Shyqyri Fejzo: Një tempull 100 vjeçar i dijes
| E Diel, 14.01.2018, 11:10 AM |

Liqeni i Zi (Foto: Gazeta Dita)

Një tempull 100 vjeçar i dijes aty ku malet prekin retë

Nga Shyqyri Fejzo

Në vazhdim të rrugës nga Gramshi për në Lenie, sapo kalon vendin e quajtur “qafa e Dushkut” përpara syve dhe kamerës tonë shfaqet një pamje fantastike në lartësitë mbi 1 mijë metra mbi nivelin e detit. Një trevë e rrethuar me male gjigande, në veri Valamare me pikën më të lartë 2373 mbi nivelin e detit ,në lindje Lenie, në jug Sogorë dhe në perëndim si një kon gjigand, mali Komjanit. Në këtë teritor malor shtrihen fshatrat e Grabovës Poshtë, Lenies, dhe të Grabovës Sipër. Studimet gjeologjike këtë njësi gjeografike në lartësi të konsiderueshme nga niveli i detit e kanë emërtuar “Dritarja tektonike e Lenies”. Kemi folur e shkruar herë të tjera për natyrën e bukur dhe  pasuritë ujore që i ka dhuruar nëna natyrë kësaj treve. Vargmalin nga Valamarja 2373 deri në majën e Lenies 2050 m mbi nivelin e detit, e kanë stolisur 14 liqene me origjinë akullnajore, burime të rëndësishme të 4 lumenjve që përshkojnë tre rrethe e tre krahina etnografike.  Përrenjtë alpinë që zbresin nga këto male janë të shumtë. Në lindje në rrënjët e Gurit të Topit, në vendin e quajtur Qafëpanjë buron lumi i Shkumbinit, fillimet e të cilit janë në rrethin e Pogradecit,  më në jug është lumi i Vërbës, afluent i Devollit në rrethin e Korcës. Në jug e perëndim të vargmalit buron lumi i Vërcës dhe jo shumë larg në veri të vargmalit, buron lumi i Holtës, afluentë të lumit Devoll, të cilët  përshkojnë teritorin e Gramshit.  Para se të formojnë lumenjtë që folëm, një sërë përrenjsh alpinë lëshohen me vërtik nga lartësitë. Kjo pasuri ujore ka një rëndësi të madhe  për trevën e Lenies.  Uji ka qënë e mbetet jetik për të përmirësuar cilësinë e jetës, për  bimët bujqësore e blegtorinë. Para 60 vitesh aty është ndërtuar një HC me fuqi 400 kv, i lidhur me sistemin energjitik të vendit. Janë kryer studime dhe lidhur koncensione me firma të fuqishme për ndërtimin dhe tre katër HC të tjerë.

Nga 31 monomente të natyrës që ka rrethi i Gramshit 8 prej tyre ndodhen ne Lenie. Sapo futesh në zonë vizitori shikon “Shkëmbin e Kopacit”.Aty ujrat e përroit alpin që buron nga këmbët e malit të Valamares për miliona vjet kanë carë shkëmbin në dy pjesë duke formuar një kanion interesant. Lartësia e tij është 1371 metra mbi nivelin e detit, me gjatësi 1250 metro dhe diferencë nga hyrja në dalje 90 metra. Tani për tani ai ka vetëm pamjen madhështore, që ka joshur dhe artistët piktorë, por nuk është e largët dita kur aty do të valojë puna dhe kanioni e lumi të bëhet “zap” nga ndonjë HC i fuqishëm.Gjithë ansambli që e formon këtë krahinë ka bukuritë dhe kontrastet e veta. Aty bashkohet natyrshëm e ashpra me të butën, male që bien si thikë mbi brezare e lugina të veshura si një pelerinë ngjyrash , përshkuar nga përrenj alpinë, zhurma e shushurima e të cilëve merr tinguj interesantë në këto lartësi, si efekt i  ndryshimit të presionit atmosferik. Me një gjeologji dhe arkeologji të trazuar dhe tepër të larmishme, ajo është një bukuri prej bukurive të Gramshit. Të flasësh për këtë krahinë do të ishte pa kuptim të mos cekeshin sado pak e mos flitej për dy monomente natyrorë, “Liqenin e Zi” dhe “Burimin e Ftohtë të Liqenit të Zi”.Aty, në lartësitë mbi 1700 metra mbi nivelin e detit është një liqen akullnajor me ujra të kulluara, kristal, kthjelltaësia e të cilit të lejon të shikosh lirshëm e qartë mbi 30 metro thellësi. Ai dallohet për ujrat e ftohta dhe kthjelltësinë, që shërben si pasqyrë e maleve për rreth. Jo shumë larg, në lindje të këtij liqeni, ndodhet “Burimi i ftohtë i Liqenit të Zi”.Vecoritë e këtij burimi janë interesante. Aty buron e po aty zhduket nën tokë. Ka një temperaturë të ulët në dalje 2.3 gradë Celsius.Nga analizat e bëra del se përmban bor radioaktiv, mangan e mikroelementë të tjerë. Njerzia e përdorin për banja baleare me ujë të ftohtë për lehtësimin e dhimbjeve nga reomatizma e artritet. Frekuentohet në muajt 15 gusht 15 shtator. Aty në këtë periudhë vinë shumë vizitorë nga gjithë vendi si dhe nga shtetet fqinjë. Shqetësimi i organeve të pushtetit dhe komunitetit është për mungesën e infrastrukturës dhe analiza të plota shkencore për ujrat, e përdorimi i tyre me kompetencë me rekomandim të mjekëve. Në këtë trevë me natyrë të bukur, me histori të vjetër dhe të re të larmishme, me gjithë këto monomente natyrore, me njerëz puntorë e patriotë, mund të zgjateshim shumë në këtë telereportazh, por objekti ynë kësaj rradhe është tjetër. Sapo është festuar 100 vjetori i shkollës të Lenies.Nuk do lëmë pa përmendur disa vargje që poeti ynë popullor në mërgim ka shkruar për Lenien.

Për Lenien tonë

Malli na ka marrë

Në të gjith krahinën

Është fshat i parë

Qëndron në mes malesh

Thurur si kurorë

Që lart zbresin rrëketë

Shtigjeve me borë

Sipër tij Lenia

Atje flenë retë

Bukuri të tillë

Nuk besoj të ketë

Ku burojnë burimet

Me ujë të kulluar

Ku lulzojnë livadhet

Si qilim i shtruar

Sot ne vimë në festë

Në shkollën tonë të madhe

Tempulli ynë i dijes

Plot 100 vjecare

Ishin kushtet ekonomike, shoqërore dhe politike që u krijuan në vendin tonë në fillim të shekullit njëzetë, të cilat shtruan nevojën e zhvillimit të arsimit e kulturës.Edhe treva e Shënepremtes, krahinë luftarake,atdhetare e patriotike, në këtë proces ka kontributin e vet të pamohueshëm në zhvillimin e arsimit. Ndikuan disa faktorë në vitin 1917, si roli i patriotëve që kontribuan aktivisht në ngjarjet e kohës, lidhjet e tyre me rrethet e Korcës, Pogradecit e Skarparit dhe vecanrisht qëndrimi i patriotit Themistokli Gërmenji disa ditë në vitin 1916, ku qendra e kujdesit të vecantë të tij në atë kohë,  midis të tjerave ishte hapja e shkollës shqipe në Shëneprmte. Dhe në Dhjetor të vitit 1917, si sot 100 vjet më parë, kjo ëndërr shekullore, u bë realitet.

Të bën përshtypje korrektesa dhe saktësia e ndjekjes së problemeve, megjithë ngjarjet e trazuara të kohës. Duhet përmendur dhe fryma pozitive e francezëve, që ishin në këto teritore, për hapjen e shkollave. Mos harrojmë që në Korcë në fillim të vitit 1917 u hap gjimnazi francez. Shkolla e Shënepremtes u hap në kushte të vështira ekonomiko-politiko-shoqërore. Kishte varfëri të madhe, baza materiale ishte e paktë. Shtrati për hapjen e kësaj shkolle ishte përgatitur nga zhvillimet pararendëse që ndodhën në vend dhe në krahinë. Është edhe një fakt tjetër i pamoheshëm. Popullsia e Lenies  (Shënepremtes të dikurshme) në vazhdimësi nuk ka pyetur shumë për bindjet politike, po vec për lirinë dhe diturinë. Në cetat patriotike në prag të Rilindjes Kombëtare muarën pjesë shumë luftëtarë. Zerkë Bici, Laze Xhangolli dhe Isa Hyqmet Bici dhanë jetën në luftë  kundër pushtuesve në këtë periudhë. Në luftën Nacional-clirimtare nga kjo trevë muarën pjesë 117 partizanë dhe 12 prej tyre dhanë gjënë më të shtrenjtë, jetën, për clirimin e vendit. Nga të parët dëshmorë të kësaj lufte ka qënë dhe Tahir Sadiku, emrin e të cilit mban me nder shkolla e mesme e Bashkuar.  Shikoni  këto dy fotografitë e bëra nga studiuesi gjerman Markgraf me titull “Burrat e Shënepremtes”. Janë mbledhur dhe diskutojnë së bashku,   rrahin probleme së toku, marrin vendime në këto takime. Në foton tjetër burrat qëndrojnë ulur, gratë në këmbë, pas tyre. Nëpërmjet kësaj fotoje lexohen sot shumë dukuri. Gruaja është e lirë nga veshjet e rënda  e të papërshtatëshme. Është vërtet zonjë shtëpie, pa ndonjë qëndrim të ndrojtur zakonor ndaj burrave.

Ndërtesa ku u hap shkolla sot nuk ekziston, por kjo foto bardh e zi e asaj kohe dëshmon për të. Atë e dhuroi Faik Bej Myftaraj. Të dhënat flasin se për herë të parë kaluan pragun e klasës parë 13 nxënës. Mësuesi i parë i kësaj shkolle ka qënë Elmaz Hasa. Në vitin 1930 me interesimin e vazhdueshëm të komunitetit u ndërtua shkolla e re. U rrit numuri i nxënësve dhe fuqia arsimore.  Në vitin shkollor 1950  -1951   në Lenie u hap për herë të parë shkolla 7 vjecare. Në klasën e pestë u rregjistruan 23  nxënës nga të cilët kishte dhe persona të që kishin mbaruar vite më parë shkollën fillore. Numuri i nxënësve dhe fuqitë arsimore nga viti në vit shtoheshin. Ndërkohë nxënës që mbaronin shkollën 7 vjecare, vazhdonin shkollat e mesme të vendit. Shumë nga ata që vazhdonin shkollat pedagogjike, u emruan mësues dhe një pjesë e tyre  ish    nxënësve  filluan punë në shkollën e Lenies. Vitet e fillimit mësuesit kanë ardhur nga Elbasani, më pas nga Korca, Tirana dhe Durrësi. (Xhaferr Lila Mësues I Popullit).  Vlen të theksohet kujdesi i vecantë që tregohej për plotësimin e disa kushteve të jetesës të mësuesve. Njihet kontributi i 43 familjave në këto fshatra të cilët dhomën më të mirë, pa qera dhe asnjë lloj detyrimi, i a lëshonin mësuesve. Midis të tjerave, ky fakt flet se kjo popullatë e donte arsimin e kulturën.

Nga viti në vit kjo shkollë ka rritur cilësinë e saj, pa ndërprerje, si dhe numurin e nxënësve.  (Roland Mimini).Mësuesit u dalluan nga qartësi e mendimit për misionin që kishin dhe këmbëngulja e tyre për arritjen e objektivave fisnike vecanrisht për mësimdhënien e rezultatet e larta në përparim.(Muhamet Bici) Kjo bëri që në këtë shkollë të krijohet një traditë pozitive që pasohej vit pas viti. Disa ish nxënës dhe nxënëse të kësaj shkolle vazhduan më tej shkollën e mesme dhe atë të lartë dhe u bënë mësuesit e shkollës ku kishin mësuar,Në vitin 1977 në Lenie hapet shkolla e mesme. Klasa e parë në shkollën e mesme përbëhej nga 28  nxënës nga të cilët 24   ishin vajza. Nga ky moment roli i shkollës Lenie ngrihet në një stad më të lartë. Për rreth 40 vjet që ka funksionuar kjo shkollë, kanë mbaruar mijra   nxënës nga të cilët mbi 200 vetë kanë mbaruar dhe shkollën e lartë.

Kjo trevë, si në luftën për pavarësi, atë NacCl e deri sot ka nxjerrë dhe vazhdon një gjerdan figurash  që kanë rrezatuar në trevë, rreth e më tej.Të tillë kanë qënë  Mahmud Xhelili, Ramadan Xhangolli, Selman Ajazi, Thoma Prifti, Stefan Tavanxhiu, Naun Prifti, Sabri Fejzo etj. Shkencëtarë të tjerë më të rinj, si Kastriot Hasa, Avni Xhelili, Ramazan Hasa etj. me punën dhe intelektin e tyre, kontribuan në shkencat tona. Ushtarakë si Kapllan Xhangolli, Kalem Kosturri,  Bexhet Bici,Naim Fejzo,Mersin Bici, Celnik Kosturri, Bilal Bici e dhjetra të tjerë, ish nxënës të kësaj shkolle kanë bërë shumë për vendin në kohë të caktuara.  Në fushën e arsimit dhe kulturës  me dhjetra ish nxënës të kësaj shkolle, si Abedin Bici, Jonuz Xhangolli, Riza Ceci,Pëllumb Xhelili, Shkëlqim Ceci, Muhamet Bici, Kalem Hasa, Roland Mimini, etj.kanë dhënë kontributin e rolin e tyre në edukimin e brezave dhe konsolidimin e shkollës. Disa nxënës të kësaj shkolle  si Zyra Xhangolli, Niazi Fejzo, Agim Bici,  Fatos Xhangolli,Zmira Xhelili pas mbarimit të shkollës së lartë u bënë mjekë , duke dhënë një kontribut të cmuar në ruajtjen e shëndetit. Shumë  ish nxënës të kësaj shkolle, si Gani Xhangolli, Vait Ceci, Fidai Sadiku, Shyqyri Fejzo, Ramazan Hasa, Kalem Hasa, Qemal Sadiku Kasëm Bici etj.u bënë specialistë e drejtues të sferave të ndryshme të ekonomisë.

Shkolla e këtij fshati në këto 100 vite të ekzistencës të saj është kthyer në një tempull të vërtetë të dijes.(Land Mimini shkurt) Tërheqin vemendjen disa tregues sot. Një trevë rreth 50 kilometra larg nga qendra e Gramshit. Në një zonë të lartë mbi nivelin e detit, ku dimri është gjithnjë i pranishëm dhe i ashpër. Me një popullatë relativisht të rralluar si efekt i shpërnguljeve të viteve nëndëdhjetë, mban dhe forcon shkollën e mesme të bashkuar me emrin e dëshmorit të parë të zonës, “Tahir Sadiku”

Të shkruash për historikun e kësaj shkolle, do të ishte pa kuptim të mos ceknim dhe rolin e një mësuesi e drejtori që kësaj shkolle i kushtoi një punë prej dekadash. Abedin Bici gjithë veprimtarinë e tij në këtë fushë e ka përmbledhur në një libër me titull “Historiku I zhvillimit të arsimit e kulturës në trevën e Shënepremtes e pranë saj”. Autori me librin  e tij e  kalon cakun e një monografie. Ai bën “anatominë” e arsimit dhe kulturës në trevë. Libri është homazh për brezat që punuan në këtë sektor dhe udhëheqje për veprim për të rinjtë. Kjo vepër e Abedinit është dhurata më e mirë e tij në këtë vitjubilar të kësaj shkolle.

Në këtë 100 vjetor të këtij “tempulli” të dijes dhe kulturës, bie në sy zbukurimi e ripërtritja që i është bërë shkollës në këtë vit jubilar. Aty mëshirohet puna e kujdesi i drejtorit Roland Mimini, ish drejtorit  e njeriut dashamirës të arsimit Abedin Bici, gjithë personelit mësimdhënës. Për të u kujdesën ish nxënësit dhe nxënëset e kësaj shkolle.  Bisnesmenë si Olsi Ceci dha mbi 5 milionë leke kontribut për shtrimin me pllaka të oborrit e shkallëve.Vetë mësuesi i kësaj shkolle, Ramadan Bici investoi për lyerjen jashtë si dhe pikturat e saj. Luan Cymeni investoi për disa kompjutera  etj. Ndihma financiare dhanë bisnesmenët Tajar Hasa, ish nxënësit Kastriot Hasa, etj.

Në vitet nëndëdhjetë një pjesë e mirë e banorëve të Lenies u shpërngulën për një jetë më të mirë në zona të tjera urbane, si Tirana, Durrësi, Korca, Vlora etj. Megjithëatë ata Lenien nuk e harruan. Banorët që kanë mbetur i u futën punës për  punën me tokën, pemtarinë, blegtorinë e vecanrisht atë të imët. Një pjesë e banorëve të shpërngulur kanë filluar të ndërojnë shtëpi, pemtore etj. Sejcili, sipas aftësive e gjendjes financiare, kanë gjetur rrugët e tyre dhe përditë po i kthejnë sytë nga Lenia. Shfrytëzimi i  kapaciteteve kullosore të maleve, ka qënë dhe mbetet një rezervë e madhe potenciale për zhvillimin e blegtorisë. Sejcili, sipas aftësive e gjendjes financiare, kanë gjetur rrugët e tyre për mbijetesë. Por Lenia dallohet për resuset e saj për zhvillimin e një turizmi malor, si për dimër dhe vecanrisht në verë. Dy monomentet e natyrës në Liqenin e Zi janë dy objekte me shumë interes në këtë drejtim.Teritori i kullotave alpine paraqit interes në stinën e dimrit, për sportin e skive dhe atë të gjuetisë. Ato resuse janë evidentuar dhe po punohet për konkretizimin e objektivave. Atyre po ju paraprijnë dhe ndërtime të bënesave karakteristike që po ngrenë disa banorë të Lenies.

Kthehemi përsëri te shkolla e mesme e bashkuar “Tahir Sadiku”. Kronika e festimit të 100 vjetorit është shumë e pasur dhe e larmishme. Ndalëm me kamerën tonë në disa momente pikante. Pjesmarrja e disa arsimtarëve të viteve të mëparëshme, gëzoi, nxënësit, personelin mësimor të shkollës, familjarë e ish nxënës të atyre viteve. Në fjalën e drejtorit të kësaj shkolle, Roland Mimini, të ish drejtorit e punonjës i vjetër e me përvojë i arsimit, Abadin Bici dhe diskutantëve të tjerë u ndie gëzimi i merituar me të cilën vinë në këtë jubile, si dhe bëhet nxitje e frymëzim për brezin e ri.  Shfaqja e grupit artistik të shkollës i dha gëzim, hare dhe larmi kësaj feste në këtë zonë të thellë malore, ku jeta vazhdon vrullshëm.

Shkruam, filmuam cfarë pamë , cfarë  na rroku lapsi e teknika në këtë festë të shkollës së mesme të bashkuar “Tahir Sadiku” Lenie, gëzimin e nxënësve e mësuesve e gjithë komunitetit në këtë ngjarje të rëndësishme jubilare. Lamë prapa Lenien, Shkollën 100 vjecare, duke marrë me vehte përshtypjet më të mira për këtë shkollë të rëndësishme në këtë zonë dhe atë komunitet patriot e arsimdashës.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: