Gjekë Gjonaj: Shqiptarët në Malin e Zi në Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut
| E Merkure, 24.01.2018, 08:11 PM |

Shqiptarët  në Malin e  Zi  në Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut

Kremtim në lartësinë e merituar apo thjesht shënim i një përvejtori të padenjë

Nga Gjekë Gjonaj

Shqiptarët brenda dhe jashtë trojeve të tyre kanë një simbol të përbashkët. Dhe ai është Gjergj Kastrioti - Skënderbeu. Ky hero kryesor i yni jeton brez pas brezi në shpirtin dhe zemrat tona më se pesë shekuj e gjysmë. Figura e tij, edhe për ne shqiptarët në Malin e Zi, është e përjetshme. E pavdekshme. E admirueshme. E pa kontetueshme.  Inspirim. Frymëzim.  Motivim. Reflektim. Krenari. Mësim. Përvojë.  Guxim…

Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut kërkon nga ne, edhe pse jemi pakicë e vogël për nga numri, të organizojmë   një përvjetor të denjë   në raport me madhështinë e tij të lavdishme.Ky vit duhet të zgjojë energji të reja te të gjithë ne.  Jo për të fituar dikush kapital, por për të shlyer një detyrim kombëtar ndaj kësaj figure të civilizimit të përbashkët të familjes evropiane, të mbarë botës së civilizuar dhe  ndaj këtij simboli të civilizimit evropian të kombit  shqiptar.

Të parët që e kuptuan këtë fakt, pikërisht  datën e vdekjes së Skënderbeut, 17 janarin, datë e cila është edhe arsyeja pse 2018  është shpalluar  vit  i tij, ishin drejtuesit dhe  anëtarët  e Ansamblit “ Shqiponja”, të cilët  në Qendrën Kulturore” Malësia”  në Tuz organizuan  një manifestim të bukur kulturoro-artistik  shumë domethënës, ku morën pjesë edhe grupe të tjera folklorike nga Malësia  dhe Ulqini, sikurse edhe  mysafirë nga  qyteti i  Shkodrës.

Po ashtu për nder të  ditës kryesore të Vitit të Skënderbeut në Kalanë e Ulqinit  u organizua një performancë interesante. Bashkëqytetarët e mi    zgjodhën një mënyrë të veçantë për të  kujtuar Princin e Arbërit  nëpërmjet ndriçmit të  Qytetit të Vjetër, i cili  bashkë me pamjet e  flamurit shqiptar dhe  birit më të shquar të kombit tonë, dukej më magjepës, më mbresëlënës, më i bukur dhe më madhështor se asnjëherë më parë në historinë e tij mijëvjeçare.

Këto dy aktivitete  për shqiptarët në Malin e Zi  janë një fillim i mbarë  i kremtimit  të Vitit të Skënderbeut. Janë një porosi për të gjithë  shqiptarët,  drejtues të institucioneve, historianë, studiues, poetë, shkrimtarë, gazetarë, artistë,  klerikë, politikanë, këshilltarë, deputetë, ministra, diplomatë,  mësimdhënës, nxënës,  e shtresa të tjera të shoqërisë shqiptare amatorë e profesioistë    që me mundësitë e veta modeste gjatë këtij viti të  kryejnë detyrën e vet,  të përkujtojnë figurën madhështore të Skënderbeut. Me një fjalë të gjtha trevat shqiptare  në Mal të Zi duhet të shndërrohen në qendra që nderojnë  këtë figure historike , e cila  si asnjë tjetër në botën shqiptare nuk mund të shërbejë si shembull i frymëzimit dhe i bashkimit të shqiptarëve.

Në këtë jubile kjo vlerë mbarënjerëzore dhe europiane  do të ishte mirë të nderohet dhe të vlerësohet institucionalisht, por edhe në mënyë individuale e kolektive, duke i ngritur ( ndërtuar ) një monument,  shtatore, bust apo  përmendore në ndonjërën prej trevave me shumicë shqiptare në Mal të Zi, në radhë të parë në  Tuz e Ulqin.  Edhe në  këto  dy qendra do të duhej të lartësohen  monumentet - përmendoret e Skënderbeut, si në Tiranë e Krujë, Prshtinë, Gjilan , Shkup etj. dhe  në qendra evropiane e botërore,   sikur në   Gjenevë, Londër, Bruksel, Romë, Vjenë, Budapest , Michigan etj.

Ky do të ishte një sukses i madh  për shqiptarët në Mal të Zi, të cilët deri më tani  kanë arritur  që emri i Skënderbeut të jetë i pranishëm  vetëm në dy shkolla fillore, në Triesh  - Malësi dhe në Ostros – Krajë dhe në një  rrugë në Ulqin.

Fundmja aty ku nuk ka vend Skënderbeu nuk kanë vend shqiptarët. Për të gjithë ata që nënës i thonë nënë  dhe babait baba, për ata  që atdheut i thonë atdhe,  ujit ujë e bukës bukë,  Skënderbeu është  heroi i heronjve të popullit shqiptar. Ata që e urrejnë Skënderbeun e urrejnë vetveten dhe historinë  tonë kombëtare. Identiteti i kombit shqiptar lidhet ngusht me emrin e tij. Pa  figurën emblematike të Skënderbeut s’ ka shqiptar as shqiptari.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: