën idenë, por është e ditur se idetë e mira gjithmonë vidhen, atëherë, pasi që vidhen është mirë që artistët t’i imponojnë ato. Kjo logo u vjedh nga logoja e kompanisë turistike gjermane “Schauinsland reisen”. Është fyese një logo e pavarësisë me një logo e agjencisë turistike.

Rasti i fundit është shumë i dhimbshëm, tepër diçka. Pasi u anulua logoja plagjiat, tash fitoj logo tjetër vetëplagjiaturë. Artisti përsërit logon e vitit 2015 të punuar në Maqedoni. Kjo i bije të paguhej për të njëjtën punë dy herë. Koncepti është i njëjtë: 6 yje i kanë të dyja logot, vetëm ndërron pak mënyra e dizajnimit edhe numri 10 është në të njëjtën mënyrë. Thjeshtë, autori dy herë e ka shit mallin e njëjtë. Kjo është turp i madh! Këtë s’mund ta quajmë plagjiaturë, natyrisht sepse janë të krijuara nga i njëjti autor. Por, autori është dashur të krijoj diçka unike gjithmonë duke respektuar stilin e tij dhe si avancim të punës së më hershme unë nuk e shohë, por përsëritje, dhe përsëritje monotone. Kjo vepër më shumë po duket si një tregti si mall i njëjtë për t’u shitur sesa kreativitet unik dhe enkas i punuar për 10 vjetorin e pavarësisë. Ndoshta edhe artisti nuk e kishte kohën e mjaftuar sepse dy ditë më parë njëra logo u anulua dhe si për shpejt është dashur të zgjidhet një tjetër. Vetëm ka nxjerrë nga arkivi dhe ka modifikuar shumë pak logon e vjetër. Këta magjistar të neveritshëm, në vetvete më nuk ju mbetet as gënjeshtra e as dredhia, pranë vetëdijes ju doli shpejt boja. Këta vetëavokat, i besojnë edhe mashtrimeve të vetvetes. Tash në këtë kohë është vështirë të gënjesh sepse del qesharak dhe rrëzohesh përballë veprës tënde. Këta  janë falsifikator ideal. Mos vidhni, mos vidhni, o “artist”, sepse po e shkatërroni veten dhe vendin.

Edhe portretin e Gjergj Kastriotit artistët kosovar  e riprodhojnë mbas versionit të Odhise Paskalit. Asnjë version tjetër nuk e përdorin, por sa është i saktë edhe ky version kur eshtrat e Skënderbeut u zhvarrosën nga turqit pas rënies së Krujës, më 1480, 12 vjet pas vdekjes. Varri i tij, që ndodhej në Kishën e Shën Nikolla në Lezhë, u dhunua dhe eshtrat u morën si hajmali nga ushtarët turq. Për t’u ditur saktë pamja e tij, duhet marrë eshtrat dhe mbas versionit tredimensional të montohet mishi dhe në saktësi do dimë çdo gjymtyrë, artistët kështu do ta riprodhonin origjinalin e jo imagjinatën e Paskalit. Shumë artist e pikturuan portretin e tij si: Italian, Gjerman, Holandez, por portreti më i përafërt me pamjen origjinale të tij mendohet të jetë i artistit italian Gjentile Belini. Por, ende pamja e tij mbetet imagjinatave mbas artistëve dhe kjo s’mund të ofrojë saktësi. Mos vidhni, mos vidhni nga Paskali, o artist.

A mund t’i ikim plagjiaturës dhe vetëplagjiaturës?

Plagjiatura përmes internetit është më e theksuar, sepse tashmë është bërë shumë e thjeshtë, dhe aty artistët vjedhin vepra nga artistët tjerë. Por, ku do i merrnin ata idetë nëse nuk do i vidhnin? Ne librin "Vidhni si artist" te Austin Kleon shkruan: " Nga ju vijnë idetë? Artisti i ndershëm përgjigjet: Unë i vjedh." Të gjithë e bëjnë këtë dhe nuk është shumë për t’u befasuar nga kjo. E thjeshtë është shumë ngaqë ekzistojnë në botë gjëra të cilat ja vlen t’i vjedhim dhe gjëra që fare nuk ja vlen t’i vjedhim. “Arti është vjedhje”, shënonte Pablo Paicasso. Ai mendonte për mjeshtri të vjedhjes ngaqë vet idetë janë vjedhje. Ai mendonte gjithmonë për vjedhje të mirë sepse kjo vjedhje është studim, ka merita dhe transformim. P.sh pikturimi i natyrës është vjedhje sepse artisti vetëm e riprodhon. Por, ka edhe vjedhje të keqe ajo që është degradim, aty njerëzit i marrin vetëm majat, marrin vetëm nga një person (artist), plagjiaturë, imitim, grabitje....

Artistët duhet ta pranojnë se çdo ide e re është thjeshtë përzierje apo ribërje  e shumë ideve të mëparshme. A mund ta mohojmë këtë? Natyrisht që jo, por mund t’i ikim plagjiaturës. P.sh artisti Austin Kleon në librin e tij shpjegon se nëse marrim një copë letër dhe i vizatojmë dy vija paralele dhe pyesim se sa vija qëndrojnë aty? Është vija e parë, e dyta, por ndodhet edhe njëra midis tyre, ajo me ngjyrë të bardh (hapësira). Por, kjo nuk është kopje, por ngjashmëri që lind nga vijat e mëparshme. Kjo falet, por logoja në fjalë është kopje e qëllimshme dhe nuk i shkon këtij shembulli me arsye se ajo hapësira e bardh e cila nxjerrë vet linjën, nga këta dy artist do ta kishte linjën origjinale me ato linjat e mëparshme. Atëherë, bëhet fjalë për plagjiaturë e jo për ndikim. Ose tjetra, shtrirja e vijave paralele dhe ajo në mes dy vijave paksa e shkurtuar, prapë është plagjiaturë edhe nëse i hiqen majat.

Nëse artistët vjedhin nga frymëzimi i tyre dhe kjo më tej i jep krahë imagjinatës, atëherë është normale, kurse logoja stagnon dhe përsërit realizimin e njëjtë. Sikur artisti ta shtrinte në ekran duke i gllabëruar shumë logo, ide, piktura, fotografi, libra, ëndrra, dritë dhe hije, do të ishte më ndryshe. Ai u fokusuan vetëm në njërën: autoplagjiaturën.  “Zgjidhni për të vjedhur, vetëm ato gjëra që i flasin drejtpërdrejtë shpirtit tuaj”, shkruan Jim Jarmusch. Nëse arrihet kjo, puna (vjedhja) është autentike. Nëse artisti  do krijonte pemën (veprën) nga disa kombinime, atëherë ai do të niste edhe degën e tij, pra “origjinalitetin”. Ai zgjodhi sindromën e mashtruesit dhe kjo është fenomen psikologjik, ngaqë pas mashtrimit,  përdori mbrojtjen dhe natyrisht shfajësimin. Por, krijuesit e mirë të cilët gjithmonë thonë të vërtetën nuk mund ta dinë se nga ju vijnë idetë e mira, ata thjeshtë bëjnë çdo ditë punën. E respektoj shtirjen  sepse vetë Shekspiri e thotë: “E gjithë bota është një skenë, dhe të gjithë burrat dhe gratë janë thjeshtë aktorë, ata luajnë shumë role”. Kjo është e nënkuptueshme.

Mos të harrojmë, duhet ndarë plagjiaturën nga autoplagjiatura, kopja është kur njeriu lind me stilin e tij individual dhe mëson duke kopjuar, ndërsa autoplagjiatura është të akt apo proces i kopjimit të veprës së vet. Kështu shënon në fjalor. Edhe kjo është e dënueshme.

Edhe alfabetin e mësojmë ta shkruajmë duke e kopjuar.”Piktorët mësojnë duke riprodhuar kryeveprat e pikturës”, shënon Kleon. Këto janë të lejuara derisa plagjiatura dhe autoplagjiatura dënohet me ligj. Kopjimi na shkarkon ndaj ndëshkimit me ligj dhe vetë grupi The Beatles konkretisht Paul McCartney ka thënë: “Unë imitoja Buddy Holly, Little Richard, Jerry Lee Leëis, Elvis. Të gjithë kështu bënim”. Edhe Salvador Dali ka thënë: “Ata që nuk duan të imitojnë asgjë, nuk krijojnë asgjë”. Të gjitha këto lejohen përjashtuar plagjiaturën dhe vetëplagjiaturën. Gary Panter ka thënë: “Nëse ju ndikoheni  vetëm nga një person, të gjithë do t’ju thonë: je një pasardhës i radhës. Por, nëse kopjoni nga njëqind njerëz, të gjithë do t’ju thonë: sa origjinal jeni”. Atëherë, artist të nderuar mos vidhni vetëm stilin, por mundësin pas tij, kjo është më e lejueshme.

Paul Gauguin ka thënë: “Arti është ose plagjiaturë ose revolucion”. Kjo e dyta është më e vështirë, por prapë më e pranueshme se e para derisa të parën 99 % e artistëve tonë shqiptar e aplikojnë. Kurse, Picasso shton:  “Artistët e këqij kopjojnë, ndërsa gjenitë vjedhin”. Bëhet fjalë për vjedhje jo direkte nga një produkt, por nga shumë produkte. Edhe Karl Kraus në librin e tij “Pro domo et mundo” shkruan se “ E fshehta është në zemër të plagjiaturës. Edhe në art i varfëri nuk mund t’i marrë asgjë të pasurit, ndërsa i pasuri i merr gjithçka të varfrit”. Ku me ditë sa vepra tjera janë plagjiatë, sa piktura, dizajne, romane, poezi, shfaqje teatrale, muzikë.... Pothuajse në Kosovë të gjitha krijimet mbajnë vetëm një emër “Plagjiaturë” dhe tash na doli autoplagjiatura si origjinalitet artistik. Cirk dhe humor, por rrëzim për toke, dhe unë të isha në një gjendje të tillë do tërhiqesha në tentim të krijuarit një vepër vërtetë origjinale. Ose vetë shteti duhet të anulojë të rishpallë konkurs e të përzgjedh një logo origjinale. Mos ndoshta kemi frikë nga origjinaliteti? Ose s’jemi kreativ dhe vuajmë nga ky sindrom? Artist  mos vidhni, mos vidhni.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: