Elvi Sidheri: Shqip flasim, shqiponja hamë
| E Merkure, 10.01.2018, 10:00 PM |

Shqip flasim, shqiponja hamë

Nga Elvi Sidheri

Për t’i rënë sa më shkurt me këtë shkrim që kurrësesi nuk do të kisha dashur ta shkruaja, vetë titulli këtu praktikisht i thotë të gjitha...

Pra, neve, populli që flet shqip, që quhemi shqiptarë e që identifikohemi me shqiponjën, shpendin krenar të kreshtave të maleve tona të pamposhtura e të paarritshme edhe nga armiku më i molepsur, tashmë po na rezultuaka se me shqiponjat nuk paskërkemi një marrëdhënie edhe aq idilike sa ç’do të pretendohej.

Ncuq, aspak!

Një dokumentar i huaj i ditëve të fundit, shërbeu për të na hapur sytë lidhur me atë që të gjithë e dinim, por që nuk guxonim as ta mendonim si një realitet aktual të mirëfilltë; pra që shqiponjat, jo vetëm që në Shqipëri, domethënë në vendin e tyre “per antonomasia” siç do të thoshin fqinjët tanë italianë, ose “par excellence” qenkëshin në zhdukje e sipër si specie, por gjithashtu, shqiptarët, populli që mban emrin supozueshmërisht falë këtij shpendi krenar, shqiponjën e përdorin për ballsamosje, për zbukurim lokalesh, për t’ia shitur këtë simbol tonin të gjallë si relike të çmuar te turistët e huaj, e për të tjera përdorime të ngjashme.

Turp e faqja e zezë është të thuash pak në këtë rast.

Fjalët janë të tepërta e komentet përballë një realiteti kaq ngjethës bëhen thuajse të kota, ndërkohë që reagimi mbetet zgjidhja jonë e vetme, ndryshe na pret dështimi ynë i radhës.

Sepse pas e krahas me shqiponjën tonë të ngratë, shumë ndër vlerat, simbolet e trashëgimitë e tjera themelore të shqiptarit, janë zbehur e po veniten ngadalë, por pashmangshëm dita-ditës, pa lëvizur neve (dot) as gishtin për ta frenuar këtë tendencë zvetënuese për domethënien e shqiptarësisë së shekullit XXI.

Nëse një popull lejon këdo të nëpërkëmbë, përflasë, fyejë, përçmojë e të mashtrojë lidhur me figurën e Gjergj Kastriotit, Nënë Terezës, Pjetër Bogdanit, Gjon Buzukut, e deri te Avni Rustemit e Fan Nolit, atëherë pak vend mbetet për t’u shtangur nga keqtrajtimi gjer në cakun e zhdukjes së shkabave tona kryeneçe, që nuk iu dorëzuan mbrapështive të motit e lartësive të maleve në kaq mijëvjeçarë, por që nuk e patën llogaritur grykësinë tonë prej makutësh shqiptarë.

Nuk do të qeshë habitur fare-fare në fakt, nëse do të kisha parë këto ditë - mënjanë tërë torturave të tjera të cilave u nënshtrohen edhe ato pak (po shumë pak ndërkohë) ekzemplarë shqiponjash që i kanë bërë ballë stoikisht truallit aspak mikpritës shqiptar në këto 27-28 vite tranzicion – që shkabën e ngratë edhe ta piqnin në hell e t’ua ofronin vizitorëve të huaj si specialitet tejet ekzotik tipik vendas shqiptar.

E gjithaq, uroj fort që ky lloj “dark sarcasm” që po përdor në këtë shkrim, për të shprehu mllefin, acarimin e skajshëm dhe mospajtimin total me këtë realitet mbytës e shterues gjer në palcën e asaj çfarë ka mbetur akoma e pranishme nga ADN-ja jonë e lashtë shqiptare, të mos i shërbejë ndokujt si spunto ogurzezë për të sajuar vërtet ndonjë gatim të ri barbekyje me bazë shqiponje.

Sepse faktikisht, jo se nuk e bëjnë!

Faji i shqiponjës, ose thënë ndryshe, faji i Gjergj Kastriotit Skënderbeut, është që vajti i ra mendja burrit të botës, apo të atit ndoshta, që ta përzgjidhnin pikërisht Shqiponjën Dykrenare si simbol të tyrin familjar pikësëpari e paskëtaj edhe si emblemë të shenjtë të Arbërisë së Lirë anti-turke nga Mesjeta e gjer në agun e Mëvetësisë së Shtetit Shqiptar në vitin 1912.

Pse more Gjergj djali nga Kruja, ta shkrepi ajo mendje që të lije shiltet e minderet komode të Stambollit, haremet plot skllave të hijshme të krishtera - ato që më pas do të ktheheshin edhe në kryepersonazhet e serialeve dëngla-historike që plot jargavitje turkomane shfaqin mëngjes-drekë-darkë TV tona, nga Hyrremi te Kosemi, sulltaneshat skllave të krishtera, të sjella përdhunshëm si shtazë kafazesh në haremet e Stambollit nga piratët apo plaçkitësit osmanë – pse more Skënderbeu ynë, ta dha truri që ta ngresh pikërisht këtë flamur me Shqiponjë Dykrenare në Krujë më 28 Nëntor 1443?

Ç’pate more Gjergj, përse?

Po si qëlloi more plak i urtë i Vlorës Ismail Qemali, që edhe ty ta deshi zemra ta ngresh prapë flamurin  me Shqiponjë Dykrenare më 28 Nëntor, veçse kësaj radhe të vitit 1912?

Jemi që jemi, nuk e mohojmë dot se edhe entiteti i parë shtetëror mesjetar arbëror, Principata e Arbrit (1190-1255), gjithashtu simbol të vetin në flamur kish patur një Shqiponjë (Njëkrenare kësaj radhe).

S’na u ndanë këto shqiponjat more shokëni, si i bëhet kësaj pune!

Do ti që edhe romakët dymijë vite më parë, legjionarët trima, pretorianët e paepur (ndër të cilët shumë ilirë syresh), e vetë Perandoria Romake ku edhe ilirët bënin pjesë me të drejta të plota, për dreq seç na kishin për simbol, skeptrin me Shqiponjën Perandorake!

Jo, këtu paskësh një komplot shqiponjash duket!

E ç’bëjmë ne atëherë, si e gjejmë zgjidhjen përkatëse të këtij problemi akut?

Neve pa na e bërë syri tërrt, të marrim gjak në vetull dhe i vëmë dërrmën të gjorës shqiponjë, ose të paktën atyre ekzemplarëve të saj të cilëve u ndodh gjëma të fluturojnë krenare majë bjeshkëve (në këtë rast specifik vërtet të nëmura) shqiptare.

E kështu materializohet holokausti shqiptar i simbolit tonë kombëtar, shqiponjës tonë të cilës tanimë si strehë e fundit i mbetet veç flamuri ynë, ku rastësisht asaj i duhet ngaherë të bashkëjetojë me një fushë të kuqe gjak, si gjaku i saj i derdhur lumë nga ne vetë, populli i shqiponjës.

Krim i mallkuar, që nuk gjen ndëshkim.

Pa i hyrë etimologjisë mitike, epike apo realisht gjuhësore të fjalëve “Shqip” e “Shqiptar”, si dhe shpjegimeve më të besueshme përkatëse, që variojnë nga njësimi me shqiponjën e maleve, te termi latin “excipere” (nga “kuptoj”, “flas të njëjtën gjuhë”), fakti i pakundërshtueshëm është që Shqiponja na identifikon si komb, me të na gufohet zemra sa herë valëvitet flamuri ynë dhe “Bijtë e saj” jemi figurativisht, po aq sa romakët (dhe italianët sot), janë bijtë figurativë të Ulkonjës, mëkueses së Remos dhe Romolos mitikë.

Kështu që, në kafaz, apo të ballsamosur, do të ishte mirë të përfundonin keqtrajtuesit dhe shfarosësit e saj.

Jepini fund këtij kanibalizmi ndaj simbolit tonë sa më parë! 



(Vota: 22 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: