Vangjush Saro: Pengu shqiptar i së djathtës
| E Merkure, 10.01.2018, 09:52 PM |

Pengu shqiptar i së djathtës

Nga Vangjush Saro

Në Shqipëri, e djathta vazhdon të jetë më shumë një koncept se sa një realitet; dhe vetëm sa përmendet herë pas here. Edhe ajo pjesë formale e saj, që pretendon se shikon djathtas, është konfuze, e paorganizuar dhe ndonjëherë qesharake.

E djathta ka një histori komplekse. (“Shqipëria është një vend i vend i mrekullueshëm dhe tragjik.” Isadora Duncan. “Jeta ime”) Ishte e natyrshme që Lufta e Dytë Botërore, e cila në Shqipëri, në sensin lokal, u cilësua Lufta Nacional-çlirimtare, të sillte ndryshime në të gjithë hartën e botës, në çdo vend të saj pothuaj. Te ne, krahasuar me pjesën tjetër të Evropës Lindore, ku gjithashtu u vendos sistemi komunist, ky skenar i propoganduar si rend i ri e shpëtimtar, u realizua shumë më ndryshe dhe me ngarkesa tejet ideologjike, që  u shoqëruan edhe me shpërthimin e mërive dhe urrejtjeve krahinore, deri ngushtësisht lokale, si dhe me interpretime të skajshme të luftës klasore.

Është një fakt i pamohueshëm përndjekja e së djathtës, në veçanti e elitës intelektuale shqiptare, sidomos në mesin e shekullit XX. (“Përndjekja; e gjithë historia e botës është e mbushur me të...” Xh. Xhojs. “Ulisi”) Ne nuk mund të mohojmë njëlloj çekulibrimi të krerëve të djathtë në vitet e Luftës së Dytë Botërore, kur ata u orientuan në mënyrë të gabuar, për shkak se ndjenë epërsinë e komunistëve dhe, për më tepër, besuan në rolin e aleatëve të tyre, gjithaq të gabuar, për ribërjen e Shqipërisë etnike, reale. Por çfarë ndodhi? Përtej “hesapeve” të luftës dhe në luftë, goditjet mbi të djathtën dhe elitën e vendit, vazhduan; madje, shpesh, edhe më ashpër. Vija sektare e komunistëve në pushtet, as që donte t’ia dinte për “Orët e Kremlinit”; në dramën në fjalë, që është vënë në skenë edhe në Tiranë, bëhet fjalë për qasjen (më e pakta shfrytëzimin) edhë të përvojës dhe elementeve të së shkuarës. (“Në histori, momentet gjatë të cilave arsyeja dhe pajtimi mbizotërojnë, janë të shkurtra dhe të papërfillshme.” Stefan Cvajg.)

Në vitin ‘91, kur lëvizja demokratike ndryshoi shumë gjëra në Shqipëri, jeta e shtresave në fjalë nuk pati ndonjë përmirësim të dukshëm. U rikrijuan partitë tradicionale të djathta, Balli Kombëtar dhe Legaliteti, madje edhe Partia Republikane; por ato nuk spikatën në asnjë nga ngjarjet e tranzicionit. Po ashtu ndodhi te një sërë shoqata me vështrim djathtas; shumica e tyre, si edhe partitë në fjalë, ranë viktimë e mashtrimeve politike, më së pari e interesave të ngushta të drejtuesve të tyre të vegjël. Me të vërtetë, ata nuk u shfaqën asnjëherë në dimensionin që do t’i përfaqësonte si të djathtë; madje edhe gjatë mandateve të Partisë Demokratike, gjithashtu e cilësuar si një forcë politike e djathtë. Në fakt, shumica e drejtuesve dhe deputetëve të PD-së ishin pjesë e së shkuarës. Tek-tuk kishin ndonjë gjysh të përndjekur. Por në përgjithësi, baballarët e tyre kishin qenë deputetë, prokurorë, ushtarakë të lartë, më e pakta fshatarë e punëtorë të majtë. Familjet e djathta të persekutuara nga regjimi komunist, vetëm formalisht u përkrahën nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj. Ka gjyqe të hapur në Strazburg, nga ajo kohë. Prona, tema apo çështja e madhe e pazgjidhur. (“Shpesh mendoja se paqja kishte ardhur,/ kurse ajo ishte larg...” Emili Dikinson.)

Ndoshta duhen veçuar dy momente në këtë rrëfim. E para, organizimi i Referendumit pro apo kundër Monarkisë, që për shkak edhe të ngjarjeve të rënda të vitit ‘97, tregoi qartazi se vendi po kërkonte të djathtën, pavarësisht se përkrahësit e Monarkisë humbën; (thuhej dhe thuhet se u vodhën). Momenti i dytë, është oponenca e vazhdueshme e Shoqatës “Pronësi me drejtësi”, nga të paktat formacione a shoqata me prirje të djathta, që ngriti zërin për pronën dhe drejtësinë dhe nuk iu nënshtrua asnjë qeverie provinciale e tranzicionale, por dha sa mundi për përmirësimin e ligjeve në dobi të tokës, të pronave dhe të drejtësisë. Drejtuesit e saj, Rrapo Danushi dhe Ahmet Sulstarova, (që nuk jeton më), bënë të pamundurën për njohjen e çështjes së pronave: në TV, në Kuvend, në shtyp, në raporte me organizma të huaja, etj.

Po ashtu, u përpoqën dhe vazhdojnë “luftën” edhe të tjerë emra të këtij organizmi, si Vorpsi, Kasmi, Toro, etj. (Edhe pse së fundi ka pasur lëkundje dhe u shfaq po ajo sëmundje që mbërthen mbarë institucionet shtetërore apo shoqërore shqiptare. Përçarja.) Gjithsesi, në apelet e kësaj shoqate, mund të lexojmë ende një frazë pothuaj të frikshme: “Shoqata gjen rastin të ritheksojë se në stadin aktual, regjimi pronësor në vendin tonë është i deformuar; qytetarët kanë humbur jo vetëm konceptin ligjor, por edhe atë logjik të asaj çfarë konsiderohet “e drejtë” e pronës. (“Në Perëndim, çdo parcelë toke, çdo ndërtesë, çdo pajijse, çdo stok inventari përfaqësohet me një dokument pronësie që është shenja e dallueshme e një procesi të gjerë të padukshëm që lidh të gjitha këto asete me pjesën tjetër të ekonomisë.” Hernando De Soto.)

Ndalesë. Cilët janë të djathtët e sotëm? Nderim për bisnesmenët, me origjinë të majtë apo të djathtë, që e ngritën punën mbi atë pak pronë që rimorën apo duke blerë (për rrethana që fundja nuk kthehen më) çfarë teproi nga ndarja e pasurisë së madhe të kohës së Socializmit. Por ndërkaq, në hapësirat e djathta sot gjenden edhe këta të hashashit e të skafeve... Dhe të tjerë birbo, që janë bërë pasanikë falë vjedhjes së tenderave e mbështetjes politike. Dhe ç’dinë ata për të djathtën shqiptare? Ç’dinë për të pasurit që dhuruan gjënë e tyre për të bërë Shqipërinë; për ata që kanë bërë bamirësi, që kanë dhuruar shkolla e spitale, kanë sponsorizuar botimin e veprës së Naim Frashërit!... Ç’dinë për klerikët e lartë, që u dhunuan mizorisht, duke shpjeguar deri në fund shqiptarinë e tyre! E dinë ata që doktor Polena - i ati i kirugut të njohur Sotir Polena - ndërsa kishte rënë difteriti dhe i erdhën në derë prindër me dy fëmijë të sëmurë, të vetmet gjipëra që kishte, ua dha atyre; dhe ata shpëtuan, kurse dy fëmijët e tij, më pas do të vdisnin!... (Vangjush Ziko. “Korça”.)

PD do të duhej të ishte e djathta e këtij vendi... Por ajo ka përfaqësuar dhe përfaqëson interesa të një klani të gjerë dhe vetëm kaq. Kryetar i së djathtës i bie që të jetë sot Lulzim Basha. Çfarë përfaqëson ky individ, që të mund të jetë, të quhet e djathtë? Le të mos bëjmë biografinë e njerëzve si dikur, po çfarë ka thënë deri më sot ky individ që të jetë, të quhet “djathtas”? Është aq konfuz, pa ide, i shtypur nga pesha e stërmadhe e Berishës, që vetë është i djathti më komik në Evropë. E “djathta” e sotme shqiptare thjesht i hedh lotët përpjetë, siç thotë një shprehje kosovare. Shtiret. Ajo është e tillë, sepse që në fillim u zaptua nga ish-komunistë dhe spiunë; që ende e mbajnë për gryke. Në politikën shqiptare, në jetën publike, në magmën e konflikteve dhe të përfitimeve, gjenden përherë njerëz të rastësishëm, pse jo edhe të përkëdhelur. Të përkëdhelur nga fati. Të përkëdhelur nga klanet. Të përkëdhelur nga lobe a shërbime të caktuara. Të majtë e (gjoja) të djathtë, janë sot me pasuri të dyshimta, që tani ua kontrollojnë fëmijët dhe të afërmit. Partitë që ata kanë apo drejtojnë, janë organizma përfitimi pa principe.

Nëse do të ktheheshim në temë, një parti e djathtë e moderne i mëshon vendit aq sa ta ketë në Parlament e në institucione dhe fillon e bën opozitë të ndershme. Nuk thonë drejtuesit e një formacioni të djathtë: Ah, ç’na bëre ore maskara, na more pushtetin, prit se shpejt do të të përmbysim… Në një vend demokratik, si rregull, e di sovrani se si dhe kur “përmbyset” një qeveri. (“Më mirë të flasim me njëri-tjetrin, sesa për njëri-tjetrin…” Angela Merkel.) Njerëzit nuk duan kërcënime e tubime zhurmuese për hir të atij apo të këtij; ata duan një politikë serioze dhe që të dominojë prapambetjen në tërësi. E djathta, herë pas here, thirret ta bëjë këtë; pasi të bëhet vetë… Këtu fillon opozita dhe jo te psherëtimat e drejtuesve dhe deputetëve të saj: ose ekstremistë e gojëçthurrur, ose tuafë e servilë; por gjithnjë jashtë realitetit dhe ndyrës të tablosë ku jetojnë dhe shpresojnë shqiptarët.

Kam cituar edhe më parë - mendoj se edhe më shumë duhet të lexojmë e të citojmë - kam cituar herët, pra, Xhejms Gustave Speth (Mendimtar amerikan) që thotë: “Problemet kryesore janë egoizmi, babëzia dhe apatia. Për t’i përballuar ato, na duhet një transformim shpirtëror dhe kulturor.” Nëse shkojmë pak më tej, neve na duhet edhe më shumë opozitë reale; pra, na duhet edhe e djathta...  



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: