Fotaq Andrea: Skënderbeu, një Hero i Madh
| E Marte, 16.01.2018, 10:01 PM |

Viti Skënderbeu

Skënderbeu, një Hero i Madh, kapiten i parë i shekullit të tij, dëshmi e energjisë së një populli heroik

Nga Fotaq Andrea, “Skënderbeu, Album-Antologji, 1413-2017”.

DUPONCET, Jean Nicolas.

Një Hero.

Nga parathënia e veprës “Exploits héroiques de Scanderbeg, roi d'Albanie” [Bëmat heroike të Skënderbeut, mbret i Shqipërisë] Paris, 1714.

Në çastin kur vëmendja e Europës është përqendruar mbi Orient, nuk është pa interes të kthejmë vështrimin mbi luftërat e mëdha të shekullit XV. Perandoria osmane, sot aq e dobësuar, sa nuk i ka mbetur veçse  marrja në mbrojtje nga Fuqitë e mëdha të Perëndimit, shpaloste atëherë krejt forcën e një kombi ngadhënjyes dhe kërcënonte të pushtonte krishtërimin. Ndër të gjitha ata që i bënë qëndresë përpjekjeve të muslimanëve u dallua heroi, historinë e të cilit e jep këtu Ati Duponcet: histori e çuditshme dhe aq e jashtëzakonshme sa autorit i është dashur të përligjë vërtetësinë e burimeve nga ka vjelur të dhënat. Dhe këtu po japim të shkurtuar parathënien e Atit Duponcet.

Para tij, Ati Causin, jezuit, e kishte vendosur Skënderbeun ndër heronjtë e tij të krishterë, dhe Z. Campion, e kishte renditur ndër njerëzit më të shquar të tij. Por vepra e të parit nuk ishte veçse një lavd që i nënkupton faktet heroike të atij Shqiptari të ndritur, pa i paraqitur ato, kurse nderimi që i bën i dyti, edhe pse më historik, është një shkurtore e këtyre fakteve që vetëm sa janë dhënë përciptazi, si të ishin prekur në sipërfaqe dhe, si te njëri, si te tjetri, nuk do mund të kënaqej një lexues që kërkon të dijë më në thellësi e të ketë një njohje më të plotë të historisë.

Për të paraqitur sa më mirë pamjen, tiparet, shtatin e një njeriu, që ende nuk e kemi parë, nuk është e mjaftueshme të hidhet vështrimi mbi portretin e tij të përmbledhur, nëse nuk do ta shihnim të pikturuar në përmasa të mëdha dhe krejt të natyrshme; po ashtu, për të patur një mendim të drejtë për një luftëtar të lavdishëm, që nuk e njohim veç nga emri e nga fama, duhet ta ndjekim atë hap pas hapi, si të themi, në krejt rrjedhën e jetës, duke njohur hollësitë dhe rrethanat e krejt aksioneve që ndërmori. Por këtu paraqitet vështirësia për mbledhjen e dëshmive të denja për t'u besuar dhe për t'i ruajtur historisë karakterin e vet thelbësor të vërtetësisë. Ati Duponcet beson se e ka hasur këtë karakter në rrëfimin e një historiani bashkëkohës të quajtur Marin Barlet.[...]

Libri i Barletit duhet parë si e vetmja vepër që ne kemi për këtë subjekt të dorës së parë. Mund të shprehim ndoshta çudi se, teksa Skënderbeu ndërmori një luftë aq të gjatë, dhe me aq shkëlqim e  ngadhënjim, si ka mundësi të gjendet vetëm një autor i kombit të tij që të jetë përkujdesur për të na mësuar rreth personalitetit që kishte. Kësaj vërejtjeje, Ati Duponcet i përgjigjet se pak kohë pas vdekjes së këtij princi, turqit u bënë zotër të krejt Shqipërisë, se ata të pabesë ishin armiq të Letrave, sikundër e dinë të gjithë, se ndaluan fenë e krishterë dhe i detyruan shqiptarët të merrnin doket dhe zakonet e tyre; sepse, në të kundërt, kush do donte të aspironte në fe të mëparshme, do duhej të përballej me ta veç me armë. Në këtë mënyrë, duke qenë krejt Shqipëria e nënshtruar nga turqit, kush do guxonte të shkruante historinë e një princi që kishte arritur tërë atë lavdi në luftë kundër tyre, me tërë ato beteja në të cilat i kishte mposhtur?

Po prapë, Ati Duponcet bëri kujdes të mos ndjekë hap pas hapi a të përkthejë veprën e Barletit. Ai e pa atë si memorie, nga e cila mori çka ishte e vlefshme, duke i dhënë një formë më të këndshme, duke hequr digresione të kota e duke vendosur kudo rend e qartësi.

Duke iu përgjigjur më pas kritikave për ekzagjerim që i janë drejtuar Barletit nga Z. Sponde, peshkop i Pamiersit, Ati Duponcet kujton bukur në këtë rast një letër të papa Kaliksit III për Skënderbeun. Në atë letër, datuar më 15 qershor 1457, papa i shpreh atij mirënjohjen plot lavd, se i bëri ballë pothuaj i vetëm krejt fuqisë së turqve dhe se gëzohet bashkë me të për famën e madhe që ka krijuar me një vijimësi fitoresh të arritura ndaj të pabesëve.

Në një bref tjetër apostolik, dërguar më 11 shtator të atij viti, për të rigjallëruar Skënder-beun drejt aksionesh të reja, ai vazhdon t'i thurë lavdi, duke iu lutur që të mos kursejë asgjë, që të shkëlqejë edhe më shumë e nëse mundet, të shtojë famën e arritur: "Sepse, vijon ai, nuk ka asnjë në krejt kristianizmin që të mos dijë se çfarë keni bërë ju, që të mos ju ngrejë gjer në qiell me lëvdatat që ju takojnë dhe që të mos flasë për ju si një atlet i vërtetë dhe gjeneral mbrojtës i emrit të krishterë".

Vlen të theksohet se qëkurse u dërguan këto dy Brefe apostolike, Skënderbeu përsëri do të shkëlqente me arritjen e shumë fitoreve, në mbrojtje të Krujës, duke e detyruar dy herë Mehmetin të heqë dorë nga rrethimi i qytetit, krahas aksionesh të tjera të shumta, edhe më të ndritura e më të denja për t'u admiruar nga ato për të cilat flet këtu Kaliksi. Kur të shqyrtojmë se ç'fjalë zgjedh një Papë, armik i çdo ekza-gjerimi e i çdo lajkatarie, për të cilësuar Skënderbeun, që ende ishte, të themi, në mesin e karrierës së tij, a mundet atëherë të hedhim hije dyshimi për autorin e jetëshkrimit të tij, duke pretenduar se ai paska treguar zell të tepruar për lavdinë e heroit që na përshkruan dhe për atdheun e tij, dhe se na i paska tejkaluar kufijtë e së vërtetës? [...]

[Përfundimi]

[...] Atë çka Mehmeti ndërmori në vitet e fundit të jetës së tij, [pushtimi i Kalabrisë më 1481], një objektiv që i dukej ende i largët, ai do ta kishte realizuar kohë më parë, po të mos kishte hasur rrugës Skënderbeun si një pengesë e pamposhtur ndaj synimeve të veta. Tek rrëzoi fronin e perandorëve të Orientit, i fryrë nga një sukses aq i madh dhe përherë po aq ambicioz sa dhe plot guxim e mendjemadhësi, ai, në rastin më të parë, do t'i kishte kthyer armët dhe përpjekjet kundër perandorisë së Perëndimit dhe rrënimi i kësaj perandorie do të sillte me vete rrënimin e krishtërimit. Ishte kësisoj vetë Providenca ajo që dha goditjen e saj tek i kundërvuri atij Skënderbeun, si dikur kur ajo i kundërvuri Juda Makabeun qafirit Antiok, për të ndalur ngadhënjimin e tij dhe për të shpëtuar besnikët nga mjerimet e tmerrshme që i kërcënonin. Ja ç'thotë Shkrimi i Shenjtë për këtë hero të popullit Çifut: "Që mblodhi tërë ata që ishin të gatshëm për të vdekur dhe që nën drejtimin e tij, luftëtarët do luftonin për mbrojtjen e Izraelit; që ai ngriti lart dhe përforcoi lavdinë e kombit të tij; që vrumbulliste e ndeshej si luan; që i ndiqte ngado armiqtë e Perëndisë e të popullit të tij dhe që tmerri nga emri i tij i bënte armiqtë të merrnin arratinë; që bëmat e tij kreshnike ishin gëzimi i Jakovit, inati dhe zhgënjimi i mbretërve të pabesë". E gjithë kjo i përshtatet aq bukur Skënderbeut, sa askush nuk do mund ta përshkruante nën këto tipare, po të mos kishim mundësi të ngrinim vështrimin lart, drejt njeriut të shenjtë për të cilin na flet Shkrimi, apo sikur të mos e hasnim këtë lavd në ndonjë libër më pak të shenjtë. Kujtimi i Juda Makabeut, shton Shkrimi i Shenjtë duhet të bekohet përjetësisht; mendoj se kështu duhet të jetë edhe për kujtimin e Skënderbeut dhe se të gjithë ata që do të lëçisin këtë vepër, nuk do të harrojnë kurrë kujtimin e një njeriu aq të famshëm sa ishte gjallë në Europë e në Azi, për shumësinë e fitoreve që korri mbi muhamedanët, armiq të betuar të Jezu-Krishtit dhe të Kishës së tij, aq i rekomandueshëm për tërë Krishtërimin.

In sœculum memoria ejus in benedictione . [Qoftë përjetë i bekuar kujtimi i tij].

PAPADOPULO-Vretos Andrea (1800-1876).

“Compendio dell'Istoria di Georgio Castriotto,... ” [Kompedium për Historinë e Gjergj Kastriotit], Napoli, 1820, Parathënie, f. 1, VIII, IX.

Heroi i Shqipërisë meriton emrin “I Madh”, mposhti dy perandorët më të fuqishëm.

Në ka luftëtar që meriton me të drejtë emrin “I Madh”, ky është pikërisht Heroi i Shqipërisë, Skënderbeu, që brenda një territori të ngushtë dhe me një grusht ushtarësh, shumë-shumë tre, pesëmbëdhjetë a tridhjetë mijë vetë, përherë ngadhënjeu mbi armata prej njëqind a dyqind mijë turqish.[...] Akti më i shquar që ngriti lavdinë e Skënderbeut është se mposhti dy perandorët më të fuqishëm tek të cilët turqit u mbështetën për të vendosur sundimin e tyre në Europë, për të bërë pushtime në shkallë të gjerë, si dhe për të ushtruar ndikimin e tyre në çështjet politike të të Krishterëve. Trimëria nuk është e vetmja meritë e Heroit Shqiptar; ai ishte i kujdesshëm, bujar, i dashur dhe zotëronte ato cilësi popullore që i vinte në zbatim në çastet më të vështira e të pashpresa, duke i bërë me fletë edhe ata që shfaqeshin më të dëshpëruar.

PAPADOPULO-Vretos Andrea

CHARTON, Edouard (1807-1890).

Skënderbeu, kapiten i parë i shekullit të tij.

Historia e luftërave që ndërmorën të krishterët gjatë shekujve XIV e XV, për t'iu kundërvënë pushtuesve turq në Europë, ndonëse e pasur në guxim e vetëmohim, nuk shfaq asnjë emër që të kujtojë tipin e heronjve të kohëve të lashta po aq mirë sa emri i Skënderbeut, princit të Shqipërisë. Prijës i shteteve të vogla që ndodhen para portave të islamizmit ngadhënjyes, i ndodhur përballë valës së fuqishme të goditjeve të para, ai shfaqi mbi të gjitha gjeninë dhe energjinë e karakterit të tij kur mjetet dhe burimet i kishte të pamjaftueshme në zotërimet e veta. Kreshnikëritë e tij, të kremtuara edhe në ditët tona në këngët popullore të Epirit ishin në Europë për një kohë të gjatë objekt i një admirimi të njëzëshëm.

Pavarësisht nga cilësitë e shkëlqyera që i dhanë famë si kapiten i parë i shekullit të tij,  Skënderbeu njihej si njeri i jashtëzakontë për nga vullneti me të cilin duronte vështirësitë e luftës, për nga guximi dhe forca e krahut. Biografët e tij përmendin shumë shembuj me dema, derra, njerëz të prerë me një të rënë të shpatës dhe përllogarisin gjer në tre mijë vetë numrin e kundërshtarëve që ai vrau me dorën e tij. Sa jepte sinjalin e betejës, Skënderbeu lëshohej me tërbim kundër armikut, e përvishte krahun e djathtë për të dhënë më mirë goditjet. Edhe pse përherë i pari në sulm, gjatë gjithë jetës, ai nuk mori veçse një plagë të lehtë. Admirimi që të krishterët kishin për kampionin e Krishtit, nuk ishte më i paktë tek turqit; sepse kur Shqipëria - që krahu i Skënderbeut nuk e mbronte më -, u dynd nga ushtritë osmane, kundërshtarët e tij muhamedanë u dyndën drejt vendit ku preheshin eshtrat e heroit të krishterë për të marrë në heshtje dhe me nderim fetar, ndonjë copëz nga këto eshtra, të bindur se një shkëndijë trimërie e Skënderbeut do t'i sillte lumturinë zotëruesit të këtyre relikteve të çmuara.

GRUP AUTORËSH  (1837).

Nouvelles annales des voyages et des sciences géographiques” [Analet e reja për udhëpërshkrimet dhe shkencat gjeografike], vëll. 3,Paris 1837, f. 94-96.

Mbrojtja e Skënderbeut provoi

çka mund të bëjë energjia e një populli.

Gjithçka i nënshtrohej fuqisë së Mehmetit II dhe tërë princërit që ai sulmoi, u gjunjëzuan; vetëm njëri i bëri ballë dhe në të shumtën e rasteve ngadhënjeu dukshëm. Mbrojtja e tij e arrirë, dhe po aq e admirueshme provoi çka mund të bëjë energjia e një populli, qoftë edhe i paktë në numër kur, i ndihur nga përparësia e terrenit, udhëhiqet nga një njeri sa i vendosur, po aq edhe trim e i guximshëm. Dhe kuptohet lehtë këtu se bëhet fjalë për Gjergj Kastriotin, princin e Shqipërisë, që u pavdekësua me emrin Skanderbeg dhe që luftoi me sukses osmanët e tërbuar që në kohën e Muradit II, kur ishin të vendosur për të shkatërruar dinastitë e krishtera. Z. Hammer, vlerësues i ndershëm për gjithçka që ka të drejtë të mbetet në Histori, e ngre lart figurën e këtij luftëtari; dhe ja si shprehet: "Ky njeri, me të drejtë i famshëm, lartohet në Histori, i madh për gjithë luftërat që zhvilloi dhe për urrejtjen ndaj otomanëve, si dhe për mbrojtjen heroike të vendit të tij për të jetuar i pavarur, duke i përkushtuar jetën e vet. Nuk mund të mos i biem pas me admirim përgjatë tërë asaj karriere të bukur njëzet e pesëvjeçare në luftërat që ndërmori gjatë fundit

të mbretërimit të Muradit II dhe gjysmës  së parë të mbretërimit të pasuesit të tij Mehmeti II."

Z. Hammer flet me hollësi për aksionet e Skanderbegut dhe lexohet me endje të veçantë rrëfimi i tij për të, duke shkaktuar kënaqësi të vërtetë tek përjeton nga afër tërë ato skena dobësie e poshtërsie, aq të shumta në radhët e të krishterëve të asaj periudhe. Shpesh Skanderbegu hasi në tradhtarë edhe në radhët e njerëzve që shërbenin nën urdhrat e tij. Providenca deshte që ai t'u shpëtonte tërë grackave.[...] Më 1461, Mehmeti II, i dëshpëruar që nuk po e mposhtte dot, i ofroi paqen, duke i njohur zotërimin e lirë të Shqipërisë dhe Epirit, me kusht megjithatë që ai t'i dërgonte peng të birin. Skënderbeu nuk e pranoi kushtin, duke arsyetuar se i biri ishte tepër i ri.

Ai përmblidhte në vetvete, thotë Z. Hammer, krejt virtytet e kapitenëve të mëdhenj.

SISMONDE de Sismondi (1773-1842).

“Histoire des républiques italiennes du Moyen Age”, [Histori e republikave italiane të Mesjetës], vëll. 6, Paris 1840, f. 389-395.

Europianët nuk e mbrojtën Skënderbeun,

ishin të hallakatur nga luftërat midis tyre.

Si mori nën kontroll gjithçka që kishte qenë në pronësi të t’et, Skanderbeg thirri një kuvend të princërve epirotë të barabartë me të, jo në shtetet e tij apo të tyre, por në Alessio (Lyssus), qytet që ndodhet midis Krojës dhe Skutarit dhe që i përkiste venedikasve. Emrat e këtyre princërve epirotë që përgjatë shumë shekujve kishin ruajtur të drejtën të mbronin shtetasit e tyre dhe t’i udhëhiqnin në luftë, në vend që të qeverisnin vasalët e lidhur me familjet e tyre, rrallë shfqen në Histori; dhe lufta e Skënderbeut është flaka e fundit që do t’i ndriçojë. Binte në sy në kuvendin e Alessios Arianit Topia, që qeveriste vendin pranë grykës së Cattaro-s [Kotorit]; Andre Topia, fisniku i maleve të Kimerës [Himarës], që asnjëherë nuk kanë pësuar zgjedhën e muslimanëve; Muzakajt, aleatë të Kastriotëve; Dukagjinët, që banojnë në brigjet e lumit Lodrino [Drinit]; Lekë Zakaria, fisniku i Daniës; Pjetër Spani, fisniku i Drivastit [Drishtit], familja e të cilit pretendonte se rridhte nga Theodosi i Madh; Lekë Dushmani, Etjen [Stefan] Cernoviçi, fisniku i Malit të Zi, si dhe shumë princër të tjerë, që në atë kuvend ishin vënë nën urdhrat e komandantëve të Skutarit, Alessios dhe të qyteteve e kështjellave të tjera venedikase.

Ky kuvend vendosi, në emër të mbarë Shqipërisë, të vazhdohej lufta që Kastrioti u kish bërë deri atë çast turqve me forcat e pakta të feudeve të veta; e emëroi atë gjeneral të krejt Epirit, i premtoi e i dha ndihmë në të holla, që i çuan të ardhurat e tij në dyqind mijë florinte si dhe i ngriti në këmbë një ushtri prej tetë mijë kalorësish dhe shtatë mijë këmbësorësh.

Latinët [Europianët], jo që nuk krijuan një kryqëzatë për të mbrojtur Skënderbeun, por ishte përkundrazi, ky Hero që u thirr në Itali nga Papa Piu II për të mbrojtur Ferdinandin dhe për të dëshmuar në këtë mënyrë mirënjohjen për birin e atij Alfonsi nga i cili kishte marrë mirësira.

Lufta midis Skënderbeut dhe krejt fuqisë turke kishte vijuar gjatë nëntëmbëdhjetë vjetëve; dhe italianët, spektatorë moskokëçarës të kësaj lufte të madhe, e duartrokisnin Heroin, pa i dhënë ndihmë për tërë ato fitore të tij. Vetë ishin të hallakatur nga luftërat midis tyre dhe as që mendonin për rrezikun që po i kanoste nga aq afër. 



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: