http://www.zemrashqiptare.net/
Zemra Shqiptare

Gani Mehmetaj: Mirditorët ishin gardianë të kushtetutës
| E Enjte, 11.01.2018, 10:11 PM |

Mirditorët ishin gardianë të kushtetutës shqiptare

Nga Gani Mehmetaj

Mirditorët që e shkulën flamurin turk nga tokat shqiptare, prokuroria nuk guxon t' i zvarris nëpër gjyqe. Mirditorët duhet t'i vlerësojmë lartë për atdhedashuri, sepse e mbrojtën kushtetutën shqiptare dhe dinjitetin shtetëror të nëpërkëmbur. Janë zyrtarët shqiptarë ata që duhen të japin dorëheqje, pse lejuan të përdhoset territori i shtetit, ndërsa ndërtimtarët turq që e keqpërdorën mikpritjen - të dëbohen.

Nuk ka shtet të pavarur e sovran që do ta lejonte përdhosjen e territorit të vet me flamuj të huaj, në vendin ku nuk është i paraparë me ligj e me konventa ndërkombëtare. Shteteve satelite e republikave banane me shtetarë të korruptuar, sikurse është Shqipëria, stampimi i flamurit të huaj nuk u bënë përshtypje.

Por ja që dolën disa burra dhe i thanë stop veprimit të shtetarëve të korruptuar. Flamuri turk nuk e ka vendin në Mirditë, nuk e ka vendin në asnjë cep të territorit shqiptar jashtë ambasadave e përfaqësive diplomatike.

E kuptoja se kishin urdhër, por nuk e arsyetoja policinë shqiptare që ndaloi mirditorët të cilët e hoqën flamurin turk në vendin ku nuk e lejonte kushtetuta e ligji shqiptar. Por ta kenë mendjen prokurorët e gjyqtarët që i zvarrisin nëpër gjyqe mirditorët. Prokurorët duhej të urdhëronin heqjen e flamurit të huaj, në zbatim të ligjit. S'ka ligj që guxon t'i dënojë mirditorët për shkuljen e flamurit të huaj nga tokat shqiptare.

Flamuri turk dhe flamuri serb ende zgjojnë imazhe të frikshme në territorin shqiptar, prandaj shteti duhet të na kursej nga këto simbole të gjenocidit.

Ndërkaq turqit edhe po e ndërtuan një nevojtore, në ballë e vënë flamurin e tyre. Dhe nuk ishte hidrocentrali në Mirditë i vetmi që e ka të stampuar flamurin turk në beton, në jugun shqiptar para dy vjetësh e pashë një hidrocentral ku ishte stampuar vetëm flamuri turk. U thash bashkudhëtarëve në makinë: na paska hangër dreqi, na paska pushtuar turku.

Turqia nuk na ndihmoi të çliroheshim nga Serbia, ndërsa na e ngul kudo flamurin. Në Prishtinë bie fjala nga mijëra agjenci turistike e firma të huaja, e vetmja agjencia turke e avionëve e ka ngul në trotuar flamurin e Turqisë.

ShBA-të e Evropa perëndimore e çliruan Dardaninë, investuan pa kthim miliarda euro në ndërtimin e vendit, e ngjallën nga koma Shqipërinë, por askund nuk e imponuan flamurin e tyre, edhe pse të gjithë shqiptarët i duan flamujt amerikanë e evropianë. Turqia në çdo situatë me arrogancë përpiqet ta krijojë përshtypjen edhe në botë se na ka pushtuar: me flamuj, me xhami, me bakllava, muzikë të shpifur tallava dhe me agresion te telenovelave të dobëta për idiotë.