Idriz Zeqiraj: Vizita e parë e Rugovës në Tiranë
| E Merkure, 24.01.2018, 07:51 PM |

VIZITA E PARË E RUGOVËS NË TIRANË

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Studentëve absolventë, Ibrahim Rugovës dhe Rexhep Ismailit, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë si dhe gazeta "Studenti", u bëri ftesë për vizitë një-javore në Shqipëri, më 1971. Profesor Androkli Kostallari, më ftoi në Institut, më tregoi se po vijnë Ibrahimi me Rexhepin, por ai po udhëtonte, papritur, për Itali, ke Arbreshët. Prandaj, kërkoi falje. Kishte përgaditur dy paketime literaturë për mysafirët. Edhe këta më lanë ca dhurata të majme për profesor Kostallarin.

Në ujdi me Sigurimin, për shoqërim të studentëve të Kosovës, ishin caktuar Koço Bihiku e Jorgo Bulo, i pari historian në Shkencat politike, i dyti, gjuhëtar në Filologji, njëherësh pedagogë të mi, në Universitetin e Tiranës. Ndërsa Mehmet Elezi, kryeredaktor në gazetën "Studenti".

Në Hotel "Dajti" shkova në mbremje. Nga holli dëgjova një bisedë të zhurmshme. Kurrë se kisha parë Ibrahim Rugovën kaq nervoz në bisedë. Koço Bihiku ishte njeri i mirë, ligjërues i Historisë së Re Botërore, por, grindavec dhe polemist i zëshëm. Pedagogët mbronin Kadarenë, Ibrahimi dhe Rexhepi e mbronin profesor Qosjen, i cili kishte demantuar Kadarenë në një shkrim, ku Kadareja bënte një krahasim paushall se, gjoja, "letërsia shqiptare ka arritur nivelin e letërsisë evropiane" dhe, si shembull konkret, kishte cituar Migjenin.

Qosja kishte reaguar se "letërsia shqiptare nuk ka arritur as stadin ballkanik e lëre më atë evropian". Si duket, Qosja kishte të drejtë, por edhe Kadareja e dinte këtë. Sigurisht, shkrimi ishte bërë me porosi të partisë nga Kadareja.

Në Shqipëri diktatura dhe varfëria bënin kërdinë. Arrestimet dhe dënimet politike ishin shtuar, ndërsa gjiri i lopëve dhe i nënave-nuse kishte shterruar, njëherësh. Për një litër qumësht, duhej ngritur në ora 4 të mengjezit, për të bredhur nga njëra pikë shitjeje në tjetrën, për ta siguruar. Ndërkohë, propaganda komuniste, më saktë, lehaqene, trumbëtonte se "Shqipëria është vendi më i begatë në Evropë" dhe kur u prish me Kinën, "më i pasuri në botë!!" Hajde rrenë, hajde!

Rexhep Ismajli ishte idhnak në bisedë dhe unë druaja mos po lëshon fjalë të pamatura dhe mund ta arrestonin. Ndërhyra, krejt pa takt, dhe u thashë djemëve të ngjitemi në dhomën e hotelit. Rexhep Ismailit nuk i pushonte goja. E trashi muhabetin, duke thënë se "këta të Shqipërisë janë mësuar me citatet e Mao Ce Dunit dhe të klasikëve të marksizëm-leninizmit, por unë jam gadi të hyj në provim me ta se sa e dinë marksizmin!"

Përgjimi në hotel, madje edhe kamera të maskuara, janë të vendosura në të gjithë hapësirën. I bëta me shenjë Ibrahimit për përgjimin dhe Ai i tha Rexhepit, "unë po e përcjellë Idrizin deri ke konvikti, ti pusho pak". U lehtësova nga ai ankth, edhe pse Rexhepi më pëlqente se ishte shumë luftarak, i drejtëpërdrejtë dhe krejt i shpenguar në bisedë .

Asaj nate mbetëm në përcjellje të njëri-tjetrit. Kishim kaq mall për të biseduar, sa nuk po e ndjenim shetitjen e ngadalshme dhe qendrimin në këmbë. Ibrahimi më pyeste për gjithçka: studimet, kushtet e jetës. Ai donte të mësonte për jetën e njerëzve me emër, si: Tafil Boletini, me djalin Aliun, Zekirja Rexha, Ahmet Gashi, Selman Riza, Aziz Zhilivoda, Agim Gjakova, Kapllan Resuli, Adem Istrefi, Sadri Ahmetaj dhe disa të tjerë.

Ibrahimi dhe Rexhepi kishin vizituar "Qytetin Studenti", në shoqërim të Mehmet Elezit. Ibrahimi kishte kërkuar të vinte në dhomën time, por Mehmeti kishte mashtruar, duke thënë se "nuk është në dhomë". - Do t`i kërkoj llogari pse ka gënjyer, - i thashë unë. Por, Ibrahimi m`u lut të mos i them. Dhe, u binda. Hija e asaj nate do të ishte objekt i hetimit dhe i gjykimit tim dy vjet më vonë.

Përgjatë asaj nate, që mbetëm duke e përcjellur njëri-tjetrin, Ibrahimi me foli për vizitën e berë në Qytetin Studenti, së bashku me mikun e tij të mirë, Rexhep Ismaili, i shoqëruar nga gazetari Mehmet Elezi. I kishte pëlqyer gjithëçka: Qyteti "Studenti, i ngritur mbi një kodër, në lindje të Tiranës. Kishte 19 ndërtesa konviktore, që quheshin - godina -.

Dhomat ishin me hapësirë, ajrim dhe ndriçim të bollshëm, me 8 shtretër, dy katësh, por, edhe dhoma të vogla qoshake, me dy ose tre shtëtër të hekurtë. Pastërtia ishte në nivel. Menxa e studentëve, banjot të vendosura në një ndërtim një katësh, uji i të cilave nxehej nga një kaldajë me qymyr guri, pak më larg nga konviktët.

Biblioteka "Studenti", salla e madhe e mbledhjeve dhe dhoma të tjera rrethanore, ishte poshtë konvikteve. Kurse, krejt në fund të qytetit "Studenti", ishin të gjitha fushat sportive. E gjithë hapësira tokësore e qytetit "Studenti", ishte tokë e sekuestruar, pa shpërblim, familjeve të mëdha, vendorë tiranas. Në vitet `70-a, Shqipëria kishte 14 mijë studentë.

Ibrahimi fliste me pasion dhe i kishte bërë përshtypje se si shoqëruesi Mehmet i çonte në çdo objekt, që ishte në shërbim të studentëve. Dhe, kujtuam atë konviktin- baraka, ku Ibrahimi me Rexhepin i filluan studimet në Prishtinë. I ndodhur në konak ke Ibrahimi, për të hyrë në WC-në konviktore, mund të shpëtoje pa u lagur, vetëm me çizme. Ndërsa konviktet e reja, pak më sipër, ishin moderne, me kushte normale për ndejë, fjetje dhe studim.

Për Mehmet Elezin është shpifur shumë, sikur ai ka qenë informator i Sigurimit. E vërteta e shoqërimit të Ibrahim Rugovës dhe Rexhep Ismailit, nga Mehmeti, është kjo: Shef i Sigurimit për inteligjencën e Tiranës ishte Bajram Doçi nga Tropoja, prej nga vinte edhe Mehmet Elezi. Personalisht, kam pasur probleme me shefin në fjalë. Me një rast, duke qenë studentë, mua dhe Sadri Tafilaj, nga Lëbusha e Deçanit, na thirri në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe na kërcënoi të mos hyjmë as në Hotel "Dajti" dhe as të mos i takojmë kurrë vizitorët nga Kosova!

Ne reaguam, bilëz Sadriu më ashpër, duke shpërthyer edhe në vajë. "Për këtë Shqipëri ka luftuar edhe Kosova dhe kufizimet e tilla nuk i pranojmë",- tha Sadriu, i cili ishte në prag të përfundimit të studimeve dhe e emëruan mësues të matematikës, më sakt, e internuan, në kërshat e Këlcyrës të Përmetit. Ndërkohë, unë vazhdoja studimet dhe nuk ia vara fare as shefit Bajram dhe as kolegëve të tij. Edhe arrestimi im është bërë ke "Dajti".

Reja e Enver Hoxhës, nusja problematike Liljanë, që akuzon për shumëçka vjehrrën Nexhmije, rrëfen një bisedë me vjehrrin: "Enver Hoxha me tha se rinia jonë duhet të udhëhiqet nga një kuadër më energjik. A ke ndonjë emër për rininë? - Unë i propozova Mehmet Elezin, gazetar i "Zëri i Popullit". Enveri e pranoi dhe ai u emërua Sekretar i Parë i Rinisë të Shqipërisë", - thotë Liljanë Hoxha.

Mehmet Elezi ishte student i shkëlqyer, Sekretar i suksesshëm i rinisë shqiptare, kryeredaktor i gazetës qendrore "Zëri i Popullit", kuadër i lartë, në kabinetin e Ramiz Alisë. "Unë nuk isha student i dhjetorit",- është titulli i njërit nga librat e Mehmet Elezit. Por, ai dorëzoi librezën e kuqe dhe iu bashkua Partisë Demokratike të Prof. Sali Berishës.

Mehmet Elezi është djalë i Malësisë të Gjakovës. Vargjet e para i ka thurë për Kosovën. Librin e parë poetik, ia sakatosi partia, me seleksionime e reduktime drastike. Kam njohur edhe Nënën e tij, një malësore fisnike, që rriti, edukoi dhe shkolloi fëmijë të mbarë e për lakmi. Shtëpia e tyre ishte një Kosovë në miniaturë.

Një studjues i përkushtuar. "Fjalori i gjuhës shqipe", vepër e punës së tij vetjake, me vjeljen edhe të leksikut verior, është vlerësuar në supërlativë, nga bota akademike shqiptare. Si ambasador i Republikës të Shqipërisë në Zvicër, ka shkëlqyer. Bashkëpunimi, pjesëmarrja e tij, në veprimtaritë e Mërgatës gjithëshqiptare, ka qenë unike. Akuzat e të majtës shqiptare, janë ideologjike e hiçe.

Vajzat dhe djemtë studentë të Malësisë, sidomos, të Tropojës, Kukësit dhe të Dibrës, ndjeheshin po kaq të huaj, në Tiranë, sa edhe ne, studentët nga trevat jashtë Shqipërisë londineze. Tashmë, edhe shefin tim të viteve `70-a, Bajram Doçin, i cili jeton në Durrës, e kam bacë dhe rri me atë. Dhe, tani, bëj shaka: Nga maloku i Tropojës, dridhej inteligjenca e Tiranës. Vetëm unë nuk pyesja fare! "Të shkuara, të harruara", - thonë korçarët dhe jugorët tjerë.

Për  t`i takuar djemtë e ardhur nga Kosova, kishin ardhur edhe profesor Eqrem Çabej dhe Jakov Xoxa, por, ata prisnin ke Lulishta "Rinia", përballë Hotel "Dajtit", sepse nuk ishin të autorizuar për të hyrë në "Dajti"! Çabej ka qenë i dënuar me ekzekutim, pas luftës, si nacionalist, ndërsa shkrimtari, pedagogu Jakov Xoxa, kishte bërë mëkatin e madh, në skalitjen e personazhit kosovar, Adilit, në raport me vendorët, në romanin "Lumi i vdekur", të cilit, kurrë nuk ia fali Partia. Si pedagog, kishte një edukatë supreme dhe fort më ngjasonte me artistin Sylejman Lokaj dhe Elez Selmanaj, mësimdhënësit e mi në Gjimnazin e Istogut. Çabej dhe Xoxa i shoqëronin djmetë- studentë të Kosovës, në natyrë të hapur, kuptohet, me një leje të posaçme të marrë nga Sigurimi.

Në vitin 1972, djali i vetëm i Profesor Çabejt, nxënës i vitit të tretë gjimnaz, i shkëlqyer në mësime dhe sjellje, u hodh nga kati i tretë, duke bërë vetëvrasje të qëllimshme, sepse teze e xhaxhesha, me burra të pushkatuar nga diktatura, të veshura në të zeza, jetonin me familjen e Çabejt. Gjimnazisti i zgjuar nuk po e duronte mëtej diktaturën. Me disa studentë të Kosovës, në Universitetin e Tiranës, shkuam për ngushëllime, në banesën e tij. Profesor Çabej na tha: "Nuk jam babë i pa djalë, sepse kam djemë Ibrahim Rugovën, Rexhep Ismajlin dhe të tjerë, në Kosovë dhe Shqipëri". Kjo ishte prekëse për ne, deri në përlotje.

Është interesant fakti se si profesor Çabej ua  besoi veprën shkencore dhe jetësore, pikërisht, Rexhep Ismajlit dhe Ibrahim Rugovës, ndërkohë që ai ishte mësues i shumë gjeneratave vendore. Çabej vdiç në vitin 1980, me ankthin e madh, se do t`ia arrestonin vajzën e vetme, Brikenën, të akuzuar me "fletë-rrufe" dhe gazetë, "për veshje moderne, revizioniste e kapitaliste". Duke qenë në Burgun e Burrelit, shuarjen e Çabejt dhe, dy vjet më vonë, vrasjen e Vëllezërve Gërvalla e Kadri Zeka, i përjetova me dhimbje, lot e vajë.

Ministria e Arsimit dhe Universiteti i Tiranës, shënonin 125 vjetorin e lindjes të poetit Naim Frashëri. Në sallën e Institutit të Arteve, veç tjerash, shfaqej edhe një dramë, me lojën e studentëve artistë. Merrnin pjesë edhe Ibrahim Rugova dhe Rexhep Ismaili, këtë herë të shoqëruar nga shkrimtari dhe pedagogu Nasho Jorgaçi.

Në hollin e sallës pashë poetin lirik Lagush Poradecin, emri lindak Llazar Gusho. Doja t`u bëja një surprizë, befasi, Ibrahimit dhe Rexhepit. Lasgushi kishte memorje të fortë, për moshën, ishte Kosovë-dashës i pa hile. E afrova ke djemtë, u thashë: Jua prezantoj Doktor Lasgush Poradecin. Ata u përshëndetën, disi me mosbesim. Lasgushi mbante një pallto shumë të vjetër, e cila mbulonte rrobat e tjera, po kaq të vjetra, por, jo edhe këpucët, që kishin pësuar të çara.

Ndërkohë që djemtë e Kosovës prisnin një Lasgush ndryshe. Lasgushi i qeshur, fort i gëzuar, por, nuk i njihte djemtë e shquar të Kosovës. Ai nuk kishte asnjë kontakt me jetën letrare në Kosovë, sepse e kishte të ndaluar përdorimin e kësaj literature në Bibliotekën Kombëtare. Ibrahimi i dha lajmin se "ta kemi botuar kompletin e veprave tuaja" dhe ai u gëzua si fëmijë, por nuk fliste në prani të Nashos. Ibrahimi i tha se do ta dërgoj kompletin dhe Nasho ndërhyri se ta sjell unë.

Djemëve u fola se 6 muaj jeton në Tiranë, e ndihmon Çabej, si shok të studimeve në Austri dhe 6 muaj verë në Pogradec, në një shtëpi, pothuajse, gjysmë rrënojë. Poeti, me nam, jetonte varfërisht. Kurse Rexhepi fillojë të shajë e mallkojë, ata që e kanë katandisur në këtë gjendje poetin, lirikun e papërsëritshëm, Lasgush Poradecin.

Me akademik Rexhep Ismailin u pamë në Prishtinë, pas afro 50 vitesh, në një homazh, të organizuar nga Kryesia e Degës të LDK-së, nga Germania, ke shtatorja e Profesor Fehmi Aganit, në shoqërim të kuadrove partiakë Kolë Berisha, Ismet Beqiri dhe të tjerë. "Idriz, qenke plakë",- më tha

akademik Rexhepi. Nuk m`u kujtua t`i them se "edhe Ju qenkit urtuar mjaft!"

Rashë në hall, si ta bëj të heshtë Rexhep Ismajlin zemrak?! Lasgushi u anatemua deri në vdekje, pse nuk pranoi të thurë ditirambe për Partinë. Por, ai kishte një arsye të fortë, sepse partia ia kishte varur, ekzekutuar, burgosur dhe internuar plot 348 shokë të studimeve, në Universitetet e Austrisë. Ai ishte kontigjent për burg, sepse në vitet `70-a diktatura, për ta përshpëjtuar vdekjen e nacionalistëve të vjetër, i përplasi burgjeve.

Një fakt shtesë mund të përdorej edhe një shprehje, e thënë nga Lasgushi: "Na e ndotën lebërit Pogradecin hyjnor". Por, labi Enver i kalonte i pushimet në Drilonin e Pogradecit. Lasgushin e shpëtoi Kadareja, i cili nxori një poezi nga arkivi i tij, e botoi në letrarën javore "Drita", që ia kishte kushtuar një shokut të rinisë, Muharrem Çollakut, por që, tashmë, ishte dëshmor. Kadareja e komentoi, qëllimshëm, poezinë në fjalë, me shumë në aspektin patriotik, që nënkuptonte se Lasgushi  vlerëson luftëtarët dhe komandantët e tyre!

Në verën e vitit 1970 dhe 71, duke qenë mësues veror në Pogradec, dilnim në malin ke Kisha. Në atë drejtim ishin dyqanet e zanatçinjëve, disa syrësh, miq të Lasgushit, ku ai kalonte orët me ata. E ftoja poetin Lasgush, që kurrë nuk ngopej me pyellin. Kosova ishte dashuria dhe pengu i tij. I flisja, edhe pa më pyetur për Kosovën, e dija që donte të mësonte shumë, por, edhe përmendja e emrit, në ato kohë të mugëta, ishte hata e madhe, blasfemi, sidomos, nga nacionalistët e vjetër, të cilët akuzoheshin si nostalgjikë të Shqipërisë Ernike!

Lasgushi ishte gjithënjë i qeshur e lirik, ashtu si vet vargjet e tij poetike. Dhe, emri Kosovë, sikur e rinonte, me ëndrrën, tashmë, të plakur, për ta parë qoftë një herë. Dhe, kjo dëshirë i digjte nacionalistët, kombëtarët shqiptarë, në jug e veri. Ai e ka pasur qytetar dhe mik letrarin Mitrush Kutelin, alias Dhimitër Paskon dhe kishte lexuar gjithëçka që ai ka shkruar për Kosovën.

Ibrahim Rugova dhe Rexhep Ismaili kishin shumë miq në Tiranë, kryesisht, shkrimtarë, poetë, pedagogë si dhe njerëz të artit, të kulturës. Ata tregoheshin të gatshëm për të bartur literaturë artistike e shkencore, për Ibrahimin dhe të tjerët. Shquheshin, pedagogët Aleko Minga, Zihni Sako, Zija Xholi, Anastas Dodi, Dalan Shapllo dhe të tjerë.

Ibrahimi sikur tregonte mirëkuptim për varfërinë e skajshme në Shqipëri. Megjithë se këtë nuk mund ta shihnin asnjëherë, në përmasën reale, vizitorët që stacionoheshin në Hotelët më të mira të vendit dhe shoqëroheshin, në çdo lëvizje të programuar. Sidoqoftë, vizita e parë e Ibrahim Rugovës dhe e Rexhep Ismailit në Shqipëri, ishte e suksesshme, me një pritje shumë të ngrohtë e vëllazërore. Këtë përshtypje do ta dëshmonte Ibrahimi, në letrat e tij, të dërguara nga Kosova.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: