Besnik Kurteshi: Roli unifikues i Skënderbeut në Kuvendin e Lezhës
| E Marte, 23.01.2018, 09:15 PM |

NË 550-VJETORIN E VDEKJES SË GJERGJ KASTRIOTIT – SKËNDERBEUT (1405 - 1468)

ROLI UNIFIKUES I SKËNDERBEUT NË KUVENDIN E LEZHËZ

Nga Besnik Kurteshi

Fillimi i karrierës së Skënderbeut si funksionari osman që doli nga shkolla e içogllanëve deri në komandantin e ekspeditave ushtarake në shërbim të sulltanit, e kishte bërë atë njohës të artit ushtarak osman të tij. Duke i shfrytëzuar këto shkathtësi ushtarake e organizuese, Skënderbeu pasi çliroi Krujën, më 28 nëntor 1443, për të ishte e domosdoshme që të bashkoheshin princat arbërorë kundër pushtuesve osman. Vend i përshtatshëm për mbajtjen e mbledhjes ndërmjet princave arbëror ishte Lezha. Pozicioni gjeografik i Lezhës ishte i favorshëm për mbajtjen e Kuvendit, për arsye se  ndodhej në afërsi me zotërimet e pjesëmarrësve kryesorë të Kuvendit, ishte e veçuar nga zotërimet e tjera të Venedikut dhe kishte lidhje të ngushta ekonomike me viset e çliruara shqiptare, veçanërisht me ato të Kastriotëve.

Kuvendi i fisnikëve arbër u mbajt më 2 mars të vitit 1444, në Katedralen e Shën Kollit në Lezhë. Në të morën pjesë udhëheqës të kryengritjeve të mëparshme antiosmane, si dhe pjesëtarë të tjerë të aristokracisë arbërore.

Pjesëmarrësit e Kuvendin ishin;

-Gjergj Kastrioti Skënderbeu,

-Gjergj Arianiti,

-Andrea Topia bashkë me dy djemtë, Kominin e Muzakën dhe nipin Tanushin. Të parët kanë qenë themeluesit e Krujës dhe të Petrelës, sundonin midis Tiranës së Vogël dhe Epidamnit,

-Gjergj Stres Balsha, vendet e tyre ishin midis Krujës dhe Lisosit

-Nikollë e Palë Dukagjini, zotëronin vendet e Zadrimës

-Lekë Zaharia, i cili kishte mbajtur anën e Skënderbeut, zotrues i Zadrimës së Madhe dhe qytetin e Dejës,

-Pjetër Spani bashkë me djemtë e tij  Aleksin, Bozhidarin, Vruon dhe Mirkon,

-Stefan Çernojeviçi bashkë me djemtë, Gjergjin e Gjoni

-Lekë Dushmani bashkë me Pjetërin dhe princër të tjerë fqinjë,

Në Kuvendin e Lezhës nuk munguan dhe princërit venedikas. Ajo mbledhje tërhoqi princër të tjerë të rinj, të cilët premtuan ndihmën e tyre kundër perandorisë osmane.

Skënderbeu mbajti fjalën e hapjes në Kuvendin e Lezhës dhe u ndal në dosmosdoshmërinë dhe rëndësinë e bashkimit politik të vendit, u kujtoi pjesëmarrësve gabimet e të atit dhe princërve të tjerë që lidhën besë me sulltan Muratin e pa besë se ai nuk e ka të lehtë të thyej Epirin e pathyeshëm, se ai nuk mund të duronte poshtrimin e osmanëve, se përfundimi i luftës do të tregojë se në çdo gjë është bërë mirë apo jo, në luftë do të kishin përkrah Zotin, senatin dhe popullin e Venedikut. Skënderbeu u bën thirrje princërve që të mbrojnë Atdheun, gratë, fëmijët dhe t’u sjellin lirinë atyre. Duke patur besim në forcat dhe në të drejtën, ai u bën thirrje të bashkojnë forcat dhe armët e ta presin me armë armikun për të shpëtuar lirinë dhe lavdinë.  Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ndoqi një politikë të brendshme e të jashtme shumë aktive. Më mirë se kushdo tjetër ai e kuptoi se arbërit nuk do të kishtin përspektivë për mbrojtjen e viseve të lira, duke qëndruar në pozitat e vjetra, pa kapërcyer copëtimin politik të vendit në një varg zotërimesh të pavarura dhe pa një bazë organizative të qëndrueshme, e cila do të bashkërendonte burimet njerëzore, ushtarake e ekonomike të vendit.

Pas diskutimeve të shumta ndërmjet princërve arbëror në Kuvendin e Lezhës u morën disa vendime. Kështu u formua një ligë e princërve shqiptarë dhe Skënderbeu u zgjodh njëzërit kryetar i saj dhe kryekomandar i ushtrisë se konfederatës. Të gjitha princërit u zotuan ta përkrahin me para, me ushqime dhe me ushtri, sipas fuqisë së cilitdo. Gjergj Arianiti propozoi  që çdo princ të caktonte dhe shumën vjetore, duke dhënë vetë shembullin.

Kështu bënë edhe pricrit tjerë. Krerët e vegjël që nuk jepnin dot para, u ngarkuan të japin ushtarë. Në këtë pikë Pal Dukagjini propozoi të caktohej edhe numri i ushtarëve që do të jepte çdo princ, por pas shumë bisedimesh kjo çështje mbeti në pëlqim të çdo princi. Ushtria e Lidhjen së Kuvendit të Lezhës kishte afro 18.000 vetë, gjysma kalorësi dhe gjysma këmbësori, tri të katërtat ishin nga principatat atërore e Skënderbeut.

Ushtria e Beslidhjes përbëhej prej dy formacioneve si ato të përhershme dhe të përkohshme. Ushtria e përheshme formohej me luftëtarët që fisnikët shqiptarë dërgonin pranë komandantit të përgjithshëm sipas marrëveshjes në Kuvendin e Lezhës. Kjo ushtri do të mbrojte Kështjellat e  veçanërisht ato në kufjt lindor nga vinin zakonisht ushtritë osmane. Ushtria që mobilizohej përkohësisht përfshiheshin të gjithë banorët e viseve të lira që ishin në gjendje të përdornin armët.

Skënderbeu si kryetar ishte në të njejtën kohë vetëm “një i parë midis të barabartëve”. Ai nuk gëzonte asnjë të drejtë të ndërhynte në  zotërimet e bujarëve të tjerë. Megjithatë, caktimi i një udhëheqësi të vetëm politik dhe ushtarak kishte rëndësi të madhe, ishte një hap përpara kapërcimin e përçarjes feudale. Në duart e Skënderbeut, i cili fiton një autoritet dhe prestigj në radhët e masave popullore si çlirimtar i zotërimeve të tjera të Kastriotëve.

Lidhja e Lezhës u bë shprehje e një nevoje objektive; bashkimi i vendit në plan politik dhe ushtarak nxitej nga kërkesat e luftës mbrojtëse dhe i shërbente asaj. Si e para organizat politike e përbashkët e njohur në historinë e mesjetare, Lidhja e Lezhës hidhte themelet e bashkimit politik të popullit shqiptar.

Gjergj Kastrioti- Skënderbeu jo rastësisht doli në krye të jetës politike e ushtarake të vendit. Për këtë ndikuan pozita gjeografike e shtetit të Kastriotëve, që ishte në qendër të viseve të lira, ku nëpër të kalonin rrugët më të rëndësishme që lidhnin krahinat veriore me ato jugoret dhe lindore me me ato perëndimore. Zotrimi prej tij i Krujës, kështjellë me pozicion gjeografik më të përshtatshëm për administrimin e të gjitha viseve të çliruara dhe për të hyrë në kontakte të shpejta me shtetet e huaja antiosmane, si dhe lidhje të shumta farefisnore e martesore të Kastriotëve me shumë familje fisnike tjera si Muzakajt, Arianitët, Stres Balshajt, Gjurashët (Cërnojeviçët) Balshajt etj. Mbi të gjitha ishte personaliteti i Skënderbeut që bëri të mundur daljen e tij në krye të jetës politike e ushtarake lidhet me disa faktorë;

Suksesi për arritjen e bashkimit të princave arbërorë në radhë të parë lidhet me personalitetin e tij. Ai kishte të gjitha cilësitë për drejtimin me sukses të luftës. Po ashtu njihte mirë gjendjen dhe mundësinë ekonomike, financiare dhe ushtarake të vendit. Kështu që Skënderbeu arriti ta bashkojë popullin arbëror dhe t’i mbaj për 25 vite princat arbërorë të bashkuar  në shtetin e Arbrit duke iu bërë ballë forcës më të madhe të botës asaj osmane. 



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: