Milazim Kadriu: Poezi që i këndojnë jetës
| E Diel, 07.01.2018, 10:26 AM |

POEZI QË I KËNDOJNË JETËS, LULES, AGUT, DRITËS, BUZËQESHJES ...

Rexhep Halimi “Rreze e thyer”, botoi  SHB “FAD”- Prishtinë, 2017

Nga Milazim F. KADRIU

Rexhep Halimi  krijimtarinë e vet poetike e ka filluar qysh në bankat e shkollës fillore, duke derdhur energjinë e vet me ide, tema e motive të ndryshme duke gërshetuar ndjenjat subjektive të tij në një realitet objektiv. Ndërsa prirjen dhe frymëzimin e ka shpalosur gjatë kohës kur ishte nxënës i shkollës së mesme, pastaj si student e për të vazhduar pa ndërprerë  duke i botuar poezitë e tij nëpër gazeta e  revista letrare. Poezia e tij disa herë mori mirënjohje dhe shpërblime  në manifestime të ndryshme dhe konkurse letrare. Po ashtu është i përfaqësuar në disa libra përkushtuese të autorëve tjerë, e tash për të ardhur para lexuesve me librin e tij të parë të titulluar  “Rreze e thyer”]

Poezitë e këtij libri sjellin një tematikë mjaft të gjerë, pothuajse nga çdo fushë, ku i ka hedhur farën dhe grumbulluar nektarin  krijimit të tij poetik, duke mos e harruar që t’i këndojë me respekt vendit, të afërmve, atdhedashurisë, shkollës, nxënësve, dashurisë, etj. Halimi  në këtë libër shfaq një botë të madhe, sjell dhe përcjell në çdo poezi metaforën e jetës gjithnjë me shpresën për të mos humbur ëndrrën, kërkon gjithçka që është e mundur. Kur flasim për poezinë në kuptimin letrar dhe prurjet e Halimit ndonëse është libri i parë i tij, shohim mjaftueshëm se përpos shijes së fjalës artistike, padyshim dhe vlerave estetike duke e vlerësuar vargun si ''magji'' në hapësirën kohore gjejmë atë çka quhet brenda frymës poetike artin e fjalës.

Libri është i ndarë në katër cikle : Dritë, Gjurmë, Qëndresë dhe Rreze e thyer

Në poezitë e këtij libri shohim se poeti Halimi për temë ka realitetin në kohë, realitetin social, njerëzor apo fatet e kombit gjithandej, ku përmes vargut  të tij të larmishëm e forcon identitetin, qëndresën dhe dashurinë.

Me vargje të lehta, të kuptueshme nga çdo lexues  e sidomos nga fëmijët për të cilët shkruan më së shumti sepse ata tash e shumë vite janë pjesë e punës dhe aktivitetit të tij të përditshëm në procesin edukativ e arsimor.

Në poezinë “Nxënësit e mi” autori ndër tjera thotë:

 

Nxënësit e mi

Janë lule në livadh

Nxënësit e mi

Janë gjelbërim në mal

 

 

Në disa poezi  sjellë dashurinë dhe respektin ndaj vendit të lindjes, ndaj natyrës, ku në poezinë “Pamje fshati “  shprehet :

 

bariu me fyell

melodinë e nxjerr

sa ëmbël sy sorkadhja

këngës ia merr

 

ose në poezinë “Në fshatin tim” thotë:

 

Atje lartë mbi kodrinë

Në atë faqe mali kam shtëpinë

Këtu më poshtë në rrafshinë

Lulëkuqet me aromë mbijnë

 

Në këto poezi shprehet dashuria për çdo gjë që ka vendlindja si dhe kërkesa që ajo të duket edhe sa më mirë.

Më të dashurve të tij  u ka  kushtuar disa poezi që i ka vendos në ciklin e dytë  të librit. Poezi u kushton prindërve, fëmijëve, nipit, mësuesve të tij etj. Ai shkruan për prindërit që asnjëherë nuk mund të harrohen  se ata janë prindër, duke ua përmendur vuajtjet e tyre. Në poezinë  kushtuar babit ku i përkujton vuajtjet dhe mundin e tij të asaj kohe për të rritur fëmijët që nuk ishte punë e lehtë, ndër tjera thotë :

 

Babai im në mulli

E pret rendin gjersa akulli

Nisë të shkrijë

Në mulli vinte me natë

Thyente akullin me lopatë

Për t’i bluar ca kokrra misri

Fëmijëve të vetë për darkë

 

Ose poezinë kushtuar nënës

 

Në buzëqeshjen tënde

Shoh dashurinë për jetë

Në sytë tuaj të thellë

Shoh jetën time në vijim

 

Po ashtu poezi u kushton edhe fëmijëve  ku ai nëpërmes vargjeve i këshillon fëmijët që çdo herë të ecin rrugës së drejtë dhe të mos rrëshqasin e të bien në rrugët jo të mira, të ecin drejtë rrugës së dritës e diturisë.  Me respekt të lartë  i kujton edhe mësuesit e tij dhe mjekun që iu gjend në një kohë të rëndë. Të gjitha poezitë e këtij cikli janë shkruar me mall.

Autori i këndon jetës, historisë dhe figurave të ndryshme kombëtare dhe apelon që të mos harrohet e kaluara por të punohet më shumë për të tashmen dhe të ardhmen që ajo të jetë sa më e ndritur.

 

Në poezinë kushtuar Heroit të kombit Zahir Pajaziti ndër tjera autori thotë:

 

Sa shumë lakmi

Ta patën vdekjen.

Amanet

Brezave që vijnë

Kombin

Flamurin

Lirinë!

 

Ndërsa në poezinë “Nëntori i kuq” shprehet

 

Ne e ju

Ata e ato

Lindim dhe vdesim

Njëmijë herë

Për këtë flamur

 

Ai na sjell vargje me zemër e aromë trëndafili, na sjell diellin me rrezet që dritë e ngrohtësi i falin botës në tokë dhe në qiell.

Poezitë e këtij vëllimi lidhen fuqishëm me trupin, artin e jetës dhe kohën nëpër të cilën shtegtuam.

Mërgimit, kësaj teme dhe këtij fati nuk ka mundur t’i shpëtojë gati asnjë krijues. Nuk i shpëtoi as  autori i këtij libri i cili për një kohë  e shijoi kurbetin ku mallin për atdheun e paraqet edhe në poezitë e tij që ua kushton bashkatdhetarëve të cilët i takonte në ato kohë në kurbet që atje ndodheshin jo me dëshirën e tyre.

Në poezinë “Mërgimtarët …” ndër tjera thotë:

 

mërgimtarët e vendit tim

vijnë verës me nxitim

ata marrin me vete

një pjesë, të vendit tim

 

Rexhep Halimi është  poet i lules, i agut, i dritës, i buzëqeshjes dhe pikëllimit të njerëzve që e rrethojnë, është poet i syrit të fëmijës, i syrit të trimit, i ëndrrës së gjatë për liri ...

 

Ja disa vargje nga poezia “Vashat në luginë”

 

Lulet në livadh shtohen

Vashat kuvendojnë

Për gjelbërimin e barit

Sa bota ëndërrojnë

Yllin e jetës me krahoshë

E dekorojnë !...

 

Ose  disa vargje nga poezia “ Dita jonë ”

 

valle mbi valle

hedhin vashat si sorkadhe

vallëzoni,vallëzoni

se kjo është një ditë e madhe!

 

Festonim ne

festohej edhe në lagje

ditë e bekuar,o të uruar!...

 

Inspirimin për krijimin e poezisë e merr përgjithësisht nga jeta, nga e kaluara dhe  e tashmja për një rrugëtim të sigurt në të ardhmen.

Andaj në përgjithësi mund të themi se poeti Rexhep Halimi , me  përmbledhjen e tij të parë me poezi “ Rreze e thyer” para lexuesit vjen i  suksesshëm duke treguar ndjesinë e veçantë  në  poezitë e shtjelluara. Ai rrëfehet lirshëm dhe bindshëm, duke na ofruar poezi të lehta  dhe të kapshme për komunikim.

Ai  është poet i ndjenjave  depërtuese ku nga brendësia e tij artikulon vlera origjinale dhe na i sjell ashtu si i ndjen, por që janë me mesazhe edukative. Shpresojmë se pas kësaj përmbledhje poeti Halimi së shpejti do të sjell në dritë edhe libra tjerë, për çka i dëshirojmë suksese të reja.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: